VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHQIPËRIA TA REFUZOJË NISMËN E RE TË SERBISË

Nga SHABAN MURATI


E Hënë, 02.06.2012, 07:15pm (GMT1)

Serbia ndërmori në këtë fillim viti një nismë të re diplomatike, të cilën ajo ka ambicien t'ia imponojë të gjitha shteteve të rajonit. E shpallur për herë të parë më 16 janar, nga ministri i Jashtëm Vuk Jeremiç në mbledhjen vjetore të ambasadorëve të Serbisë nëpër botë, ajo iu ofrua si një nismë rajonale, për t'u bashkëngjitur edhe vendet e rajonit, më 31 janar në Beograd, në fjalën e hapjes, që mbajti ministri i Jashtëm serb në mbledhjen informale të ministrave të Jashtëm të vendeve të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, SEECP. Nisma konsiston në propozimin e Serbisë që të gjitha vendet e rajonit ta celebrojnë në vitin 2012 së bashku 100-vjetorin e Luftës së Parë Ballkanike, nën devizën "Nga luftërat ballkanike në paqen ballkanike". Sipas ministrit të Jashtëm serb, kjo është e mundur të arrihet nëse gjitha vendet e Europës Juglindore kanë vullnetin të distancojnë veten, jo vetëm nga konfliktet që kanë karakterizuar rajonin gjatë 100 vjetëve, por dhe janë përgatitur të arrijnë një zgjidhje kompromisi.

Deri në momentin, kur Serbia celebron përvjetorë të ndryshëm të historisë së saj, që kanë të bëjnë me zgjerimet e saj apo me dështimet strategjike të saj gjatë kohërave, ai është një fakt nacional i saj. Por, kur pretendimi i Serbisë shtrohet në një ambicie dhe nismë diplomatike për t'ia imponuar shteteve të tjerë të rajonit, kjo është një situatë diplomatike, e cila natyrisht kërkon reflektim të thellë. Nisma serbe nuk është thjesht dhe as vetëm një sipërmarrje propagandistike e Serbisë për të rrumbullakosur dhe zbukuruar çfarë ka ngjarë realisht në historinë e Ballkanit në 100 vjetët e fundit dhe për të fshirë nga kujtesat kombëtare dhe rajonale se kush mban përgjegjësinë më të madhe për luftërat dhe konfliktet e Ballkanit. Ka rëndësi të thuhet që në fillim se nisma diplomatike e ministrit të Jashtëm serb nuk është shumë origjinale, madje është një kopje e zbehtë, e deformuar e një projekti të nisur nga kryeministri i mëparshëm i Greqisë, Georgos Papandreu. Kur Papandreu erdhi në fuqi para tre vjetësh, ndërmori projektin e quajtur "Agenda 2014", ku i propozonte Bashkimit Europian që, me rastin e 100-vjetorit të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, BE të pranonte në gjirin e saj të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Si përmbajtja, ashtu dhe objektivi i propozimit të kryeministrit grek, ishin me vlerë, pavarësisht se dukej e pamundshme ambicia e madhe e anëtarësimit të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE deri në vitin 2014. Diplomacia e Serbisë merr propozimin e Papandreut, i ndryshon datën dhe objektin, dhe e nis me 100-vjetorin e shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike, dhe duke vendosur në përmbajtjen e kësaj nisme qëllimet dhe strategjinë e shtetit serb në Ballkan. Duhet thënë gjithashtu se Serbia ka si pikënisje të kësaj nisme diplomatike, konceptin e pranimit të rolit të saj si shtet kryesor dhe lider i Ballkanit Perëndimor. Shefi i diplomacisë serbe nuk e fshehu këtë ambicie disporporcionale kur deklaroi se vendet e rajonit "duhet të drejtojnë planifikim direkt strategjik drejt mirëqenies, të cilën rajoni do ta ketë nga kjo nismë".

E analizuar në raport me Shqipërinë, me historinë e marrëdhënieve të saj me Serbinë në 100 vjet, me historinë e luftës së parë ballkanike dhe deri tek lufta genocidiale serbe kundër popullit të Kosovës më 1998-1999, nuk mund të mos vish tek mendimi se diplomacia dhe qeveria e Shqipërisë duhet të mendohen 100 herë, përpara se të bëjnë ndonjë hap të nxituar për të celebruar të pacelebrueshmen për kombin shqiptar. Kushdo që e njeh historinë e Ballkanit dhe të Luftës së Parë Ballkanike, e ka të qartë se ajo, pavarësisht se në çfarë pretekstesh dhe argumentesh justifikoi fushatat e saj luftarake, është e vërtetë e pamohueshme se në themelet e saj qenë marrëveshjet e hapura dhe të fshehta, që Serbia realizoi me shtetet e Aleancës ballkanike për pushtimin dhe aneksimin e trojeve shqiptare. Ushtria serbe ndërmori në territoret shqiptare një luftë pushtuese dhe ishte në atë kohë, që ajo pushtoi Kosovën. Serbia dhe shtete e tjera ballkanike refuzuan të njohin pavarësinë e Shqipërisë dhe qeverinë e Ismail Qemalit dhe dhunuan territoret shqiptare duke shkelur parimin e neutralitetit që kishte shpallur zyrtarisht qeveria e shtetit të ri të pavarur shqiptar.

Duke pretenduar dhe u pranuar si flamurmbajtësja e transformimit të Ballkanit "nga rajon i luftërave në rajon të paqes", Serbia automatikisht e përjashton veten nga çdo përgjegjësi historike që ka në raport me shtetet dhe popujt e tjerë. E thënë në mënyrë të përmbledhur, Serbia kërkon që gjithë vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën, ta lexojnë historinë siç e lexon Serbia. Dhe po t'i hysh më thellë, më e rëndësishme është përpjekja e Serbisë që vendet e Ballkanit të pranojnë rezultatet dhe produktet negative të asaj që Serbia imponoi me luftë 100 vjet më parë. Kjo do të thotë që të pranohet edhe sot se fajin nuk e pati Serbia, që i pushtoi Kosovën dhe territoret shqiptare, dhe se ato duhet t'i rikthehen Serbisë. Nuk mund të mos tërheqë vëmendjen se në paraqitjen e nismës së re diplomatike, shefi i diplomacisë serbe nuk paraqiti asnjë lloj pendese apo kërkesë falje qeveritare për konfliktet dhe tragjeditë, që Serbia ka shkaktuar në trojet ballkanike, nga Lufta e Parë Botërore e deri në vitet 90 të shekullit të kaluar, me luftërat e saj kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës. Udhëheqja e Serbisë edhe sot e kësaj dite nuk ka kërkuar falje për genocidin dhe krimet kundër njerëzimit që ushtria, policia dhe shteti serb kanë kryer gjatë 100 vjetëve në Kosovë. Dhe jo vetëm kaq, por udhëheqja e Serbisë ka dekoruar gjeneralët dhe kriminelët e tjerë, që drejtuan spastrimin etnik në Kosovë në vitet 1998-1999, dhe vetëm ditët e fundit njërin nga ushtarakët, që i kanë duart e lyera me gjakun e shqiptarëve, e gradoi në shef të shtabit të ushtrisë.

Në thelbin e saj nisma serbe ka për qëllim sanksionimin historik dhe legal të pushtimit të Kosovës nga Serbia 100 vjet më parë. Atë, që Serbia arriti nëpërmjet dhunës së pushtimit 100 vjet më parë, dhe që sot, falë luftës heroike të popullit të Kosovës dhe mbështetjes e ndërhyrjes së pazëvendësueshme nga Aleanca Atlantike është shteti i ri i pavarur i Kosovës, Serbia kërkon ta rimarrë me taktika dhe metoda të reja diplomatike. Prandaj gjykohet e pamundur të pranohet protagoniste e një nisme diplomatike me emrin e paqes, një qeveri dhe një shtet si Serbia, që lufton përsëri të rikthejë Kosovën në statusin e kolonisë së vet. Serbia kërkon kredite diplomatike për të kaluarën e saj, por Shqipëria është vendi që ka arsyet më të mëdha për të mos ia dhënë këto kredite.

Dëshira është që qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë të mos rrëmbehen si flaka e kashtës, siç ndodh jo rrallë, për çdo nismë fjalëbukur, që i vjen nga Serbia. Shqipëria duhet të presë derisa Serbia të pastrojë hauret e veta të Avgjisë nga malet e mëkateve historike që ka ndaj kombit shqiptar.

SHABAN MURATI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.