VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Editorial: Votë për infrastrukturën

E Hënë, 07.20.2009, 07:43am (GMT1)





Voal-online -Premtimet e Aleancës për Ndryshim në fushatën zgjedhore përqëndroheshin thuajse absolutisht në përmirësimin e infrastrukturës, konkretisht në bërjen e Shqipërisë me infrastrukturë. Në thelb ky vend vazhdon të përdorë infrastrukturën kombëtare të trashëguar nga koha e Zogut dhe nga periudha e Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa në sferën energjitike dhe të ujërave vazhdon të përdorë infrastrukturën kombëtare të trashëguar nga koha e monizmit. Prandaj thuhet me shumë të drejtë se rruga Durrës-Kukës-Morinë, posaçërisht segmenti Rubik-Kalimash, në mënyrë të veçantë tuneli i Thirrës, shënojnë revolucion në infrastrukturën shqiptare. Infrastruktura e brendshme dihet sa është vendimtare për integrimin e vendit në infrastrukturën e kontinentit dhe në atë globale, pra në vetvete infrastruktura është integrim perëndimor dhe global i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Qeveria gjatë  katër viteve të mandatit të saj tregoi bindshëm përkushtimin, vullnetin e përkushtimit ndaj infrastrukturës. Prandaj ajo ishte bindëse në fushatën zgjedhore në atë masë sa të fitonte besimin për një mandat të ri qeverisës. Shqipëria është i vetmi vend pa infrastrukturë të mjaftueshme në rajonin e gadishullit. Nëse do të ishte pjesë e një rajoni tjetër, do të ishte investuar me përqëndrim nga të gjitha vendet fqinje që edhe Shqipëria të jetë kompatibile në rrafshin infrastrukturor. Por Evropës Juglindore, rajonit ku ndodhen shqiptarët në atdheun e tyre, mjerisht quhet Ballkan dhe ende vazhdon të konsiderohet Ballkan. Prandaj shqiptarët vetë duhet ta nxitin me çdo mjet e me çdo mundësi ndërtimin e një infrastrukture sa më moderne për ta çuar përpara vendin dhe rajonin e për t'ia dhënë Shqipërisë e vetes, pra shqiptarëve atë rol që iu takon, por që nuk e marrin, ngaqë ende nuk e kanë vetëdijën e duhur. Puna e qeverisë se re mbetet e qartë, në kushtet dhe rrethanat lejuese ajo pritet të përmbushë premtimin zgjedhor për të cilin mori votën e 28 qershorit 2009.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.