E Premte, 03.29.2024, 03:01pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

BE-SHQIPËRI: PORTA E MADHE DHE PORTAT E VOGLA

Nga SHABAN MURATI


E Martë, 04.03.2012, 09:15am (GMT+1)

 

Në një konferencë të mbajtur në muajin mars në Tiranë për temën e integrimit europian të Shqipërisë, një përfaqësues i lartë i mazhorancës qeverisëse deklaroi se, "për Shqipërinë dera më e afërt për në BE është Greqia". Zyrtari i lartë përgjithësoi qëndrimin politik të partisë dhe të qeverisë që përfaqëson duke ekspozuar rastësisht atë që mund të përkufizohet si thembra e Akilit e dobësisë shtetërore shqiptare në rrugën e gjatë e të mundimshme drejt integrimit europian. Koncepti qeveritar se Shqipëria duhet të kalojë nëpër një portë tjetër të vogël, përpara se të hyjë në portën e madhe të anëtarësimit në Bashkimin Europian është një nga pikat më të dobëta të platformës qeveritare të Shqipërisë për integrimin e vendit në BE. Duke iu përmbajtur këtij koncepti, edhe 20 vjet pasi Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen e parë me BE-në, dhe është ndër vendet e para ish-komuniste që ka aplikuar për anëtarësim në BE, mund të thuhet se në rrugën e gjatë dhe të vështirë, me kthesa dhe gropa që vendi ynë po kalon për t'u anëtarësuar në BE, Shqipëria është shndërruar, me dashje apo padashje, në një vetëpenguese e këtij integrimi europian.


BE i ka hapur portën e madhe të anëtarësimit europian Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që në samitin e parë të organizuar nga Bashkimi Europian në nëntor të vitin 2000 në Zagreb me shtetet e këtij rajoni, që u përshinë në procesin e mirënjohur të Stabilizim - Asociimit me BE-në. Pavarësisht nga periudhat që kanë kaluar nga ajo kohë, Komisioni Europian dhe samitet e vendeve anëtare të BE nuk kanë reshtur së konfirmuari qëndrimin e tyre strategjik të anëtarësimit të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Porta e madhe e anëtarësimit në BE ka qëndruar dhe vazhdon të qëndrojë e hapur, natyrisht si një garë individuale dhe në bazë të meritave e përpjekjeve reale të secilit shtet të Ballkanit Perëndimor për të arritur nivelin dhe pjekurinë e këtij anëtarësimi. Por, ndërsa kjo portë e madhe e anëtarësimit qëndron e hapur, nuk është shumë e qartë përse qeveritë në Tiranë në programet e tyre të integrimit janë mbështetur dhe janë nisur gjithmonë nga koncepti i mbrapshtë politik dhe diplomatik se Shqipërisë i duhet të kalojë në një portë të vogël të një shteti tjetër për të hyrë në fillim aty, dhe nëpërmjet kësaj porte të vogël të hyjë pastaj në portën e madhe të BE-së. Është jashtë çdo dyshimi se përfaqësuesi i lartë i mazhorancës, që përmendëm në fillim të analizës sonë ka paraqitur qëndrimin e partisë dhe të qeverisë aktuale që ai përfaqëson sepse në këtë cilësi edhe ishte i ftuar. Nëse politika dhe strategjia e integrimit europian të qeverisë së tanishme shqiptare mbështetet në konceptin e hyrjes në fillim në portën e vogël të një shteti tjetër dhe pastaj në hyrjen në portën e madhe të anëtarësimit në BE, kjo sjell një shpjegim të ri edhe për faktin pse ndodhi mosmarrja e statusit të shtetit kandidat të BE, qoftë në dhjetor të vitit të kaluar, qoftë në mars të këtij viti, kur atë status për më tepër e mori dhe Serbia, e cila ka qenë shkaktarja e luftërave agresive kundër shteteve të tjera të ish-Federatës Jugosllave, e cila po shkakton kaq trazira në Veri të Kosovës dhe në Bosnjë-Hercegovinë, dhe e cila hyri në rrugën e post-komunizmit dhe të demokratizimit të vendit 10 vjet pas Shqipërisë.


Çështja themelore qëndron se përse në politikën e jashtme shqiptare në përgjithësi, dhe në politikën e integrimit europian të Shqipërisë në veçanti, është kalçifikuar ky koncept sa frenues, aq dhe joevropian. Të lë përshtypje të thellë fakti që ky koncept anti-integrues është tipik dhe unik shqiptar, që do të thotë se konceptin e vetëdetyrimit për të hyrë në fillim në një portë të vogël të një shteti anëtar të BE, dhe më vonë në portën e madhe të BE, e ka vetëm Tirana. Nuk e gjen këtë koncept në politikën dhe në historinë e integrimit europian të shtetit më të ri të Ballkanit Perëndimor, që do t'i bashkohet BE si anëtar me të drejta të plota vitin e ardhshëm. E kemi fjalën për Kroacinë. Nuk ekziston në fjalimet dhe deklaratat e udhëheqësve apo politikanëve kroatë, të cilësdo parti apo krah politik, që ka qeverisur vendin, që të shpallë publikisht se Kroacia duhet të hyjë në portën e vogël të Gjermanisë dhe të Austrisë në fillim e pastaj të hyjë në portën e madhe të BE-së. Jo rastësisht e përmendëm Kroacinë sepse Gjermania dhe Austria kanë qenë ndër përkrahësit më të flaktë dhe më impresivë të integrimit të Kroacisë në BE. Por, Zagrebit me dinjitet dhe me vetëdije shtetërore e kombëtare, as nuk i ka shkuar ndër mend t'i thotë opinionit të vet publik dhe forumeve e tryezave diplomatike se Kroacia duhet të hyjë njëherë në portën e vogël të Austrisë e të Gjermanisë dhe pastaj t'i drejtohet portës së madhe të anëtarësimit në BE. Fakti që Kroacia bëhet vitin e ardhshëm anëtare e BE-së provon se ajo e ka ditur fare mirë dhe ka formuluar qartë dhe drejt strategjinë e hyrjes direkt në portën e madhe të BE-së. Çdo koncept apo politikë e futjes njëherë në një portë të vogël të një shteti tjetër e pastaj në portën e madhe të BE, do të ishte pengesë dhe vonesë për anëtarësimin europian të vendit.

Nuk e gjen konceptin e "portës së vogël në fillim e pastaj në portën e madhe të BE", as në rastin e Maqedonisë. Është e njohur se konflikti i Athinës me Shkupin për çështjen e emrit ka prodhuar veton e Greqisë si bllokim për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Veto greke ka bllokuar edhe dhënien e një date për hapjen e bisedimeve të pranimit të Maqedonisë në BE, në një kohë që Maqedonia ka qysh në vitin 2005 që e ka marrë statusin e shtetit kandidat. Por, Shkupi asnjëherë, as para samitit të Bukureshtit dhe as pas samitit të Bukureshtit, nuk përqafoi konceptin e hyrjes në fillim në portën e vogël dhe pastaj në portën e madhe të BE. Në realitet porta e vogël e Athinës është pengesa reale e Shkupit për në rrugën drejt portës së madhe të BE-së. Por, pengesat dhe bllokimet diplomatike janë një gjë dhe konceptet dhe orientimet diplomatike e politike janë një gjë tjetër.

Koncepti i hyrjes në portën e vogël dhe pastaj në portën e madhe, shpreh një qëndrim dhe një politikë të papërputhshme me standardet e një shteti sovran dhe me dinjitet historik. Sepse automatikisht një shtet që i vë me vullnetin e tij vetes pengesën e portës së vogël, automatikisht i ka shprehur tërë organizatës së Bashkimit Europian paaftësinë e tij për të hyrë direkt në portën e madhe të anëtarësimit. Sepse kjo do të thotë se, shteti aspirant bën gabimin e madh strategjik të plotësimit dhe të përshtatjes në fillim me kriteret dhe kushtet e portës së vogël dhe pastaj me kriteret dhe me interesat e portës së madhe, që quhet BE. Dhe është e qartë se kriteret e një shteti të veçantë, qoftë dhe anëtar i BE-së, nuk përkojnë plotësisht dhe domosdoshmërisht me kriteret e organizatës që quhet BE.

Përqafimi i konceptit të portës së vogël në fillim dhe pastaj në portën e madhe e prezanton publikisht dhe zyrtarisht Shqipërinë si një shtet klientelist, gjë që padyshim nuk mund të shihet me sy respekti as nga shtete të veçanta të BE-së dhe as nga vetë BE si organizatë. Sepse pyetja e parë që lind në radhët e diplomacisë së BE-së është se, përse Shqipëria meqë ka hartuar platformën e hierarkisë së portave, nuk ka zgjedhur të hyjë në fillim në portën e vogël të Gjermanisë, të Francës, të Italisë apo të Britanisë së Madhe dhe pastaj të hynte në portën e madhe të BE-së. Në mënyrë automatike Tirana i krijon vetes klimën e mosbesimit europian dhe të një shteti të papërgatitur për rrugën drejt integrimit europian. Kjo është tepër e vërtetë dhe sado e hidhur të tingëllojë, duhet pranuar se nuk ka zyrtar qeveritar në Shqipëri që të jetë në gjendje të thotë me gojën plot se Shqipëria ka pasur dhe ka një avokat të vërtetë dhe konsekuent brenda në BE, ashtu siç ka pasur për shembull Kroacia Austrinë, apo Rumania Francën.

Koncepti i portës së vogël në fillim dhe pastaj në portën e madhe është një vetëpengesë e rrugës së integrimit europian, që politika shqiptare i vendos vendit. Sepse derisa qeveria e Tiranës ka zgjedhur këtë rrugë, do të thotë që disa qarqe në Bruksel, që janë ithtarë të "lodhjes së zgjerimit apo të rishikimi të kapacitetit absorbues", mund të rrinë duke pritur kohën, kur Shqipëria të ketë plotësuar kriteret e portës së vogël dhe pastaj të nisë nga lista e 12 apo 120 kritereve të portës së madhe. Këto dilema kanë krijuar edhe mëdyshjen e madhe rreth karakterit të vërtetë europian të politikës së brendshme dhe të politikës së jashtme të Shqipërisë. Sepse ka një fenomen i cili duhet pranuar dhe përballuar, që është ai i rezonancës së politikës së jashtme dhe sidomos asaj rajonale të Shqipërisë me BE dhe i disonancës së politikës së brendshme të Shqipërisë me BE. Kjo antinomi strukturore, rezonancë-disonancë, e krijuar nga qeveria në Tiranë, paraqet një pengesë reale në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Rezonanca është përkufizuar si një përputhje e konstruktivitetit dhe e moderimit të Shqipërisë në rajon me politikën dhe me interesat e BE-së. Por, kjo rezonancë nuk ka mjaftuar që të jetë pasaporta e Shqipërisë për kalimin e fazave të detyrueshme të integrimit europian. Qoftë vonesa pesëvjeçare në nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, qoftë vonesa trevjeçare në pritjen e statusit të kandidatit, tregojnë se rezonanca e politikës së jashtme nuk është determinuesja. Janë standardet dhe parametrat demokratikë, institucionet demokratike dhe shteti ligjor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe përputhja e politikës së brendshme dhe e jetës së brendshme me kriteret dhe normat e Bashkimit Europian.

Koncepti i portës së vogël dhe i portës së madhe ka inkurajuar qeverinë në Tiranë të mos i kushtojë rëndësinë e duhur plotësimit të kritereve dhe të standarteve demokratike, që kërkon vazhdimisht BE-ja dhe të mendojë se duke trokitur tek porta e vogël do t'i hapen automatikisht kanatat e portës së madhe. Është një llogari dhe planifikim i mjerë, tipik bizantin dhe ballkanik.

BE i ka hapur portën e madhe të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, dhe ata nuk kanë nevojë asnjëri shtet për detyrimin e portave të vogla. Secili shtet shkon me dinjitetin, identitetin dhe historinë e vet kombëtare në familjen e madhe europiane dhe ka ikur koha e kapjes për dore dhe e mëshirimit të shtetit klient. Këto janë zhvillime të cilat kërkojnë një pjekuri më të madhe si të qeverisë ashtu dhe të diplomacisë shqiptare të cilat të paktën në 100-vjetorin e themelimit të Shqipërisë si shtet duhet të jenë më të matur kur formulojnë koncepte, politika dhe platforma të cilat i vonojnë Shqipërisë integrimin e plotë në BE.

SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MËSIMET E TRAGJEDISË GREKENga AJET NURO, Monteal, Kanada (04.03.2012)
TRADITA E SERVILIZMIT TË DIPLOMACISË SHQIPTARE NDAJ SHOVINIZMIT GREKOKARAGJOZNga ESHREF YMERI (04.03.2012)
FJALIM ME RASTIN E 101-VJETORIT TË KRYENGRITJES SË MALËSISË SË MADHE 3/31/12LE TA MARRIN VESH EVROPA DHE BALLKANI SE NUK LUHET MË ME FATIN E SHQIPTARITNga FRANK SHKRELI (04.02.2012)
PARTIA SHQIPTARE DEMOKRISTIANE E KOSOVËS DUHET TË RINGJALLET POLITIKISHT, E POPULLI SHQIPTAR NË KOSOVË SHPIRTËRISHTNga Mr. sc. NUE OROSHI (04.02.2012)
Barometri diplomatikBASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, OSE NËN MBROJTJEN E PËRHERSHME AMERIKANENga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (04.01.2012)
ÇAMËRINË E NJEH EDHE SHTETI GREKNga SHPËTIM IDRIZI (03.31.2012)
SHTETARËT SHQIPTARË KUROHEN NË AMERIKËNga ARTUR VREKAJ (03.30.2012)
PAPA BENEDIKTI TAKON FIDEL KASTRONNga FRANK SHKRELI (03.29.2012)
100 VJET PAVARËSI TË SHQIPTARËVE NË BALLKAN. PO PAVARËSIA E KISHËS ORTODOKSE SHQIPTARE???...Nga AT NIKOLLË MARKU (03.28.2012)
SHQIPËRIA TË BËJË 17 SHKURTIN FESTË ZYRTARENga SHABAN MURATI (03.27.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart�]