VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - JO THJESHT TERMA!Nga Dr. PËRPARIM KABO

                                                                                      

E Mërkurë, 04.24.2024, 06:26am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

JO THJESHT TERMA!

Nga Dr. PËRPARIM KABO


E Mërkurë, 04.04.2012, 05:09pm (GMT+1)

 

Palët politike në Shqipëri nuk ndalen në furinë e mohimit "˜in extremis' të njëri-tjetrit. Asgjë që realizohet nga qeveria dhe pozita politike nuk vlen për opozitën politike dhe e kundërta! Gjithçka që avancohet nga opozita politike nuk shërben sipas pozitës. Kjo klimë dëmton të sotmen dhe më keq akoma të ardhmen. Një konfuzion i tillë është i lidhur me shumë faktorë dhe shkaqe, historike e konkrete, por se është i kushtëzuar edhe me një thelb fondamental. Palët politike në lojë nuk janë të identifikuara qartësisht në shkollat politiko - ekonomike. Për këtë arsye, është e vështirë të gjesh në programet e tyre koncepte, terma apo strategji zhvillimi të bazuara në rregulla të mirënjohura dhe të gjithëtakuara që lidhen me dy dimensionet bazike: Demokracinë dhe Kapitalizmin. Demokracia institucionale që drejtohet nga "liritë dhe të drejtat e njeriut" udhëhiqet nga "autoriteti politik" në shërbim të interesave politike të qytetarëve. Kapitalizmi është i udhëhequr nga interesat e tregut dhe e konsideron atë si autoritet. Demokracia e mat punën e vet me shërbimin ndaj interesit publik, ndërsa kapitalizmi vepron me mekanizmin e fitimit, si vetfitim në treg.

Demokracia krijon marrëdhëniet gjithëpërfshirëse duke vënë në qendër njeriun si individ. Kapitalizmi ka në qendër shtimin sasior të fitimit, që matet me paratë e shtuara falë transaksionit të suksesshëm. Nëse nuk do të gjendesh një lidhje e bashkëpunim mes tyre, do duhej të pranonim që kapitalizmi dhe demokracia, si në një lojë pa rregulla, mund të "arratisen" në një "laissez-faire", që çmendurisht mund të mos ndalej!

Kur diskutohet për realitetin socio-ekonomik dhe politiko-ekonomik të vendit tonë, korniza do duhet të jetë po e tillë: "Demokracia&Kapitalizmi". Tregu shpie shpesh falë shpërndarjes së të ardhurave në turbulenca të rënda, që shkundin gjithë shoqërinë. Në ciklet e tija të fluktacionit dhe i dëmtuar nga krizat, tregu shndërrohet në një strukturë të paqëndrueshme. "Tregjet duhet të jenë subjekte të një kornize politike në mënyrë të tillë që krizat të jenë të përmbajtura". Për socialdemokratët "shteti i mirëqenies" duhet që t'i ruaj njerëzit nga risqet e tregut, përmes të ardhurave që rriten nga taksimi progresiv në veçanti, falë mbledhjes së taksave të trashëgimisë dhe pronave. E gjithë kjo në shërbim të kombinimit të rritjes së të ardhurave me shpërndarjen. Për më tepër, shteti me mekanizmat e specializuara duhet të menaxhojë ciklin ekonomik, i cili nuk është identik me mandatin politik të marrë nga një shumicë parlamentare në zgjedhjet e përgjithshme të radhës. Në rastin e Shqipërisë, kjo ka shumë rëndësi të kuptohet, si "vijueshmëri institucionale" dhe të ndiqet në ecurinë e tij, pa ndërhyrje bllokuese sa herë që ndërrohen drejtuesit e vendit. I vetmi ndryshim që ka kuptim është përshpejtimi i ritmit dhe lehtësimi i faturës financiare, nëse ka një të tillë. Pikat zero dhe "filozofia çdo gjë nis nga e para", në ciklet ekonomike sjellin veç dëme, madje goxha të rënda dhe me kosto sociale. "Shteti duhet të menaxhojë ciklin ekonomik që do të thotë: Shpenzimet, taksat dhe interesat politike në fushën e shkëmbimit. Kjo nënkupton që në krizat ekonomike, shpenzimet publike do duhet të rriten me qëllim që të mbajnë stabël konsumin dhe që vullneti i njerëzve për të investuar do të duhej të ishte i stimuluar nga kreditë e lira".

Ky lloj debati mungon tek ne. Krahu socialdemokrat flet për "Rilindje Shqiptare" me taksim progresiv, por kur e shpjegon merret thjesht me pagat e ministrave. Ai neoliberal, flet për taksim të ulët dhe lehtësime për investitorin e huaj. Por, që më shumë është identifikuar si përfitues (me të ardhura në buxhetin me borxh të lartë,) nga politikat koncensionare, të cilat në kushtet e deflacionit, që sjell zhvleftësim të aseteve dhe pasurive imobiliare. Shuma e arkëtuar nga transaksioni është shumë më e ulët, se sa do duhej të ishte realisht bazuar në vlerën e asetit dhe fitimin e përllogaritur, së paku në një afat dhjetëvjeçar. Të dyja palët, do të ishte me interes të mbanin në vëmendje se sistem i suksesshëm ekonomik është ai i bazuar tek prona dhe konkurrenca, por se kjo nuk e mënjanon pronarin nga përgjegjësitë sociale.

Në nenin 14-të të "Kushtetutës Gjermane", thuhet: "Prona dhe e drejta e trashëgimisë duhet të jenë të garantuara... por se prona bën të detyrueshme detyrimet. Ato do të duhet të përdoren që t'i shërbejnë edhe interesave publike. Me qëllim që të përdoren për të siguruar drejtësi në treg dhe për të prevenuar dominimin e tregut, që konkurrenca e individëve të jetë e rregulluar".

Robert Reich, ekonomist e ish-Sekretari i Shtetit për Punën në ekzekutivin e Bill Clinton-it, botoi në vitin 2008 librin "Superkapitalizmi: Beteja për demokraci në kohën e biznesit të madh. "Autori mëtonte se, dekadat pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, deri në vitin 1980 ka qenë pothuaj një periudhë e artë e kapitalizmit të moderuar. Sigurisht që përgjatë kësaj periudhe ka pasur rritje të standardit të jetesës dhe është ngritur pragu i minimumit social të saj. Ka funksionuar trinomi Sindikata-Punëdhënësi-Qeveria. Pa dialogun konsensual mes tyre është e pamundur që shoqëria të mbajë ekuilibrin dhe zhvillimin e programuar, pa eksese social-ekonomike. Fatkeqësisht, ky veprim ndërinstitucional tek ne nuk është se funksionon normalisht dhe me projekte të qëndrueshme dhe afatgjata. Ka një përvojë të mirë dhe solide Konfederata e Arsimit, por se rasti i Sindikatës së Minatorëve në situatën e gjatë dhe të dhimbshme të minatorëve të Bulqizës, si dhe heshtja e ekzekutivit shqiptar, lanë një shije të hidhur; për të mos folur për pasojat e padëshiruara që përjetuan si punonjësit e minierës edhe opinioni mbarë shoqëror. Po të bëjmë një krahasim me ekonomitë e laissez-faire, të cilat është fakt që kanë pasur goxha progres, është me rëndësi, nënvizon Robert Reich që të mbajmë në konsideratë se "në ekonominë globale të superkapitalizmit, gjithsesi pabarazia në të ardhurat ka qenë rritur sërish. Edhe Jozef Stiglitz, fituesi i çmimit Nobel në ekonomi në librin e tij "Ta bëjmë Globalizmin të punojë" tërheq vëmendjen se "nuk është thjeshtë rritja e GDP-s tregues (sidomos kur borxhi rritet) dhe për më tepër mesatarja e të ardhurave për frymë, faktorët që tregojnë gjendjen reale. Duhet mbajtur në konsideratë e ardhura reale në shtresa të identifikuara të shoqërisë, pasja e një klase të mesme të qëndrueshme si shumicë e popullsisë e duhet gjithashtu siguria afatgjatë në të ardhura".

Demokracia është e bazuar në barazinë e qytetarëve, "një person një votë" ku çdo votë ka të njëjtë vlerë. Parimi tjetër i saj është: "Jam i taksuar duhet të jem i përfaqësuar".
Ndërsa ekonomia e tregut, gjithsesi është e bazuar në pabarazi. Ky realitet sidomos në vende pa traditë demokratike si Shqipëria dhe me shtresa të gjëra në nevojë, është mjaft i dëmshëm për një demokraci ende jo funksionale. "Pabarazia, veç të tjerash, mund të shpjerë në një gjendje në të cilën, aktorët e fuqishëm ekonomikisht të kapin pozicione të tilla të pushtetshëm, që shpien në emergjenca të një demokracie jo efektive". Studiuesi i politologjisë Wolfgang Merkel e përkufizon një demokraci të tillë në këtë mënyrë: "Demokraci jo-efektive janë sisteme të qeverisjes që karakterizohen nga prezenca e regjimeve të zgjedhjeve demokratike funksionale gjerësisht, për të rregulluar aksesin në qeverisje, por që vijnë të tilla si të privuara, si rezultat të përqasjes së funksionimit të një apo më shumë nënregjimeve, "të shtyllave plotësonjëse" të cilat në një demokraci mirëfunksionale janë të detyruara të sigurojnë, Liri-Barazi-Kontroll".

Gjykimi i lidhjeve të demokracisë me kapitalizmin është pak ose aspak preokupim tek spektri politik shqiptar. Kur flitet për zgjedhje të lira dhe të drejta, gjithçka mbaron se si do të vijë në pushtet. Ky kuptim thjeshtëzues i demokracisë është me pasoja.

Nuk duhet anashkaluar përfundimi se, kapitalizmi nga njëra anë është një parakusht për demokracinë e nga ana tjetër një treg i rregulluar në mënyrë të pamjaftueshme mund të krijojë kushtet të cilat janë jo konsistente me pjesëmarrjen e të gjithëve dhe për këtë shkak ato shpien në një demokraci jo efektive. "Konsiderimi i këtyre faktorëve, përfshi edhe vetëdijen për riskun, janë treguesit që dallojnë socialdemokracinë nga liberalët e tregut. Milton Fridman, edhe ky nobelist në ekonomi, frymëzues i modelit ekonomik të taksave të ulëta të Ronald Reganit dhe Margaret Theacher-it, mëtonte se ekonomia e tregut gjithashtu shpie tek liria politike dhe tek demokracia. Por se rasti i Kilit, ku ai në vitin 1970, këshillonte Augusto Pinoçetin, për një liberalizëm ekstrem të ekonomisë, në vend të atyre pasojave pozitive që ky ekonomist liberal kishte pritur, nuk ndodhi që në Kili të kishte më shumë liri politike dhe as më shumë demokraci. Ndodhi e kundërta. Kjo lloj ekonomie shpuri në vendosjen e një regjimi diktatorial. Kili u bë demokraci shumë më vonë se vendet e tjera të Amerikës Latine.
Analiza e shoqërisë së sotme shqiptare nuk mund të mbetet më edhe pas 20 viteve tranzicion, peng i formulimeve opake, të cilat nuk identifikohen me shkollat politike dhe ato ekonomike. Një shoqëri e pa azhornuar, që ecën me zgjidhje afatshkurtra dhe pa disiplinim, nuk mund të vijojë gjatë në këtë shteg rreziku. Herët ose vonë ajo do të ndeshet me probleme të grumbulluara, të cilat nuk janë vlerësuar në kohë, me qëllimin e mirë që risku të menaxhohej që të mos kthehej në rrezik! Debati nuk është çështje thjesht termash, apo më keq akoma, propagande elektorale. Është fjala për mekanizma tërësorë që kanë aspektin teorik dhe atë aplikativ, kanë përvoja të provuara, me përfundime pozitive dhe negative.

Debatet do duhet të dimensionohen tek:
SISTEMI FINANCIAR; MARRËDHËNIET E PUNËS;
SISTEMI I EDUKIMIT&TRAINIMIT; MARRËDHËNIET MES SIPËRMARRËSVE.

Bazuar në këta kritere në kohën tonë flitet për "Kapitalizmin e pakoordinuar" dhe "Kapitalizmin e koordinuar". Po kapitalizmi shqiptar i cilit model është? Kjo është çështja, jo thjeshtë e termave, por e përmbajtjes. Nëse krahët politik tek ne duan të lëvizin jashtë këtyre përcaktimeve, atëherë kapitalizmi tek ne mund të jetë në rastin më të mirë një "hibrid i një vegjetacioni të izoluar", në rastin më pak të mirë, një sajesë mes padijes dhe inkompotencës që lidhet me izolimin dhe qënien jashtë ekonomisë globale. "Kapitalizmi i pakoordinuar", liberal karakterizohet nga një sistem financiar ku sipërmarrja financiare zë vend gjerësisht përmes tregut të kapitaleve. Kjo nënkupton që sipërmarrësit operojnë në përputhje me të ashtuquajturin princip vleror të "Shareholder"-ve. Në këtë sistem pronarët e kapitalit janë gjithashtu të vullnetshëm të investojnë në kompanitë me risk. Ata spekulojnë me mundësitë e sigurimit të fitimeve sa më të larta në një kohë sa më të shkurtër. Në marrëdhëniet e punës, ky lloj kapitalizmi aplikon relacione punësimi afatshkurtër (punësim-pushim nga puna).Mbrojtja e punësimit kësisoji është e dobët. Pagat janë të negociueshme në baza individuale në nivel ndërmarrjeje. Raportet e bashkëpunimit mes shoqatave të punëdhënësve dhe sindikatave janë relativisht të dobëta. Për sa i takon edukimit dhe trajnimit, theksi vihet tek trajnimi i përgjithshëm. Kjo nënkupton se edukimi është përgjithësisht i gjerë dhe ka prirje të mos shpjerë te punësimi i kualifikuar. Ofron lehtësime në mobilitetin e tregut të punës mes të punësuarve të ndryshëm, por kjo është gjithashtu rezultat i punësimit sa më pak të specialistëve specifik të njohur. Marrëdhëniet mes sipërmarrësve karakterizohen tek ky tip kapitalizmi, nga ndërlidhja e pakët e kompanive. Degët e asosacioneve të punëdhënësve janë pothuaj lobiste në interes të anëtarëve të tyre dhe jo aktorë me përgjegjësi, që e vështrojnë shoqërinë si një e tërë. "Kapitalizmi i pakoordinuar" si sistem është i aftë të adaptojë fleksibilitet dhe të ndryshojë në treg me shpejtësi. Si model prodhimi, ai favorizon industritë e orientuara nga inovacioni, por se në të njëjtën kohë është gjithashtu shumë më i pastabilizuar dhe më i pasigurt për punëtorët. "Kapitalizmi i koordinuar" shpërfaq për të njëjtit kritere një performim ndryshe më të kontrolluar. Në sistemin financiar është prezent financimi në formën e huasë bankare, por më i qetë se në rastin e "modelit të vlerës si "shareholdër". "Kapitalizmi koordinuar" favorizon investimet afatgjata. Sigurisht, kjo formë e financimit të sipërmarrjes nuk i prevenon aktorët e stabilizuar të tregut, të tillë si sipërmarrësit, nga mbajtja e aksesit tek kapitali. Aspekti dallues është diku tjetër, pikërisht tek menaxhimi, i cili është i kontrolluar dhe i gjykuar jo vetëm nga tregu, por gjithashtu edhe nga aktorë të tjerë si bankat, punëdhënësit dhe aktorë shtetëror. (Stakeholder model). Në marrëdhëniet e punës, ky lloj kapitalizmi paraqet një tablo të ndryshe nga ai pari. Pagat janë të negociueshme brenda një modeli të koordinuar përmes firmave të veçanta, deri tek niveli sektorial që finalizohet me marrëveshjen kolektive dhe marrëdhënie afatgjata të punësimit. Në "Kapitalizmin e koordinuar" janë të lidhur me njëri-tjetrin Stabiliteti dhe Drejtësia Sociale. Ka shoqata punëdhënësish mjaft të organizuara, por ka edhe sindikata po të tilla tek të cilat marrin pjesë në mënyrë të ndjeshme edhe punëtorët. Nëse vlerësojmë politikat e punësimit në Shqipëri, më shumë gjejmë "pyllin e shifrave" të paqarta, takojmë premtime dhe entuziazëm, por se nuk shohim modelin e artikuluar. Në vitin 2005 dëgjuam nga një ekspert i LSI-së ( i cili rezultoi specialist videosh) një shifër impresionuese punësimi në sektorin e naftës. Koha provoi të kundërtën. Aktualisht, është e përditshme një shifër e programit të PS-së, mjaft e debatueshme edhe brenda vetë kësaj force politike, por se edhe në këtë rast nuk ka adresim tek modeli dhe mekanizmat. Të ishte kaq i thjeshtë punësimi dhe hapja e vendeve të reja të punës, kapitalizmi cilido qoftë modeli, "I pakoordinuar" apo "I koordinuar" nuk do të kishin nevojë dhe interesa të klasifikoheshin si të tillë. Mekanizmi, prodhim-konsum-kreditim, do punonte si një zemerek i pandalshëm. Edukimi si një sistem edhe trajnimi, kombinon (tek "Kapitali i koordinuar") specifikat e kompanisë me kualifikimin e gjerë të degës dhe kujdeset me prioritet që të organizojë raportet mes të punësuarit dhe punëdhënësit (sistem i dyfishtë trajnimi). Në këtë mënyrë kompania dhe dega specifike marrin informacion se si janë relacionet mes sipërmarrësve. Është e provuar në realitete disa dekadëshe se "Kapitalizmi i koordinuar" është karakterizuar nga një nivel i lartë stabiliteti dhe me më pak dinamizëm e fleksibilitet se sa "Kapitalizmi i pakoordinuar". Në këtë sistem duke qenë se ekzistojnë linja të përcaktuara, prodhimi dhe proceset ekonomike janë të modifikuara në detaje dhe në mënyrë konstante. Inovacioni tenton të zërë vend, por se me hapa të vegjël. Ky sistem është në gjendje të adaptohet ndaj problemeve të situatës në mënyrë të zbutur, duke shmangur traumat e rënda sociale. Kështu, ky lloj kapitalizmi ofron më shumë stabilitet në tregun e punës. Ai investon në periudha afatgjata dhe mbanë larg politikat që "të punësojnë dhe pushojnë" nga puna sipas konjukturës së tregut. Cili është kapitalizmi që ne po ndërtojmë në Shqipëri?!

Është e vështirë të gjejmë një përgjigje të definuar sipas kritereve dhe tipologjisë së identifikuar. Cilin do duhej të preferonim?! Të dy sistemet kanë avantazhet specifike, por edhe disavantazhet. Në termat e performancës dhe të kompetivitetit, asnjëri prej modeleve nuk është superior ndaj tjetrit. Kemi modelin Anglo-Saksonë të "Kapitalizmit të pakoordinuar" dhe modelin Gjerman e Suedez të "Kapitalizmit të koordinuar"! Mjaft u endëm në rrugëtime pa identitet dhe pa principe! Futja në binarët e një kapitalizmi të klasifikuar është detyrim që shoqëria të njohë normalitetin, kontrollin dhe kontinuitetin institucional! Për ndryshe do të mbetemi tek parullat dhe sloganet pa vlerë.

PËRPARIM KABO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
LUFTA E BOSNJËS, MËSIM PËR KONFLIKTIN E SIRISËNga RICHARD COHEN, Washington Post (04.03.2012)
BE-SHQIPËRI: PORTA E MADHE DHE PORTAT E VOGLANga SHABAN MURATI (04.03.2012)
MËSIMET E TRAGJEDISË GREKENga AJET NURO, Monteal, Kanada (04.03.2012)
TRADITA E SERVILIZMIT TË DIPLOMACISË SHQIPTARE NDAJ SHOVINIZMIT GREKOKARAGJOZNga ESHREF YMERI (04.03.2012)
FJALIM ME RASTIN E 101-VJETORIT TË KRYENGRITJES SË MALËSISË SË MADHE 3/31/12LE TA MARRIN VESH EVROPA DHE BALLKANI SE NUK LUHET MË ME FATIN E SHQIPTARITNga FRANK SHKRELI (04.02.2012)
PARTIA SHQIPTARE DEMOKRISTIANE E KOSOVËS DUHET TË RINGJALLET POLITIKISHT, E POPULLI SHQIPTAR NË KOSOVË SHPIRTËRISHTNga Mr. sc. NUE OROSHI (04.02.2012)
Barometri diplomatikBASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, OSE NËN MBROJTJEN E PËRHERSHME AMERIKANENga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (04.01.2012)
ÇAMËRINË E NJEH EDHE SHTETI GREKNga SHPËTIM IDRIZI (03.31.2012)
SHTETARËT SHQIPTARË KUROHEN NË AMERIKËNga ARTUR VREKAJ (03.30.2012)
PAPA BENEDIKTI TAKON FIDEL KASTRONNga FRANK SHKRELI (03.29.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]