VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
BE-SHQIPËRI: PORTA E MADHE DHE PORTAT E VOGLA Nga SHABAN MURATI E Martë, 04.03.2012, 09:15am (GMT1)
Në një konferencë të mbajtur në muajin mars në Tiranë për temën e integrimit europian të Shqipërisë, një përfaqësues i lartë i mazhorancës qeverisëse deklaroi se, "për Shqipërinë dera më e afërt për në BE është Greqia". Zyrtari i lartë përgjithësoi qëndrimin politik të partisë dhe të qeverisë që përfaqëson duke ekspozuar rastësisht atë që mund të përkufizohet si thembra e Akilit e dobësisë shtetërore shqiptare në rrugën e gjatë e të mundimshme drejt integrimit europian. Koncepti qeveritar se Shqipëria duhet të kalojë nëpër një portë tjetër të vogël, përpara se të hyjë në portën e madhe të anëtarësimit në Bashkimin Europian është një nga pikat më të dobëta të platformës qeveritare të Shqipërisë për integrimin e vendit në BE. Duke iu përmbajtur këtij koncepti, edhe 20 vjet pasi Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen e parë me BE-në, dhe është ndër vendet e para ish-komuniste që ka aplikuar për anëtarësim në BE, mund të thuhet se në rrugën e gjatë dhe të vështirë, me kthesa dhe gropa që vendi ynë po kalon për t'u anëtarësuar në BE, Shqipëria është shndërruar, me dashje apo padashje, në një vetëpenguese e këtij integrimi europian.
Nuk e gjen konceptin e "portës së vogël në fillim e pastaj në portën e madhe të BE", as në rastin e Maqedonisë. Është e njohur se konflikti i Athinës me Shkupin për çështjen e emrit ka prodhuar veton e Greqisë si bllokim për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Veto greke ka bllokuar edhe dhënien e një date për hapjen e bisedimeve të pranimit të Maqedonisë në BE, në një kohë që Maqedonia ka qysh në vitin 2005 që e ka marrë statusin e shtetit kandidat. Por, Shkupi asnjëherë, as para samitit të Bukureshtit dhe as pas samitit të Bukureshtit, nuk përqafoi konceptin e hyrjes në fillim në portën e vogël dhe pastaj në portën e madhe të BE. Në realitet porta e vogël e Athinës është pengesa reale e Shkupit për në rrugën drejt portës së madhe të BE-së. Por, pengesat dhe bllokimet diplomatike janë një gjë dhe konceptet dhe orientimet diplomatike e politike janë një gjë tjetër. Koncepti i hyrjes në portën e vogël dhe pastaj në portën e madhe, shpreh një qëndrim dhe një politikë të papërputhshme me standardet e një shteti sovran dhe me dinjitet historik. Sepse automatikisht një shtet që i vë me vullnetin e tij vetes pengesën e portës së vogël, automatikisht i ka shprehur tërë organizatës së Bashkimit Europian paaftësinë e tij për të hyrë direkt në portën e madhe të anëtarësimit. Sepse kjo do të thotë se, shteti aspirant bën gabimin e madh strategjik të plotësimit dhe të përshtatjes në fillim me kriteret dhe kushtet e portës së vogël dhe pastaj me kriteret dhe me interesat e portës së madhe, që quhet BE. Dhe është e qartë se kriteret e një shteti të veçantë, qoftë dhe anëtar i BE-së, nuk përkojnë plotësisht dhe domosdoshmërisht me kriteret e organizatës që quhet BE. Përqafimi i konceptit të portës së vogël në fillim dhe pastaj në portën e madhe e prezanton publikisht dhe zyrtarisht Shqipërinë si një shtet klientelist, gjë që padyshim nuk mund të shihet me sy respekti as nga shtete të veçanta të BE-së dhe as nga vetë BE si organizatë. Sepse pyetja e parë që lind në radhët e diplomacisë së BE-së është se, përse Shqipëria meqë ka hartuar platformën e hierarkisë së portave, nuk ka zgjedhur të hyjë në fillim në portën e vogël të Gjermanisë, të Francës, të Italisë apo të Britanisë së Madhe dhe pastaj të hynte në portën e madhe të BE-së. Në mënyrë automatike Tirana i krijon vetes klimën e mosbesimit europian dhe të një shteti të papërgatitur për rrugën drejt integrimit europian. Kjo është tepër e vërtetë dhe sado e hidhur të tingëllojë, duhet pranuar se nuk ka zyrtar qeveritar në Shqipëri që të jetë në gjendje të thotë me gojën plot se Shqipëria ka pasur dhe ka një avokat të vërtetë dhe konsekuent brenda në BE, ashtu siç ka pasur për shembull Kroacia Austrinë, apo Rumania Francën. Koncepti i portës së vogël në fillim dhe pastaj në portën e madhe është një vetëpengesë e rrugës së integrimit europian, që politika shqiptare i vendos vendit. Sepse derisa qeveria e Tiranës ka zgjedhur këtë rrugë, do të thotë që disa qarqe në Bruksel, që janë ithtarë të "lodhjes së zgjerimit apo të rishikimi të kapacitetit absorbues", mund të rrinë duke pritur kohën, kur Shqipëria të ketë plotësuar kriteret e portës së vogël dhe pastaj të nisë nga lista e 12 apo 120 kritereve të portës së madhe. Këto dilema kanë krijuar edhe mëdyshjen e madhe rreth karakterit të vërtetë europian të politikës së brendshme dhe të politikës së jashtme të Shqipërisë. Sepse ka një fenomen i cili duhet pranuar dhe përballuar, që është ai i rezonancës së politikës së jashtme dhe sidomos asaj rajonale të Shqipërisë me BE dhe i disonancës së politikës së brendshme të Shqipërisë me BE. Kjo antinomi strukturore, rezonancë-disonancë, e krijuar nga qeveria në Tiranë, paraqet një pengesë reale në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Rezonanca është përkufizuar si një përputhje e konstruktivitetit dhe e moderimit të Shqipërisë në rajon me politikën dhe me interesat e BE-së. Por, kjo rezonancë nuk ka mjaftuar që të jetë pasaporta e Shqipërisë për kalimin e fazave të detyrueshme të integrimit europian. Qoftë vonesa pesëvjeçare në nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, qoftë vonesa trevjeçare në pritjen e statusit të kandidatit, tregojnë se rezonanca e politikës së jashtme nuk është determinuesja. Janë standardet dhe parametrat demokratikë, institucionet demokratike dhe shteti ligjor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe përputhja e politikës së brendshme dhe e jetës së brendshme me kriteret dhe normat e Bashkimit Europian. Koncepti i portës së vogël dhe i portës së madhe ka inkurajuar qeverinë në Tiranë të mos i kushtojë rëndësinë e duhur plotësimit të kritereve dhe të standarteve demokratike, që kërkon vazhdimisht BE-ja dhe të mendojë se duke trokitur tek porta e vogël do t'i hapen automatikisht kanatat e portës së madhe. Është një llogari dhe planifikim i mjerë, tipik bizantin dhe ballkanik. BE i ka hapur portën e madhe të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, dhe ata nuk kanë nevojë asnjëri shtet për detyrimin e portave të vogla. Secili shtet shkon me dinjitetin, identitetin dhe historinë e vet kombëtare në familjen e madhe europiane dhe ka ikur koha e kapjes për dore dhe e mëshirimit të shtetit klient. Këto janë zhvillime të cilat kërkojnë një pjekuri më të madhe si të qeverisë ashtu dhe të diplomacisë shqiptare të cilat të paktën në 100-vjetorin e themelimit të Shqipërisë si shtet duhet të jenë më të matur kur formulojnë koncepte, politika dhe platforma të cilat i vonojnë Shqipërisë integrimin e plotë në BE. SHABAN MURATI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |