E Enjte, 03.28.2024, 07:01pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

RIVLERËSIMI I POLITIKËS RAJONALE TË SHQIPËRISË

Nga SHABAN MURATI


E Hënë, 04.30.2012, 03:34pm (GMT+1)

Për të kuptuar se çfarë peshe dhe ndikimi ka një shtet në rajonin gjeografik ku ndodhet, duhet të shohësh rolin dhe vendin që ai ka në vendimmarrjen e atij rajoni. Në 100-vjetorin e themelimit si shtet konstatojmë, jo pa dhimbje, se Shqipëria ende nuk ka fituar në vendimmarrjen rajonale atë vend që i takon në bazë të dimensionit historik, gjeografik, gjeostrategjik dhe diplomatik. Në 100-vjetorin e themelimit të shtetit të ri shqiptar është koha më tepër se kurrë për t'u ndërgjegjësuar për nevojën e një ndryshimi rrënjësor në filozofinë dhe në mentalitetin, në platformën dhe në strategjinë e politikës së jashtme dhe të diplomacisë së Shqipërisë në rajon.

Politika rajonale e Shqipërisë kërkon një rivlerësim. Një politikë e jashtme dinamike kërkon parametra, objektiva dhe prioritete që përputhen me zhvillimet e reja dhe me pozitën e re ku ndodhet rajoni dhe vendi ynë në fillim të shekullit 21. Rivlerësimi i politikës sonë rajonale diktohet nga disa konsiderata strategjike:
1 - Faktori ri gjeopolitik i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe i krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës.
2 - Roli i ri, pesha dhe hapësira e re që ka fituar faktori diplomatik dhe kombëtar shqiptar në rajon në dekadën e dytë të këtij shekulli dhe për të cilat shteti shqiptar nuk është ndërgjegjësuar akoma.
3 - Ndryshimi i hartës së shteteve fqinj me Shqipërinë, ku për herë të parë në 100 vjet shtet, në planin strategjik kemi shtete më të vegjël se Shqipëria, me përjashtim të Greqisë, dhe ku perspektiva e integrimit atlantik orienton dhe doktrinën e sigurimit kombëtar në rajon.

Politika e jashtme e Shqipërisë nuk ka fituar akoma vendin që i takon në rajon dhe duhet të kërkojë një zë më të fortë në proceset, në zhvillimet dhe në vendimmarrjet rajonale.
Ky objektiv duhet të shtrihet në dy vektorë, edhe në drejtim të shteteve të rajonit, edhe në drejtim të dy qendrave kryesore të organizimit institucional të Europës, pra NATO-s dhe BE-së të cilat kanë politikat dhe strategjitë e tyre rajonale. Kjo kërkon që qeveria shqiptare dhe diplomacia shqiptare të fitojnë dhe të manifestojnë para së gjithash dinjitetin dhe integritetin e zërit dhe të votës së tyre shtetërore dhe kombëtare në marrëdhëniet dhe në vendimmarrjet rajonale. Kjo kërkon që qeveria shqiptare dhe diplomacia shqiptare të fitojnë aftësinë që të dëgjohen nga BE dhe nga NATO, dhe të ndikojnë që qëndrimi dhe interesat jetike dhe shtetërore të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar të zënë hapësirën e duhur në formulimin e politikave rajonale atlantike dhe europiane.

Politika e jashtme e Shqipërisë në shekullin 21 duhet të dalë me devizën e barazisë së shteteve në sistemin ndërkombëtar të rajonit. Kjo devizë diktohet së pari, nga fakti se barazia e shteteve në rajon nuk është arritur, dhe së dyti diktohet nga pretendimet e disa shteteve të Ballkanit për të akaparuar rolin e liderit apo të shtetit kyç në Ballkan. Ky pretendim, me sistemin hierarkik që po punon të imponojë, rihap thesin e erërave të konflikteve të vjetra dhe të reja ballkanike. Nëse theksojmë realitetin e pabarazisë së shteteve në rajon, jemi të qartë se këtu ndërthuren disa faktorë rajonalë dhe jashtë rajonalë. Por, nuk duhet të anashkalojmë se në këtë realitet të hidhur duhet të kërkojmë edhe pasojat që vinë nga politika dhe nga komplekse të inferioritetit dhe të klientelizmit të qeverisë dhe të diplomacisë ndaj shteteve të tjera në rajon. Një shtet që nuk është i ndërgjegjshëm për forcën e tij reale, dhe aq më tepër që i ndërton që në fillim raportet me shtetet e tjerë të rajonit në sistem vertikal varësie, nuk duhet të habitet që e gjen veten të papërfillur në lëvizjet më të rëndësishme diplomatike rajonale dhe të papërfshirë në asnjë grupim apo aleancë parciale gjeografike dhe diplomatike të rajonit.

Deviza tjetër e politikës se jashtme të Shqipërisë duhet të jetë integrimi i plotë euroatlantik i Ballkanit, përfshirë sidomos Kosovën, sepse kjo përputhet me interesin tonë jetik dhe kombëtar. Kjo ka të bëjë në radhë të parë me integrimin atlantik sepse pa integrimin e plotë të Ballkanit në NATO, interesat e sigurisë sonë kombëtare do të jenë vazhdimisht nën presionin e kërcënimeve të vjetra dhe të reja ballkanike. Shtete të cilat janë kundër integrimit atlantik dhe kundër Kosovës, nuk mund të nominohen për marrëdhënie prioritare në politikën e jashtme rajonale të Shqipërisë, dhe aq më pak mund të lejohet që t'u hapen katër kanatash dyert e sektorëve strategjikë të ekonomisë dhe të territorit shqiptar.

Një politikë e jashtme ballkanike e Shqipërisë nuk mund të fitojë identitetin e vet pa pasur si një nga dimensionet e saj themelore çështjen kombëtare, në kushtet e reja të fillimit të shekullit. Është e papranueshme dhe e pafalshme ndrojtja qeveritare dhe diplomatike për të pasur çështjen kombëtare si një element themelor të politikës së jashtme rajonale. Premisa bazë e politikës sonë rajonale duhet të jetë se çështja kombëtare shqiptare është një proces që vazhdon dhe i cili natyrisht ka profilet dhe veçoritë e veta në gjithë shtetet ballkanike, ku jetojnë popullsi shqiptare. Pas pavarësisë së Kosovës, e cila ka qenë përbërja kryesore dhe më e rëndësishme e çështjes shqiptare për afro 100 vjet, tani përbërësi kryesor mbetet çështja e popullit shqiptar në Maqedoni. Kjo do të thotë se edhe marrëdhëniet me Maqedoninë duhet të fitojnë një intonim të ri dhe të hartohet një kurs, që synon optimalen e përputhjes së të drejtave të popullit shqiptar në Maqedoni me stabilitetin dhe me perspektivën euroatlantike të shtetit të Maqedonisë.

Kosova duhet të marrë statusin e partnerit dhe aleatit strategjik numër një në politikën e jashtme rajonale të Shqipërisë. Është koha që Shqipëria dhe Kosova të nënshkruajnë një "Traktat Miqësie, Bashkëpunimi dhe Mbrojtje Reciproke" mes dy shteteve. Traktati është i nevojshëm në planin diplomatik, i detyrueshëm në planin kombëtar dhe i domosdoshëm në planin strategjik.

Çështja e një bashkimi të Kosovës me Shqipërinë është gjithashtu një proces, ecuria dhe dinamika e të cilit do të varet nga kombinimi i faktorëve ndërkombëtarë, kombëtarë dhe rajonalë.

Politika rajonale e Shqipërisë duhet të adoptojë një aksion dhe një strategji diplomatike më dinjitoze të realizimit të pjesëmarrjes së Kosovës në organizmat dhe në forumet rajonale. Ka ardhur, dhe madje po kalon koha kur Shqipëria të reduktojë drejt minimumeve pjesëmarrjen e saj në organizata rajonale si "Procesi i Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore", SEECP, apo të tjera nëse në to vazhdon bojkoti i disa shteteve të rajonit ndaj Kosovës. Nuk e nderojnë historinë e diplomacisë shqiptare dhe nuk duhet të lejohet të përsëriten më veprime të tilla, kur qeveria e Shqipërisë ka dhënë miratimin e saj për pranimin e Rusisë në Konferencën e Bashkëpunimit Islamik, OIC dhe për anëtarësimin e Moldavisë në SEECP, pa u kërkuar asgjë në shkëmbim atyre shteteve lidhur me Kosovën.

Një politikë ballkanike realiste kërkon gjithashtu një rikonsiderim të prioriteteve të organizatave rajonale, ku Shqipëria është anëtare. Është pozitive që vendi ynë merr pjesë në të gjitha organizatat që kanë të bëjnë direkt apo indirekt me rajonin. Fokusi i diplomacisë sonë të organizatave rajonale duhet spostuar drejt atyre që kanë interes më të drejtpërdrejtë për Shqipërinë, p.sh nga "BEDZ"-i i detit të Zi, që nuk i lag brigjet e Shqipërisë, tek "Nisma Adriatiko-Joniane", ku janë dy dete, që i lagin brigjet tona.

Çështja çame nuk mund të jetë më tabu e politikës rajonale të Shqipërisë dhe duhet të përfshihet si një çështje politike në dosjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo duhet të përballohet, dhe jo të shmanget si deri tani, nga diplomacia shqiptare. Kjo çështje nuk mund të anashkalohet në formën e referencave teknike apo juridike. Ajo është dhe do të mbetet një çështje politike e dosjes dypalëshe.

Është tepër e rëndësishme që rivlerësimi i politikës së jashtme rajonale të Shqipërisë të marrë parasysh nevojën e formulimit të dy politikave ballkanike:
1 - Një në drejtim të Ballkanit klasik gjeografik si gadishull.
2 - Një në drejtim të atij, që është quajtur "Ballkani Perëndimor", që përfshin shtetet, që dolën nga ish Jugosllavia, pa Slloveninë, dhe plus Shqipërinë.
Diplomacia shqiptare duhet të realizojë një ekuilibër të përhershëm mes dy drejtimeve, sepse prioritizimi i njërës apo tjetrës rrezikon të minimizojë rolin dhe interesin jetik të Shqipërisë.
Rivlerësimi i politikës rajonale të Shqipërisë është një proces i rëndësishëm strategjik dhe afatgjatë, i cili nuk mund të lihet në vullnetin dhe voluntarizmin e një drejtuesi qeverie apo diplomacie. Ai duhet të përfaqësojë dhe të jetë simbiozë e bashkimit të interesave shtetërore, jetike dhe mbarëkombëtare e konsensusit të platformave të forcave politike kryesore në fushën e politikës së jashtme, e vendosjes së diplomacisë profesionale të memories shtetërore në radhën e parë të vendimmarrjes dhe e konsiderimit të përvojave shumëvalente diplomatike të të gjitha kohërave. Vetëm kjo simbiozë mund t'i japë politikës rajonale të Shqipërisë identitetin e ri dhe dinjitetin e ri në shekullin e ri.

SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PËR LIRI, PËR SHQIPËRI, PËR FLAMURIN KUQ E ZINga RESHAT KRIPA (04.28.2012)
INTERVISTË E FRANK SHKRELIT DHËNË GAZETËS TELEGRAF NË PRAG TË 100 VJETORIT TË THEMELIMIT TË VATRËS (04.26.2012)
KAPITALI NUK PËRCAKTON VETËDIJEN NACIONALENga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (04.25.2012)
TELASHE NGA NJË NDËRTIM I PALIGJSHËM BALLKANIKNga SHABAN MURATI (04.24.2012)
KEQ E MË KEQ E GJITHANga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times (04.23.2012)
IBRAHIM KODRËS MË 1973 NË TIRANË I THANË NUK KEMI BURGJENga VISAR ZHITI (04.22.2012)
VETËVRASJA EKONOMIKE E EVROPËSNga PAUL KRUGMAN, New York Times (04.17.2012)
KUJTESË TURKOFOBËVE SHQIPTARËNga ESHREF YMERI (04.17.2012)
PARTNERITETI KUNDËR KORRUPSIONITNga FRANK SHKRELI (04.16.2012)
EDHE NJË HERË MBI KOLABORACIONIZMINNga RESHAT KRIPA (04.16.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart�]