VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Editorial: Votë për vijimin e projekteve

E Djelë, 07.05.2009, 09:39pm (GMT1)

 


Voal-online Vota e 28 qershorit duket se në thelbin e saj është votë për vijimin e projekteve. Votuesi shqiptar e ka bërë tashmë detyrën e tij, duke ia lënë në duar stafetën fituesit të zgjedhjeve. Nga çasti i marrjes së mandatit, premtimet e bëra gjatë fushatës shndërrohen në shpatë Damokleu mbi fituesin, shndërrohen në sfidë për të gjitha palët që i matën forcat në garën e sivjetme zgjedhore parlamentare. Janë shumë projekte të mëdha në përfundim. Ato duhet të përmbyllen në kohë me sukses të plotë. Kështu ato e çojnë vendin përpara, drejt një stadi të ri të paparë të zhvillimit. Janë shumë projekte të rëndësishme në vazhdim. Ato nuk bën të njohin stepje, ato duhet të njohin vetëm përshpejtim ritmesh. Realizimi i tyre shënon hop të madh të gjithanshëm për jetën e vendit. Janë shumë projekte të bujshme në fillimin e tyre apo në prag të fillimit të tyre. Ato nuk bën të harrohen për asnjë moment. Ato sa më shpejt duhet të marrin trajtë konkrete. Së bashku ato, një ditë të shpejtë,  mishërohen në integrimin e Shqipërisë në hapësirën perëndimore, pra në Bashkimin Evropian. Përgjegjësia kryesore për t'i dhënë përmbajtjen reale votës së 28 qershorit 2009 bie, natyrisht, mbi fituesin. Por jashtë përgjegjësisë nuk del për asnjë çast as opozita. Nga mënyra si do të bëhet opozita varet shumë thellimi i frymës së konstruktivitetit, varet shumë vënia e qeverisë në pozita pune në mënyrë konstante, të përhershme, pa e lejuar atë për asnjë çast t'iu bishtnojë premtimeve. Fituesi i 28 qershorit 2009, i cili është i tillë edhe në emër të opozitës, nuk duhet të harrojë se fushata gjithsesi i ka ulur ritmet e punës në rrafshe të ndryshme të jetës së vendit. Fushatat kanë rol frenues të përkohshëm edhe në vende të zhvilluara. Por ritmet rifitohen të shtuara e të shumëfishuara menjëherë pas krijimit të qeverisë së re. Duke treguar përgjegjshmëri ndaj premtimeve të bëra, duke treguar besnikëri ndaj votuesit, fituesi i 28 qershorit 2009 do t'i japë vërtetësi edhe thënies se më 28 qershor 2009 nuk ka pasur të humbur, ka pasur vetëm fitues. Duke e ngulitur këtë moto në mendje, ashtu si fituesit në vendet e zhvilluara, edhe fituesi i këtyre zgjedhjeve do të arrijë të dëshmojë se vërtetë, duke dhënë atë rezultat që pamë, vota e sivjetme nuk ka nxjerrë humbës.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.