VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
SHQIPTARËT NË MAL TË ZI NUK KANË PËRKRAHJEN E DUHUR TË SHTETIT TË TYRE AMË Nga XHELADIN ZENELI E Hënë, 02.06.2012, 04:38pm (GMT1)
Shqiptarët në Mal të Zi pritën shumë nga vizita e kryeministrit Berisha në aspektin e paraqitjes së problemeve të tyre pranë autoriteteve malazeze dhe shfrytëzimin e të drejtës legjitime që shteti amë, në këtë rast Shqipëria, posedon lidhur me interesimin për të drejtat kombëtare të asaj pjese të popullit të vet që jeton jashtë atdheut, respektivisht për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi. Pra, vizita e kryeministrit shqiptar Malit të Zi ishte një mundësi e veçantë që me këtë rast të shqyrtohet pozita apo statusi i shqiptarëve në Mal të Zi, apo më kokretisht që z Berisha të shprehë shqetësimet e tij dhe të qeverisë shqiptare për çështjet e pazgjidhura që preokupojnë shqiptarët tashmë një kohë të gjatë. Megjithatë në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij nga Mali i Zi, në Podgoricë, pra më 25 Janar të këtij viti, z Berisha deklaron: "Shqipëria vlerëson progresin e ndjeshëm dhe real, që shqiptarët, me të drejtat dhe liritë e tyre minoritare e njerëzore, kanë bërë në Mal të Zi..." ?! Një deklaratë e tillë nuk mund të jetë si rezultat i painformimit të kryeministrit shqiptar për situatën e shqiptarëve në Mal të Zi, sepse, së pari, kryeministri shqiptar është informuar kohë pas kohe nga subjektet politike shqiptare dhe nga përfaqësuesit e tyre lidhur me çështjet diskutabile të shqiptarëve dhe së dyti, kohëve të fundit është shkruar mjaft në mjetet e informimit për diskriminimin që bëhet ndaj tyre e sidomos për Ligjin e shumë përfolur për rendin dhe qetësinë, i cili parasheh ndalimin e përdorimit të flamurit dhe simboleve kombëtare. Dhe jo vëtëm ky ligj por dhe shumë ligje të tjera si p.sh. Ligji zgjedhor, Ligji për planin hapësinor, Ligji për qeverisjen lokale etj. përmes të cilëve, shqiptarët në mënyrë institucionale vendosën në pozitë të disfavorshme në krahasim me shumicën sllave që jeton në këtë shtet. Mirëpo, kryeministri Berisha në takimet e tija me zyrtarët e Malit të Zi zgjodhi që të heshtë dhe të mos bisedojë për temat e "nxehta" apo për çështjet e vërteta që preokupojnë shqiptarët në shtetin "mik" të Berishës! Fitohet përshtypja se mu për këtë arsye kryeministri Berisha iu shmanget bisedave që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve, pra vetëm për hir të mosprishjes së miqësisë që kryeministri shqiptar ka me zyrtarët malazezë! Berisha në takimin e tij në Ulqin e quajti Millo Gjukanoviqin " mik i vjetër" i tij?!
XHELADIN ZENELI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |