VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

HARRESË EDHE MIDIS VARRESH

Kam varrosur Kristo Kirkën

Nga AMIK KASORUHO


E Martë, 03.20.2012, 09:46am (GMT1)

 

Janë kujtime të mbetura larg në kohë. Por që nuk harrohen.

 

Aso kohe, (në mes të viteve '50) ne ishim të rinj. Të rinj dhe të burgosur. Dhe si të tillë na qëllonte të bënim punë nga më të ndryshmet. Por nuk na kishte shkuar ndërmend se do të ishim edhe varrmihës. Qëlloi që u bëmë. Në dy raste kujtoj se më është dashur të gërmoj varr për shokë vuajtjeje. I dyti ishte varri i Kristo Kirkës.

 

Në njëfarë mënyre ai ishte një ikonë, sidomos për ne të rinjtë. I rrethuar nga brerorja e patriotit të ndershëm, plot dinjitet, e plakut të urtë që kurrë nuk e dëgjuam të ngrinte zërin, por as të ankohej që në një burg tjetër kishte të ndryrë edhe të birin që në moshë të re, e atij që nuk e kursente fjalën e urtë e të matur për askënd, me tisin e pleqërisë në fytyrën e tij ku i skuqnin mollëzat dhe ku sytë e tij të butë përndanin mirësi, Kristo Kirka mbeti një ikonë edhe në çastet e vdekjes.

 

Na caktuan Hajro Belishovën dhe mua, si të rinj, të shkonim e të hapnim varrin, në zabelin jashtë burgut, të shoqëruar nga një tufë policësh. Gërmuam në tokën kallkan, mes dushqeve, ashtu, ku iu tek policëve, pa ndonjë kriter. Qëllimisht pa kriter, që të mos mbetej as kujtimi i banesës së fundit të një të burgosuri. Pa asnjë shenjë, që të bëhej njësh me atë djerrinë pa emër, pa kujtesë, i harruar.

 

Na thanë policët se aty kishte shumë varre. Nuk dalluam asnjë. Grumbujt e dheut mbi gropat e hapura nga të burgosurit për shokët e tyre qenë rrafshuar nga moti. Edhe pse ata grumbuj ishin të ulët: varri do të gërmohej jo më shumë se 70-80 centimetra. Policët nxitonin të ktheheshin.

 

Tek gërmonim, na dukej sikur xha Kristoja, si e thërritnim ne të rinjtë, aty, i mbështjellë me batanije, pa arkivol, shtrirë në tokën që nuk kishte ruajtur gjurmët e atyre që ishin varrosur përpara tij dhe që ndoshta nuk do të ruante as shenjën e varrit të plakut të mençur e të thjeshtë, shpirtpastër e të ndershëm, nuk e dinte se do të ishte varrhumbur. Nuk e dinim as ne, sepse aty, në mes të ahishtës anash burgut, ishte menduar djallëzisht banesa e fundit, anonime edhe për njerëz me vlera të rralla, për të shtuar numrin e atyre mijëra të vdekurve që diktatura deshi dhe i la pa varr. Kjo ishte forca e diktaturës komuniste. Forca e të dobëtit. Por që nuk i sfiliste aspak vlerat e një patriotizmi që s'reshti kurrë, të një vullneti që nuk u mposht në asnjë mënyrë dhe nga asgjë. As nga fuqia e një shteti të mbrapshtë dhe e një diktature çnjerëzore që edhe aty, jo vetëm në burgun e Burrelit, por edhe në çeltinën jashtë tij shpaloste egërsinë, si kudo në vendin tonë, të diktaturës komuniste që donte të mbillte harresën edhe midis varresh.

 

Kristo Kirka është bashkëluftëtar i Themistokli Gërmenjit në përpjekjet kundër pushtuesve andartë grekë, si dhe osmanë, bashkëthemelues me Imzot Fan Nolin të "Vatrës". Njihet si bashkëthemelues edhe i Kishës Autoqefale shqiptare.

AMIK KASORUHO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.