VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BAROMETRI DIPLOMATIK

MARRËVESHJA NË FAVOR TË SERBISË, JO TË KOSOVËS!

Nga Prof. Dr.MEHDI HYSENI


E Hënë, 12.05.2011, 07:05am (GMT1)

*** Sipas kësaj Marrëveshjeje, del se, Kosova (ende) nuk paskësha kufij shtetërorë ngaqë nuk përmenden në përmbajtjen e saj!?

*** Derisa Serbia dhe serbët e Veriut të Kosovës, nuk e njohin shtetësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, çdo marrëveshje apo traktat i përfunduar me Serbinë, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, me të drejtën e vetëvendosjes, si dhe me luftën çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale të UÇK-së.

Për vendosjen e sundimit të ligjit, të rendit, të sigurisë dhe të Kushtetutës, si dhe për zhbllokimin e pikave kufitare të Republikës së Kosovës, nuk ka nevojë të lidhet kurrfarë traktati dypalësh apo shumëpalësh me Serbinë, sepse ato ndodhen brenda kufijve territorialë dhe shtetërorë të Republikës së Kosovës (edhe pse ende nuk janë të njohur ndërkombëtarisht nga ana e Kombeve të Bashkauara dhe sipas së drejtës ndërkombëtare).

Prandaj kjo është çështje e brendshme e Kosovës, jo e Serbisë. Në këtë pikëvështrim, askush nuk e gëzon atë të drejtë ligjore e as kushtetuese (as presidentja, as kryeministri e as kryekuvendari i Republikës së Kosovës), që të bëjë pazarllëk me Beogradin në kurriz të së drejtës sovrane të Republikës së Kosovës, duke e pranuar Serbinë si palë të integruar për menaxhimin e kufijve shtetërorë të Kosovës, të cilët Beoradi zyrtar ende (edhe pas pavarësimit të Kosovës) po i quan "kufij administrativë" brenda territorit të Serbisë (!?)

Marrëveshja për menaxhimin e "kufijve administrativë", JO, assesi ndërshtetërorë, sepse Stefanoviqi ka refuzuar çdo simbol dhe atribut shtetëror të Republikës së Kosovës, që të përfshihet de fakto dhe de jure në procesin e menaxhimit të integruar të "pikave administrative" (!)

Veç tandemit negociues Tahiri-Stefanoviq në Bruksel, edhe përfaqësuesi i BE-së, Robert Cooper ka deklaruar se "është i kënaqur me arritjen e Marrëveshjes mbi kontrollin e integruar të vendkalimeve administrative në Kosovë".

Sheshit, edhe sipas kësaj deklarate të ndërmjetësit të BE-së, rezulton se Serbia ka pranuar "një marrëveshje për kontrollin e përbashkët të vendkalimeve administrative", JO KURRFARË MARRËVESHJEJE PËR MENAXHIMIN E INTEGRUAR TË KUFIJVE SHTETËRORË MIDIS SERBISË DHE KOSOVËS, SI DY SHTETE TË BARABARTA SOVRANE DHE TË PAVARURA.

Kjo Marrëveshje, është një mashtrim sui generis për shqiptarët e Kosovës, sepse nuk ka kurrfarë baze as sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, as sipas "Marrëveshjes së Lisbonës e as sipas kritereve dhe standardeve integruese të BE-së ngaqë në brendinë e saj nuk flitet për kufij shtetërorë të Kosovës, as për dy shtete sovrane, por vetëm për ushtrimin e kontrollit të përbashkët të "vendkalimeve adiministrative" Kosovë Serbi.

Kjo është arsyeja kryesore pse Serbia ka pranuar një marrëveshje të tillë, sepse në asnjë rresht të saj nuk figuron togfjalëshi "kufij shtetërorë", por vetëm "menaxhim i vendkalimeve administrative", gjë që kjo do të thotë se Beogradi zyrtar nuk njeh kurrfarë shtetësie e as kufijsh shtetërorë të Republikës së Kosovës. Për më tepër, marrëveshja e arritur e dyshit Edita Tahiri-Brosilav Stefanoviq, është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Serbisë (sipas së cilës, "Kosova është pjesë e pandashme e territorit të saj") dhe me Rezolutën 1244 të KS të Kombeve të Bashkuara.

Pavarësishit nga deklaratat buzëqeshëse, cinike, bombastike, spekuluese dhe mashtruese politiko-propagandistike dhe pa kurrfarë mbulese të negociatores së Kosovës të Edita Tahiri, Paralamenti i Kosovës, duhet ta hudhë poshtë Marrëveshjen e përfunduar në Bruksel ndërmjet palës serbo-shqiptare, sepse është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës ngaqë nuk njeh simbolet dhe kufijt shtetërorë të saj.

Qeveria dhe Edita Tahiri dezinformojnë opinionin publik(!)

Sipas komunikatës së lëshuar të Qeverisë së Kosovës, del se " Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, është arritur në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin dhe Strategjinë e Kosovës për Menaxhimin e Integruar të Kufirit." //www.zeri.info/artikulli/1/1/39541/konkluzionet-e-dakorduara-te-ibm-it/03/12/2011).

Lidhur me këtë konstatim hipotetik, shtrohet kjo pyetje, në cilin nen dhe paragraf të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, thuhet se është i pranueshëm "Menaxhimi i Integruar i Kufijve" me palën serbe të Beogradit?!

Përgjigjja, po sikur kjo marrëveshje e tandemit Tahiri-Stefanoviq, të kishte qenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Serbia kurrë nuk do të pranonte përfundimin e saj. Kjo është tejet e thjesht për t'u kuptuar nga ana e njohësve të marrëdhënieve serbo- shqiptare, të paktën në këto dymbëdhjetë vitet e fundit, ku institucionet shtetërore (Presidenca, Qeveria dhe Parlamenti) dhe titullarët e tyre, Boris Tadiq, president, Ministri i Jashtëm Vuk Jeremiq, etj. për çdo javë, për çdo muaj, dhe për çdo vit, kanë pohuar dhe, edhe sot, pas përfundimit të kësaj "marrëveshjeje multilaterale", pohojnë se kurrë nuk do ta njohin Republikën e Kosovës ngase do të ishte në kundërshtim me interesin nacional dhe me Kushtetutën në fuqi të Republikës së Serbisë në të cilën thuhet se "Kosova është Serbi".

Këtë e provon edhe deklarata e Borislav Stefanoviqit (pas arritjes së Marrëveshjes së sipërtheksuar), ku ndër të tjera, thuhet se, " Marrëveshja në asnjë mënyrë nuk nënkupton shtetësinë e Kosovës, madje, as në kuptimin terminologjik nuk përmendet kurrfarë kufiri apo vendkalimi shtetëror. Arritja e kësaj marrëveshjeje, është një shtysë e mirë për politikën e jashtme të Serbisë, kur është fjala për pozicionimin e saj në integrimet evropiane " (www.beta.rs/03/12/2011).

Po, si është e mundur që qeveria e Kosovës, të pohojë se "Kjo marrëveshje ka të bëjë me bashkëpunimin mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, sipas konceptit evropian për menaxhimin e kufirit ndërshtetëror mes dy vendeve... Shteti i Kosovës tashmë zbaton marrëveshje të tilla me shtetet tjera fqinje, Maqedoninë dhe Shqipërinë, si dhe së shpejti pritet të nënshkruhet marrëveshja me Malin e Zi".( //www.zeri.info/artikulli/1/1/39541/konkluzionet-e-dakorduara-te-ibm-it/03/12/2011), kur në këtë Marrëveshje nuk bëhet fjalë për kufij ndërshtetërorë, e as për dy shtete të barbarta, të pavarura dhe sovrane, por vetëm për "vendkalimet-pikat administrative".

Gjithashtu, marrëveshja e theksuar nuk mund të krahasohet e as t'i vihet shenjë barazimi me marrëveshjet e arritura dhe të praktikuara ndërshtetëore me Maqedoninë, me Shqipërinë dhe, nesër ndoshta, edhe me Malin e Zi, sepse në asnjërin prej këtyre shteteve, nuk kemi problemin e Veriut të Kosovës, i cili qe 12 vjet, është nën kontrollin e politikës, të ligjeve dhe të Kushtetutës së Serbisë, për shkak se as kolonët serbë të Veriut të Kosovës e as Beogradi zyrtar, nuk po njohin Republikën e Kosovës. Ndërkaq Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, e kanë njohur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Kështu që, nuk është çudi e as kurrfarë befasie pse qeveria e Kosovës ka një bashkëpunim të tillë të menaxhimit të përbashkët të kufirit ndërshtetëror. Ndërkaq, një sistem i tilllë i menaxhimit dhe i zbatimit të integruar të kufirit shtetëror të Kosovës me Serbinë, është i papranueshëm, ilegal dhe antikushtetues, sepse në veriun e Kosovës ende sundojnë ligjet dhe kushtetuta antishqiptare dhe anti-evropiane e Serbisë, e cila përmes eksponentëve të saj militantë dhe terroristë (duke vënë barrikada, zjarre, plagosje dhe vrasje të shqiptarëve dhe të paqeruajtësve të NATO-s dhe të EULEX-it) po përpiqet që atë pjesë të Kosovës, ta shpallë territor të pavarur serb, ose ta rianeksojë si pjesë integrale të territorit të saj, duke e rikthyer nën sovranitetin e dikurshëm të saj kolonial (1912-1999).

Fundja, si qeveria e Kosovës, ashtu edhe mbështetësit-partnerët e saj evro-ndërkombëtarë, duhet ta mbajnë parasysh faktin e qëndrueshëm dhe realist se të gjitha problemet (qofshin ato "teknike", ekonomike, tregtare, sociale, politike, juridike etj.) me të cilat po ballafaqohen serbët e Veriut, do të zgjidhen, vetëm atëherë, kur Serbia ta njohë Republikën e Kosovës. Ndryshe, edhe më tej, do të mbretërojë status quo-ja në Veriun e Kosovës, me gjithë marrëveshjet absurde, të arrituara në Bruksel ndërmjet Edita Tahirit dhe Borislav Stefanoviqit, të cilat emërues të përbashkët kanë fuqizimin dhe përshpejtimin e politikës së jashtme të Serbisë drejt hapjes së dyerve të integrimit në BE.

S'ka dyshim se vazhdimi i arritjes së marrëveshjeve të tilla antikushtetuese me Serbinë, gradualisht, do të kompremetojë dhe do t'i vërë në pikëpyetje kufijtë shtetërorë të Republikës së Kosovës.

Prof. Dr.MEHDI HYSENI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.