VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PËR RIVENDOSJEN E PREMTIMIT DHE TË FRYMËS SË 28 NËNTORIT 1912

Nga FRANK SHKRELI


E Premte, 04.06.2012, 07:42am (GMT1)

Në Shqipëri dhe anembanë trojeve shqiptare në Ballkan si edhe në diasporë, po bëhen përgatitje programesh festive që do të realizohen në kuadër të 100-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Do të flitet dhe do të komentohet gjithashtu edhe për aktet, përpjekjet dhe zhvillimet që më në fund çuan në shpalljen e shtetit sovran dhe të pavarur shqiptar. Ky është një vit jubile i historisë së kombit shqiptar por është gjithashtu edhe viti i fillimit të së ardhmes së shqiptarëve.

Shqipëria dhe kombi shqiptar kanë kaluar histori të vështira dhe kohë të errëta. Robëria shekullore osmane dhe pothuaj 50-vjet komunizëm ua nxunë fytin dhe ua morën frymën shqiptarëve. Osmanlijtë kërcënonin zhdukjen e fisit ilir nga faqja e dheut dhe komunizmi ndërkombëtar u përpoq të zhvishte kombin nga cilësitë dhe vlerat e larta kombëtare, duke i zëvendësuar ato me ideologjinë e proletariatit komunist ndërkombëtar, me qëllim që të krijonte "˜'njeriun e ri''. Megjithë këto, fisi ilir nuk u mposht, por përkundrazi iu përvesh punës dhe luftës për liri duke mbajtur gjallë Shqiptarizmën dhe u rimkëmb duke hedhur rrënjë të reja si shtet dhe hapa të reja (ndoshta të ngadalshëm sipas disave) drejt një të ardhme më të ndritur për kombin shqiptar. 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë i gjen shqiptarët me Kosovën shtet të ri e të pavarur, ndërkohë që shqiptarët kudo në trojet e tyre gëzojnë më shumë liri e të drejta se kurrë më parë në historinë e tyre. Me të drejtë, ky është dhe duhet të jetë një vit festimesh dhe shfaqjesh krenarie për të gjithë, për sukseset dhe arritjet e shtetit shqiptar dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Sepse ky është një vit kur festohen kontributet e jashtëzakonshme të rilindasve dhe patriotëve që shpallën pavarësinë, dhe të cilët në një mënyrë themelore me këtë akt, ata përgjithmonë ndryshuan fatin e shqiptarëve ndër shekuj duke hapur kështu rrugë dhe dyer të reja dhe duke shkruar një kapitull të ri në historinë e kombit.

Pa dashur të flas për zhvillimet politike që gjithmonë e kudo ngjyrosin festime e përvjetorë të tillë jubilarë, siç është 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, dëshiroj të theksoj se ky duhet të jetë për të gjithë shqiptarët kudo -- një vit frymëzimi e shprese, por edhe një vit shqetsimesh, po të merren parasyshë problemet me të cilat përballet sot jo vetëm shoqëria shqiptare por edhe shqiptarët kudo në trojet e tyre në Ballkan. Ky duhet të jetë një vit kur, jo vetëm politikanët, por e gjithë shoqëria, në çdo nivel-- përfshirë edhe median e cila ka një rol kyç në këtë mes të ndërmarrë një rishqyrtim dhe do të thoja një rivlerësim të qetë e pa bujë, të kthjellët dhe serioz të karakterit dhe objektivave kombëtare në këtë përvjetor të pavarësisë së Shqipërisë. Të këtij karakteri që ishte gjithmonë i rrënjosur në fisin e Arbërit dhe që rrjedhë nga populli shqiptar e që duhet të jetë gjithnjë forca, guximi dhe imazhi që duhet t'i paraqitet botës.

Janë të nevojshëm zëra dhe ide të reja, të shkëputura nga politika. Historia e kombit shqiptar është një histori vuajtjesh e torturash. Ka ardhur koha për pajtim, për shërim të plagëve. Kombi shqiptar dëshiron të besoj përsëri, të jetë përsëri krenar dhe të jetojë në të vërtetën.

Vendosmëria dhe trimëria e patriotëve shqiptarë, Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit me shokë, për të shpallur pavarësinë 100-vjetë më parë, avancoi në mënyrë dramatike të drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve. Përpjekjet e patriotëve shqiptarë në fillim shekullit të kaluar për liri e pavarësi janë shënuar me djersë e gjak dhe shumë prej tyre kanë dhënë jetën për të siguruar lirinë që gëzojnë sot shqiptarët kudo.

Njohja dhe vlerësimi më i mirë i sakrificave të tyre, në këtë 100-vjetor të pavarësisë, do të ishte që shekulli i dytë i pavarësisë të jetë shekulli i shqiptarëve, i shqiptarëve jo të ndarë e në konflikt me njëri tjetrin, por shekulli i shqiptarëve të bashkuar e të vendosur për ta bërë Atdheun e tyre në frymën e rilindasve: të gatshëm për vepra të mëdha kombëtare, të guximshëm dhe plot shpresë për të ardhmen, të gatëshëm për të rrokë mundësitë që i dalin përpara, duke krijuar kështu një Shqipëri, çerdhe të përbashkët, për të cilën të gjithë do të jenë krenarë. Këjo mund të realizohet vetëm, "˜'Nëqoftse ne duam Atdheun, atëherë ne duhet të duam gjithashtu edhe bashkatdhetarët tonë'', (Ish-Presidenti Ronald Reagan), për ndryshe në të kundërtën, zhduken mundësitë dhe harmonia e bashkjetesës kombëtare, pa bashkatdhetarë nuk duhet gjë Atdheu. Sot më shumë se kurrë, të gjithë ata që kanë fatin të jetojnë në liri, të kujtojnë sakrificat e burrave dhe grave që i sollën kombit pavarësinë, duke qenë të vetdijshëm se shpallja e pavarësisë ishte vetëm fillimi dhe se liria kërkon përgjegjësi. Nëqoftëse ia vlente që për pavarësinë dhe lirinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve të luftonin, e të sakrifikonin brezat e mëparshëm, madje duke dhënë edhe jetën kundër pushtuesve të huaj, atëherë besoj se tani në kohë paqeje -- ia vlenë që brezat e tanishëm të jetojnë, të gëzojnë, por edhe të mbrojnë e të kultivojnë lirinë për vete dhe për brezat e ardhëshëm, në një Shqipëri të nderuar e të përparuar, në familjen evropiane të kombeve, aty e ka vendin.

Ashtu siç doli faqebardhë Gjergj Kastrioti me trimat e tij, ashtu siç përballuan armiqët e kombit shqiptar burrat e Lidhjes së Prizrenit nga gjithë trojet shqiptare, ashtu siç mori guximin Ismail Qemali me patriotët e tjerë për të shpallur pavarësinë ashtu edhe brezi i sotëm i shqiptarëve, në bashkpsunim dhe mirëkuptim me njëri tjetërin dhe duke u bazuar në mësimet, vlerat dhe porositë e të parëve, do të dijë të përballet me sfidat e 100-vjetorit të dytë.

Frank Shkreli

FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.