VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LIBRI I RI I KOMUNIZMIT, MBI TË ZEZAT E KOMUNIZMIT

Nga FRANK SHKRELI


E Martë, 11.29.2011, 07:41pm (GMT1)

Gjatë këtij muaji disa personalitete shqiptare, siç duket nostalgjike për ish-regjimin komunist dhe protagonistët e tij kryesorë -- të gjallë e të vdekur -- përkujtoi në disa raste, gati me krenari, 70-vjetorin e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare. Komunistët, ish-komunistët dhe nostalgjikët e komunizmit i servirën publikut shqiptar një dozë intervistash, shkrimesh e botimesh, në të cilat ata jo vetëm i këndojnë lavdi të "˜'famshmes parti'', por për më tepër, me rastin e këtij përvjetori, marrin guximin të bëjnë thirrje "që komunistët të bashkohen", siç bëri shoqja Nexhmije Hoxha në një intervistë, duke shtuar se "˜'nuk ka rëndësi emri i partisë'', për derisa ata të jenë të një mendimi e të një qëllimi. Siç duket, ky përvjetor u përdor "˜'tinzisht'' në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, edhe për të hedhur baltë mbi figura të mëdha të kombit shqiptar si At Gjergj Fishta e Faik Konica, siç bëri Arben Puto me apologjinë e tij komuniste duke e quajtur At Fishtën fashist. Ende këta apartçikë komunistë i kanë ferrë në sy patriotët si At Gjergj Fishta, Faik Konica e të tjerë, të cilët gjatë 50 vjetëve të sundimit të egër komunist, jo vetëm u përpoqën t'u zhduknin dhe t'ua mohonin veprat dhe kontributin e tyre ndaj kuklturës, letërsisë dhe historisë së kombit shqiptar, por më në fund, shumë prej tyre i vranë e i eliminuan fizikisht dhe eshtrat e tyre i tretën, një krim ky kundër njerëzimit po se po, por njëherit edhe një krim i madh kundër kulturës kombëtare, dhe asaj universale.

Nga Amerika, falë internetit, lexoj këto shkrime e shikoj intervista në kanalet televizive nga Shqipëria dhe e pyes veten, more është e mundur që sot pas 20 vjet tranzicioni të lexosh shkrime e të shikosh intervista me përkujtime me mall të përfaqësuesve të një regjimi që i shkaktoi popullit e kombit aq terror, vrasje, tortura e masakrime apo mos vallë jam duke parë ëndërr një ëndërr shumë të keqe. Mos është kjo vallë një përpjekje nga ana e këtyre apartçikëve për t'u vënë një kapak krimeve të komunizmit kundër bijve dhe bijave më të mirë të kombit duke ricikluar akuzat e vjetra, të paraqitura si fakte të reja. Në të vërtetë, në to nuk ka asgjë të re, por janë tepër të ngjashme dhe në të njëtën vijë me akuzat e vjetra të regjimit enverist kundër Fishtës, Konicës e të tjerëve të rangut të tyre. Këta njerëz po përpiqen jo të shkruajnë histori pasi kredibilitet në këtë fushë nuk kanë -- por kjo mund të jetë një përpjekje për të justifikuar të kaluarën e tyre, sidomos atë "˜intelektuale'' , për të cilën besoj se nuk mund të ndihen shumë krenarë, dhe në këtë mënyrë mundohen të gjejnë "˜'strehim'', dhe justifikim për përkrahjen e tyre ndaj regjimit komunist dhe "˜'luftës së klasave'', të cilën një historian francez, në të vërtetë, e ka quajtur "˜'gjenocid klasash''. Ky "˜'gjenocid klasash'', siç vihet re nga debatet dhe botimet e fundit në Shqipëri jo vetëm që s'ka marrë fund me tranzicionin 20 vjeçar, por sikur po inkurajohet nga elementë të caktuar të shoqërisë shqiptare, dhe vazhdon pa ndonjë kundërshtim serioz. Kjo fushatë po bëhet nga apartçikët e atij regjimi, ndërkohë që pothuaj asnjë ish-udhëheqësi ose ish-zyrtari komunist nuk i është kërkuar llogari dhe asnjë prej tyre nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi, duke mos dalë në gjyq dhe duke mos u dënuar, për asnjë nga krimet e kryera gjatë atij regjimi, as për një vrasje të vetme. Besoj se po të shkruanin për këto krime me ndershmëri intelektuale për këto tmerre të kryera nga ai regjim të cilit i kanë shërbyer, këta apartaçikë do të rehabilitonin veten dhe do t'i bënin një shërbim të madh shoqërisë dhe kombit shqiptar. Por le të harrohen krimet e komunizmit, "˜'se ashtu ishte koha'' rëndësia historike në këtë moment në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë -- kërkon që subjekt debati të jetë "˜'fashizmi i At Gjergj Fishtës'', dhe marrja e parave e Faik Konicës nga duçja. O tempora, o mores! Në vend që të zhdukurve, të internuarve, të përndjekurve, "˜'armiqve të klasave'' t'u kërkohet falje për ato që ata kanë pësuar nën atë regjim, ata ballafaqohen me thirrjen e Nexhmije Hoxhës "˜'që komunistët të bashkohen''. Para disa vitesh pyeta një ish-të përndjekur, nëse ishte në gjendje të falte ata që e kishin tortuar. Ai mu përgjigj pa hezitim: unë jam gati t'i falë, tha ai, por nuk kam se kë të fali, pasi asnjëri nuk më ka kërkuar falje. Pajtimi kombëtar, kërkon dhe meriton më shumë se kaq në prag të jubileut të 100-vjetorit të Pavarësisë së Atdheut të Shqiptarëve, Shqipërisë.

Nga dëshprimi shpirtëror dhe moral, e detyrova veten t'i hedh një sy rishtas Librit të Zi të Komunizmit, botuar në Evropë nga fundi i 1990-ave nga autorët francezë (Stephane Courtois, Nicolas Werth, Jean-Louise Panne, Andrzej Pacykowski, Karel Bartooek dhe Jean Louis-Margolin). Ky libër është një përpjekje serioze për të dokumentuar koston njerëzore të komunizmit në shekullin e kaluar, anembanë botës. Ajo që e bën këtë libër edhe më të besueshëm është fakti se pothuaj të gjithë këta autorë e konsideronin veten të majtë, e ndonjë prej tyre bile edhe ish antarë të partisë komuniste, ashtuqë ky nuk është një libër i dokumentuar e shkruar nga anti-komunistë fanatikë. Është shkruar, pra, nga njerëz që dikur e konsideronin komunizmin si sistemin shoqëror që do të zgjidhte të gjitha problemet e njerëzimit. Prandaj ky libër është një qortim i ashpër nga ish-simpatizues të komunizmit ndaj pikëpamjeve të tilla të shtrëmbëruara si edhe ndaj atyre, që në një mënyrë ose në një tjetër, përpiqen të parqesin komunizmin si një ideologji më morale dhe më njerëzore në krahasim me nazizmin ose fashizmin.

Që në fillim të librit prej pothuaj 900 faqesh të versionit anglisht, paraqitet një statistikë rrënqethëse e numrit të viktimave të komunizmit anembanë botës, duke filluar nga Shqipëria e deri tek Korea e Veriut. Sipas autorëve, në Bashkimin Sovjetik, kishte 20 milionë të vrarë; në Kinë 65 milionë; një milion të vrarë në Vietnam; dy milionë në Korenë e Veriut; dy milionë në Kamboxhia; një milion në Evropën Lindore komuniste; një milion e 700 mijë në Afrikë; një milion e gjysëm në Afganistan; në Amerikën Latine 150 000; dhe nga radhët e lëvizjes ndërkombëtare komuniste dhe partive komuniste jo në fuqi u vranë rreth 10 000 veta duke arritur kështu numrin e përgjithshëm të vikimave të komunizmit, sipas autorëve, në pothuaj 100 milionë veta, anembanë botës. Për më tepër, miliona të tjerë kanë jetuar, siç thotë populli, "˜'gjallë e për çudë'', duke pësuar burgosje, internime, tortura, uri dhe tmerre të tjera nga regjimet komuniste.

Libri i Zi i Komunizmit, që ishte një "˜'bestseller' ndërkombëtar kur u botua dhe u përkthye në gjuhë të ndryshme, duket se kishte për mision për të vënë në dukje mosaftësinë dhe refuzimin e shumë vetave sidomos intelektualëve dhe historianëve por edhe të tjerëve - siç ndodh fatkeqësisht edhe në Shqipëri -- për të pranuar krimet, të zezat, të këqijat dhe dëmet që ka bërë komunizmi në vendet përkatëse anembanë botës. Dhe si i tillë, sipas autorëve francezë, nga pikëpamja morale, komunizmi ishte i barabartë me nazizmin, në mos bile më i keq se nazizmi. Libri pasqyron variante të ndryshme të komunizmit, përfshirë atë të Enver Hoxhës, të Titos e të Mao Ce Dunit, duke thënë se megjithëse eventualisht ata u shkëputën nga Moska, sistemet e tyre prapëseprapë kishin të njëjtin profil ideologjik: në të gjitha këto raste, sipas Librit të Zi të Komunizmit, në këto vende ishte e imponuar diktatura e një partie të vetme dhe e një ideologjie pseudo-shkencore si gjoja çelësi për të kuptuar dhe për të zgjidhur të gjitha problemet e jetës dhe të shoqërisë. Udhëheqësit komunistë ndërkombëtarë, të përbashkët kishin gjithashtu dhe përdorimin e një gjuhe dhe një retorike të egër që demonizonte armiqtë e vërtetë dhe të imagjinuar politikë. Në vend të zhdukjes së dallimeve midis klasave, ashtu siç premtonte me utopinë e tij, komunizmi zhduku klasë të tëra njerëzish, që i konsideronte armiq. Redaktori i librit Stephane Courtois nënvizon argumentin e tij se regjimet komuniste, ashtu si edhe nazizmi, eliminonin njerëzit duke u bazuar në origjinën e tyre krahinore, fetare, ideologjike ose etnike, dhe jo në bazë të ndonjë fajësie ose përgjegjësie. Ai vë në dukje se komunizmi është një ideologji çfarosëse që i zgjedhë armiqtë e vet në bazë klasash. Lufta e komunizmit kundër "˜'kulakëve'' dhe lufta e "˜'revolucionit kulturor'' kundër fesë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, s'ishte asgjë tjetër veçse një përpjekje sistematike për të çfarosur shtresa të tëra të popullsisë, për arsye thjeshtë ideologjike, sipas autorëve të librit.

Autorët francezë të këtij libri, me kërkimet dhe hulumtimet e tyre në arkivat sovjetike dhe të vendeve të tjera ish-komuniste, kanë dokumentuar se komunizmi ishte praktikuesi më i egër i "˜'krimeve kundër njerëzimit'' dhe në të njëtën kohë kundërshtojnë dhe hedhin poshtë pretendimet e disave se nazizmi ishte sistemi që ruante "˜'monopolin absolut mbi të keqen''. Autorët gjithashtu shkruajnë se nazizmi zhduku gjithsejt rreth 20 milionë veta në krahasim me numrin e viktimave të komunizmit prej rreth 100 milionësh. Përveç dhjetra miliona viktimash njerëzore, dhe miliona të tjerëve që vuajtën në kampe përqendrimi, kampe pune e burgje të ndryshme, Libri i Zi i Komunizmit, në dukje se komunizmi në çdo vend i kishte shpallë luftë kulturës, letërsisë, historisë, fesë dhe në përgjithësi, sipas autorëve, kishte ndërmarrë një luftë kundër vet qytetërimit botëror, me qëllim të krijimit të "˜'njeriut të ri''. Siç thashë edhe më lart, këto deklarata bëhen nga historianë e akademikë të krahut të majtë, ish-komunistë ose simpatizantë të komunizmit. Kur shkrimtari francez i majtë Andre Gide pat vizituar parajsën komuniste të Stalinit, pasi u kthye së andejmi, ai pat thënë se "˜'Dyshoj të ketë ndonjë vend në botë, përfshirë edhe Gjermaninë e Hitlerit, ku liria e mendimit të jetë më e pakët dhe më e terrorizuar se sa në Bashkimin Sovjetik''.

Megjithëse autorët e librit kanë, aty këtu, ndryshime mendimesh e pikëpamjesh mbi disa nga përfundimet e arritura, ata janë vendosmërisht të një mendimi mbi të keqën dhe tmerret, që sipas tyre, komunizmi i ka shkaktuar njerëzimit në përgjithësi dhe vendeve të ndryshme ku ka sunduar ai regjim, në veçanti.

Ish-presidenti amerikan Ronald Regan e pat quajtur komunizmin si "˜'një kapitull të dhimbshëm dhe të pakuptueshëm të historisë'', si një sistem që ishte ngritur mbi baza që ishin në kundërshtim me natyrën njerëzore, ndërsa Zbignjev Brzezhinski e ka cilësuar ideologjinë komuniste si një "˜'doktrinë të huaj'' që iu imponua Evropës Lindore pro-përendimore, e cila më në fund e përzuri atë ideologji sikur imuniteti i trupit të njeriut lufton dhe mund infektimet.

Libri i Zi i Komunizmit është një monument i gjallë që na kujton aftësitë dhe mundësitë e njeriut për të bërë keq kundër shoqërisë dhe njerëzimit, por në të njëjtën kohë është edhe një dokument që duhet t'u kujtojë që të mos harrojnë natyrën e vërtetë të atij sistemi sidomos intelektualëve, historianëve, por edhe gazetarëve, dhe të gjithë atyre të cilët bënë të mundur mbijetesën dhe zgjatjen e jetës së regjimit komunist, duke e mbrojtur me lëvdata dhe me shkrime gënjeshtër.

Shumë prej këtyre intelektualëve, jo vetëm përkrahën, mundësuan dhe legjitimizuan komunizmin, por në të vërtetë, duke u bazuar në veprat e tyre dhe në indeferencën e tyre ndaj atyre që po ndodhnin në vendet e tyre, ata mund të konsiderohen jo vetëm si konspiratorë e komplotistë por dhe bashkëfajtorë për vrasje, internime, burgosje pa faj, e tjera. Si rrjedhim, jo vetëm udhëheqësit politikë komunistë, por edhe mbrojtësit e këtij sistemi, atëherë dhe sot, duhet të mbahen përgjegjës për krimet e komunizmit dhe për historinë e turpshme të tij. Por mbi të gjitha, ky libër duhet të lexohet gjithashtu nga njerëzit e popujt liridashës kudo, ashtuqë të vendosin njëherë e mirë se një sistem i tillë si komunizmi nuk do të lejohet të kërcënojë kurrë më njerëzimin.

Fakti është se në shumë vende të botës, është e vështirë të parashikohet e ardhmja, por e kaluara nuk ndryshon. Nëqoftëse historia e regjimit komunist në Shqipëri si edhe lufta e atij regjimi kundër atdhetarëve si At Gjergj Fishta e Faik Konica dhe shumë të tjerëve si ata, është për disa, ende një burim krenarie që meriton të mbrohet e të justifikohet, atëherë për çka duhet të turpërohemi në këtë jetë. Të gjithë e dimë se rrethanat ishin shumë të vështira për intelektualët shqiptarë nën regjimin komunist dhe unë kam simpati të thellë për vuajtjet e tyre fizike, intelektuale dhe shpirtërore, si edhe në përgjithësi për barrën që e kaluara ka vendosur mbi krahët e disa prej tyre, por ama përpjekjet e tyre në këte kohë për të mashtruar veten dhe të tjerët mbi atë histori nuk mund të justifikohen. Mos vallë e kemi humbur busullën morale?

Gjermanët, si asnjë popull tjetër në botë e kanë provuar se, megjithë historinë e tyre të tmerrshme ndaj vetes dhe të tjerëve, është e mundur të ndërtohet shteti dhe të ringjallet kombi pa qenë qorr e i shurdhët ndaj barrës së rëndë të historisë. Shpresoj që këjo të ndodhë edhe me ne.

FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.