VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - PAVARËSIA E DYTË NË KONGRESIN E LUSHNJËS- në nderim të 100-vjetorit të shtetit modern shqiptar -Nga VISAR ZHITI

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 09:20am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

PAVARËSIA E DYTË NË KONGRESIN E LUSHNJËS

- në nderim të 100-vjetorit të shtetit modern shqiptar -

Nga VISAR ZHITI


E Shtunë, 01.21.2012, 01:09pm (GMT+1)


Kongresi i Lushnjës, që nisi në 21 janar të vitit 1920, si një kundërpërgjigje e rrufeshme që populli shqiptar i bënte ambicieve agresive për ta copëtuar edhe një herë, këtë radhë jo si në vitin mizor 1913, por për ta zhbërë fare, është mbiquajtur dhe si Pavarësia e dytë e Shqipërisë.

Ky Kongres mblodhi burrat më të shquar të vendit dhe mori vendime të rëndësishme historike dhe u hodh në veprime të guximshme që të kundërshtonte të keqen dhe të zgjidhte fatin e mëtejshëm kombëtar duke rizbuluar dashamirësin amerikan.

"Statuti i Lushnjës", do t'i jepte vendit një qeveri të re, me kryeqytet Tiranën, një qeverisje me frymë republikanizmi, të një shteti laik, pa zyrtarizuar ndonjërën nga fetë, me jetë politike pluraliste, me të drejta njerëzore, ku çdo qytetar duhej të ishte barabar para ligjit.

Vërtet vizion nga më modernët.

Si dëshmi e adhurimit të atij akti madhor, ndërkaq është gjetur dhe një dramë, e vetmja që i kushtohet Kongresit të Lushnjës, që na jep artistikisht tablo të asaj kohe, mjedisin dhe rrethanat kritike dhe ecurinë deri në lartësinë e përfundimeve të atij kuvendi vendimtar. Megjithatë drama nuk u ngjit kurrë në skenë dhe nuk u botua dot, atëherë në kohën kur u shkrua gati gjysmë shekulli më parë, por dhe më pas.

Autori Hekuran Zhiti e kaloi gjysmën e dytë të jetës së tij ndanë atyre sarajeve ku u mblodh Kongresi, tani shtëpi muze, por shkak i shpërfilljes dhe harresës së qëllimtë të asaj drame nuk ishte vetëm biografia politike e autorit, persekutimi i tij i mëparshëm, mosbesimi, që edhe pse u lejua të jetë aktor, ai nuk duhej të botonte. Vetë përmbajtja e dramës është e tillë, që mbart dhe nga ajo e vërtetë, që nuk dëshirohej në diktaturë, duke e sfiduar atë. Krahas personazheve të trilluar, janë dhe ata historikë, që idetë dhe bëmat e tyre do të ishin në kundërshtim me diktaturën e mëvonshme. Vetë Kongresi i Lushnjës do të tradhtohej, por nuk mund të harrohej...
Është një përvojë kolektive, e elitës drejtuese më shumë vizionet e së cilës do të rindizeshin me vendosjen e demokracisë në Shqipëri.

Si një vazhdim i veprës së etërve u përgatit drama "Të mblidhemi në Lushnjë", të cilin shtëpia botuese "UEGEN" sapo e ka nxjerrë në dritë, kur autori Hekuran Zhiti është shpallur dhe "Qytetar Nderi" në qytetin e këtij

Kongresi shpëtimtar.

Akti III i dramës, ku shpaloset mbledhja, kuvendi i burrave, ngjan dhe me një procesverbal të Kongresit, si kujtesë historike dhe lexohet dhe si një traktat duke qenë njëherësh dhe një afresk i portreteve të burrave që u mblodhën atje.

Duke botuar pjesë të saj, duam të shfaqim nderimin tonë për veprimtaritë e shumta që ka ndërmarrë qeveria Berisha në 100-vjetorin e shpalljes së shtetit modern shqiptar. Pavarësia e dytë nderon Pavarësinë e parë. Si shqiptarë nderohemi me Shqipërinë e përjetshme.

"Të mblidhemi në Lushnjë"

Pjesë nga drama e Hekuran Zhitit


Salla me 10 ose 12 sërë karrikesh. Në krye një tryezë e madhe, në anë të saj një flamur kombëtar me shtizë dhe një portret i Skënderbeut në njërën dhe i Ismail Qemalit në anën tjetër. Kongresistët, disa me veshje karakteristike të Veriut dhe të Jugut dhe disa me kostume europiane, barsolina e gravata e çanta, janë shpërnarë në grupe, dy e nga tre, duke biseduar... Lushnjarë e bashkë me ta e të tjerë të armatosur si roje, hyjnë dhe dalin.

Zëra:
- ...kam ardh mes borës, ujqve dhe ushtrisë serbe...
- E madhe shtëpia... e mblodhi Shqipërinë... nuk kanë mbrritë të gjithë...
- ...ku ishit mbrëmë?
- Këtu afër. Na kanë pritur me këngë. Këndonin me radhë dhe dilnin bënin roje me pushkë jashtë shtëpisë...
- ...kush e kishte Korçën, grekërit apo francezët?
- Francezët për grekërit...
- Shiko Plakun e Butkës... legjendarin... sa kohë që s'jemi parë? Qysh në Vlorë... atë ditë kur u ngrit flamuri...
- A fillojmë, burra? Koha nuk pret...

- I përndershmi Sheh Karbunara do t'i bëjë një lutje Zotit, që të na bekojë... ogur i mirë... në mbrojtje nga të papriturat e shumta... ka kaq trazira...
(Të gjithë pa lëvizur nga vendi ngrijnë në heshtje dhe secili, sipas mënyrës së vet, luten, dikush me kokën lart, me duart e bashkuara, me kryet ulur, ndonjë gjunjëzohet, mërmërisin, etj., në mes tyre Sheh Karbunara i statujtë duke krijuar kështu një si grup skulpturor sugjestionues, suprem...
- Përfaqësuesi i Lushnjës ta marrë fjalën... Zoti Vokopola nise...
Përfaqësuesi i Lushnjës- Në emër të Prefekturës së Lushnjës, Beratit e Skraparit ju uroj mirëseardhjen në Kongres. Nuk jemi këtu vetëm në shtëpinë e mikut tonë bujar, lushnjarit të nderuar Kaso Fuga, por dhe brenda mureve të historisë. Po nisim një betejë, sot më 21 janar 1920, e mërkurë, që nuk do të harrohet, e ndjej... (emocionohet) Zini vendet... në këtë sallë... por dhe në ngjarjet që na presin...
Ia jap fjalën patriotit të flaktë, veprimtarit të palodhur kundër pushtimit otoman, mbështetësi kryesor i Ismail Qemalit, ministër në qeverinë e parë, Elbasan Pashës, i zbardhur në përpjekjet për çështjet e mëmëdheut. Urdhëroni!
Elbasan Pasha (I moshuar, me pak mjekër të bardhë, i hollë, i thatë, me kravatë e qylaf, me zë të ngadaltë e pak të ngjirur.) Të dashur qytetarë të Lushnjës, delegatë nga i gjithë vendi, ju që keni ardhur dhe ata që nuk kanë arritur ende, por dhe ata që nuk do të vijnë dot kurrë se janë vrarë për ideal, (duartrokitje të forta), luftëtarë, burra që më bëtë nderin ta çel këtë kuvend, vazhdim i atij të Lezhës me Skënderbeun dhe i atij të Prizrenit me Abdyl Frashërin me shokë, duke ju falënderuar me shpirt, shpall të hapura punimet. Së bashku të hapim udhën që do të ndjekim. Nëpër vazhdën e gjakut do të shkojmë ku na e do zemra e plasur që të arrijmë te ëndrra, atje ku na e do puna, sipas amanetit të të parëve. Shqipëria është bërë një herë dhe nuk ka pse zhbëhet!
Duartrokitje.
Zotërinj, jeni të lodhur, e di, keni ardhur rrugë e pa rrugë, mespërmes pushtonjësve të Shqipërisë, kjo na ka vrarë më shumë se sa të tatëpjetat e shtigjet e humnerat, se nata me erë e bora, kemi ecur me mjete që prisheshin, kështu e kanë atdheun tonë, me karroca e kuaj e më këmbë, po u shplodhëm që gjetmë sho-shoqin e do të bëhemi me flatra kur të gjejmë dritën që na duhet.
Kam kërkesën që të nderojmë dëshmorin e kësaj ideje, bashkëpunëtorin tonë të ngushtë, Abdyl Ypin, që e vranë ca ditë më parë për të mos qenë këtu ai dhe të gjithë ne e ky Kongres të mos mbahej. Nëpërmjet tij duam të përulemi para gjithë të rënëve dhe martirëve të kombit. Familjes së dëshmorit t'i bëjmë një letër...
Të gjithë ngrihen më këmbë. Heshtje e thellë.
Lavdi!
Historia ka ndalur. Ne do ta shtyjmë andej nga i duhet vendit... Vdekjes së njeriut duket sikur nuk ke ç'i bën, por jo vdekjes së një populli, ajo mposhtet... Dhe tani të zgjedhim kryetarin.
Zëra- Elbasan Pashën kryetar.
- Dakort! Po, po! Bukur!
Elbasan Pasha- Faleminderit! Kryetar është ideja juaj, unë shërbenjësi i saj. Tani jam 60 vjeç, më i vjetri bashkë me Plakun e Butkës, kryengritës dhe udhëheqës, shpëtimtari i Korçës dhe i Juglindjes së vendit, që na e kanë dërguar delegat, i njohur dhe në Kosovë, i pushkës, po dhe vjershëtor zemërzhuritur...
Duartrokitje të pandërprera, sikur kërkojnë fjalën e tij.
...
Kryetari (i porsazgjedhur) - U mallëngjeva, por dhe u bëra me fletë. Se këtu ka dhe nga brezat poshtë nesh, që do ta vazhdojnë punën tonë. Më i riu këtu a e dini ç'moshë ka? As 25 mote...
Duartrokitje...
Të vazhdojmë më tej, por, them, të presim dhe ata që do të vijnë, kur të bëhemi shumica. Si fillim të formojmë komisionet, që tani, të ndahen përfaqësonjësit në grupe dhe... Po emërojmë Sekretarin e Kuvendit, zotin Vokopola dhe për të këqyrur letërpërfaqësimet e delegatëve, pra një komision të posaçëm prej 5 vetash... Hë, të presim... për të mos pritur...
Shuhen dritat ngadalë.
Enden në terr hijet e rojeve me pushkë...

Urdhri i ditës:

Ndizen dritat. Salla e Kongresit, me delegatët të shtuar, të ulur nëpër vende...
Kryetari- Vazhdojmë... I parashtroj Kuvendit urdhrin e ditës si më poshtë: Bisedime përmbi masat që duhen marrë kundër vendimit të tri fuqivet të Antantës për coptimin e Shqipërisë simbas paktit të Londrës 1915...
Zëra- Jazëk!
Bisedime mbi sjelljen e qeverisë në pikpamje politike të brendshme e të jashtme, simbas programit të dhanë prej mbledhjes kombëtare të Durrësit. Qeveria ka veprue jashtë tagrit e programit që i ashtë dhanë...
Zëra- Të rrëzohet qeveria e Durrsit!... Duan të na coptojnë, pra të na vrasin... Jo vetëm ne, atë që është më shumë se ne... Atdheun. Ta shpëtojmë... Si, qysh? Flisni. Çfarë do bëjmë? Tani! E të hidhemi në veprim...
Kryetar- Kush e do fjalën tani?
Delegati II - ...tani të vendosim ç'duhet të bëjmë ne.
Kryetari- E drejtë! Deshe të flasësh ti, Vath Plugu?
Vathi- Brenda na zjejnë shumë gjëra, po duhen 40 pendë buaj të nxjerrin fjalën. Do shkollë kjo punë. A beson zotrote, se e kam më lehtë të flas me grykën e pushkës se me gojë. (Të qeshura) Vazhdoni ju se edhe ne do ta themi një fjalë... E pashë zotin Thoma që u mallëngjye dhe megjithqë s'i shkojnë lotët burrit, prapë ka të drejtë dhe në këtë rast e lartësojnë. Kur vdiq Skënderbeu, e dimë të gjithë, nuk e mori me vete trimërinë tonë, nderin tonë, lirinë tonë. Ashtu si e gjeti të ndezur në zëmrën tonë, ashtu e la dhe do të jetë e ndezur sa të vërviten yjet e kupës qiellit e sa të shohë bota diellin. (Duartrokitje). Për këtë liri, gjyshrit, prindërit dhe ne kemi harxhuar më shumë barut se sa miell. Nuk kemi pse të besojmë shumë tek ata që na kanë dëmtuar shumë, përgjigjja jonë duhet të jetë me këtë (rreh pushkën e tij me dorë). I lutem Kongresit të marrë vendime të prera, pa lëshime, se na ka me vete ne si popull. Duam drejtim, e themi troç.
Delegati V- Rroftë populli shqiptar! Rrofshin patriotët e ndershëm!...
Mendoj që duhet të dënojmë rëndë vendimin e tre fuqive të Antantës për copëtimin e Shqipërisë me anë të Traktatit të Fshehtë të Londrës në vitin 1915. Ç'masa do merren, të vendosim!
Kryetari- Po, e drejtë. Besoj se të gjithë delegatët këtu duan të flasin gjat' e gjërë mbi varrmihësit e Atdheut tonë, një pjesë, më bën me dije sekretari, se i kanë sjellë dhe me shkrim protestat e tyre. Të vazhdojnë... Kjo bëhet në emër të Asamblesë së Kombit në Lushnjë, kundra vendimeve të Francës, Anglisë, Italisë për copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Italisë, Greqisë, Serbisë e Malit të Zi. Rezolutën, na vjen një kërkesë, përfundoje kështu (lexon): Shqiptarët janë gati të bëjnë çdo lloj sakrifice dhe me e derdh pikën e fundit të gjakut të tyre kundra çdo veprimi, që mundet me vue në rrezik pamvarësinë dhe tërësinë e saj tokësore.
Kryetari- Dakort, të dashur delegatë? Kishit gjë ju?
Delegat tjetër- Qeveri e re. Rrugë të reja... Do ta derdhim gjakun për Atdhe, po ku e kemi Atdheun?
Vathi- (Ndërhyn) Kasollet tona qëndrojnë në truallin që kërkon të na e marrë bota ashtu si pemët rrënjëdalë, që i tund lumi gati për t'i rrëzuarë. Zoti ynë na jep rrugët kur të duash. Ku të ankohemi? Po frenat e qeverisë i kanë vetë ata dhe i vërtitin si harapi kalin, sipas interesave të tyre. Duam një qeveri të jetë për ne dhe ne për atë.
Duartrokitje...
Kryetari- Me qeverinë e re, që do ta zgjedhim këtu, do të bëjmë bashkimin, organizimin dhe do të ngremë flamurin e lirisë lart.
Delegati IV - Pak pushim tani, zotërinj?
Delegati V- Po, duhet pushim, të kthjellojmë memorjen.
Delegati III - Unë them jo, vetëm kur të mbarojmë.
Kryetari- Pushim mbas vdekjes!
Delegatët - Të pushojmë qeverinë e Durrsit... ta zhbëjmë... Nuk e njohim.
Errësohet, duke u shuar dritat:
Në mjedis, perde e në ndonjë ekran, të rënë nga sipër, shfaqen njëheresh udhëtime, masakra, beteja, takime të udhëheqësve të shteteve të mëdhenj, pamje kryeqytetesh, Lufta e Parë Botërore, Shqipëria, ura, etj...
Ndizen drita ngadalë, salla e kuvendit, përfaqëuesit nëpër vende, kongresi vazhdon punën...
Qeveri e re:
Delegatët - Qeveri të re... Ta zgjedhim tani... qeverinë e re luftarake... e vendosur për mbrojtjen e Atdheut...
Sheh Karbunara- Të tregojmë që dimë të qeverisim. Shteti i pavarur shqiptar është realitet. Kështu kanë bërë dhe disa shtete të tjera të robëruara, zotërinj, kështu Çekosllovakia, Finlanda, Polonia, Lituania... Edhe ne. Shtet i vjetër, qeveri e re!
Rojet e armatosura- Rroftë Qeveria e re!... (Duartrokitje)
Nënkryetari- Të përgatiten tekstet që do t'i dorëzohen Konferencës së Paqes në Paris dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sugjerime!
Përfaqësuesi i Matit - Shkronjat duhet të bjenë erë barut!...
Kryetari- Tani të vendoset ç'regjim do të ketë në Shqipëri. Mendimi im vetiak është se popullit tonë hero, që mund ta pushtosh, por zap s'e bën dot, i shkon monarkia dhe vënia e Princ Ëidit në krye, për të respektuar statusin e miratuar nga Konferenca e Ambasadorëve e vitit 1913. Fitojmë pikë kështu dhe kredi. Ju gjykojeni vetë, si të jetë më mirë, ashtu e bëftë Zoti.
Vrenozi- Zoti ka urdhëruar këtë Kongres për të shpëtuar Shqipërinë.
Delegati IV - Populli është mbret vetë dhe s'ka nevojë për mbretër, sulltanë e perandorë.
Kryetari- Të gjykojmë situatën ku ndodhemi.
Delegati II - Kongresi do përballet dhe do krijojë situatë vetë. Ne na shkon republika, republika, zotërinj dhe asgjë tjetër.
Zëra: republikë, po, po republikë...
Delegati III - Kjo që thonj ju, zotërinj, do një kohë të mëvonshme, ne jemi në pragun e çështjes së madhe... të shpëtimit. Fuqia sot duhet në një dorë të fortë, që të marrë timonin e anijes që po mbytet nëpër dallgët. Unë jam për monarqinë, stop.
Kryetari- Unë them se interesi na e do të bëjmë kompromisin me të dy mendimet, të krijojmë një regjencë, këshillë të lartë prej 4 vetësh, që përfaqëson Kryetarin e Shtetit. Si formë regjimi le të jetë mbretëri konstitucionale dhe kur të vihet mbreti në krye, antarët e Këshillit të Lartë vetvetiu nuk janë më. Ta votojmë.
Delegatët - (Ngrenë duart lart) Aprovohet!
Kryetari- Ky kompromis do të mbetet në histori si një akt zgjidhjeje. Për kompromise do të ketë gjithmonë nevojë, këtu e në çdo vend. Tani të zgjedhim Këshillin e Naltë me përfaqësues të të gjitha feve, duke treguar mrekullinë e mirëkuptimit, apo jo, Zoti Kryetar?
Kryetari- (Miraton duke tundur kryet.) Le të bëhen propozimet.
Delegati VI- Unë propozoj, monsinjor Zef Bumçin.
Delegati V- Unë propozoj Aqif Pashë Elbasanin.
Delegati IV- Unë propozoj Abdi Bej Toptanin.
Delegati III- Unë propozoj doktor Mihal Turtullin.
Kryetari- Njihen nga të gjithë aftësitë, ndershmëria dhe përkushtimi i këtyre zotërinjve. Të ngremë duart nëse i duam.
Ngrihen duart lart.
Kryetari- Ka kundër?
Zëra: jo... kurrë... mos o Zot...
Kryetari- Miratohen. Bazat e Kanunores së Këshillit të Naltë do të hartohen nga një komision prej 10 vetash. Ta quajmë "Statuti i Lushnjës", që do t'i japë qeverisjes së vendit frymë republikanizmi, shtet laik, pa zyrtarizuar ndonjërën nga fetë, me jetë politike pluraliste, me të drejta njerëzore, barabar çdo qytetar para ligjit.
Tani të zgjedhim kabinetin e ministrave të qeverisë së re, Kryeministrin dhe pesë ministra. Duhet të zgjidhen dhe dy drejtorë, një i botores dhe një i post-telegrafeve.
Thomaj- Mbështetur nga shumë pëlqime, mendoj të kemi kryeministër zotin Sulejman Delvina...
Kryetari- ...Ne i dimë vlerat e mëdha të zotit Delvina, rrjedh nga një familje ndër më të njohura dhe më të famshme në të gjithë Jugun. Ka kryer gjimnazin e Janinës dhe mandej në Stamboll. Fakultetin e Mylqijes në kryeqendrën e Perandorisë Osmane dhe pas marrjes së diplomës, siç e dini, ai u caktua menjëherë atasheut në Ministrinë e Brendshme të Turqisë dhe më pas si sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë. Po në ato vite, ai shërbeu si profesor i literaturës në Gallata Saraj, etj. Në Bibliotekë gjithmonë e gjeje me libra francezë, të kulturës dhe shkencës perëndimore, dihen dhe interesi i tij e adhurimi dhe mirënjohja për Amerikën...
Po për ministrat?
Delegati...- Le t'i caktojë Këshilli i Lartë.
Kryetari- T'í zgjedhim ne, propozoni dhe t'i votojmë çeltazi
Delegatët...- (Diskutojnë me zjarr) Zëvendës Kryeministër z. Eshref Bej Frashëri...
Ministër i Punëve të Mbrendshme Delegatin e Matit, Zogun e maleve, trimin 25 vjeçar... po, po... Ministër i Punëve të Jashtme z. Mehmet Bej Konica... Ministër i Arsimit z. Sotir Peci... Ministër i Drejtësisë z. Hoxhë Kadri Prizrenin... Zëvendës z. Hysen Bej Virjoni... Ministër Finance Z. Ndoc Çoba... Zëvendës z. Idhomen Kosturi...
Votohen. Duartrokitje...

Betimi dhe kënga:

Kryetari- Tani nuk na mbetet gjë tjetër, veç të bëjë betimin Këshilli i Naltë dhe Qeveria e re dhe të gjithë delegatët për ato që marrim përsipër. (Heq flamurin me shtizë e del para tavolinës duke e mbajtur në dorë.) Urdhëroni, zotërinj, të bëjmë betimin më të lartë para Kombit.
Delegatët ngrihen në këmbë ndërsa të zgjedhurit afrohen para flamurit.
Sekretari- (Lexon me zë të lartë) "Betohem n'Emën të Perëndis, tue dhanë besën shqiptare e fjalën e nderit përpara Mbledhjes së Kombit, se do t'i shërbej popullit dhe shtetit shqiptar drejtësisht dhe mproj ligjet dhe indipendencën e plotë të atdheut të shenjtë!"
Të zgjedhurit - (Një zëri) Betohemi!
Duartrokitje. Kryetari u jep dorën. Delegatët ulen.
Kryetari- Në vazhdim, të punojmë për Senatin. Mbasi u shoshit raporti, u vendos kështu, që rrethet Berati, Korça, Vlona, Elbasani, Gjinokastra, Durrësi, Drini, Shkodra të nxjerrin nga 4 senatorë, Mati 2, Hasi 1, Krasniqe 2, Leshi 2. Emrat kanë ardhur, një nga senatorët e ardhshëm rrogën e tij ia ka falë qeverisë së re.
Një zë - Mirënjohje. Përgëzime.
Një zë tjetë - Mos harroni Bajram Currin, është jashtë atdheut tani.
Kryetari- Pra kështu u krijua Këshilli i Kombit.
Sekretari- Këshilli i Naltë i Kabinetit u falet nderit delegatëve tue i sigurue se do të mundohen me çdo therore për me krye barrën e randë që u asht ngarkue për shpëtimin e atdheut dhe të Kombit.
Duartrokitje të paprame nga të gjitha anët, zane e brohëri: Rrnoftë Shqipnija Indipendente, Rrnoftë Këshilla e Naltë, Rrnoftë Qeveria!
Sekretari- Të caktohen dhe përfaqësuesit tanë për në Konferencën e Paqes për në Paris.
Kryetari- Po. Patjatër.
Delegati I- Imzot Bumçi dhe zoti Turtulli.
Zëra: Dakort.
Një zë - Dua të shtoj dhe poetin e madh Gjergj Fishta! Le ta kenë si sekretar më vonë...
Duartrokitje.
Një zë tjetër: - Rroftë Poeti!
Duartrokitje prapë.
Delegati i Korçës- Unë propozoj që Kongresi t'i bëjë një letër falenderimi popullit lushnjar për pritjen e përzëmërt të delegatëve, për krijimin e mundësivet, kushtet e gadishmërinë e plotë, për sakrificat e mëdha, që Kongresi i vazhdoi punimet qetë.
Shehu i Karbunarës- I falem nderës Mbledhjes së Kombit, Lushnja nuk bëri shpagim, por e quajti për detyrë.
Brohoritje, duartrokitje.
Kryetari- Siç mund ta keni parë e ndjerë, edhe gjatë punimeve, Kongresin tonë e kanë kërcënuar, ju nuk jeni trembur, nuk kanë dashur të mbahet, ju e çuat deri në fund, ushtarakë të huaj kanë sjellë urdhra shpërndarjeje, ne u bashkuam më shumë. Delegatët do të qëndrojnë këtu deri sa qeveria të bëhet sundonjësja e vendit. Vendi i saj do të jetë Tirana, që do të jetë kryeqendra e vendit.
Brohëritje prapë. Rroftë kryeqyteti i ri! Rroftë Tirana!
Delegati i Matit- Vendimet e Kongresit do të zbatohen domosdo dhe pa vonesë, kjo gjë lyp guxim dhe punë, prandaj unë po nisem për në Tiranë, ju, nëse duhet, rrini ende këtu. Si Ministër i Brendshëm, i porsazgjedhur, marr përsipër të zbatohen këto porosi:
1- Të njoftohet vendi me shpallje dhe telegrame për këtë ngjarje të rëndësishme.
2- Të njoftohet urgjentisht telegrafisht delegacioni shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, se me vullnetin e popullit shqiptar u bë në Lushnjë një Kongres Kombëtar, ku u rrëzua qeveria që ishte dhe u zgjodh një tjetër, po kështu dhe delegacioni i Parisit, që do të bëjë një luftë aktive për mbrojtjen e pavarësisë të Shqipërisë dhe kufijtë e saj të natyrshëm...
Brohoritje. Rroftë Kongresi! Rroftë populli lushnjar!
Kryetari- Kongresi i Lushnjës është Pavarsia e Dytë e Atdheut!
Sekretari- Si kujtim nga ky Kongres kemi ca flamurë të vegjël si lulkuqet e fushave me grurë të Muzeqesë, vërini nga ana e zëmrës. Këta do t'i shpërndajmë kudo.
Shpërndan flamujt e vegjël.
Njëri nga delegatët - Ja, kështu dua ta kem plagën në gjoks në luftë për atdhe...
Jashtë ndjehet muzika e vëndit, pastaj kënga e Kongresit:

Shkrepi drita në Lushnjë
U lind një diell
Shqipëria lidhi bes'
Sikur tym e zjarr të dal nga faqe
Dheut
Shkrepëtim të bjer e flak
Bëj detyrën që ke kundrejt Atdheut
Mos kurse as shpirt as gjak.....

Një vezullim i fortë dritash si vetëtima, gjëmime...
Pastaj zhurmë rebeshi. Shuarje dhe ndezje dritash të shpeshta shoqëron skenën e mëposhtme...

Përpara:

Një zë i fortë jashtë: Ndal! Mos luaj!
Ngrihen Vathi, Thimiu dhe të tjerë.
Thomaj - Qetësi. Kur të shkelin mbi trupat tanë...
Zëra të ashpër- Jeni të rrethuar... ndalni!... Kongres i paligjshëm... Dorëzohuni... do ju shpërndajmë me forcë...
Jehona e kërcënimeve përsëritet në gjuhë të tjera, italisht, greqisht, serbisht: ndalni... të rrethuar...
- Largohuni! Kongresi shqiptar është mbledhur si vullnet i popullit dhe jo në mëshirë të ndokujt, ushtri qoftë a qeveri e huaj. Po ju them që mos u përzieni në punët tona, përndryshe do ju godasim. Ne nuk duam armiq, por bëni mirë të largoheni nga Lushnja... dhe nga Shqipëria. Ndryshe do ju përzëmë dhe me luftë. Unë, bashkë me forcat e mia të armatosura do të marrshojmë drejt Tiranës!
Një zë i ashpër - Kush jeni ju?
- Ministri i Brendshëm i Qeverisë së vendit tim. Hapnu udhën!
Zëri- Mos lëvizni.
- Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjës. Ju përdorni armët që keni në dorë, në guxofshi. (Të vetëve.) Përpara me mua!
Hingëllima kuajsh, trokëllima...
Perdja.
Fundi i dramës
Lushnjë, 1969-1970

VISAR ZHITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
QËNDRIMET E POLITIKËS SË JASHTME TË KRYEKANDIDATIT REPUBLIKAN PËR PRESIDENT TË SHTETEVE TË BASHKUARANga FRANK SHKRELI (01.19.2012)
NDËSHKIMI I KORRUPSIONIT NË AMERIKË DHE LULËZIMI I TIJ NË SHQIPËRINga ARTUR VREKAJ (01.19.2012)
BAROMETRI DIPLOMATIKPOLICIA TË JETË NË SHËRBIM TË POPULLIT, JO TË POLITIKËS SË FORCËS!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (01.16.2012)
14 JANAR 2012-ALBIN KURTI OSE RILINDJA E NJË LIDERI DHE VETËVENDOSJES!Nga ELIDA BUÇPAPAJ (01.15.2012)
DY FJALË PARA PROTESTËS SË PRITSHME TË VETËVENDOSJESNga SKËNDER BUÇPAPAJ (01.14.2012)
FAKTORI POLITIK SHQIPTAR NË MAQEDONI – PËRGJEGJËSI PARA HISTORISËNga XHELAL ZEJNELI (01.14.2012)
SHQIPTARËT NËN MAL TË ZI -- SI TË HUAJ NË TOKËN E VETNga FRANK SHKRELI  (01.14.2012)
BAROMETRI DIPLOMATIKRECIPROCITETI NË AKULL!!!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (01.12.2012)
KANDIDATURËN E KADARESË PËR ÇMIMIN NOBEL E MBËSHTET TËRË KOMBI SHQIPTARNga XHELAL ZEJNELI (01.12.2012)
VIT I KEQ PËR DIKTATORËT -- POR AS VIT I MIRË PËR DEMOKRACINËNga FRANK SHKRELI (01.09.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]