VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - HISTORIA E GAZETËS QË BËRI HISTORINga MUJË BUÇPAPAJ

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 10:42am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

HISTORIA E GAZETËS QË BËRI HISTORI

Nga MUJË BUÇPAPAJ


E Premte, 01.06.2012, 10:09am (GMT+1)


Pak ditë pas themelimit të Partisë Demokratike, gjendja e lirisë së mediave në Shqipëri ishte e vajtueshme. Partia në pushtet kontrollonte totalisht mediat e shkruara, si dhe ato audiovizive dhe ajo që është më e keqja, i kishte drejtuar ato kundër demokratëve të papërvojë dhe me mundësi të pakta për të ngritur një sistem të tyrin informues. Një stuhi sulmesh të stilit të propagandës së vjetër u lëshuan kundër liderëve demokratë, të cilët paraqiteshin si "huliganë", "shkatërrues" dhe kërcënues të rendit dhe sigurisë së Shqipërisë.
Vendi i vogël ballkanik ishte i fundit në rajon, që po përpiqej të përshtaste rregullat e reja të pluralizmit dhe ekonomisë së tregut. Qeveria komuniste, ndërsa ishte detyruar të pranonte pluralizmin pas presionesh të forta të Lëvizjes Studentore dhe atyre ndërkombëtare, shfaqte synime të qarta për të lejuar një opozitë të dobët, të kontrolluar dhe me mundësi të vogla për ta sfiduar në zgjedhjet e 31 marsit 1991.
Në këto rrethana, shtypi i lirë do të ishte prova e parë e demokracisë dhe pluralizmit shqiptar. Pas plot 46 vjetësh izolimi total dhe mohimi të fjalës së lirë, Partia Demokratike kishte vendosur të nxirrte gazetën e saj. Ishte një kohë pritjeje, por edhe përgatitje për stafin e ri, i cili do të drejtonte gazetën, siç ishin edhe disa gjëra të natyrës teknike. PD, e themeluar më 11 dhjetor 1990, më 12 dhjetor të këtij viti u shpall publikisht gjatë një tubimi historik në Qytetin "Studenti" Tiranë. Pluralizmi ishte pranuar politikisht, por nuk ishte legalizuar akoma në mënyrë institucionale, ligjore.
Më 17 dhjetor, Kuvendi i Shqipërisë formalisht do të dekretonte ligjin e lejimit të pluralizmit politik në vend, ndërsa më 19 dhjetor vetë PD do të regjistrohej në Ministrinë e Drejtësisë si një parti legale. Tani, ajo nuk kishte pengesa që të ndërtonte strukturat e saj në të gjithë vendin, si dhe të kishte shtypin e saj. Pas themelimit të PD-së, dalja e numrit të parë të gazetës së saj do të shënonte një dallim thelbësor të ndryshimit të sistemit të ngurtë të mohimit të fjalës së lirë.
PD, e sapolindur, vazhdonte të kishte selinë e saj provizore tek godina numër 15 në Qytetin "Studenti". Ato dy-tri dhoma të përshtatura thjeshtë mbajnë akoma edhe kësaj dite hijen e asaj lëvizjeje dhe shndërrimi. Drejtuesit e Komisionit Nismëtar me në krye Azem Hajdarin, çdo ditë që kalonte po e shikonin që gjendeshin në vështirësi të mëdha komunikimi me mbështetësit e tyre dhe opinionin në tërësi për shkak të mungesës së medias së partisë së tyre. Deri në këtë kohë, drejtuesit e lartë demokratë mund të publikonin idetë e tyre pa censurë vetëm tek "Zëri i Amerikës", pasi RTSH dhe gazetat e kontrolluara nga Partia e Punës në pushtet, përveç censurës dhe deformimeve të ideve dhe koncepteve të tyre, i kishin vënë në shënjestër disa prej eksponentëve të Komisionit Nismëtar të PD e sidomos Azem Hajdarin. Shtypi i majtë vazhdonte të zbatonte parimet leniniste, sipas të cilit kundërshtari politik ishte edhe armik i partisë.
Në fund të dhjetorit 1990, koncepti për ndërtimin e gazetës kishte ardhur duke u formësuar. Komisioni Nismëtar kishte ngarkuar për këtë çështje Mitro Çelën dhe Preç Zogajn, që të dy gazetarë të njohur në vend. Mitroja njihej si natyrë opozitare për shkak të disa shkrimeve problemore-ekonomike, si pasojë e publikimit të tyre me urdhër të Partisë Komuniste, ai ishte larguar nga gazeta "Zëri i Popullit", ndërsa Preçi vinte nga "Zëri i Rinisë" dhe kishte një të kaluar të vështirë dhe mosbesimi me regjimin për shkak të biografisë së familjes së tij tërësisht antikomuniste.
Nuk dihet se kush e pati propozuar në Komisionin Nismëtar të PD, por shumë shpejt u mor vesh se, kryeredaktor i gazetës së opozitës ishte emëruar Frrok Çupi edhe ky një ish-gazetar i "Zërit të Popullit" i larguar prej kësaj gazete "për shkelje të vijës së partisë". Ai, për disa vite, ishte detyruar të punonte në një ndërmarrje të Tiranës si punëtor krahu. Në vitet 1989-1990, kishte botuar disa reportazhe mjaft të mira në shtypin e Tiranës.
Në këto ditë të ndërtimit të stafit të ri të gazetës pati përpjekje prej shumë gazetarëve, që të përfshiheshin në redaksinë e saj, por ishte shumë e vështirë. Më vonë, në stafin drejtues të gazetës do të emëroheshin shumë gazetarë, të cilët faktikisht nuk kishin luajtur asnjë rol deri më 12 dhjetor 1990, kur ishte shpallur PD, por që njiheshin për një frymë oponente ndaj regjimit. Këtu bëjnë përjashtim studentët, të cilët ishin të gjithë anëtarë të Lëvizjes së Dhjetorit. Më kujtohet një episod nga ditët e fundit të dhjetorit, kur selia e Partisë Demokratike ishte akoma tek godina numër 15 e Qytetit "Studenti". Në njërën nga dhomat e pajisura thjesht me një tavolinë dhe disa karrike të marra nga salla e televizionit, në katin e dytë të godinës zhvillonte mbledhjet e punës edhe kryesia e re apo Komisioni Nismëtar i PD-së. Në fakt në këtë periudhë, në ato ambiente studentësh ishte vështirë të mbaje ndonjë rregull apo distancë. Aty të gjithë e ndjenin veten heronj, heronj të një lëvizjeje të madhe. Në një nga këto mbledhje kam njohur për herë të parë edhe Frrok Çupin. Kishte një pamje të heshtur. Në një moment kur na thanë se do të fillonte mbledhja e kryesisë, u ngritëm dhe dolëm të gjithë, meqenëse nuk ishin në Komisionin Nismëtar.
U ngrit të dilte jashtë edhe Frroku, por dikush i tha, mesa më kujtohet Azemi: "Ti, Frrok, do të qëndrosh, pasi je kryeredaktori i gazetës". Më kujtohet si sot, Frroku i ulur në një karrike nga fundi i sallës, i mbështjellë me një pardesy kafe, mjaft të përdorur.
Në korridor po prisnim bashkë me Lazër Stanin. Lazri më tha se i ishte premtuar për të punuar qysh në fillim në stafin e gazetës dhe për këtë ndjehej i kënaqur. Unë në këtë kohë isha student pasuniversitar, studioja për skenar të filmit artistik, kisha bashkëpunuar në mënyrë të suksesshme me shtypin, kisha marrë pjesë si shumë intelektualë të rinj në Lëvizjen e Dhjetorit dhe natyrisht kisha dëshirë të punoja qysh në fillim në redaksinë e "RD-së", por gjërat nuk ishin të lehta.
Berisha, qysh në ato momente, ishte për atë që stafi i gazetës të zgjidhej sipas një modeli jopartiak, por krejt të pavarur. Biles pati zëra se "RD-ja" do të ishte një gazetë e pavarur nga PD-ja.
Në fakt një vit më parë, pikërisht për reportazhet cilësore që kisha botuar tek "Zëri i Rinisë", kisha marrë çmim vjetor, ndërkohë që kisha marrë edhe disa çmime vjetore për poezi dhe një poemë të botuar tek kjo gazetë. Në vitin 1999, kisha botuar një vëllim poetik, i cilësuar nga kritika e kohës si i suksesshëm. Ai ishte vëllimi i vetëm poetik që botohej në atë kohë pa ndonjë vjershë për partinë apo për udhëheqësin, siç ishte në modë atëherë.
Tirana, në atë periudhë, po ziente. Intelektualët ishin përfshirë në debate të forta në rishikimin e vlerave të regjimit komunist, ku prinin shkrimtarët dhe artistët. Atë fund dhjetori, në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë qe mbajtur Pleniumi i Lidhjes, ku unë merrja pjesë.
Pati debate të forta mes shkrimtarëve gjysmë desidentë dhe drejtuesve të Lidhjes. Shkrimtarët një nga një refuzuan të hidhnin kandidaturat e tyre për deputetë në zgjedhjet e Kuvendit Popullor të Shqipërisë, të parashikuar për në muajin shkurt 1991. Dihej se kjo ishte një lojë e PPSH dhe Ramiz Alisë, për të justifikuar nevojën e lejimit të pluralizmit politik. Pak më vonë u organizua një veprimtari për Gjergj Fishtën po në Lidhjen e Shkrimtarëve. Edhe kjo veprimtari e drejtuar nga Rudolf Marku, Aurel Plasari, Skënder Buçpapaj, Ndrek Luca, etj., pati debate të forta. Intelektualët e Tiranës kishin marrë përsipër ideimin e luftës për demokraci. Në një nga këto ditë, më 29 dhjetor, është mbledhur edhe stafi i ri i gazetës. Në këtë mbledhje të parë të Këshillit Botues të gazetës, i cili më 5 janar do të ndryshonte, siç tregon Mentor Shehu, anëtar i Këshillit Botues, Preç Zogaj ka prezantuar edhe Frrokun si kryeredaktor. Në këtë mbledhje është debatuar rreth mënyrës së organizimit të gazetës "RD", aq sa mund të konceptohej një gazetë opozitare. E rëndësishme ishte se ajo do të ishte antiregjim dhe do të merrte përsipër edukimin demokratik. Aty është bërë edhe plani për numrin e parë, madje janë ndarë edhe disa tema.
Më 31 janar 1990, PD do të zhvendosej nga godina nr.15 në Qytetin "Studenti" tek një vilë dykatëshe në Rrugën "Fortuzi", afër Hotel "Arbërisë". Një vilë e shkatërruar dhe pa mirëmbajtje. Gazeta kishte një dhomë në katin e dytë të ndërtesës.
Në fillim nga Komisioni Nismëtar u tha se, gazeta do të dalë më 3 janar, por ky vendim do të ndryshonte shumë shpejt. Piktori Mentor Shehu, i cili ishte ngarkuar të bënte faqosjen e "RD-së", këmbënguli që grafiku që u kishte caktuar Poligrafiku për botimin e gazetës ditën e martë dhe të premte ishte i papërshtatshëm për Partinë Demokratike. Sipas Mentorit, prej të premtes deri tek e marta tjetër i binte gati pesë ditë të pambuluara nga gazeta e partisë, ndërkohë që PPSH kishte disa gazeta të përditshme dhe periodike që sulmonin ashpër PD dhe drejtuesit e saj. Kështu që, me ndërhyrjen e drejtuesve të PD vendoset që gazeta të dilte të mërkurën dhe të shtunën.
Më 5 janar 1991, pas përpjekjesh të mëdha, sidomos të Frrokut dhe Mentorit (që të dy e gdhijnë në shtypshkronjë), por edhe të Preçit dhe studentëve Fevziu, Shkullaku dhe Blushi, gazeta pa dritën e botimit.
Në këshillin e parë botues do të ishin Petraq Kolevica, Ajet Haxhiu, Natasha Lako, Mitro Çela, Kujtim Çashku, Edi Hila, Ilirjan Zhupa, Teodor Keko, Genc Pollo.
Në editorialin e "RD-së" "Fjala e parë", thuhej se, "sot, Rilindja Demokratike thotë fjalën e parë të saj. Kjo Rilindje ka marrë mbi vete një barrë të rëndë dhe detyrë të ndershme. Ka marrë për detyrë të thotë fjalën e vërtetë". Në faqe të parë, gazeta kishte përshëndetjet e Ismail Kadaresë, Rexhep Qoses dhe Dritëro Agollit.
Vetë titulli i gazetës doli nga një togfjalësh që kishte përdorur Qosja në përshëndetjen e tij. Siç dihet, kokën e gazetës e punoi piktori i njohur i Shtëpisë Botuese "Naim Frashëri", Bujar Marikaj. Në faqen 2 zinte një vend të dukshëm shkrimi i Preçit, "PD nuk është mace e zezë", e konceptuar si një replikë me gazetën "Bashkimi".
Në këtë numër është botuar edhe shkrimi i Sali Berishës "Ylli ynë polar, çështja jonë kombëtare", në të cilin jepej platforma e PD për zhvillimin e vendit, integrimin në Europë, si dhe qëndrimet e saj ndaj zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare. Ky shkrim do të merrte shumë polemika edhe disa vite më vonë, duke u bërë objekt i shumë analistëve të vendit dhe atyre të huaj përsa i përket qëndrimit ndaj çështjes së Kosovës. "PD do të luftojë pa u lëkundur që vëllezërit tanë në Kosovë të gëzojnë të gjitha liritë dhe të drejtat demokratike, përfshirë edhe atë të vetëvendosjes, që janë të sanksionuar në Kushtetutën jugosllave, Kartën e OKB-së dhe aktet e Helsinkit. PD nuk mund të pranojë si të përjetshëm ndarjen e kombit shqiptar. Prandaj edhe ne do të luftojmë me mjete paqësore dhe në kuadrin e proceseve integruese europiane të realizohen të drejtat e tyre për përparimin dhe bashkimin kombëtar". Ky tekst ishte mbajtur si një fjalim në Sheshin "Demokracia" në Qytetin "Studenti". Edhe Gramoz Pashko, në një intervistë dhënë gazetës, paraqiste strategjinë ekonomike të PD, e cila synonte reformimin tërësor të sistemit ekonomik ekzistues drejt një ekonomie, siç shprehej Pashko, "të iniciativës së lirë". Frrok Çupi, në një shkrim të tijin, duke përshkruar vështirësitë e botimit të numrit të parë, shpreh frikën e mosdaljes së numrit të dytë. Mentor Shehu, një nga themeluesit e gazetës dhe faqosësi i saj i parë, tregon se, "stafi i parë i gazetës që paguhej me bordero, ka qenë i përbërë nga Frrok Çupi kryeredaktor, Mentor Shehu, faqosës dhe një reporter". Mentori kryente një punë voluminoze që nga faqosja e numrit, dërgimi i materialeve, redaktimi i tyre dhe derisa dilte gazeta. Pas pak ditësh, afërsisht një jave, në gazetë vjen edhe Emin Barçi. Emini ishte përfshirë në Lëvizjen Studentore dhe pas themelimit të PD, ai ishte një njeri, i cili kishte siguruar vend, siç thuhej atëherë, në sektorin e shtypit në një nga dhomat e katit të parë të godinës numër 15. Aty kishte një makinë shkrimi dhe një shaptilograf, të cilët i përdorte një vajzë bjonde.
Nga kopjet e para të gazetës del se, "studentët Blendi Fevziu, Armand Shkullaku, Ben Blushi dhe Edi Paloka, ishin si vullnetarë që paguheshin me honoraret e shkrimeve që bënin, kryesisht në sektorin e informacioneve. Dritan Kaba në këtë kohë do të bënte edhe punën e fotografit, ndërsa Abdurrahim Këllezi, ish-korrektor i gazetës 'Zëri i Rinisë' dhe Agim Fortuzi, ish-korrektor i 'Bashkimit', ishin dy korrektorët e parë të 'Rilindjes Demokratike'".
Më vonë në redaksi kanë ardhur Genc Tirana dhe Arben Ruka, ish-gazetarë të "Bashkimit", ndërsa është miratuar si korrespondent për Myzeqenë, Bujar Xhaferri. Pas tyre vjen Bashkim Trenova, ish-shef i Sektorit të Jashtëm i "Zërit të Popullit" dhe së fundi drejtor i Arkivit të Shtetit, si dhe Filip Çakuli, ish-gazetar i njohur i "Hostenit", shkrimtar i njohur i humorit shqiptar, Visar Zhiti poet disident, i dënuar politik. Po gjatë vitit 1991 do të vinin edhe Skënder Shkupi, Rakip Sulçe, Xhevat Mustafa, etj.
Në këtë periudhë gazeta "RD" do të kishte tirazhin më të lartë dhe kërkesat në treg për të ishin të jashtëzakonshme. Gazeta, megjithëse kishte një çmim prej 1 lek të rinj, shitej me 10, 25 e deri 50 lekë. Lufta për të kontrolluar gazetën dhe ecur përpara shprehet qartë edhe në ndërrimin e shpeshtë të kryeredaktorëve në periudhën janar 1991, prill 1992.
Kryeredaktor i parë do të ishte Frrok Çupi, i cili do të largohej në qershor të vitit 1991. Pas tij do të vinte Napoleon Roshi, ish-drejtor i Radios së Jashtme dhe ish-gazetar i "Bashkimit", pastaj Mitro Çela, i cili do të drejtonte gazetën nga fundi i vitit 1991 deri pas fushatës së suksesshme të 22 marsit 1992. Gjatë kësaj periudhe, unë bashkë me Skënder Shkupin dhe Merita Shkupin do të themelonim gazetën e Tiranës "Tribuna Demokratike" dhe si kryeredaktor do të më binte të bashkëpunoja si me Mitron, ashtu edhe me Filip Çakulin, si zëvendëskryeredaktor i "RD-së". Në prill 1992, vjen kryeredaktor Bashkim Trenova, në vend të Mitros, i cili kishte fituar një vend në Parlamentin shqiptar si deputet i PD-së. Pas Bashkimit, aty nga fundi i vitit 1994, drejtimin e gazetës do ta merrte Lorenc Ligori, zëdhënës i PD gjatë kohës që në krye ishte Eduart Selami. Ligori, pas rreth një viti pune, në vjeshtë të vitit 1995 do t'ia linte këtë post Lazër Stanit. Stani do të qëndronte në krye të gazetës deri më 12 mars 1997, kohë pas së cilës do të vinte Xhevat Mustafa, i cili do të qëndronte në këtë detyrë deri në maj 1997, kur do të zëvendësohej nga Astrit Patozi, ish-kryeredaktor i gazetës "Albania". Patozi do të drejtonte gazetën deri në korrik 2005, kur ai do të zgjidhej deputet i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë. Prej kësaj kohe dhe në vazhdim gazeta "RD" drejtohet nga gazetari i përkushtuar Bledi Kasmi. Bledi si të thuash është rritur në gazetën "RD." Ka ardhur në redaksi qysh kur ishte student në gazetari në vitin 1994 dhe më vonë ka kaluar shef redaksie e kryeredaktor.
Stafi i gazetës "RD" është i madh, ashtu siç është edhe emri i saj. Disa prej drejtuesve apo gazetarëve të saj shumë shpejt filluan që të mos e ndjenin më veten të gatshëm për të punuar me platformën politike të PD dhe u distancuan prej saj.
Sot, pas njëzet vjetësh, "Rilindja Demokratike" vazhdon me sukses detyrën e saj të informimit të pavarur dhe të mbrojtjes së demokracisë në stilin e saj të njohur, duke mos bërë kompromise dhe lëshime. Edhe gjatë viteve 1997-2005, drejtuesit e gazetës dhe gazetarët e saj i janë nënshtruar një dhune dhe represioni të paparë nga organet shtetërore, nëpërmjet gjyqeve të montuara, kërcënimeve, gjobave të rënda dhe sulmeve të egra, deri edhe me armë zjarri, siç i ka ndodhur autorit të këtyre radhëve më 20 gusht 1997 nga njerëz të veshur me uniformë. Gazeta "RD" ishte një gazetë e urryer nga regjimi i pas rebelimit të vitit 1997. Ajo diskriminohej nga qeveria dhe entet e saj në dhënien e reklamave, duke e vënë atë para vështirësish të panumërta. Megjithatë, gazeta dha një shembull të mbijetesës në një periudhë të rëndë për demokracinë dhe pluralizmin pas vitit 1977 dhe në vazhdim deri më 3 korrik 2005, kur rierdhi në pushtet PD dhe aleatët e saj.
Edhe sot, pas njëzet vjetësh, "Rilindja Demokratike" vazhdon të jetë një nga zërat më të besueshëm dhe profesionalë të shtypit shqiptar, me ndikim të konsiderueshëm në opinionin shqiptar dhe jetën politike të vendit.
Gjatë këtij tranzicioni të gjatë respektimi i lirisë së mediave dhe të të drejtave të tjera themelore të njeriut, ka kaluar nëpër një shteg me ulje-ngritje të forta, por qysh prej 5 janarit të vitit 1990, kur doli numri i parë i gazetës "RD" e deri më sot, kjo media ka luajtur një rol historik si media e parë e lirë në vend. Unë dhe shumë kolegë të tjerë të nderuar, jemi vërtetë krenarë që kemi qenë pjesë e stafit të kësaj gazete për shumë vite me radhë. Në këtë përvjetor, i urojmë gazetës "RD" jetë të gjatë, ndërsa stafit të saj aktual punë të mbarë dhe shumë suksese!

MUJË BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NGA SKENA POLITIKE AMERIKANE: LE TË FILLOJË BETEJANga FRANK SHKRELI  (01.05.2012)
OEDIPUS REX COMPLEXNga MAUREEN DOWD, New York Times (01.05.2012)
KRYELAJM DUHEJ TË ISHTE SOT PERFORMANCA E ERMONELA JAHOS NË ROYAL OPERA - INSTITUCIONET NË SHQIPËRI NË VEND TË VLERAVE ME TË CILAT IDENTIFIKOHET KOMBI LANCOJNË ANTIVLERAT DHE ANONIMATIN!Nga ELIDA BUÇPAPAJ (01.02.2012)
NJË VIT HARRAKATNga SKËNDER BUÇPAPAJ (12.31.2011)
MIRË SE VJEN VITI I SHQIPTARËVENga FRANK SHKRELI (12.29.2011)
NË GJURMËT E NJË SKANDALI TË AMBASADORIT RUS NË BEOGRADÇ’NDODHI ME AMBASADORIN RUS NË SERBI?Nga Prof. Dr. ESHREF YMERI (12.28.2011)
EsseHAVELI, IKONA E LIDERIT ME INTEGRITETI I LE ZHVESHUR POLITIKANËT PA INTEGRITET SHQIPTARËNga ELIDA BUÇPAPAJ (12.25.2011)
VACLAV HAVEL: HEROI I LIRISË"E vërteta dhe dashuria duhet të triumfojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjet’’ --Vaclav HavelNga FRANK SHKRELI  (12.22.2011)
BAROMETRI DIPLOMATIKVERIU I KOSOVËS NUK ËSHTË "TERRA NULLIUS"!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (12.22.2011)
KA ARDHUR KOHA E RADIKALIZIMIT TË ÇËSHTJES SHQIPTARE NË MAL TË ZINga XHELADIN ZENELI, ish deputet në parlamentin e Malit të Zi (12.21.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]