VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Kosova hyn në vitin e njëmbëdhjetë të lirisë
E Enjte, 06.11.2009, 08:57am (GMT1)

 

 

Sado kuptim relativ të ketë termi liri në kushtet e Kosovës gjatë viteve të saj nën protektoratin ndërkombëtar, historia shënon se Kosova, tashmë shtet i pavarur dhe sovran, hyn në vitin e saj të njëmbëdhjetë pa praninë e makinerisë serbe pushtuese, e cila u përzu njëherë e përgjithmonë nga ky vend në saje të qëndresës dhe rezistencës shekullore aktive, në saje të luftës për liri dhe pavarësi të popullit të Kosovës dhe në saje të ndihmës mike dhe aleate të NATO-s me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dita e 10 Qershorit 1999 përkonte, në mënyrë tejet domethënëse, me njëqind e njëzet e një vjetorin e krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ky përkim ua kujton shqiptarëve dhe botës se Kosova mbajti peshën kryesore në Lëvizjen e madhe historike të quajtur Rilindja Kombëtare Shqiptare, siç ka mbajtur peshën kryesore dhe vendimtare të kombit në të gjitha zhvillimet historike të Gadishullit Ilirik dhe të Evropës. Çlirimi i Kosovës më 1999 hapte rrugën që të ndreqej sado pjesërisht ajo padrejtësi fatale e fuqive të mëdha evropiane të kohës të cilat ua dhanë fqinjve tri të katërtat e territorit të Shqipërisë, përfshirë Kosovën, e cila përbënte hapësirën më të zhvilluar, me përqëndrimin më të madh të qyteteve dhe me popullsinë më të dendur shqiptare. Misioni ndërkombëtar erdhi në Kosovë me një dëshirë të mirë, por, siç tregoi koha, me një qëllim të papërcaktuar. Pavarësisht dobësive dhe mangësive të misionit ndërkombëtar, Kosova, pra populli i saj, ka treguar durim, gjakftohtësi, shpresa pothuaj në çdo çast të kësaj periudhe. Populli i Kosovës ka mbajtur disa palë zgjedhje të standardeve më të mira perëndimore të kohës së sotme. Populli i Kosovës iu ka dhënë jetë institucioneve të saj qëndrore dhe shtetërore e lokale, iu ka dhënë atyre autorizimet absolute shtetkonsolidimin e Kosovës, si dhe për integrimin e tij në bashkësinë ndërkombëtare. Kombi shqiptar ka treguar mirëkuptim të plotë me Kosovën edhe në këto vite që shkuan, sikurse gjatë gjithë historisë. Këtë mirëkuptim, në cilësinë e një solidariteti total, kombi shqiptar do ta tregojë edhe në të gjitha fazat e ardhshme të historisë së Kosovës, në mënyrë që Kosova të korrë frytet e gjakut oqean që ka derdhur për lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj, në mënyrë që misioni ndërkombëtar të përfundojë me nder, duke kurorëzuar me dinjitet atë që e nisi më 24 mars 1999 me fushatën 78 ditore të bombardimeve kundër makinerisë pushtuese serbe të luftës. Erdhi koha që Kosova të shpërblehet për faktin që nuk dërgoi asnjë bir apo bijë të saj të luftojë kundër Kroacisë dhe Bosnjës, kundër popullit kroat dhe boshnjak. Erdhi koha që Kosova të shpërblehet, sepse duke krijuar shtetin e saj paralel, në kushtet e mizorisë më të kulmuar barbare, sfidoi e para Hitlerin e Beogradit, Kryekasapin Millosheviç, shembull të cilin bashkësia ndërkombëtare do ta ndiqte më vonë. Me sfidën e saj të shtetit paralel, të qëndresës, rezistencës dhe të luftës për liri dhe pavarësi, Kosova mbrojti Evropën pikërisht në themelet e saj. Më 17 Shkurt 2008 Kosova do të fillonte zyrtarisht jetën e saj të shtetit të pavarur dhe sovran me përkrahjen e Amerikës, Perëndimit dhe gjithë faktorëve paqedashës në botë, një ngjarje që do ta pikënisjen pikërisht në paqen me drejtësi për Kosovën, çka i është premtuar asaj më 24 mars 1999.  Kosova dhe kombi shqiptar, të vendosur përkrah Amerikës, kanë treguar se e kanë merituar që Kosova të ketë shtetin e pavarur dhe sovran me njohje zyrtare ndërkombëtare, çka është një ndreqje e vogël e padrejtësive të kryera kundër atdheut dhe kombit shqiptar në shekujt e kaluar, por gjithsesi një ndreqje vendimtare për të qetësuar gjithë hapësirën shqiptare, gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në botë, gjithë miqtë, aleatët dhe vëllezërit tanë, për të sjellë paqen, qëndrueshmërinë afatgjatë në rajonin e Gadishullit Ilirik dhe në kontinentin e Evropës, duke ia hapur udhën në këtë mënyrë edhe projektit të Evropës së ardhshme të Bashkuar.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.