VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Ç'KA QË SHQETËSOHET KJO ZONJA AMBASADORE E GJERMANISË?!

Nga ESHREF YMERI


E Martë, 04.10.2012, 06:22pm (GMT1)

Gjatë një vizite që paska bërë tani së fundi në qytetin e Korçës, ambasadorja e Gjermanisë në Republikën e Shqipërisë, zonja Karola Muller Holtkemper, qenka shprehur se partitë e reja do të testohen në zgjedhjet e ardhshme, por shqetësuese, sipas saj, na qenkan tonet nacionaliste. Ajo paska lëshuar edhe një deklaratë të çuditshme. Ajo paska deklaruar:

"Ndihet një lloj aktivizimi në dialogun politik në Shqipëri. Vitin tjetër janë zgjedhjet dhe ne do të shikojmë masën se sa këto parti të reja do të arrijnë të tërheqin elektorat. Por shqetësim përbëjnë tonet nacionaliste që dëgjohen dhe kujtojmë që propaganda nacionaliste ishte në themel të historisë së shkuar të Ballkanit që u shpreh në qëllimin dhe realizimin e luftërave të ashpra, prandaj edhe unë jam e mendimit që tonet nacionaliste të Ballkanit janë diçka që duhet të shmangen" (Citohet sipas faqes së internetit: "Ambasadorja gjermane: Hiqni dorë nga tonet nacionaliste". 05 prill 2012).

Është e çuditshme që një ambasadore e huaj lëshon një deklaratë të tillë në vendin tone. Pas kësaj deklarate të saj, lind një pyetje e vetvetishme: kjo zonja ambasadore e Gjermanisë a e njeh me të vërtetë historinë e Ballkanit? Se deklarata e saj të bën të dyshosh se ajo ose nuk e njeh historinë e Ballkanit, ose e njeh dhe e shtrembëron atë qëllimisht, në dëm të interesave të kombit shqiptar. Të deklarosh që propaganda nacionaliste paska qenë shkak për shpërthim luftërash në Ballkan, do të thotë të shtrembërosh të vërtetën. Se shkaku i shpërthimit të luftërave në Ballkan, ka qenë jo nacionalizmi apo propaganda nacionaliste, por shovinizmi i egër sllavogrek. Pikërisht shovinizmi sllavogrek ka qenë ai që ka shpërthyer luftëra dhe ka shkaktuar gjakderdhje të rënda në dëm të interesave kombëtare në etnisë shqiptare në Evropën Juglindore. Dhe ka qenë pikërisht simpatia përvëlimtare e Evropës Perëndimore dhe e Rusisë cariste për sllavogrekët që i shkatoi gjëma aq të rënda kombit shqiptar, duke filluar që nga Kongresi famëkeq i Berlinit e deri te Konferenca e Londrës. Si rezultat i përkrahjes pa parim të sllavogreqizmit, Evropa Perëndimore na i rrëgjoi trojet tona etnike nga 134 mijë në 28 mijë km². Madje zonja ambasadore e Gjermanisë duhet ta dijë se edhe këto 28 mijë km², Evropa Perëndimore, në vitin 1919, po të mos kishte qenë ndërhyrja e vendosur e Presidentit Uillson, qe gati t'i copëtonte përfundimisht në interes të sllavogrekëve.

Deklarata e zonjës ambasadore të Gjermanisë na ngacmon kujtesën historike dhe na bën të sjellim ndër mend me trishtim të thellë Kongresin famëkeq të Berlinit, në të cilin për herë të parë u projektua copëtimi i trojeve etnike shqiptare në interes të shovinizmit sllav dhe që 35 vjet më vonë, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, mori formë përfundimtare, duke kënaqur orekset shoviniste të Beogradit dhe të Athinës. Që asokohe kanë rrjedhur shumë ujëra, por, çuditërisht, shteti gjerman, si vendi organizator i nismës për copëtimin e trojeve tona etnike, asnjëherë nuk ka kërkuar ndjesë publike (për pjesën e fajit që i takon) për atë padrejtësi që iu bë asokohe kombit shqiptar, përgjegjësi kjo që duhet t'i rëndojë si një gur i rëndë në qafë. Faji i Bamarkut nuk i çliron dot nga përgjegjësia as stërnipërit e tij dhe as stërmbesën ambasadore.

Në raportet e sllavogreqizmit me etninë shqiptare, asnjëherë nuk janë manifestuar shfaqje nacionalizmi. Përkundrazi, janë manifestuar shfaqje të theksuara shovinizmi. Edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Beogradi vazhdimisht ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë qëndrime shoviniste ndaj popullit shqiptar të Kosovës, edhe në ditët e sotme. Gjendja në Mitrovicën e Veriut është fakti më domethënës i manifestimit të këtij shovinizmi. Por zonjën ambasadore të Gjermanisë s'e kemi parë të dalë me ndonjë deklaratë të posaçme, ku t'i bëjë thirrje Beogradit të heq dorë nga shovinizmi i tij i mykur dhe të njohë realitetin e ri historik.

Në Maqedoni keqtrajtohen dhe madje vriten shqiptarë për shkak të histerisë shoviniste që ka shpërthyer në radhët e qytetarëve shovinistë maqedonas. Por zonjën ambasadore të Gjermanisë s'e kemi parë të dalë me ndonjë deklaratë të posaçme në mbrojtje të qytetarëve të pafajshëm shqiptarë të Maqedonisë, ku të demaskohet propaganda shoviniste e kopilshtetit maqedonas kundër popullit shqiptar. Dhe një propagandë e tillë shoviniste u bë edhe në faqet e një enciklopedie maqedonase, në të cilën shtembërohej e vërteta historike për popullin shqiptar. Por zonja ambasadore e Gjermanisë ka heshtur për mashtrimet e paturpshme që bëhen në faqet e asaj enciklopedie.

Në Mal të Zi popullsisë shqiptare i ndalohet të mbajë simbolet e veta kombëtare, por zonjën ambasadore të Gjermanisë s'e kemi parë të dalë me ndonjë deklaratë të posaçme, ku të demaskojë këto shfaqje të shëmtuara të shovinizmit malazias.

Shteti shovinist grekokaragjoz ka gati njëzet vjet që s'po lë kusur për greqizimin e Shqipërisë së Jugut. Dhe zonja ambasadore e Gjermanisë nuk mund të mos jetë dëshmitare e shfaqjeve të shfrenuara të histerisë shoviniste grekokaragjoze ndaj vendit tonë. Frymëzues i qarqeve shoviniste greke që tundin flamurin e rreckosur të Vorio Epirit, është vetë shteti shovinist grekokaragjoz, duke harruar që trojet etnike shqiptare arrijnë deri në Artë e në Prevezë dhe qytete të tilla, si Janina, Filati, Konica etj., përbëjnë simbole për kombin shqiptar. Por zonjën ambasadore të Gjermanisë s'e kemi parë asnjëherë të dalë me ndonjë deklaratë, ku të demaskojë pozicionimet shoviniste të Athinës ndaj vendit tonë, të manifestuara edhe në qëndrimet e lakejve të saj, si Bollano dhe Dule.

Ditën e djeshme, në "Gazetën Shqiptare" dhe në faqen e internetit të zotit Feliks Taho, thuhet:

"Pak njerëz e dinë të vërtetën e pamohueshme të skalitur në muret hyrëse të altarit të demokracisë greke, parlamentit helen në Athinë, aty ku bëjnë roje palikarët, që kundrohen nga vizitorët e shumtë, shumica e të cilëve nuk i lexon me vëmendje parullat në shpinën e rojeve që patrullojnë madhërishëm me fustanellën kombëtare shqiptare. Siç dëshmojnë këto fotografi të marra në vend, po japim këtu përkthimin e një pjese të shkrimeve shovene me miratimin e kushtetutës panhelene greke:

1. "Këlcyra - Përmet - Ostrovica - Pogradec - Rupeh - Perigori - Kreta - El - Alamin - Rimini - Rubik - Dodekanozi - Korea - Qipros".

2. Pindi - Borova - Korça - Kallamas - Tomorri - Trebeshina - Himara - Gjirokastër 731 = Bubesi Kalibaqi"!

Këto shkrime të demokracisë greke zyrtare propagandohen edhe në kartolinat për turistët që t'i kushtojnë vëmendjen e tyre vizitës para parlamentit. Këtu shohin pamjen madhështore të paradës së rojeve të tij, dhe të lexojnë mbishkrimet me germa të mëdha në muret e tij, siç duken në dy kartolinat që botojmë këtu. Këto shkrime nuk tregojnë as më pak e as më shumë, veç kufijtë e perandorisë bizantine që duan të rindërtojnë sërish grekët e sotëm, duke synuar të gllabërojnë edhe troje të kombeve fqinje dhe në mënyrë të veçantë të ashtuquajturin "Vorio-Epir", d.m.th. Shqipërinë e jugut, veç atyre të gllabëruara nga Konferenca e Londrës në vitet 1913. Kjo është politika shovene e pandryshueshme greke qysh nga viti 1844 kur u zyrtarizua "Ideja e madhe" e synimit të Greqisë së madhe, shkurt të ish-Perandorisë Bizantine" (Citohet sipas faqes së internetit: "Hasan Luçi: Parlamenti grek i quan Rubikun dhe Pogradecin helen". 09 prill 2012).

Megjithëse kanë kaluar mbi tridhjetë orë nga botimi i këtyre fakteve skandaloze për shtetin grekokaragjoz, zonja ambasadore e Gjermanisë, ashtu si edhe çdo përfaqësues tjetër i diplomacisë evropianoperëndimore në Shqipëri, nuk u bë e gjallë dhe të shprehej kundër këtyre mbishkrimeve shoviniste në muret e parlamentit shovinist grek. Hesht ambasadorja e Gjermanisë, heshtin sivëllezërit e saj evropianoperëndimorë, sepse e kanë për zemër shovinizmin grek kundër kombit shqiptar. Ata nuk i shqetëson ky lloj shovinizmi. Ambasadoren e Gjermanisë dhe sivëllezërit e saj evropianoperëndimorë i shqetëson nacionalizmi i rinisë shqiptare, sepse në figurën e rinisë shqiptare ata duan të shikojnë kopjen e klasës politike shqiptare që zvarritet paturpësisht para tyre. E keni gabim, zonja ambasadore. Rinia shqiptare po vihet dhe në të ardhmen do të vihet edhe më shumë në krye të lëvizjes mbarëshqiptare për bashkimin e trojeve tona etnike në një shtet të vetëm kombëtar. E dimë që Evropën Perëndimore e kemi kundër një lëvizjeje të tillë, por ky është një process historik që nuk mund të ndalet dot kurrë.

Po si shpjegohet që zonjën anbasadore të Gjermanisë na e shqetësuakan tej mase tonet nacionaliste të përfaqësuesve të Aleancës Kuq e Zi? Kjo Aleancë, deri tani, në dallim nga të gjitha partitë e tjera politike dhe sidomos nga dy partitë kryesore që tërhiqen zvarrë para ambasadorëve të huaj, ka dalë me kërkesën që trojet etnike shqiptare duhet të bashkohen në një shtet të vetëm kombëtar, me një stemë dhe një flamur. Kjo kërkesë i prish qetësinë dhe i ngre nervat diplomacisë evropianoperëndimore, pjesë e së cilës është edhe zonja ambasadore e Gjermanisë. Sepse Evropa Perëndimore dhe Rusia pas saj, nuk e duan rishikimin e vendimeve famëkeqe të Konferencës së Londrës dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm. Sepse simpatitë e saj kanë qenë dhe janë të përjetshme vetëm për sllavogrekët, kurse etnia shqiptare nuk është përfshirë kurrë në rrethin e simpative të saj. Edhe Kosova mundi të shkëputej nga thonjtë e serbosllavizmit vetëm falë ndërhyrjes së vendosur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Se po të kishte qenë puna për diplomacinë evropianoperëndimore, në Ballkan edhe sot shqiptarët do të vazhdonin luftën çlirimtare. Diplomacia evropianoperëndimore nuk e do bashkimin e trojeve etnike shqiptare se u prish punë sllavogrekëve, të cilët kombin shqiptarë duan ta shikojnë të tërhequr zvarrë, pa iu dhënë mundësia për t'u ngritur kurrë më këmbë. Madje diplomacia evropianoperëndimore dëshiron që Shqipërinë ta futë edhe në Bashkimin Evropian, por vetëm në gjendje të zvarritur, me këta politikanë zvarranikë në krye, se vetëm kështu i vihet kapak aspiratës shekullore të popullit shqiptar për bashkim kombëtar.

Pararendësit tanë të shquar të Shoqërisë "Vatra", në një letër që i drejtonin gazetës angleze "Mançester Guardian" në vitin 1918, deklaronin: "Trojet tona ne nuk i konsiderojmë të humbura një herë e përgjithmonë".

E pra, zonja ambasadore e Gjermanisë, në Evropën Juglindore ka një çështje shqiptare të pazgjidhur ende: bashkimi i trojeve etnike shqiptare në një shtet kombëtar, me një stemë dhe një flamur. Klasa politike sot në pushtet dhe në opozitë, e ka braktisur këtë aspiratë shekullore të kombit shqiptar dhe po tërhiqet zvarrë para diplomacisë evropianoperëndimore, vetëm e vetëm për të ruajtur kolltuqet e pushtetit. Në këto kushte, domosdo që do të lindte një kundërshtim që vjen nga radhët e rinisë shqiptare dhe sidomos e asaj pjese të saj që është shkolluar në perëndim dhe e di mirë se ç'është nacionalizmi. Nacionalizmi është shpëtimi dhe mbrojtja e kombit. Kjo zonja ambasadore e Gjermanisë me siguri e di mirë që ishin ndjenjat nacionaliste të mbarë popullit gjerman ato që çuan në bashkimi e Gjermanisë në një shtet të vetëm dhe shpëtimin e saj prej armatës agresore sovjetike që ishte instaluar si xhebrail në territorin e ish-Republikës Demokratike Gjermane. Ju, zonja ambasadore, e keni të zgjidhur çështjen tuaj kombëtare dhe nuk është fare e nevojshme t'i jepni leksione antinacionaliste rinisë shqiptare, për të cilën çështja jonë kombëtare është e pazgjidhur ende.

Prandaj do të ishte mirë që zonja ambasadore e Gjermanisë të hiqte dorë nga ndërhyrje të tilla të palejueshme në punët e brendshme të Shqipërisë dhe të merret me punët që i takojnë, në përputhje me statusin e saj si diplomate. Sigurisht duke u thelluar edhe më shumë në njohjen dhe interpretimin e termave të tillë politikë, si nacionalizmi dhe shovizmi. Rinia shqiptare udhëhiqet vetëm nga nacionalizmi për bashkimin e kombit dhe shovinizmi për të është krejtësisht i huaj. Kurse sllavogrekët nuk udhëhiqen kurrë nga nacionalizmi në qëndrimin ndaj kombit shqiptar. Për ta yll karvani në qëndrimin ndaj kombit shqiptar ka qenë dhe mbetet vetëm shovinizmi. Mirë do ishte që këto gjëra zonja ambasadore t'i dallojë një herë e përgjithmonë.

Ohajo, Sinsinati. 10 prill 2012

ESHREF YMERI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.