VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

RUSIA DHE E KALUARA E SAJ KOMUNISTE

''ISHTE SHUMË KOHË MË PARË, DHE SIDOQOFTË ASGJË NUK KA NDODHUR''

Nga FRANK SHKRELI


E Hënë, 02.13.2012, 07:29am (GMT1)

Në prag të zgjedhjeve presidenciale në Rusi që do të mbahen më 4 Mars, një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që vizitoi kohët e fundit Moskën tha në një konferencë për media se Rusia ka nevojë për ndryshime themelore serioze politike dhe jo vetëm për një ''mekanizëm'' për të bërë të mundur mbijetimin e regjimit të Vladimir Putinit. Ç'prej zgjedhjeve parlamentare të Rusisë mbajtur Dhjetorin që kaloi, ndaj të cilave pati kundërshtime ndërkohë që partia e Putinit fitoi me 49.3 për qind të votave, protestuesit rusë, nëpërmjet internetit dhe nëpër sheshet e qyteteve anembanë vendit, janë duke bërë thirrje për ndryshime në sistemin politik të dominuar nga Vladimir Putin për pothuj 12 vjetët e kaluar. Sipas opozitës ruse, ka mundësi që, me sistemin e tanishëm, regjimi i kontrolluar nga Putini të jetë në fuqi edhe për 12 vjetët e ardhshëm.

Kryeministri Putin, i cili pret të zgjidhet rishtas president i Rusisë në zgjedhjet e 4 Marsit, përballet me protestat më serioze kundër udhëheqjes së tij në 12 vjetët e fundit. Ish-udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbaçov u citua nga agjencia e lajmeve Reuters të ketë thënë, para disa ditësh, gjatë një fjalimi në universitetin e Moskës, se Putini është i pa-aftë të bëjë ndryshime themelore të sistemit politik që ai kontrollon. Babai i perestrojkës u tha studentëve rusë se nuk ka gjasë që Putini të ndryshojë veten dhe as sistemin e fortë politik që ai kontrollon. Megjithëse analistët kryesisht vlerësojnë se ai do të zgjidhet rishtas president në zgjedhjet e Marsit, duket se përkrahja për Putinin, që shumë veta mbrenda dhe jashtë Rusisë e konsiderojnë si despot, është duke rënë. Përspektiva se ai mund të udhëheqë Rusinë deri në vitin 2024, shqetëson shumë rusë dhe ka shkaktuar protesta anembanë Rusisë. Në të njëjtën kohë, shumë ekspertë pyesin se pse Rusia, pas pothuaj 20-vjetë ç'prej rënjës së komunizmit, pothuaj si asnjë vend tjetër ish-komunist, nuk ka bërë asnjë hap përparimi drejtë shkëputjes nga e kaluara e saj komuniste, e dalluar për abuzime tragjike ndajë shoqërisë së atij vendi.

Njëri prej këtyre ekspertëve, është amerikani Dejvid Satter, i Institutit Hadson, profesor në universitetin Xhon Hopkins, dhe autor i disa librave mbi Rusinë dhe ish-Bashkimin Sovjetik. Në librin e tij të fundit me titull: ''ISHTE SHUMË KOHË MË PARË, DHE SIDOQOFTË ASGJË NUK KA NDODHË -- Rusia dhe e kaluara e saj komuniste'', botuar dhjetorin që kaloi, Zoti Satter i përgjigjet kësaj pyetjeje. Ky është një libër që shqyrton pasojat serioze që pëson një vend, siç është Rusia, kur edhe sot pas 20-vjetësh, bën përpjekje aktive për t'u fshehur nga historia e krimeve komuniste. Ai argumenton se me zhdukjen e perandorisë komunisto-sovjetike në koshin e plehrave të historisë, ashtu siç kishte parashikuar ish-presidenti amerikan Ronald Reagan, u zhdukën nga kujtimi i njerëzve edhe krimet e tmershme të komunizmit. Nga pikëpamja e një eksperti, Dejvid Satter shkruan në librin e tij, se dështimi ose mos vullneti për të kuptuar dhe për të pranuar tragjedinë njerëzore të shkaktuar nga komunizmi, përforcon natyrën autoritare të regjimit të sotëm rus.

Revista e njohur amerikane, Njusuikë e cilësoi veprën e fundit të Zotit Satter mbi Rusinë, si një studim i rëndësishëm e gjithpërfshirës i cili ve në dukje se si e kaluara e përgjakshme e komunizmit në ish-Bashkimin Sovjetik vazhdon "të helmojë të tashmen dhe kërcënon të mbytë të ardhmen e atij vendi''. Në përgjithësi, libri i Zotit Satter, sipas shtëpisë botuese të universitetit Jelë, është tepër i rëndësishëm, pasi ''deri më tani nuk kishte ndonjë ndërmarrje serioze për të kuptuar rëndësinë e përvojës së komunizmit sovjetik, ndërkohë që janë harruar miliona viktima të komunizmit''. Ai shkruan se Rusia nuk ka monument as muze kombëtar dedikuar pothuaj 20-milionë viktimave të terrorit komunist në Rusi, por çka është më e rëndësishme, shton ai, nuk ekziston kurrfarë zemërimi kombëtar në lidhje me këtë.

Zoti Satter eksploron krizën e sotme morale dhe shpirtërore të shoqërisë ruse dhe bën pyetjen se si është e mundur që një qeveri t'u mohojë shtetasve të vetë vlerat trashëguese të tij dhe në të njëjtën kohë populli të jetë dakord me këtë qëndrim mohues të qeverisë së tij? Njëherazi, ai eksploron arsyet se pse aq shumë rusë, bile edhe sot, janë nostalgjikë për një regjim që për pothuaj një shekull i shtypi dhe u mohoi atyre të drejtat bazë të njeriut dhe dinjitetin njerëzor. Ai e përshkruan shoqërinë ruse si një shoqëri që kujdeset shumë pak ose aspak për jetën e njeriut dhe për mbrojtjen e individëve, kështuqë edhe kur rusët e rëndomtë pyeten për krimet regjimit komunist sovjetik, përgjigja pothuaj indiferente e tyre zakonisht është: "ishte shumë kohë më parë dhe sidoqoftë asgjë (e keqe) nuk ka ndodhur'', përgjigje kjo që duket se i ka bërë përshtypje autorit Satter që ta përdorë për titullin e librit të tij.

Zoti Satter studion dhe shqyrton me përvojën e gjatë të një eksperti, qëndrimet e rusëve ndaj të gjallëve dhe të vdekurve, ndaj të tashmes dhe të kaluarës së Rusisë, si edhe ndaj përgjegjësive të shtetit dhe të drejtave të individit dhe të shoqërisë në përgjithësi. Për mungesën e zhvillimit të demokracisë në Rusi, ai ngarkon me faj historinë e gjatë komuniste por në të njëjtën kohë i hedh faj edhe traditës historikisht autokratike të Rusisë. Ai thotë në librin e tij se ''gjëja që helmon gjendjen e sotme politike në Rusi është mospërfillja e plotë e shtetit ndaj të drejtave të individit, duke i dhënë rëndësi prioritare realizimit të nevojave të shtetit'', të përcaktuara këto nga një elitë që nuk është përgjegjëse ndaj zgjedhësve dhe nuk përfillë nevojat e shumicës së popullit.

Duke shkruar për gjëndjen e tanishme politike në Rusi, ajo që e shqetëson Zotin Satter, si një ekspertë me përvojë të gjatë me çështjet e Rusisë, është fakti se Vladimir Putin -- pjellë e sistemit komunist, dhe ish-anëtar i sigurimit të shtetit KGB-ës -- beson se njerëzit ekzistojnë për t'i shërbyer shtetit dhe si përfundim shteti/qeveria nuk ekzistojnë për t'i shërbyer popullit.

Në prag të zgjedhjeve të 4 Marsit për president, Rusia përballet me probleme të mëdha politike të mbrendshme, me një ngadalësim të veprimtarive ekonomike, pjesërisht si rrjedhim i krizës botërore ekonomike, por edhe nga manaxhimi i keq i ekonomisë. Ajo udhëhiqet nga një elitë e kryesuar nga Vladimir Putini i cili duke manipuluar sistemin, dëshiron të qëndrojë në fuqi me çdo kusht, pa marrë parasysh vullnetin e popullit.

Në thelb, Zoti Satter në librin e tij mbi Rusinë, thotë se ai vend nuk do të jetë në gjendje të ndalojë keqësimin e tanishëm të gjendjes politike, shoqërore dhe ekonomike, nëqoftëse nuk përballet në mënyrë transparente me krimet e së kaluarës komuniste sovjetike. "Komunizmi'', shton ai, "u ndërtua dhe u zhvillua në bazë të një kulture frymëzimesh autoritare të një popullsie që historikisht ishte e skllavëruar.'' Andaj, sipas tij, në qoftë se këto frymëzime të shfrenuara nuk shqyrtohen seriozisht dhe në mënyrë kritike dhe në qoftë se nuk kontrollohen, ato mund të kërcënojnë të ardhmen e Rusisë.''

Shoqëria ruse, thotë ai, "është një shoqëri që nuk bën sa duhet për të mbrojtur jetën dhe individin'', duke thënë se "ky mentalitet shoqëror i periudhës cariste në Rusi është solidifikuar më vonë nga brutaliteti i periudhës komuniste, dhe është përforcuar nga mungesa e vullnetit dhe mos-interesimit shoqëror për të kuptuar rëndësinë morale'' të krimeve të kryera gjatë periudhës komuniste sovjetike.

Si rrjedhim, Rusia, shton ai, ka nevojë për një moralshmëri post totalitaro-komuniste, në qoftë se dëshiron të zhvillohet dhe të përparojë. Këshillë e mirë kjo për çdo shoqëri post-komuniste, e cila ngurron të përballohet me të kaluarën, përfshirë edhe shoqërinë shqiptare.

FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.