VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KTHJELLOHUNI O TË GJORË!

Nga ILIR HYSA


E Enjte, 05.03.2012, 09:21am (GMT1)

Mora shkas për këtë shkrim nga një intervistë që Sekretari Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Z. Besim Ndregjoni i dha emisionit Ora 0:00 në UTV News. Zoti Ndregjoni duhet përgëzuar që i jep zë asaj klase të shoqërisë shqiptare e cila për fat të keq ka mbetur pa zë, kryesisht si pasojë e një elite politike të degjeneruar, por në një farë mase edhe për fajin e saj. Edhe pse zoti Ndregjoni i ngriti problemet dhe i parashtroi faktet siç duhet, në përgjigjet e tij ka nuanca të një filozofie shumë pacifiste dhe pasive që është provuar se ka dështuar dhe nuk ka sjellë asgjë për antikomunistët shqiptarë. Ky ka qenë gabimi më i madh i antikomunistëve shqiptarë gjatë tranzicionit të tejzgjatur. Si pinjollë të familjeve më fisnike në Shqipëri ata kanë supozuar se pushtetarët janë po aq fisnikë sa edhe vetë ata. Sigurisht, që kanë gabuar rëndë dhe po e paguajnë me jetët e tyre të shkatërruara njëherë e përgjithmonë. Ky shkrim nuk duhet kuptuar si kundërvënie ndaj zotit Ndregjoni. Përkundrazi, ai duhet kuptuar si vazhdim i një debati në lidhje me alternativat dhe rrugëdaljet nga bataku ku kanë rënë antikomunistët shqiptarë. Për elitën politike do të flasim pak më poshtë. Fillimisht, më lejoni të sqaroj pse antikomunistët shqiptarë kanë faj për gjendjen në të cilën ndodhen.

Së pari, ata kanë pritur të ua japin të drejtat, duke supozuar gabimisht se çdo shoqëri e moralshme do të bënte atë që është e llogjikshme, dhe nuk kanë luftuar për të drejtat e tyre. Është ironik fakti se vazhduesit e Partisë së Punës (tani Partia Socialiste në opozitë) bëjnë presion dhe krijojnë ngërç, madje krizë politike. Nga ana tjetër, viktimat e tyre nuk e bëjnë dot një gjë të tillë. Sa herë e kanë bllokuar antikomunistët Parlamentin Shqiptar deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre? Përveç disa protestave sporadike, asnjëherë. Pas një kohe të shkurtër protestash ata ose janë mashtruar ose dëbuar me forcë nga pushtetarët. Dikush do të thoshte se bllokimi i parlamentit është i paligjshëm. Kur Roza Parks u ul në fillim të autobuzit dhe refuzoi ta lëshonte vendin që të ulej një person i bardhë, ajo ishte kundër ligjit. Po kush e bënte ligjin? Ajo dhe ngjarje të tjera si ajo shërbyen si shkëndija të zhvillimeve që kulmuan me përgjakjen në Selma të shtetit të Alabamës dhe kështu zezakët në SH.B.A. fituan të drejtat e tyre. Por le të mos ushqejmë ndjenjën e thyerjes së ligjit dhe t'i referohemi rastit kur janë përdorur mjete më demokratike dhe paqësore sesa pushtimi i një institucioni. Le të sjellim ndërmend grevën e urisë së të përndjekurve politikë në vitin 1994, e cila përfundoi me nxjerrjen e grevistëve me forcë nga vendngujimi. Nga kush? Nga partia së cilës ata i kishin besuar mbrojtjen e idealeve të tyre. Sa turp! E megjithatë, antikomunistët nuk i thirrën mendjes. Ata sërisht vazhduan të zgjedhin "të keqen më të vogël mes dy të këqijave", siç u bë zakon të thuhej në prag të fushatave elektorale mes antikomunistëve.

Së dyti, antikomunistët shqiptarë nuk e kanë thënë gjithmonë të vërtetën lakuriqe. Të njejtën gjë bëri edhe zoti Ndregjoni. Ai nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes pse mazhoranca (lexo Partia Demokratike) duhet të kërkojë falje për krimet e komunizmit dhe shmangia e të thënit të gjërave troç është një tjetër problem yni. Ai iu referua përvojës gjermane dhe nuk iu referua realitetit shqiptar. Përgjigjja e pyetjes duhet të ishte: Mazhoranca duhet të kërkoje falje për disa arsye:

1. Ajo ka qenë dhe është në pushtet për afro 13 vjet të tranzicionit dhe përfaqëson sot shtetin shqiptar që ende nuk ka bërë një ndarje institucionale nga komunizmi. Jo vetëm kaq, por njerëzit që përbëjnë mazhorancën nuk i vret as ndërgjegjja për dështimin total në adresimin dhe zgjidhjen e problemeve të klasës më të përvuajtur dhe më të lodhur të shoqërisë shqiptare. Populli thotë : "Nuk ka gjë më të keqe sesa kur të plas cipa". Pushtetarët tanë e manifestojnë çdo ditë paturpësinë që shoqëron plasjen e cipës.

2. Mazhoranca është sjellur si kameleoni dhe ka brenda saj të gjitha ngjyrat e ylberit dhe ka përqafuar njerëz që i kanë duart me gjak. Jo vetëm kaq. Mazhoranca i ka vënë funksionarët e dikurshëm në majat më të larta të pushtetit të sotëm. Bëj çudi se pse Shqipëria nuk ka nxjerrë të tjerë Gjergj Ndreca. Vetëgjyqësia është përçarëse për një shoqëri. Megjithatë, kur ajo është aq e pamëshirshme sa të lejojë viktimat e dikurshme të përjetojnë një ferr të ri, dhe kur hesht para dhimbjes që përjetojnë ata që e paguan shumë shtrenjtë duke thënë të vërtetën, atëherë del pyetja: Cili është më i rëndësishëm, uniteti dhe ligji apo nderi dhe dinjiteti? Një shoqëri e moralshme i përgjigjet kësaj pyetjeje me krijimin dhe forcimin e një shteti të fortë ligjor. Sigurisht, me gjithçka që ka ndodhur në Shqipëri gjatë mëse 20 viteve të fundit, ndërtimi i shtetit ligjor ka mbetur vetëm një sllogan, dhe për të mos qënë më cinik sesa duhet, vetëm një objektiv. A thua vallë është i tillë? A thua vallë klasa politike e sotme ta ketë një objektiv të tillë? Sigurisht që jo. Një shtet i mirëfilltë ligjor do të kërkonte që ata të përgjigjeshin të parët para ligjit. Ata nuk e duan një gjë të tillë. Ata po lënë teorinë darviniste të përzgjedhjes natyrore nëpërmjet luftës për egzistencë të punojë dhe sigurisht ata që mund t'i mbijetojnë një përzgjedhjeje të tillë janë vetëm soji i tyre i veshur me pushtet politik dhe ekonomik. Dhëntë zoti nuk u shkon në mendje të provojnë edhe shijen e mishit të antikomunistëve shqiptarë! Për ata që po ngrenë vetullat duke lexuar këto rreshta dua të kujtoj që kanibalizmi nuk është fenomen i panjohur apo i largët për rracën njerëzore.

3. Mazhoranca duhet të bëjë atë që është më e mira për Shqipërinë. Shqiptarët (jo vetëm antikomunistët ) po kuptojnë çdo ditë e me shumë se mosndarja nga e kaluara ndikon negativisht edhe në jetën e tyre dhe se shoqëria shqiptare po bëhet çdo ditë dhe më e korruptuar, çdo ditë dhe më joinstitucionale, çdo ditë edhe më e pamoralshme. Kjo është arsyeja pse Polonia dhe vende të tjera kanë vendosur ta rishikojnë ndarjen me komunizmin. Për më tepër, mazhoranca duhet të kërkojë ndjesë edhe për nëpërkëmbjen e besimit të antikomunistëve shqiptarë gjatë tranzicionit. Mazhoranca përçau dhe shkatërroi përfundimisht partitë nacionaliste në të cilat aderonin shumica e antikomunistëve shqiptarë dhe e ka ndarë monopolin e pushtetit më komunistët e betuar. Së paku, këta të fundit duhen respektuar që nuk kanë hyrë në radhët e Partisë Demokratike sepse askush nuk i ka penguar. Mazhoranca ka treguar gjithashtu se nuk ka ideale apo parime për t'iu përmbajtur. Aleancat e tipit Xhuveli, Ndoka, Meta etj., nuk janë gjë tjetër vetëm një shuplakë në fytyrën e shumëvuajtur të antikomunistëve shqiptarë.

Ndërsa për opozitën gjërat janë më të qarta. Ujku mjergull do. Kur mazhoranca ka paturpësinë të shtrojë për diskutim mbushjen e moshës 85 vjecare si kriter për kompensimin e viktimave të dikaturës, opozita (lexo persekutorët) ka të drejtë të bëjë atë që amerikanët quajnë "crying wolf" (të qajë si ujk"”d.m.th. të shtiret) duke përfshirë integrimin e ish-të përndjekurve politikë në programin politik të saj. O Zot pse na ke mallkuar kaq shumë?

Ne duhet të kthjellohemi. Thirrja që antikomunistët të marrin pjesë në procesin politik është një përpjekje e nevojshme por pa një strategji të qartë. Të marrin pjesë dhe të krijojnë parti të reja si Fryma e Re Demokratike? A nuk ishin edhe këta zotërinj pjesë e politikës së tranzicionit? Ku është e reja? Ku qëndron novacioni? Seriozisht, ne duhet të kthjellohemi vetë para se të bëjmë edhe një hap tjetër. Njerëzit janë lodhur me eksperimente. Ata duan zgjidhje. Për më tepër, ata janë të dëshpëruar se politikanët e sotëm nuk përfaqësojnë figurën e njeriut që ka vendosur të jetë shërbëtor i popullit të vet. Politikani i sotëm shihet si një figurë e urryer që mezi pret që të dalë ndonjë tender apo tjetër pisllëk për të bërë para. Sa të pangopur paskan qenë këta njerëz o Zot i Madh?

Për të përfunduar, xhaketa nuk ka nevojë që të arnohet. Xhaketa duhet hedhur. Ne duhet të kemi kurajon si qytetarë të një bote të lirë dhe me sy tashmë të hapur të themi "Xhaketa duhet hedhur". Ata që nuk arrijnë të pranojnë se xhaketa ka aq shumë arna sa nuk dallohet ngjyra origjinale, duhet të kthjellohen dhe të reflektojnë. Tani nuk është me çështja të ndryshojmë Shqipërinë që të "shohim ca ditë të bardha" siç thotë populli. Tani ne duhet të lëvizim sa më parë që të shmangim turpin që do të na mbulojë kur fëmijët, nipërit dhe mbesat tona të na pyesin: "Çfarë bëtë ju? Ku ishit ju?"


ILIR HYSA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.