VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Editorial: Zgjedhjet ta afrojnë klasën politike me zgjedhësit
E Shtunë, 06.06.2009, 08:36am (GMT1)

 

 

 

 

Voal-online Zgjedhjet e 28 qershorit është e domosdoshme të jenë zgjedhjet e një vendi që e ka merituar anëtarësimin në NATO, një përfundim ky i pranuar dhe i shqiptuar nga të gjithë partnerët e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në bashkësinë ndërkombëtare, përkatësisht në bashkësinë perëndimore. Është absolutisht e domosdoshme që kjo të jetë optika e rolit të faktorit të jashtëm në zgjedhjet e Shqipërisë, ngado që të vijë kjo optikë, ky interesim për këto zgjedhje. Synimi i përbashkët, i brendshëm dhe i jashtëm, për zgjedhjet në Shqipëri kërkohet domosdoshmërisht të jetë në favor të ngushtimit të çfarëdo hendeku të krijuar gjatë tranzicionit midis politikës dhe popullit, midis klasës politike dhe elektoratit, midis të zgjedhurve dhe zgjedhësve, midis administratave dhe qytetarëve. Kjo mendësi dhe kjo vetëdijë si tek ne, si tek ata nga jashtë që merren me zgjedhjet tona kërkohet të ndihet dhe të zbatohet në mënyrën më absolute ndaj këtyre zgjedhjeve në Shqipëri, të cilat, të gjithë e pranojmë, janë vendimtare për imazhin e Shqipërisë. Kur janë vendimtare për imazhin e Shqipërisë, ato janë vendimtare edhe për të ardhmen e Shqipërisë. Me të ardhmen e Shqipërisë është e lidhur absolutisht pazgjidhshëm e ardhmja e të gjithë shqiptarëve, si në hapësirën kombëtare, pra në atdheun tonë në Evropën Juglindore, ashtu edhe në mbarë botën, kudo që ndodhen. Çdo sisma, çdo lëkundje, çdo tronditje, çdo plasaritje në qëndrueshmërinë e Shqipërisë, të jenë të gjithë të vetëdijshëm, do të pasqyrohej dhe do të transportohej me pasoja tejet të padüeshirueshme përtej shqiptarëve. Në çdo projekt ndaj politikës dhe eksponentëve të saj, faktorët e interesuar për fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, është e domosdoshme ta kenë parasysh që Shqipëria duhet të dalë absolutisht shumë më e fortë nga këto zgjedhje, me imazh shumë më të fuqishëm brenda dhe jashtë vetes, me integrueshmëri shumë më të madhe në hapësirën perëndimore dhe në hapësirën globale. Nga vitaliteti i pashoq i shqiptarëve është e domosdoshme të prodhohet paqe, përparim, ndërtim si për hapësirën shqiptare në Gadishullin Ilirik ashtu edhe anembanë këtij rajoni, por edhe më gjerë. Shqiptarët kanë manifestuar një prirje dhe përkushtim perëndimor më shumë se të gjithë gadishullasit e tjerë, prandaj të gjithë faktorët e interesuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, si për mirë dhe për keq, duhet ta kenë të ngulitur në tru se duke krijuar klimë sa më të mbarë për zgjedhje të suksesshme të 28 qershorit në Shqipëri, ata do t'i kontribuojnë dhënies fund të një tranzicioni aq raskapitës në këtë vend. Dhe këtij tranzicioni do t'i jepet fund vetëm duke e afruar sa më ngushtë klasën politike me elektoratin, duke i dhënë fund çdo hendeku midis tyre. Kështu do t'iu shërbehej zgjedhjeve të suksesshme dhe fryteve që dalin nga këto zgjedhje.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.