VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BAROMETRI DIPLOMATIK

MAQEDONIA BRUTALISHT PO I SHKEL TË DREJTAT DHE LIRITË E SHQIPTARËVE!

Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI


E Mërkurë, 12.14.2011, 05:09pm (GMT1)

 

*** Derisa të mos ndryshohet Kushtetuta në fuqi, Maqedonia vazhdimisht do t'i diskriminojë shqiptarët, edhe pse ajo vetëm në letër, ashtu sikurse Serbia dhe Mali i Zi, në sy të BE-së (me qëllim që të aderojë sa më parë në të), është përcaktuar për koekzistgencën e rreme pluraliste dhe multietnike të rendit të saj politiko-shtetëror, demokratik dhe shoqëror. Mirëpo, de fakto dhe de jure, po vepron ndryshe në praktikë, duke iu mohuar shqiptarëve të drejtën e vetëvendosjes.

*** Aleanca Kuq e Zi(Redi Ramaj): "Ne daten 7 Dhjetor 2011 ne piken kufitare mes Shqiperise dhe Maqedonise te Qafethanes shtetasja rumune me origjine Shqiptare MONA AGRIGOROAIEI eshte mbajtur e izoluar dhe marre ne pyetje per me shume se 5 ore rresht nga oficere civile te sherbimeve maqedonese te sigurise."( Shih:/www.aleancakuqezi.al/2011/lajme/aleanca-kuqezi-ben-thirrje-qeverise-maqedonase-te-ndale-vargun-akteve-te-patolerueshme-drejtuar-shqiptareve-dhe-aktivisteve-te-aleances-kuq-zi//10/12/2011//

-Si jetim, as Mona Agrigoroaiei e as shqiptarët e tjerë, veprimtarë aktivë dhe të dalluar të çështjes së ribashkimit kombëtar shqiptar (qofshin vendas, qofshin të hapësirave të tjera të Shqipërisë etnike, apo të diasporës), nuk duhet të mashtrohen dhe të jetojnë në iluzione të kota se, do të kenë ndonjë trajtim ndryshe nga ai që e përjetoi motra dhe bashkëveprimtarja jonë e palodhshme dhe e pakompromis, Mona Agrigoroaiei nga organet policore të Maqedonisë.

Çfarë të them tjetër, veçëse ,më vjen shumë keq që motra jonë, Mona ka përjetuar atë "incident" disaorësh nga "sigurimcat" sllavomaqedonë, në kufirin shqiptaro-maqedon (Qafëthanë), më 7 dhjetor të vitit 2011. Ai është një akt antihuman dhe i kundërligjshëm me të gjitha konventat, marrëveshjet, deklaratat, protokollet ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, si dhe të Bashkimit Evropian për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe të lëvizjes së lirë të njerëzëve.

Marrja në pyetje dhe keqtrajtimi i aktivistes së ribashkimit kombëtar shqiptar, Mona Agrigoroaeie, nuk është akti i vetëm, as i fundit antiligjor, që shërbimet policore dhe sekrete të Maqedonisë po i ndërmarrin kundër shqiptarëve, me qëllim që t'ua mbyllin gojën, të mos identifikohen, të mos mendojnë dhe të mos veprojnë kombëtarisht dhe shqiptarisht, por të heshtin dhe të pajtohen me sundimin e egër kolonial, me aparteidin dhe me brutalitetin sistematik dhe institucional të regjimit policor dhe antidemokratik të Maqedonisë. Këtë e bëjnë në fomrat më perfide antihumane, antiligjore dhe antishqiptare, duke u shtirur para Evropës dhe para bashkësisë ndërkombëtare se kinëse shqiptarët janë ata, që po e " destabilizojnë" dhe po e "dëmtojnë" rendin, sigurinë, bashkëjetesën multietnike, proceset demokratike integruese, paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë në Ballkan. Mirëpo, e vërteta, është krejtësisht ndryshe, regjimi policor dhe politika zyrtare diskriminuese sllavomaqedone, janë faktorët kryesorë, që shqiptarët po i mbajnë "peng" si "minorritet"(edhe pse në numër janë më shumë sesa sllavomaqedonët, por si "ligj", statistikat zyrtare si në kohën e ish-Jugosllavisë, i fshehin të dhënat e sakta demografike të numrit të shqiptarëve), duke i përjashtuar nga ligjet dhe nga Kushtetuta në fuqi e "Maqeodnisë", si element kombformues dhe shtetformues. Pikërisht ,këtu fillon e keqja e diskriminimit dhe e segregimit të shqiptarëve, sepse janë të privuar nga e drejta e tyre historike, legjitime, ligjore, kushtetuese, si dhe nga e drejta e vetëvendosjes, që të paktën (sipas kërkesës minimale), të jenë të barbartë, të lirë, të pavarur dhe sovranë sikurse sllavomaqedonët sipas Kushtetutës ekzistuese në fuqi.

Për të marrë fund, njëherë e përgjithmonë, keqtrajtimi, diskriminimi dhe mohimi i së drejtës dhe i lirisë individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Maqedoni, është koha e fundit, që shqiptarët, me referendum, të kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës në fuqi, nëse edhe më tej dëshirojnë të jetojnë në një shtet të përbashkët artificialë, të sajuar nga Jugosllavia e Titos (1945).

Sikur qeveria dhe policia "maqedone", t'i njihnin dhe t'i respektonin konventat dhe ligjet evropiane dhe ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut, sigurisht se, nuk do t'i kishin diskriminuar dhe vënë jashtë Kushtetutës së "Maqedonisë", shqiptarët, duke i shndërruar në një pakicë kombëtare, sikurse turqit, serbët, malazezët etj. Ky është problemi, që kërkon zgjidhje imediate, jo vetëm nga qeveria "maqedone", por edhe nga faktorët e bashkësisë ndërkombëtare, me gjithë Marrëveshjen e Ohrit, të arritur më 2002, sipas së cilës shqiptarët, janë privuar nga e drejta e vetëvendosjes, që edhe ata të jenë të barabartë me "maqedonët". Zgjidhjen e këtij problemi të mprehtë dhe e mosmarrëveshjeve ekzistuese ndërmjet qeverisë sllavomaqedone dhe shqiptarëve, do ta bënte të mundur vetëm ndryshimi i Kushtetutës. Ndryshe, shthurja e ngrehinës artificiale e Titos (FYROM), është e pashmangshme. Këtë duhet ta mbajnë parasysh të gjithë si qeveria "maqedone", ashtu edhe bashkësia ndërkombëtare.

Në këtë pikëvështrim, nuk është vetëm faji i mosfunksionimit të ligjeve dhe të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, por edhe i vetë atyre liderëve në krye të partive shqiptare, të cilët qe 20 vjet po veprojnë në kuadrin e qeverisë sllavomaqedone. Ata janë shkaktari dhe fajtori kryesorë, pse sot shqiptarët si komb shtetformues, kanë ngelur jashtë Kushtetutës së Maqedonisë, si minoritet nën suterenitetin vasal të qeverisë sllavomaqedone.

Shqipëria të marrë masa preventive për mbrojtjejn e shqiptarëve jashtë kufijve të saj!

Shqipëria, duhet të kërkojë urgjentisht nga qeveria sllavomaqedone, që sa më parë të jetë e mundur, t'i lirojë të të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë, të cilët janë dënuar për shkak të bindjes dhe kërkesës së tyre politike dhe atdhetare kombëtare, se shqiptarët e gëzojnë të drejtën e vetëvendosjes, të jenë të lirë, të pavarur dhe të bashkuar brenda kufijve etnikë dhe natyralë të Shqipërisë. Ashtu siç është rasti me të gjithë shtetet e tjera të Ballkanit (secili në shtëpinë e tij). Pse vetëm shqiptarët të jenë përjashtim në tokën e tyre?

Përpos në Maqedoni, në Serbi, në Mal të Zi dhe në Greqi (ku shqiptarëve të kolonizuar dhe të diskriminuar ua ka mbyllur gojën "demokracia" sllave), në asnjë vend tjetër demokratik në botë, ku sundon ligji i respektimit dhe i mbrojtjes së të drejtave dhe i lirive të njeriut, nuk ndodh, që njerëzit të merren në pyetje, të japin llogari, të keqtrajtohen, të arrestohen, të burgosen dhe të ndëshkohen me nga disa vite vuajtje burgu, për shkak të shprehjes së mendimit dhe të fjalës së lirë.

Unë e di se, si shqiptarë, u dhemb zemra, edhe presidentit Bamir Topi , edhe kryeministrit Sali Berisha, edhe Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Jozefina Topalli, nuk u vije mirë fare, kur dëgjojnë, kur shohin dhe kur lexojnë se, organet dhe institucionet e rendit, të policisë dhe të gjykatave të qeverisë "maqedone", ua heqin liritë dhe të drejtat elementare të shqiptarëve, duke i marrë në biseda informative, duke i arrestuar, duke i burgosur, dhe duke i dënuar me masa drakonike shqiptarët e pafajshëm (vetëm pse ata në mënyrë paqësore po kërkojnë liri, mëvetësim dhe bashkim) me nga disa vite burg, vetëm për shkak të shprehjes së bindjeve të tyre politike dhe kombëtare, si dhe për shkak të shtruarjes së kërkesës së tyre legjitime dhe të drejtë të realizimit të së drejtës së vetëvendosjes, që iu garanton lirinë, pavarësimin dhe bashkimin e tyre në një shtet të përbashkët kombëtar shqiptar. Ashtu, siç thotë, edhe Kushtetuta e sotme e Republikës së Shqipërisë.

Mirëpo, si shqiptarë, nuk mjafton vetëm të jemi të informuar, të ndihemi keq dhe të brengosur për mohimin e të drejtave dhe lrive individuale dhe kolektive të shqiptarëve të kolonizuar nën Maqedoni, nën Serbi, nën Mal të Zi dhe nën Greqi, por para së gjithash, duhet të veprojmë si shtet, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ku në Nenin 8, Pika 1, Paragrafi 1, thuhet qartas dhe mjaft kuptueshëm se "Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jetojnë jashtë kufijve të saj." (Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, "Pegi", Tiranë, 2002, f.7).

Gjithashtu, edhe në Premabulën e kësaj Kushtetute në fuqi, thuhet se " me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar"(Po aty, f.5).

Duke u bazuar si në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ashtu edhe në të drejtën historike, si dhe në të drejtën ndërkombëtare, shqiptarët gëzojnë të drejtën, që në mënyrë paqësore dhe demokratike, të shtrojnë kërkesën e tyre(qoftë me shkrim, qoftë me gojë, qoftë si individë, qoftë si kolektivitet) për çlirimin antikolonial, shkolonizimin dhe për mëvetësimin e tyre deri në bashkimin e plotë si komb dhe si shtet i vetëm-Shqipërinë etnike natyrale.

Ndaj, kërkesa e tillë e shqiptarëve (jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Serbi, në Greqi dhe në Mal të ZI), e shprehur dhe e demonstruar në mënyrë paqësore dhe demokratike, nuk përbën asnjë akt kundërvajtës a penal, që ata të torturorhen, të arrestohen, të burgosen dhe të dënohen me nga 5, 10 a 20 heqje lirie nga ana e gjykatave policore dhe politike sllavo-maqedone.

Mirëpo, edhe në 20-të vitet e fundit ( në erën e demokracisë dhe të integrimeve everopiane e rajonale), një padrejtësi e tillë sui genres po ndodh vetëm mbi shqiptarët në vendet e theksuara fqinje, edhe për shkak të indiferencës dhe të moszbatimit të ligjeve mbi respektimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit shqiptar, edhe pse sipas Kushtetutës së Shqipërisë në fuqi, ata, në çdo kohë, do të duhej, të ishin të mbrojtuar nga mekanizmat dhe nga instrumentet përkatëse jiurdike të institucioneve shtetërore të Republikës së Shqipërisë.

"Ujku kimen e ndërron, po zanatin se harron"!

Kështu, sipas "zanatit të ujkut", qe më se një shekull, edhe "maqedonët", edhe serbët, edhe malazezët, edhe grekët, të mirat, mirëbesimin, përbashkësinë paqësore dhe mbështetjen e shqiptarëve gjatë historisë së deritashme, i kanë harruar, por jo edhe "këngën e vjetër" të nënshtrimit, të përbuzjes, të spastrimit etnik dhe të gjenocidit ndaj shqiptarëve, si dhe të grabitjes së tokave të tyre etnike, ku edhe sot, në dekadën e dytë të shekullit XXI, nuk i kanë braktisur, por i zbatojnë në mënyrë, edhe më agresive, më ataviste dhe më iracionale, kinëse në emër të "integrimit" dhe "demokrazimit" të tyre evropian etj. Këtë e dëshmon edhe statusi i sotëm kolonial i shqiptarëve nën Maqedoni, nën Greqi, nën Serbi dhe nën Mal të Zi.

Nuk ka asnjë dyshim se statusi i tillë kolonial i shqiptarëve në vendet e theksuara ballkanike, është "vrima më e zezë" e Evropës së sotme demokratike, integruese dhe paqësore, sepse nuk përputhet me asnjë kriter dhe standard të BE-së e as të së drejtës ndërkombëtare (përkundrazi kolonializmi sllav mbi shqiptarët dhe mbi gjysmën e Shqipërisë etnike, janë të dënueshme, sipas të të gjitha normave dhe parumeve të së drejtës ndërkombëtare),por vetëm se është kompremetim dhe problem serioz i saj, që kërkon zgjidhje jo vetëm nga Bashkimi Evropian (BE), por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku edhe sipas Kartës, konventave dhe protokolleve të saj, kolonializmi është vepër kriminale ndërkombëtare, ashtu sikurse luftërat agresive dhe gjenocidale të padrejta dhe johumane.

Së fundi, duhet të jetë largpamëse dhe e vetëdijshme politika uniforme sllavomaqedone se, as Maqedonia, as Serbia e as Mali i Zi, nuk do të kenë asnjë shans real, as të ligjshlm, që të hyjnë në BE, derisa t'i diskriminojnë dhe, t'i vënë jashtë ligjit shqiptarët, duke ua mohuar të drejtat dhe liritë elemnetare, edhe në kundërshtim me Deklaratën Universale të OKB-së, ku ndër të tjera, thuhet: "Secili gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë e parashtruara në këtë Deklaratë pa kurrfarë kufizimesh përsa i përket racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare a shoqërore, pasurisë, lindjes ose tjetër. Asnjë dallim nuk do të bëhet në bazë të statusit politik, juridik ose ndërkombëtar të shtetit ose vendit të cilit i përket çdo njeri, qoftë kur shteti ose vendi është i pavarur, qoftë nën kujdestari, qoftë jo vetëqeverisës ose që gjindet në çfarëdo kushtesh të tjera të kufizimit të sovranitetit.(Neni 2); Asnjeri nuk duhet të mbahet si skllav ose në robëri,skllavëria dhe tregtia e skllevërve janë të ndaluara në të gjitha format.(Neni 4); Asnjeri nuk duhet t'i nënshtrohet torturës, veprimit ose dënimit mizor, ç'njerëzor ose poshtërues.(Neni 5); Asnjeri nuk duhet t'i nënshtrohet arbitrarisht arrestimit, ndalimit ose dëbimit.(Neni 9). Ashtu, sikurse vepruan pa të drejtë, organet policore të Maqedonisë, me rastin e ndalimit dhe të arrestimit të Mona Agrigoraei, më 7 dhjetor 2011, në Qafëthanë-kufirin shqiptaro-maqedon); Gjithkush ka të drejtën e lirisë së qarkullimit dhe banimit brenda kufijve të çdo shteti. Gjithkush ka të drejtë të largohet nga cilido vend qoftë, përfshirë këtu edhe të vetin, si dhe të kthehet në vendin e vet. (Neni 13)."

 

Prof. Dr. MEHDI HYSENI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.