VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MIKHAIL GORBAÇOV: NJË FIGURË HISTORIKE

Nga FRANK SHKRELI


E Shtunë, 12.03.2011, 06:51am (GMT1)

Këtë javë, ish-presidenti i fundit sovjetik, Mikhail Gorbaçov vizitoi Tiranën i ftuar nga Organizata Ndërkombëtare e Shahut për Femra, ku në të njëtën kohë, u takua edhe me udhëheqësit më të lartë të vendit. Gjatë vizitës së tij, ish-udhëheqësi sovjetik u shpreh se po vizitonte kryeqytetin shqiptar pasi ndiente se i kishte borxh Shqipërisë dhe se këtë borxh e lau me këtë vizitë.

Unë nuk jam i sigurt se për çfarë borxhi flet Zoti Gorbaçov ndaj Shqipërisë, por jam i sigurt për rolin e tij të pazëvendësueshëm në rrëzimin e komunizmit 20-vjet më parë, ashtuqë në të vërtetë, është Shqipëria dhe e gjithë Evropa ish-komuniste që i kanë borxh Zotit Mikhail Gorbaçov për rolin historik që ai luajti në revolucionet anti-komuniste, kryesisht pa gjak, anë e mbanë Evropës Lindore e Qendrore. Sipas shumë ekspertëve, megithëse sistemet komuniste ishin dobësuar ieologjikisht dhe ekonomikisht, në të vërtetë ishte viti 1988 që shënoi fillimin e mbarimit të dominimit sovjetik në vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore. Për më tepër, ishte Zoti Gorbaçov ai i cili në vitin 1988 braktisi "˜'Doktrinën Brezhnev'', duke lejuar kështu vendet anëtare të Paktit të Varshavës që lirisht të vendosnin vetë punët e tyre. Në një fjalim para Këshillit të Evropës, në Korrik të vitit 1989, në lidhje me këtë politikë të re, Zoti Gorbaçov deklaroi, duke habitur perëndimorët dhe popujt e Evropës Lindore, se "˜'Rëndi shoqëror dhe politik në disa vende ka ndryshuar në të kaluarën dhe mund të ndryshojë edhe në të ardhmen, por një gjë e tillë është krejtësisht në dorë të secilit popull për të vendosë vet. Çdo ndërhyrje në punët e mbrendshme, ose çdo përpjekje për të kufizuar sovranitetin e një shteti tjetër, qoftë ai mik, aleat ose tjetër, është krejtësisht e papranueshme.''

Është disi e pabesueshme dhe deri diku edhe e pa-falshme që një figurë historike si Mikhail Gorbaçov, megjithëse ende i gjallë, pothuaj është hequr nga vëmendja dhe kujtimi për rolin e tij jetik në shpërbërjen e komunizmit, në krahasim me ish-presidentin amerikan Ronald Reagan, të cilit, me të drejtë i jepet gjerësisht kredi për përpjekjet e tij për dhënien fund të luftës së ftohtë dhe për fitoren ndaj komunizmit. Megjithëkëtë, ka disa analistë që Zotin Gorbaçov e kanë rreshtuar, me të drejtë, me Presidentin Reagan dhe Papa Gjon Palin II, si njërin prej arkitektëve kryesorë të rrëzimit të diktaturës së komunizmit. Një ndër ta është diplomati amerikan i karierës dhe ish ambasador i Amerikës, në Moskë, Zoti Xhek Metlak. Madje-madje vetë Presidenti Reagan, gjatë një konferencë për mediat në Moskë në vitin e tij të fundit si president në vitin 1988, kur u pyet për rolin që ai vetë kishte luajtur në dramën e madhe të shekullit të 20-të, në vend që të fliste për rolin e tij, ai u përgjigj duke theksuar rolin e ish-udhëheqësit sovjetik: "˜'Zoti Gorbaçov meriton pjesën më të madhe të kredisë, si udhëheqës i këtij vendi (Bashkimit Sovjetik)'', për influencimin e transformimeve që më në fund tronditën Evropën dhe botën, tha presidenti Reagan.

Kur është fjala për komunizëm, socializëm dhe sisteme të tjera që u mohojnë popujve të drejtat e tyre bazë, Presidenti Reagan ishte i pa-mëshirshëm ndaj tyre, pasi ai i konsideronte ato si sisteme të liga dhe çnjerëzore që përdorin strukturat e shtetit për të skllavëruar shtetasit e tyre dhe të tjerët. Si një anti-komunist i bindur, Zoti Reagan nuk kishte frikë të thonte atë që besonte dhe që duhej thënë, -- shpesh pa dorëza diplomatike -- dhe të bënte atë që ai mendonte se duhej bërë për të siguruar lirinë e popujve që jetonin nën regjime shtypëse. Presidentët amerikanë, duke përfshirë edhe Zotin Reagan, për dekada ishin përpjekur të angazhonin udhëheqësit sovjetikë për të gjetur qëndrime të përbashkëta dhe për të vendosur një frymë më të mirë marrëdhëniesh midis dy vendeve, me qëllim mënjaninimin e një lufte bërthamore, gjatë luftës së ftohtë. Me ardhjen në fuqi të Zotit Gorbaçov në mesin e 1980-ave, pas vdekjes së njëpasnjëshme të tre udhëheqësve të moshuar sovjetikë, Presidentit Reagan më në fund iu dha rassti dhe mundësia për të vendosur marrëdhënie serioze me një udhëheqës të ri sovjetik, të cilat shkallë shkallë çuan në uljen e tensioneve mids dy kampeve dhe më në fund falë marrëdhënieve të reja midis tyre, këta dy burra shteti ndryshuan botën duke hequr qafet diktaturat komuniste anembanë Evropës Lindore dhe Qendrore.

Përveç marrëdhënieve që Zoti Gorbaçov kishte vendosur me Presidentin Reagan dhe Kryeministren britanike Theçër, e cila pas një takimi me udhëheqisn e ri sovjetik, i raportoi presidentit Reagan se udhëheqësi i ri sovjetik ishte një "˜'udhëheqës me të cilin mund të punojmë'', -- Zoti Gorbaçov vendosi gjithashtu marrëdhënie të ngushta edhe me Papa Gjon Palin e Dytë duke vizituar Vatikanin në Dhjetor të vitit 1989, për një takim që gazeta Nju Jork Tajms e cilësoi në atë kohë si "˜'një vizitë me një simbolizëm proporcionesh epike''. Ndërsa, Stalini, duke u tallur, kishte pyetur se sa divizione ushtarake kishte Papa, tani pasardhësi i tij, i vendosur të zhdukte trashëgiminë staliniste anembanë botës komuniste, ishte i bindur se për të realizuar një gjë të tillë, duhej të merrej me Vatikanin si një forcë morale dhe politike në botë. Zoti Gorbaçov e pat cilësuar me atë rast takimin me Papën, si një "˜'ngjarje me të vërtetë e jashtëzakonshme'', e cila "˜'do të ndihmojë në vazhdimin e proceseve pozitive, që kanë përfshirë shumë vende e kombe.''

Gjatë dekadave të luftës së ftohtë, përparimet e vogëla në marrëdhënjet amerikano-sovjetike, në një mënyrë ose në një tjetër, pothuaj gjithmonë përfundonin në dështime. Por Zoti Gorbaçov, me politikën e tij të "˜'Glasnostit'' dhe "˜'Perestroikës'' ishte i vendosur të ndryshonte Bashkimin Sovjetik dhe sistemin e tij në mënyrë radikale, duke e larguar atë nga gënjeshtra e madhe e ideologjisë marksiste si edhe nga falimentimi i sistemit komunist. Presidenti Reagan, Kryeministrja britanike Theçer dhe Papa Gjon Pali i Dytë e panë menjëherë se Zoti Gorbaçov ishte ndryshe nga udhëheqësit tradicionalë sovjetikë. Fati i historisë i bëri këta udhëheqës botërorë të punonin së bashku për rrëzimin e një prej diktaturave më të tmerrëshme që ka njohur historia, duke ruajtur paqën dhe duke shpëtuar botën nga katastrofa bërthamore. Është ky një mësim për të gjithë ata pa marrë parasysh ndryshimet e tyre idologjike ose fetare -- që janë të interesuar në mënjanimin e luftës dhe për vendosjen e paqës në botë. Të gjithë këta janë herojë të historisë njerëzore, përfshirë pra edhe Zotin Mikhail Gorbaçov. Ky rol i tij i pazëvendësueshëm, në transformimin kryesisht paqësor të Evropës Lindore e Qendrore dhe ish-Bashkimit Sovjetik, nuk duhet të harrohet as t'i mohohet.

Sepse sipas historianit të universitetit Oksford, Zotit Timoti Ash: "˜'Pa Papën Gjon Palin e Dytë nuk do të lindte Solidarnosti: pa Solidarnost nuk do të kishte Gorbaçov: dhe pa Gorbaçovin nuk do të kishte rënie të komunizmit.''

 

FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.