E Premte, 03.29.2024, 01:30pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

PËR LIRI, PËR SHQIPËRI, PËR FLAMURIN KUQ E ZI

Nga RESHAT KRIPA


E Shtunë, 04.28.2012, 08:02pm (GMT+1)

Shkurti i vitit 1951. Isha në vitin e parë të gjimnazit të qytetit të Vlorës. Ora e muzikës. Profesori na mësonte një këngë që në atë kohë ishte bërë gati e detyruar të këndohej nga të gjithë. Klasa buçiste nga zërat e nxënësve:

Bijt e Stalinit jemi ne,/ Që derdhim gjakun anembanë,/ Sa të valojë përmbi dhe,/ Flamuri drapër e çekan.

Megjithëse isha pothuajse fëmijë, porsa kisha mbushur 15 vjeç, mendoja:

- Unë jam biri i tim eti, përse duhet të quhem biri i Stalinit? Ne kemi flamurin tonë, atë që ngriti Ismail Qemali në Vlorën time, përse na u dashka ta ndërrojmë me atë me drapër e çekan? Pse ky flamur duhet të valojë në gjithë botën?

Këto pyetje vinin rrotull në mendjen time dhe unë nuk isha në gjendje t'u përgjigjesha. Ishin ditë të turbullta. Shpesh herë monotoninë e përditëshme e prishnin avionët e huaj që gëvishtnin qiellin shqiptar dhe që shoqëroheshin me një breshëri të paparë topash e mitralozësh që mundoheshin t'i godisnin, por asnjëherë nuk ia arrinin. Avionët hidhnin trakte ku bëhej thirrje për kryengritje të armatosur. Njerin prej këtyre trakteve e gjeta në taracën e shtëpisë time. E hapa. Në krye lexoj: Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi! Më poshtë vijonte thirrja për t'u ngritur kundër komunizmit dhe në fund nëshkrimi: Komiteti Kombëtar "Shqipëria e Lirë".

Ky trakt m'u ngulit në mendje dhe, në mënyrë të veçantë, shprehja e shkruar në krye të tij, një shprehje nacionaliste shqiptare, që tregonte përse kishin luftuar ndër vite bijtë e këtij kombi. Ndoshta ishte edhe ky një nga shkaqet që unë së bashku me dy shokë të krijonim organizatën antikomuniste "Atdhetari" dhe të shpërndanim trakte në qytet. Në krye të çdo trakti shkruanim shprehjen: PërLiri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!

Pikërisht kjo shprehje m'u kujtua ditët e fundit kur ish komunistët, por që kanë mbetur të tillë edhe në ditët tona, kanë filluar një fushatë të shfrenuar kundër nacionalizmit shqiptar. Si pikënisje e kësaj fushate shërbeu promovimi i librit me "kujtime" të aventurierit politik, Don Kishotit të Luftës së Dytë Botërore, Xhelal Staravecka, botuar, çuditërisht, me pëlqimin e birit të tij që, për 46 vjet me rradhë (aq sa pati jetën edhe sistemi komunist), nuk njohu gjë tjetër veçse tmerret e kampeve të internimit dhe birucat e tmerrshme të burgjeve komuniste. Ky promovim u zhvillua me pjesëmarrjen e një arradhe bijsh të ish nomenklaturës së lartë të sistemit të përmbysur, "historianë" të tipit Xhufi dhe Sinani si dhe "analistë" alla Lubonja, që kishin vite që e prisnin një rast të tillë për të vjellë vrer kundër nacionalizmit. Promovimi u krye pa pjesëmarrjen e shokëve të burgjeve e internimeve të të birit të autorit. Shtresa e të përndjekurve politikë të vërtetë mungonte. Përse...?

Nuk vonoi dhe këtë kor "laraskash vjedhacake" e ndoqi edhe një "historian i vjetër" i marksizëm-leninizmit, me mbiemër nga një derë e shquar e rilindjes shqiptare, Frashëri, por që ndryshon prej tyre si nata me ditën. Këtij libri dhe kësaj ceremonie i thurri elozhe edhe një gazetar i një televizioni privat i cili, gjatë një interviste deklaroi:

Xhelal Staravecka është partizani i parë, por i pari fare ama, që shkrehu pushkën ndaj pushtuesit italianë, që krijoi çetën e parë, por të parën fare ama, që zhvilloi betejën e parë, por të parën fare ama, në Luftën e Dutë Botërore në Shqipëri.

Madje edhe betejën e "çlirimit të Tiranës" gazetari e barazoi me atë të Stalingradit. Ai është i ri në moshë. Ku i paska mësuar këto të dhëna? Me siguri në librin që u promovua. Unë do t'i kujtoja luftën e Tiranës, pasi atëherë kam banuar këtu dhe kam qenë në një moshë kur ngjarjet të nguliten në tru. Në më shumë se gjysmën e qytetit të Tiranës, prej malit të Dajtit dhe deri në "Rrugën Mbretërore" (sot "Rruga e Barrikadave") sundonin forcat partizane qysh ditën e parë të fillimit të sulmit. Madje ishin këto forca që kryen një masakër të paparë duke vrarë në pragjet e shtëpive të tyre dhe pa zhvilluar asnjë gjyq tridhjetetetë intelektualë të shquar patriotë. Ishin shqptarët që vrisnin shqiptarë. Forcat gjermane mbroheshin vetëm me dy fortino të paisura me mitralozë, njëra në Sheshin Skënderbej dhe tjetra, pak metra më sipër, atje ku sot ndodhet monumenti i partizanit të panjohur.

Për t'i vënë vulën këtij orkestrimi, iu desh edhe "dirigjentit të orkestrës së laraskave, Mark shalëgjatit", të ndërhynte. Bukur fort... Mjeshtrave të gënjeshtrës nostalgjia për kohën e përmbysur, me siguri, iu kujtonte vargjet e këngës që citova më lart, kur komunistët nuk kishin atdhe, kur atdheu i tyre ishte "vendi i sovjetëve" që do të pushtonte botën por që dështoi me turp. Ky mjeshtër mendonte t'u hidhte hi syve të përndjekurve politikë me ngritjen e një "komisioni" për shqyrtimin e kërkesave dhe zgjidhjen e tyre të menjëhershme. Por, derdimeni harroi se të përndjekurit politikë i përkasin asaj shtrese për të cilën, një muaj më vonë, do të shprehej me vargjet e poetit komunist Shefqet Musaraj

Por le t'i lemë të ndërkryerit në batakun ku janë zhytur dhe le të kthehemi në temën tonë. I shtyrë nga kureshtja, vendosa të blija librin për ta lexuar. U habita kur ndesha në dy të tillë me gati të njëjtën përmbajtje. I pari, romani "Humnera e mëdyshjes" me autor Halil Jaçellarin, botuar nga shtëpia botuese "Toena" në vitin 2009, ndërsa i dyti libri "Përpara gjyqit të historisë" sipas kujtimeve të Xhelal Staraveckës, botim i shtëpisë botuese "Naimi", viti 2012.

Kur i përfundova së lexuari u habita përse biri i autorit, pasi i kishte dhënë të drejtën e botimit të një romani me temë nga jeta e të atit një shkrimtari, këtë të drejtë ia jep, pas tre vjetësh, një shtëpie tjetër botuese për ta botuar në formë kujtimesh. Unë nuk e di në se mund të quhet roman libri i parë, kur ai herë është shkruar në vetë të tretë dhe herë në të parën dhe kur faqe të tëra të tij janë të njëjta me ato të librit me kujtime. Përse u kujtua sot për këtë ribotim, në se do ta quajmë të tillë? Për një çast m'u duk se kisha para vetes personazhet e romanit që kisha lexuar në fëmininë time "Liza në botën e çudirave" të Leëis Carrolle që, në fund të fundit, nuk ishin gjë tjetër veçse një palë letra bixhozi dhe se gjithë kjo komedi ishte kurdisur nga mjeshtra pokeristë që nuk mungojnë sot në Shqipërinë që lundron në "botën e çudirave".

Por le t'i lemë filozofimet dhe le të kthehemi te libri. Le të analizojmë disa "fakte" sipas "historianëve", të paraqitura atje.

Megallomania e autorit dhe imagjinata e sëmurë bie në sy në çdo faqe të librit. Kjo gjë më kujton një film sovjetik, nga ata që shfaqeshin shpesh dikur, të titulluar "˜Edhe i vetëm trim në luftë", ku heroi kryesor ishte në gjendje të përmbyste çdo situatë që i dilte para, me pak fjalë një supernjeri. Kështu paraqitet edhe autori ynë. Unë po u tregoj disa ngjarje, ashtu si i paraqet ai dhe ju gjykoni:

1. I vetëm dhe me gjashtë bomba dore shpartalloi regjimentin italian në Vërzhezhë (faqe 180).

2. Me tre vetë sulmoi dhjetë hajdutë dhe kapi tre prej tyre robër të cilët i pushkatoi (faqe 189).

3. Me katër veta sulmoi dhe çarmatosi karabinierinë italiane dhe çliroi Çepanin (faqe 199).

4. I vetëm shpartalloi stacionin e karabinierisë në Qesarak duke kapur rob disa karabinierë italianë të cilët i ekzekutoi. (faqe 187-188)

5. Me shtatë-tetë vetë shpartalloi komunistët në Tendën e Qypit, në kohën kur ishte ndarë prej tyre (faqe 316).

6. Çliroi pa luftë disa qendra të banuara (nuk e di nëse mund të quhet çlirim kur merret pa luftë. Nga kush u çliruan atëherë?) si Çorovodën më 9 shtator 1942 (faqe 176), Frashërin më 28 shtator 1942 (faqe184), Panaritin më 29 shtator 1942 (faqe 185), Stacionin e karabinierisë dhe Potomin më 30 shtator 1942 (faqe 185), Brenda tre ditëve paska çliruar tre qendra të banuara, për të cilat tre ditë nuk mjaftojnë as për të kaluar nga njëra qendër në tjetrën.

7. Në luftën e Përmetit, më 28 nëntor 1942, me një pushkë franceze "Lebel", së cilës, ky shpikës i madh, i adoptoi një hekur në formë hinke dhe i hidhte bombat në një largësi mbi 300 metra duke shkatërruar krejtësisht gazermat e italianëve!? ( faqe 195)

Një megallomani e paparë ndonjëherë. Është kjo megallomani që e shtyn të besojë se personi i tij është i aftë të kryejë gjithçka. Ja si shkruan ai për të gjitha këto fantazmagorira:

Ka pak gjëra që të mos i di për vendin tonë., për kuriozitet e mora dhe i hodha një sy, ku gjeta X krahinë apo qytet të çliruar nga shoku X, Y vend të çliruar nga shoku Y, deri sa arrita në kryevjetorin e Skraparit. Në atë rast ishte ngjirur zëri, muzikës i ishin këputur telat dhe ahengu ishte ndërruar në heshtje...Pse? Pse atë vend e të tjerë i ka çliruar Xhelal Staravecka.

Një "Don Kishot" i kohës sonë. Megjithatë për logjikën e "historianëve tanë të nderuar" këto qenkan ngjarje të vërteta dhe u dashkan shkruar në Historinë e Shqipërisë. Nuk e di se si do t'i interpretojnë këta historianë këtë shprehje të "atdhetarit" Xhelal Staravecka:

I kam drejtuar vetes shume pyetje dhe që më kanë mbetur pa përgjigje: Përse asnjë popull tjetër rreth nesh të mos kishte aq tradhtarë sa kemi patur dhe kemi ne? (faqe 164)

Mos u çudisni! Ishin vetë "historianët" që kishin të njëjtin mendim me autorin për këtë "vlerësim" të karakterit të shqiptarit..

Me siguri Staravecka, në kohën kur shkruante librin në Francë, duhej të ketë lajthitur sadopak gjë që e shpuri atë në idiotizma të tilla si kjo këtu poshtë:

Komunizmi në Shqipëri, përpara datës së formimit të Partisë Komuniste të vërtetë më 1941 kishte dy degë: njëra, dega e Shkodrës, kopje e komunizmit jugosllav, që kishte për drejtonjës një lab nga fshatrat e Vlorës, nga Gjormi, një farë Sadik Premti, i njohur më mirë në atë kohë me pseudonimin "Xhepi", dega tjetër, kopje e partisë komuniste greke, edhe ajo e metë, që e kryesonte një farë Anastas Lulua, nga Shalësi i Kolonjës, me qendër në Korçë.

Çudi si u hutua aq shumë ky "gjeni" sa të harronte se Sadik Premti dhe Anastas Lulua ishin kryetar dhe nënkryetar të grupit komunist të të rinjve me qendër në Vlorë dhe jo të grupeve të Shkodrës dhe Korçës.. Të ngratit Xhelal, siç duket burgu që kishte bërë në Itali, si kriminel lufte, ia kishte hequr edhe ato pak mend që kishte ky "Akademist i Napolit". Madje, në atë akademi ky "student i zellshëm" na paskësh mësuar edhe se si u vritkan mbi 120 ushtarë dhe oficerë italianë që i kishte kapur si robër lufte. ( faqe 241, 285, 291,293,314)

Tani le të shohim pak edhe betejat e famshme të zhvilluara nga këta "komunistë legjendarë".

1. Lufta e Selenicës. Autori shkruan se luftën e bëri Mehmet Shehu (faqe 239-242), kurse në të vërtetë ishin forcat e Ballit nën komandën e Isuf Luzajt që e filluan në orën 00.55 të datës 1 prill 1943 dhe në orën 4.20 mbërritën forcat partizane nën komandën e Neki Imerit, me pseudonimin "Vangjua" , të cilin më vonë e vranë vetë komunistët.

2. Lufta e Gjormit. Në një shkrim prej dy faqesh (256-257), nuk merret vesh se kush ishin sulmuesit e kush mbrojtësit dhe kush i komandonte. Për më tepër ngatërron edhe datën, duke e spostuar në mesin e vitit 1943, kur në të vërtetë ajo është zhvilluar më datat 28 dhjetor-1 janar 1943 ku pjesëmarrëse ishin një çetë ballistësh e përbërë nga 600 luftëtarë dhe e komanduar nga Hysni Lepenica si dhe një çetë partizanësh e komanduar nga Hysni Kapua.

3. Beteja e Grehotit (faqe307-308). Një shtrembërim i turpshëm i një beteje që ka hyrë në faqet e ndritura të historisë si simbol i rezistencës së vendit tonë ndaj pushtuesve, një Termopile Shqiptare, ku dhanë jetën për liri kryetari legjendar dhe 36 luftëtarë të lirisë, shumica komandantë çetash dhe ku, sipas disa zërave, shkaku i kësaj ishte tradhëtia e dy personaliteteve komunistë, Bedri Spahiut dhe Shemsi Totozanit. Më thoni një betejë tjetër të ngjashme me këtë dhe unë jam gati t'u kërkojë falje.

4. 4 shkurti 1944 (faqe 324-326). Me paturpësinë që e karakterizonte, Staravecka hedh baltë mbi figura të tilla të shquara si Kadri Cakrani dhe Ago Agaj apo edhe mbi bijtë e Kosovës martire Xhelal Mitrovica, Xhafer Deva, Rexhep Krasniqi, Rexhep Mitrovica. Nuk është për të parën herë, në këtë libër, që Kosova dhe kosovarët shihen prej tij me syrin e njerkës, sikur të mos ishin shqiptarë. Të njëjtin qëndrim mban edhe ndaj Shqipërisë së Veriut apo ortodoksisë shqiptare.

5. Konferenca e Mukjes (faqe 361). Çuditërisht, për këtë ngjarje të madhe të luftës për çlirim, autori shkruan më pak se një faqe dhe në këtë faqe përsërit tezën banale se Balli Kombëtar dhe zogistët nuk paskan luftuar por harron se në atë konferencë, Abaz Kupi, i anatemuar prej tij, bënte pjesë në delegacionin e Frontit Demokratik.

Ky ishte pra Xhelal Staravecka dhe libri i tij. Këta janë edhe "historianët" dhe "analistët" që mendojnë se kjo vepër do t'u bëka një bazë e mirë për hartimin e historisë. Njëri nga pjesmarrësit e këtij promovimi, një kryetar komune, madje, premtoi që librin ta shpërndajë në shkollat e komunës. Ju lumtë, zoti kryetar! Qenkeni alamet "qytetari shqiptar" kur tradhëtinë doni ta ngrini në piedestalin e heroizmit, kur kolaboracionizmin doni ta shisni për patriotizëm! Xhelali qe i vetmi shqiptar që u nxorr para gjyqit si kriminel lufte.

Në një linje me Xhelal Staraveckën është edhe "historiani" Kristo Frashëri. Ndërsa Xhelali shkruan:

Skënder Muçon e vrau Mit'hat Frashëri, kreu i Ballit, me një pjestar të qeverisë, Vehbi Frashërin me ndërmjetësinë e gjermanëve.

Kristo Frashëri plotëson mendimin e tij:

Biografët e Mit'hat Frashërit jo vetëm nuk ndalen për të analizuar përgjegjësinë e tij, por për habi e konsiderojnë si një "shërbestar" të kombit sepse në vend që të luftonte kundër forcave hitleriane, luftoi kundër forcave nacionalçlirimtare.

A nuk janë të dy mendimet në të njëjtën linjë? Të dy vjellin vrerë kundër "Apostullit të Shqiptarizmës" pasi duke goditur atë mund të godasin nacionalizmin në përgjithësi.

Ja si e paraqet qëndrimin e Ballit Kombëtar "historiani i kuq", Prof. Dr. Xhelal Gjeçovi, në librin "Historia" për klasat e katërta të shkollave të mesme, kreu 16.3, miratuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës në muajin qershor 2006:

Një fraksion ballistësh mendonte, se roli i PKSH mund të asgjësohej nga skena politike, vetëm në qoftë se nacionalistët liberalë që bënin pjesë në BK, do të zhvillonin një luftë çlirimtare më dinamike se komunistët. Mirpo në gjirin e BK triumfoi platforma e shumicës e kryesuar nga Mit'hat Frashëri, e cila ngulte këmbë që balli të mos angazhohej në luftë të armatosur kundër okupatorit pasi, sipas tyre, ne nuk jemi në gjendje të përballemi me fuqitë e tij ushtarake dhe lufta në këto kushte do t'i sillte vendit dëme e shkatërrime të pallogaritshme.

A e shikoni se me çfarë propagande helmohen fëmijtë tanë nëpër shkollat. Do të doja t'i pyesja këta "historianë" servilë e hipokritë:

- Në rast se Balli nuk paska luftuar, atëherë si ka mundësi që Partia Komuniste pranoi të hyjë në bisedime me të në Konferencën e Mukjes?

Një tezë të tillë mund ta hedhin vetëm të sëmurë imagjinarë nga trutë e kokës.

Ndaj m'u kujtua shprehja e famshme nacionaliste që përmenda në fillim të këtij shkrimi dhe që u bë motua e organizatës tonë. Korit të ngjirur të laraskave të së kaluarës duhet t'i dalin perballë të gjithë historianët e vërtetë të këtij vendi. Kur do të rishikohet historia dhe tekstet shkollore? Deri kur do të vazhdojë helmimi i fëmijve tanë? Kjo është edhe një nga pikat e Rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë "Për dënimin e krimeve të kryera nga sistemi komunist". Kur do të zbatohet kjo rezolutë?

Të gjithë ata politikanë, që e quajnë veten të djathtë, duhet ta ngrenë zërin në kupë të qiellit, për të hartuar një histori të drejtë ku çdo personazhi dhe ngjarje t'i vihet nota që i takon. Një përgjegjësi akoma më të madhe kanë përfaqësuesit e partive të vjetra nacionaliste që duhet detyrimisht të hedhin poshtë baltën që u është hedhur përsipër për gati shtatëdhjetë vjet.

Jemi në prag të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. A nuk do të ishte e moralshme që në këtë përvjetor të madh Shqipëria të shkonte me një histori larg motiveve partiake dhe nostalgjive për të kaluarën e përmbysur? Një fjalë e urtë romake thotë:

Jepini Qesarit atë që i takon Qesarit!

Le t'i japim çdo force politike të përfshirë në historinë e këtij vendi atë që i takon, pa mllefe dhe prapaskena. Vetëm atëherë do të shkojmë në atë përvjetor me krenari. Por, edhe diçka tjetër. Nëpër vende të ndryshme të botës prehen eshtrat e mjaft prej burrave të shquar të vendit tonë që jetën e tyre e shkrinë për lirinë dhe zhvillimin demokratik të atdheut mëmë por që atdheu ende nuk iu ka dhënë një pëllëmbë vend për t'u prehur eshtrat e tyre. Do të ishte në nderin e kombit tonë që këto eshtra të prehen në atdhe. Përgëzojmë Qeverinë Shqiptare për nismën për sjelljen e eshtrave të mbretit Zog në Shqipëri. Por do të ishte një veprim fisnik edhe atdhetar sjellja e eshtrave edhe të Mit'hat Frashërit me një mal meritash mbi shpinën e tij në dobi të kombit, të Abaz Kupit, nismëtarit te parë të rezistencës antifashiste shqiptare në Durrës më 7 prill 1939, të Hasan Dostit, Mehdi Frashërit, Ago Agajt dhe të burrave të shquar nga Kosova martire, Rexhep Mitrovica, Rexhep Krasniqi, Xhafer Deva dhe të tjerë të cilët nuk po i citoj pasi lista është aq e gjatë sa nuk do të kishte fund. Le të ngremë një varrezë dinjitoze për këta martirë dhe le të mbetet ajo si varreza e njerëzve të shquar të kombit tonë. Por mbi kokat e tyre nuk duhet të ekzistojë ylli komunist ashtu siç qëndron kërcënueshëm në Varrezat e Kombit.

Nuk e di, ndoshta jam edhe gabim, por unë, kur mendoj të gjitha këto dhe kur dëgjoj zërat e laraskave dhe i shikoj duke ligjëruar në çdo televizion ose gazetë, më duket vetja sikur jam ende në atë periudhë të errët komuniste, kur ishim të detyruar të luftonim duke pasur si udhërrëfyes parullën tashmë të njohur:

Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!

-

Autori është Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

 

RESHAT KRIPA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
INTERVISTË E FRANK SHKRELIT DHËNË GAZETËS TELEGRAF NË PRAG TË 100 VJETORIT TË THEMELIMIT TË VATRËS (04.26.2012)
KAPITALI NUK PËRCAKTON VETËDIJEN NACIONALENga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (04.25.2012)
TELASHE NGA NJË NDËRTIM I PALIGJSHËM BALLKANIKNga SHABAN MURATI (04.24.2012)
KEQ E MË KEQ E GJITHANga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times (04.23.2012)
IBRAHIM KODRËS MË 1973 NË TIRANË I THANË NUK KEMI BURGJENga VISAR ZHITI (04.22.2012)
VETËVRASJA EKONOMIKE E EVROPËSNga PAUL KRUGMAN, New York Times (04.17.2012)
KUJTESË TURKOFOBËVE SHQIPTARËNga ESHREF YMERI (04.17.2012)
PARTNERITETI KUNDËR KORRUPSIONITNga FRANK SHKRELI (04.16.2012)
EDHE NJË HERË MBI KOLABORACIONIZMINNga RESHAT KRIPA (04.16.2012)
Barometri diplomatikKËRKESË E GABUAR ABSURDE DHE IRACIONALE!!!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (04.15.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart�]