VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DIPLOMACIA RUSE ME MULLINJTË E ERËS NË KOSOVË

Nga SHABAN MURATI


E Martë, 05.22.2012, 06:47am (GMT1)

 

Bashkimi i fantazisë me urrejtjen mund të prodhojë vepra artistike interesante, mund të prodhojë edhe fishekzjarrë të bujshëm gazetareskë. Por kur ky aliazh vihet në përdorim në diplomaci, ai sjell një përsëritje të skenave klasike të Don Kishotit me mullinjtë e erës. Në këto pozita e vuri veten këto ditë diplomacia ruse, kur sajoi "problemin e madh ndërkombëtar" të stërvitjes së militantëve sirianë në Kosovë. Në 14 maj ambasadori i Rusisë në OKB, Vitali Çurkin, në forumin më të lartë diplomatik botëror të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku po diskutohej tema e Kosovës, hodhi akuzën e madhe dhe paralajmërimin e madh se kthimi i Kosovës në qendër stërvitjeje ndërkombëtare për kryengritësit e njësive të ndryshme të armatosura mund të bëhet një faktor serioz destabilizues, që shkon përtej Ballkanit. Në 15 maj, Ministria e Jashtme e Rusisë publikoi një komunikatë të posaçme mbi "përgatitjen e militantëve sirianë në territorin e Kosovës", duke deklaruar se nuk përjashtohet mundësia e krijimit të kampeve të stërvitjes në bazat e mëparshme të UÇK-së. Dhe për ta bërë më të besueshme këtë betejë singulare të diplomacisë ruse me mullinjtë e erës në Kosovë, në 16 maj ftohet presidenti i Sirisë, Bashar Al Asad, në stacionin televiziv rus "Rossija 24", të japë një intervistë për këtë çështje, dhe i cili deklaron se rebelët sirianë kanë shkuar në Kosovë për të studiuar taktikat luftarake të luftës partizane.

I vetmi fakt real i publikuar zyrtarisht edhe në Kosovë është se një delegacion i përbërë nga tre veta, që i përkasin lëvizjes opozitare siriane, ka bërë një vizitë në Kosovë në datën 26 prill, në kuadër të një turneu të zhvilluar në SHBA dhe në disa vende europiane, për të kërkuar përkrahje për luftën e popullit sirian për liri e demokraci. Qeveria e Kosovës konfirmoi edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbështetjen e saj të natyrshme për lëvizjet demokratike në Siri dhe përgënjeshtroi çdo akuzë ruse për gjoja stërvitjen e rebelëve sirianë në kampe ushtarake në Kosovë. Vendosja e kontakteve të qeverisë së Kosovës me përfaqësues të lëvizjes demokratike popullore siriane është një veprim i drejtë dhe i mirëpritur. E para, sepse në mbështetje të kësaj lëvizjeje demokratike opozitare dhe të kërkesave të popullit sirian për demokraci janë rreshtuar të gjitha shtetet demokratike dhe forcat demokratike, të cilat kanë krijuar edhe grupin ndërkombëtar "Miqtë e Sirisë". E dyta, në planin parimor, mbështetja e lëvizjeve popullore kundër regjimeve autokratike është një detyrim programor dhe moral i çdo force politike, i çdo qeverie apo shteti, që beson në vlerat e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut. Dhe e treta, në planin praktik të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Sirisë, mbështetja e forcave politike përparimtare, të cilat pritet të marrin pushtetin në Damask, është një investim i mirëmenduar diplomatik për njohjen e Kosovës dhe për zhvillimin e marrëdhënieve shumë të mira në të ardhmen me atë shtet, sepse regjimi i tanishëm i Asadit, i lidhur ngushtë me Rusinë dhe me Serbinë, nuk e ka njohur Kosovën.

Logjika më e thjeshtë arsyeton se lëvizja demokratike dhe forcat përparimtare, që luftojnë në Siri prej më shumë se një viti kundër regjimit autokratik të Asadit, dhe të cilat kanë krijuar edhe ushtrinë e tyre efektive me pjesëmarrje të shumë ushtarakëve të dezertuar nga ushtria qeveritare, dhe që po zhvillojnë prej shumë muajsh beteja ushtarake me trupat e qeverisë, nuk kanë pritur që të kalojë një vit e pastaj të kujtohen se duhen dërguar tre vetë në Kosovë për stërvitjet ushtarake. Karakteri absurd i pikënisjes së këtij sulmi imagjinar të diplomacisë ruse është kaq i madh, sa që edhe vetë autorët e tyre nuk arrijnë të fshehin mungesën e një baze reale të pretendimeve të tyre dhe të zhurmës ndërkombëtare, që ngritën. Komunikata e MPJ të Rusisë thotë tekstualisht: "Tërheq vëmendjen shfaqja e materialeve në media mbi kontaktet e përfaqësuesve të opozitës siriane me autoritetet e Republikës së Kosovës". Ambasadori rus Vitali Çurkin deklaron në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: "Raportet e medias thonë se zyrtarët e Kosovës kanë vendosur kontakte me opozitën siriane për të trajnuar militantë sirianë". Presidenti i Sirisë thotë: "Unë nuk e di nëse është fjala për luftëtarë apo jo, por ne kemi informacione, që një grup opozitar ka udhëtuar në Kosovë".

Një ambasador, një ministri e jashtme dhe një president, që dalin dhe japin deklarata zyrtare dhe shpallin qendrime diplomatike mbi bazën e asaj se "janë thënë dhe kanë dëgjuar", kuptohet se jo vetëm janë shumë larg së vërtetës, por gjenden në nevojë të madhe diplomatike për të sajuar diçka, që nuk ekziston. Diplomacia ruse mendon se, duke lidhur artificialisht Kosovën me Sirinë, do të përmirësojë pozitën e saj të dobët diplomatike në dy çështje të rëndësishme ndërkombëtare, ku ajo ka marrë anën e palës humbëse. Denigrimin e së drejtës së popullit të Kosovës për liri e pavarësi, për shtetin e vet të pavarur, të drejtë që e konfirmoi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 korrik 2010, Moska e ka bërë "˜kalin e betejës' së saj diplomatike kundër Kosovës. Kudo, që veprohet dhe flitet keq ndaj Kosovës, do të gjesh dorën dhe protagonizmin e diplomacisë ruse. Moska është organizatorja e fushatës për të ashtuquajturin trafik organesh në Kosovë dhe sponsorizuesja kryesore e rezolutës famëkeqe "Dik Martin" në Këshillin e Europës. Diplomacia ruse po lufton që kjo rezolutë antishqiptare të adoptohet edhe nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Diplomacia ruse është edhe organizatorja e fushatës së tanishme për të ashtuquajturin trajnim të militantëve sirianë në Kosovë. Qendrimi dhe veprimi i diplomacisë ruse në çështjen e Kosovës nuk është më diplomaci, por shpreh një urrejtje të verbër nacionale dhe raciale ndaj një populli dhe një kombi të tërë.

Duke sajuar zhurmën për kampet e stërvitjes ushtarake siriane në Kosovë, diplomacia ruse mendon se me një gur po vret dy zogj, edhe denigron Kosovën, edhe sulmon politikën e Perëndimit, të NATO-s, të BE-së dhe të SHBA-ve në çështjen e Sirisë. Fantazia e diplomacisë ruse shkon deri në absurdin tjetër, që pretendon se Kosova po përgatit terrenin për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Siri. Diplomacia ruse dhe presidenti sirian kanë deklaruar se militantët sirianë kanë shkuar në Kosovë për të fituar eksperiencë në organizimin e rezistencës së armatosur dhe për të tërhequr ndërhyrjen e NATO-s në Siri. Në këtë version diplomatik të zhanreve fantastiko-shkencore, Kosova shndërrohet në çelës magjik të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Siri.

Për fatin e saj të keq, Rusia ka mbajtur anën e humbësve në proceset demokratike epokale të Lindjes së Mesme, që nisën vitin e kaluar. Duke mos qenë një shtet realisht demokratik dhe duke precipituar si një shtet, i cili po ecën në shinat e autoritarizmit, me udhëheqës si Vladimir Putini, që po i ngjan Leonid Brezhnjevit të Bashkimit Sovjetik, Rusia është rreshtuar me regjimet autokrate në Egjipt, në Libi dhe në Siri. Regjimet antidemokratike në mënyrë instiktive janë me regjimet antidemokratike. Pas dobësimit të theksuar të pozitave të saj në Libi dhe në Egjipt, Moska po lufton me përpjekje maksimale për të mbajtur në këmbë me të gjitha mjetet regjimin e Asadit. Ajo vazhdon me intensitet t'i dërgojë armë të sofistikuara, dhe zëvendësministri i Jashtëm rus, Genadij Gatilov, deklaroi më 15 maj, se Rusia nuk do ta lërë qeverinë siriane pa armë mbrojtëse. Dhe kjo bëhet në një kohë kur regjimi i Asadit po vret popullin e vet dhe numri i njerëzve të pafajshëm të vrarë nga trupat qeveritare i ka kaluar 10 mijë vetët. Për të mbuluar këtë bashkëfajësi të Rusisë me regjimin autokratik të Damaskut, diplomacia ruse tenton të sajojë artifise diplomatike për lidhje të Kosovës me Sirinë, me kampe stërvitore dhe me plane të NATO-s për të ndërhyrë ushtarakisht në Siri me ndihmën e Kosovës.

Është një pozicion vërtet i vështirë i diplomacisë ruse, kur asaj i duhet të bëjë të pamundurën dhe të shpikë të paqenën, për të krijuar konfuzion diplomatik, politik dhe propagandistik ndërkombëtar. Është një pozicion donkishotesk me mullinjtë e erës në Kosovë, të cilët i duken Ministrisë së Jashtme ruse dhe Kremlinit si kalorës viganë ndërkombëtarë, me të cilët duhet të ndeshet kalorësi i vetmuar me fytyrë të vrerosur, që si car i ri u vendos në Kremlin në 7 maj dhe ëndërron syhapur të rikrijojë ish-superfuqinë e vdekur sovjetike.

SHABAN MURATI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.