E Enjte, 04.25.2024, 09:06pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

SHPIF, SHPIF, SE DIÇKA DO TË MBETET

Nga ESHREF YMERI


E Enjte, 05.24.2012, 08:04am (GMT+1)

Si shtysë për të hedhur në komjuter ca mendime që po parashtroj këtu më poshtë, shërbeu një material i zotit Luigj Shkodrani me titull "50 çudi shqiptare", të cilin e kishte marrë nga gazeta "Tirana Observer" dhe e kishte hedhur në faqen e internetit të datës 17 maj 2012. Më bëri shumë përshtypje "çudia shqiptare" me nr. 24:

"Shpif se diçka do të mbetet, normë e kulturës shqiptare".

Kjo shprehje haset në monologun e don Bazilios në komedinë "Berberi i Seviljes" (1775) të dramaturgut francez Bomarshe (Pierre-Augustin Caron de Beaumarchais - 1732 - 1799): "calomniez, calomniez, il en restera toujours quelque chose!". Por, realisht, si autorë të kësaj shprehjeje, më shpesh konsiderohen tre personalitete: filozofi anglez Francis Bekon (Francis Bacon, 1st Viscount St Albans - 1561(15610122) - 1626), Volteri (François Marie Arouet; Voltaire - 1694-1778) dhe Bomarsheja. 1799). Ç'është e vërteta, Bekoni dhe Volteri e kanë përdorur këtë shprehje.

Që asokohe, kjo shprehje është përdorur gjerësisht si një fjalë fluturake. Kështu, Bekoni, në veprën e vet me titull "Traktat për vlerën dhe përsosjen e shkencave" (1623), shkruante:

"Siç thuhet zakonisht, shpif, shpif me guxim, nga shpifja gjithmonë diçka do të mbetet, kështu mund të thuhet edhe për mburracakërinë: më beso, mburru me guxim, nga mburracakëria gjithmonë diçka do të mbetet".

Prandaj nganjëherë shprehja në fjalë ka pas qenë cituar edhe në versionin e Bekonit, domethënë në latinishte: "Audacter cahimniare, semper aliquid haeret".

Në të vërtetë, kjo shprehje është shumë e vjetër. Në veprën e Plutarkut (45-127) me titull "Si ta dallojmë lajkatarin nga miku", përmendet dikush me emrin Medius që ishte njëri nga njerëzit e afërt të Aleksandrit të Maqedonisë (356-323 p.e.r.), i cili thoshte:"Përdoreni me guxim shpifjen dhe kafshoni.., vraja do të ngelet me siguri".

Sikur gazeta "Tirana Observer" të qe thelluar më shumë në hulumtimin e "çudisë" së lartpermendur "shqiptare", me siguri që do të kishte zbuluar se shpifja nuk është aspak normë e kulturës shqiptare. Përkundrazi, shpifja eshtë normë e kulturës kombëtare dhe themel i politikës shtetërore në qarqet shoviniste grekosllave në qëndrimin ndaj etnisë shqiptare.

Po mbushet një shekull i tërë që kur daullet e shpuara të shovinizmit grekomadh s'kanë pushuar së ushtuari për kthimin e Shqipërisë së Jugut në territor grek. Shpifjet për shtrembërimin e së vërtetës, e fakteve historike, në Greqi kanë marrë përmasa kaq paradoksale, saqë ato kanë hyrë thellë në psikologjinë e mbarë kombit grek. Madje partitë politike në Greqi, sa herë që zhvillohen fushata zgjedhore, fillojnë e shpalosin flamurin e rreckosur të të ashtuquajtur "Vorio Epir", në mënyrë që të tërheqin sa më shumë elektorat pas vetes. Prandaj shpifja në qëndrimin ndaj etnisë shqiptare dhe kombit shqiptar në tërësi, në Greqi është shndërruar në platformë politike mbarëkombëtare dhe trajtohet si një normë e përhershme e politikës dhe e kulturës greke. Por shprehjen e vet më të pastër, shpifja greke e ka manifestuar në qëndrimin ndaj çështjes çame. Gjenocidin e pashembullt që ushtroi ndaj popullsisë çame, shovinizmi grekomadh e ka justifikuar me një shpifje të ulët, sipas së cilës kjo popullsi krejtësisht e pafajshme gjoja paska bashkëpunuar me trupat pushtuese gjermane. Në të vërtetë, bashkëpunëtore e këtyre trupave ka qenë qeveria greke.

Në veprën shkencore me titull "Tensioni greko-shqiptar. 1939-1949" (Shtëpia Botuese "GEER". Tiranë, 2002), prof.dr. Beqir Meta, mbi bazën e dokumenteve arkivore, hedh dritë të plotë mbi bashkëpunimin e shtetit shovinist grek me nazizmin gjerman. Aty del në pah fare mirë se në qershor të vitit 1944, Zerva dhe oficerët e lartë të tij, në marrëveshje të plotë me gjermanët, në bashkëpunim me trupat e Divizionit X të EDES-it, hynë në Çamëri, iu betuan popullsisë çame nën flamurin grek dhe në nderin ushtarak, me qëllim që të mashtronin parinë vendase të Paramithisë se askush nuk do të pësuakësh gjë! Por grekët nuk kanë as besë, as nder. Besa dhe nderi janë atribute të kombit fisnik shqiptar. Prandaj, më 27 qershor, filloi masakrimi i tmerrshëm i popullsisë çame, i cili u mbyll me një spastrin etnik përfundimtar, paçka se nga radhët e saj kishin dalë 1 000 luftëtarë, pjesëmarrës në formacionet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Greke (ELAS) dhe të EAM-it dhe prej tyre kishin rënë 65 dëshmorë.

Shpifja, si element i formimit psikologjik dhe i konstruktit shpirtëror të shovinizmit grekomadh dhe të komisarit politik të tij, kishës shoviniste greke, fillon e u mëkohet fëmijëve të vegjël me qumështin e nënës dhe me edukatën parashkollore që në kopshtet e tyre, si edhe në shkollën fillore. Shpifjet për punën e Epirit të Veriut dhe për mbarë kombin shqiptar, shteti grek dhe kisha greke ua futin në gjak dhe ua shartojnë në tru pikërisht që në një moshë të tillë.

Gazetarja e nderuar holandeze, zonja Ingeborg Beugel, e cila ka punuar disa vjet në Greqi, në një intervistë që ka dhënë para do kohësh, kujton:

"Djali im gjashtëvjeçar, një ditë u kthye nga shkolla tri orë me vonesë. Ai ishte i emocionuar dhe faqet i kishte të kuqe. Kur e pyeta se çfarë kishte bërë, ai më shpjegoi se ia kishte kaluar shumë bukur. Mësuesit i kishin çuar të gjithë fëmijët në bregdet (ne jetonim në një ishull të vogël grek, Hidra, në atë kohë), për të bërë një demonstratë. Atyre iu ishin dhënë flamuj dhe duhej të bërtisnin: "Evropë, larg duart nga Maqedonia. Maqedonia është greke". Im bir nuk e kishte idenë se ku dhe çfarë është Maqedonia, pasi ishte shumë i vogël. Kur shkova në shkollë që të ankohesha mbi këtë indoktrinim që u bëhej fëmijëve të vegjël e të pafajshëm (ata fare mirë mund t'i kishin thënë tim biri që të gjithë homoseksualët duhet të vriten apo gratë nuk duhet të punojnë), më thanë që nëse nuk e pëlqeja mënyrën greke të edukimit, duhet të kthehesha në Holandë" (Citohet sipas faqes së internetit: "Greqia, kjo bishë e Ballkanit". 05 prill 2010. Përgatiti: Albert Hitoaliaj. Marrë nga Sarajevo-x.com).

Po në atë intervistë, kjo zonjë e nderuar, e cila në profesionin e vet udhëhiqet kryekëput nga kulti i së vërtetës, ia çjerr maskëm keq realitetit grek që përfaqëson një univers të kulluar shpifjesh dhe mashtrimi, një sistem gënjeshtrash, të instaluar me shumë kujdes në të gjitha hallkat shtetërore dhe në të gjitha strukturat e kishës shoviniste greke, në të gjitha poret e një shteti - siç thotë zoti Albert Hitoaliaj në parathënien e kësaj interviste, - që është i verbuar dhe i tmerruar nga pesha e të vërtetave që fsheh dhe manipulon. Ajo deklaron:

"Një herë, në 1994-ën, udhëtoja me një grup vullnetarësh civilë grekë në Banjaluka dhe Bihaç. Grupi, i cili donte që t'u jepte ndihmë "vëllezërve ortodoksë serbë", shoqërohej nga shumë gazetarë grekë të gazetave më të mira greke. Unë isha e vetmja e huaj. Ne kaluam përmes fshatrash dhe qytetesh nga ku mijëra myslimanë ishin përzënë, por grekët ishin të interesuar vetëm për kishat ortodokse të shkatërruara. Në një qytet unë gjeta një pikë shpërndarjeje ushqimi të Kryqit të Kuq, në disa garazhe dhe disa pleq myslimanë të paushqyer dhe shumë të sëmurë, të pamundur që të iknin, të cilët kishin lule në disa qese plastike, si ushqimin e tyre të vetëm pasi nuk mund të blinin asgjë tjetër nga serbët. I shpura kolegët e mi grekë në atë vend. Ata panë atë që unë pashë, dëgjuan atë që unë dëgjova: histori për përdhunime, shtëpi të djegura dhe spastrim etnik, histori të cilat vërtetoheshin edhe nga rrëfimet anonime të njerëzve të Kryqit të Kuq (anonime sepse ata duhet të qëndrojnë neutralë). Gjatë rrugës së kthimit, papritur unë u bëra një e dëbuar brenda në autobus. Bashkudhëtarët e mi grekë, tani më shikonin si një "armik" dhe ata madje diskutuan edhe mundësinë që të më nxirrnin jashtë autobusit dhe të më linin në një postbllok ku qëndronin disa ushtarë serbo-boshnjakë të dehur. "Shpëtova" nga ndërhyrja e dy kolegëve të mi të cilët morën anën time. Pas kthimit në Greqi, pashë nëpër gazeta se çfarë do të shkruanin kolegët grekë. Historitë e tyre ishin komplet të ndryshme nga të miat. Skena e Kryqit të Kuq nuk ishte përshkruar asgjëkund, asgjë për qytetin ku 20 000 myslimanëve iu desh ta braktisnin, asgjë për gjendjen e mjerueshme të myslimanëve, vetëm histori zemërthyese për vuajtjet... e vëllezërve të tyre serbë. Isha e shtangur. Si mundet që shtypi i një vendi me të drejta të plota të BE-së, të jetë kaq i njëanshëm? Telefonova disa prej kolegëve grekë për t'i pyetur në lidhje me shkakun e kësaj ngjarjeje. Shumica e tyre m'u përgjigjën, se nëse do të kishin shkruar atë që unë shkrova, ata do të kishin humbur vendin e tyre të punës".

Pikërisht për këtë kështjellë shpifjesh dhe mashtrimi, me emrin Greqi, Evropa ka ushqyer një dashuri përvëlimtare deri në një të tillë absurdidet, saqë arriti na nanuriste për dekada të tëra në një det të tërë kapitalesh financiare.

Shpifja ka shërbyer dhe shërben si yll karvani edhe për shovinizmin maqedonas. Madje botimi i Enciklopedisë Maqedonase përbën kulmin e histerisë antishqiptare, të shndërruar në platformë të politikës shtetërore. Veçanërisht pas ngjarjeve të fundit, shpifja e shtetit maqedonas ndaj etnisë shqiptare mori përmasa paradoksale, duke u katandisur deri në atë pikë, saqë qeveria maqedonase kuturisi të bëjë një shantazh zyrtar kundër popullit shqiptar të Maqedonisë, duke e akuzuar atë si të lidhur me forca agresive myslimane. Këtë akt të shëmtuar të qeverisë maqedonase e denoncoi me shumë të drejtë Profesor Vedat Shehu në faqen e internetit të datës 15 maj, me titull: "Çështja shqiptare në Ballkan nuk është çështje fetare, por kombëtare".

Një tjetër kështjellë të fuqishme shpifjesh kundër kombit shqiptar, e përfaqëson Rusia neocariste. Duhej të zhvilloheshin ngjarjet tragjike në Kosovë, në mënyrë që arti i shpifjes së këtij supershteti të shpërthente me tërë larminë e vet të pakundshoqe. Gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, mbarë mjetet ruse të informimit masiv u ngritën më këmbë dhe shpifjen kundër shqiptarëve e shndërruan në pjesë përbërëse të moralit kombëtar. Për më tepër, politikanë rusë të rangjeve të ndryshme botuan libra, në të cilët shpifja u bë heroina e tyre kryesore. Këtu poshtë po radhis ca fakte konkrete, në mënyrë që lexuesit e nderuar le të gjykojnë vetë për forcën e artit të shpifjes dhe të urrejtjes ruse ndaj kombit tonë në tërësi dhe sidomos ndaj popullit shqiptar të Kosovës në veçanti.

Nikollaj Rizhkov (ish-funksionar i lartë i nomenklaturës së kuqe të Moskës, i cili gjatë viteve 1982-85 ka mbajtur postin e Sekretarit të KQ të PKBS dhe atë të kryeministrit sovjetik gjatë viteve 1985-90, kurse pas vendosjes së pluralizmit ka qenë deputet i parlamentit dhe kryetar i grupit parlamentar "pushteti i popullit") dhe Vjaçeslav Tetjokin, në librin e tyre me titull "Golgota jugosllave", Moskë 2000) shkruajnë:

"...që në Konferencën e Londrës shqiptarët filluan të paraqitnin pretendime territoriale ndaj Greqisë dhe Serbisë" (f.38) Ose më poshtë: "Sipas disa të dhënave, që nga prilli i vitit 1941 deri në gushtin e vitit 1942, shqiptarët vranë rreth 10 mijë serbë, më shumë se 100 mijë veta (serbë - E.Y.) u përzunë nga territori i krahinës. Njëkohësisht, përafërsisht po kaq shqiptarë u zhvendosën nga Shqipëria dhe u vendosën në Kosovë" (f.39).

Autorët e lartpërmendur, duke iu përmbajtur praktikës serbe të falsifikimit të historisë, arrijnë deri aty sa të kuturisin të shkruajnë edhe shpifje të tilla monstruoze. Shqiptarët nuk i qasi kush në Konferencën e Londrës, ore shpifës të kollarisur të Moskës! Në vend të tyre, në tryezën e asaj Konference, para çdo delegacioni të kasapëve të Evropës, ishte vendosur libri i shpifjeve të kryeministrit serb të asaj kohe.

Ja edhe një tjetër shpifje argëtuese e dy autorëve të sipërpërmendur.

"KFOR-i duhej t'i ruante kufijtë e krahinës. Por, në vend që ta bënte një gjë të tillë, ai i hapi këto kufij për Shqipërinë. Një mori e madhe njerëzish nga Veriu i Shqipërisë u zhvendosën drejt Kosovës. Mendohet se 200 deri në 250 mijë shqiptarë nga viset veriore të Shqipërisë, u dyndën drejt Kosovës dhe u ngulën atje në zona të ndryshme. Ministria e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë i paraqiti të dhënat e duhura Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, duke ngulur këmbë që qytetarët e Shqipërisë të largohen nga Jugosllavia" (f.149).

Ish-ministri i jashtëm rus, Igor Ivanov, një vit pas përfundimit të luftës në Kosovë, shpifte si pa gjë të keqe:

"Po vijnë dëshmi alarmante që tregojnë se pushteti "në hije" në Kosovë, gjithnjë e më shumë po kalon në duart e grupimeve të ndryshme që janë të lidhura ngushtë me organizata kriminale ndërkombëtare, me narkobiznesin, me ekstremizmin islamik" (Citohet sipas: Igor Ivanov. "Politika e jashtme e Rusisë dhe bota. Artikuj dhe diskutime". Shtëpia Botuese ROSSPEN. Moskë 2000, f. 231).

Pikërisht ky ish-ministër i jashtëm i Rusisë, në dhjetëditëshin e dytë të qershorit të vitit 2001, bëri një vizitë në Ballkan dhe kur u kthye në Moskë doli në publik me një tjetër shpifje:

"Para dy ditësh isha në Kosovë dhe pashë se atje veprojnë grupe të armatosura që lëvizin lirisht. Disa prej tyre kanë veshur uniformën e ruajtësit të rendit, të tjerët të UÇK-së, por unë mendoj se këto grupe kanë lidhje të ngushta me grupet terroriste. Organizatat që veprojnë në Kosovë janë të lidhura me ato që veprojnë në Afganistan dhe në zonën e Kaukazit të Veriut. Përfaqësues të KFOR-it më thanë se kishin të dhëna për futjen e luftëtarëve çeçenë në Kosovë" [Citohet sipas: Shaqir Vukaj. "Rusia dhe Kosova. (Shënime të një diplomati)". Tiranë 2007, f.555 ].

Kjo shpifje publike e ish-ministrit të jashtëm Ivanov për punën e "mercenarëve" çeçenë në Kosovë, më solli ndër mend kohën kur në vjeshtën e vitit 1999 shkova me shërbim në Kosovë për të shoqëruar si përkthyes një grup gazetarësh rusë. Gjatë qëndrimit të shkurtër në Pejë, ata u takuan edhe me zotin Gëzim Ostreni, asokohe komandant i KMK-së për zonën e Pejës. Gazetari Nikollaj Pllotnjikov i organit "Njezavisimaja Gazeta" të Moskës, e pyeti veças zotin Ostreni nëse ai kishte dijeni për ca mercenarë shqiptarë që luftojnë në Çeçeni, meqenëse, sipas tij, "forcat ruse kanë kapur katër robër shqiptarë në Çeçeni, por hëpërhë ndodhen në procesin e hetimit dhe nuk dihet asgjë me saktësi se nga kanë ardhur: nga shqiptarët e Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë apo nga diaspora" (Citohet sipas: Eshref Ymeri. "Kur Kosovën unë e pashë". Gazeta "55", 4 dhjetor 1999). Kësaj pyetjeje zoti Ostreni iu përgjigj se ishte e pamundur që në Çeçeni të ndodheshin mercenarë shqiptarë nga Kosova.

Kanë kaluar kaq kohë dhe as pamë dhe as dëgjuam gjë për atë "procesin e hetimit" që na qenka zhvilluar për ata "katër shqiptarët" që paskëshin luftuar në Çeçeni. Sikur të ishte e vërtetë shpifja që tregonte gazetari Pllotnjikov për ata mercenarë "shqiptarë" në Çeçeni, Kremlini do t'u kishte rënë kambanave në të gjitha udhëkryqet e Evropës. Kësisoj, propaganda ruse, që nga gazetari deri te ministri i jashtëm, u binte borive për shndërrimin e Kosovës në qendër të terrorizmit ndërkombëtar. Dhe kjo me të vetmin qëllim, që, përmes shpifjesh publike, të njollosej UÇK-ja si organizatë terroriste dhe të mohohej roli i saj, si formacion luftarak, në shërbim të popullit shqiptar të Kosovës në luftën e tij kundër robërisë serbe.

Një tjetër politikan rus i karrierës, i njohur për antishqiptarizmin e tij të thekur, Vladimir Zhirinovski, i cili, fill pas fitores së kombëtares sonë në Shkodër më 29 mars 2003, kundër kombëtares ruse të futbollit, në kuadrin e eliminatoreve të kampionatit evropian të futbollit të vitit 2004, bëri një deklaratë në formë pyetjeje shpotitëse për të fyer Shqipërinë:

"More pa ma tregoni në hartë se ku ndodhet kjo Shqipëria, xhanëm, se nuk po e gjej dot?".

Në një material me titull "Një Kosovë në Rusi (një parashikim për të ardhmen e Rusisë), të botuar në internet, ai shkruan:

"Në vitet '50 në Jugosllavi u pranuan njerëz që arratiseshin në mënyrë masive nga regjimi i Enver Hoxhës. Ata i vendosën me banim nëpër tokat e Kosovës. Si rezultat, përqindja e popullsisë shqiptare këtu u rrit nga 4% në vitin 1947, në 70% në vitin 1991. Përpjekjet e serbëve që u ndërmorën që në vitet '60 për të tërhequr vëmendjen ndaj një dukurie të tillë, deklaroheshin si "shovinizëm serbomadh". Duke pasur një epërsi të pastër etnike, shqiptarët filluan një luftë, në fillim "paqësore", kurse më pas një luftë të hapur me armë për shkëputjen e krahinës. Kur serbët u munduan të rezistonin, ata u akuzuan për shkelje të së drejtës së kombeve për vetëvendosje dhe ndaj tyre u vendosën sanksione ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, gjatë një periudhe më pak se gjysmëshekullore, territoret që ishin tokë serbe që së lashti, praktikisht rezultuan të spastruara nga serbët në kuptimin më të drejtpërdrejtë fizik. Vuk Drashkoviçi, megjithatë, dikur pati shkruar një libër interesant me titull "Konsulli rus". Në atë libër ai, ndër të tjera, rrëfen se si në fshatin e tij të lindjes që shtrihej në territorin e Kosovës, në vitet '30 të shek. XX, kishin ardhur dy shqiptarët e parë. Vogëlushi madje nuk e dinte se kush ishin ata dhe linte mendjen që ata hanin me dorë, visheshin me zhele, banonin në një harvallinë të braktisur, bënin punë të çfarëdollojshme, nga më rraskapitëset, sa për të nxjerrë ndonjë kacidhe. Këta "arbanasë", siç i quante gjyshja e Vukut, vogëlushit i dukeshin si gjysmëkafshë ekzotike interesante.Po e përsëris: pas tridhjetë vjetësh, shqiptarët në Kosovën serbiane përbënin shumicën e popullsisë. Tani të gjithë e dinë se si përfundoi kjo histori pas tridhjetë vjetësh. Ama ajo pati filluar me dy "arbanas" qesharakë" (Citohet sipas faqes së internetit "Сайт Россiу.ru" në gjuhën ruse).

E kuptoj që politikani Zhirinovski dhe sivëllai i tij serb Vuk Drashkoviçi, nuk mund të rrinë dot pa shpifur kundër shqiptarëve. Por edhe shpifja duhet të ketë një farë karari. Për dijeninë e shovinistit Drashkoviç, shqiptarët nuk ia kanë lejuar kurrë vetes të vishen me zhele. Për më tepër, shqiptarët kurr nuk kanë banuar nëpër harvallina. Ata shqiptarët e Shqipërisë Veriore, prej nga qenkëshin "shpërngulur" ata dy "arbanasët" e gjyshes së Drashkoviçit, nuk ua kanë pasur kurrë idenë harvallinave, se ata kanë pas banuar në kulla prej guri, brenda të cilave ka mjedise për të hedhur valle.

Me sponsorizimin e drejtpërdrejtë të Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të parlamentit rus dhe personalisht të Konstantin Kosaçovit, senatori zviceran, anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dik Marti (Dick Marty), u nxit të përgatiste një raport plot shpifje kundër autoriteteve të Kosovës, në të cilin UÇK-ja akuzohej për trafik organesh njerëzore. Ky raport shpifjesh u prit me kënaqësi dhe u aprovua si i mirëqenë në strukturat përkatëse të Bashkimit Evropian. Kësisoj, mbi bazën e shpifjeve kundër shqiptarëve, Perëndimi Evropian, fill pas përfundimit të luftës në Kosovë, mori tërësisht anën e shovinizmit serbomadh.

Instituti i shpifjes grekosllave ka më shumë se një shekull që noton mbi detin e një urrejtjeje të pafundme kundër kombit shqiptar. Në themel të kësaj urrejtjeje qëndron dëshpërimi i pangushëllueshën greokorus që zë fill pas pushtimit në vitin 1453 të Konstantinopojës prej 22-vjeçarit Mehmeti II, i cili i hodhi në erë themelet e perandorisë bizantine, dhe Mustafa Qemali, gati pesë shekuj më pas, u dha dërrmën grekëve nga Azia e vogël, duke i përzënë si ujku bagëtinë. Grekët humbën rolin e gjelit të fryrë në perandorinë bizantine, kurse rusëve iu mbyll shtegu një herë e përgjithmonë për të zbritur drejt jugut dhe për të zbutur "këmbët e ngrira nga acari siberian" në ujërat e ngrohëta të Mesdheut. Këtë synim të tyre e ka pas zbuluar fare haptas ish-ministri i jashtën rus në vitet 1910-1916, Sergej Sazonov, në librin me titull "Kujtime", Shtëpia Botuese "Harvest", Minsk - 2002. Në atë libër ai shkruan:

"...shtetit rus... kishte harxhuar një shekull e gjysmë, gjatë të cilit i ishte dashur të zhvillonte luftëra të pafundme në veri dhe në jug, me të vetmin qëllim që të çante deri në brigjet detare dhe që deri në ditët tona këtë detyrë ende nuk e ka zgjidhur në një mënyrë të kënaqshme" (f. 87).

Ngjarjet e Kosovës në fund të viteve '90 të shekullit të kaluar u dhanë një nxitje edhe më të fuqishme shpifjeve grekosllave kundër kombit shqiptar, aq më tepër që në anë të kombit shqiptar dhe sidomos të popullit shqiptar të Kosovës, u radhitën Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rusisë neocariste nuk ia mbajti të përballej me fuqinë ushtarake të NATO-s gjatë bombardimeve kundër Serbisë dhe mllefin e vet kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e zbrazi kundër popullit shqiptar të Kosovës dhe kombit shqiptar në tërësi. Madje kundër tij vazhdon të shpif edhe sot e gjithë ditën.

Në një intervistë për mediat ruse, presidenti sirian Asad deklaroi para ca ditësh se opozita po përgatit grupe mercenare që po stërviten në Kosovë, me qëllim pushtimin ushtarak të Sirisë. Në atë deklaratë ai ka bërë publike shpifjen e mëposhtme:

"Kemi këtë informacion të sigurt, që grupe opozitare siriane udhëtojnë drejt Kosovës për t'u përgatitur ushtarakisht, me qëllim që të jene të gatshëm për pushtimin ushtarak të Sirisë" (Citohet sipas faqes së internetit "BalkanWeb", 16 maj 2012).

Intervistën ai ia ka dhënë njërit nga mjetet e informimit masiv rus, siç është "Rossia 24". Interesante! Ky presidenti sirian nuk gjeti mjet tjetër të informimit masiv për të lëshuar një shpifje të tillë, por gjeti pikërisht një mjet rus të informimit masiv? Kjo do të thotë se kjo shpifje e presiendit sirian fillimisht është "tiganisur" në kuzhinën e shpifografisë ruse dhe mandej, si produkt i gatshëm për konsum, i është dhënë Asadit për ta gëlltitur, me porosinë që paskëtaj ai ta "villte" pikërisht në mjetet ruse të informimit masiv. Me të vetmin qëllim që Kosova të stigmatizohet si "vatër" terrorizmi dhe fundamentalizmi islamik.

Shqiptarët, siç thotë historian i shquar gjerman Aleksandër Lambert, përqafuan fenë myslimane për ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar, në përballjen me egërsinë e kishës shoviniste grekosllave. Ky fakt bëri që shpifja grekosllave kundër shqiptarëve të ngrihej në nivelin e një strategjie shtetërore me përmasa të paimagjinueshme.

Gazetarja Ingeborg Beugel, në intervistën e lartpërmendur i zbulon lakuriq arsyet ku mbështeten shpifjet greke kundër kombit shqiptar. Ajo thotë:

"... kam dëgjuar gjatë gjithë kohës argumentet greke mbi rrezikun e një "aksi mysliman" rreth Greqisë, ku, me marifet, Kosova do të bashkohej me Shqipërinë dhe do të bënin një Shqipëri të Madhe, që do ta bënte Greqinë një "sanduiç" me armikun e saj të vjetër, Turqinë. Natyrisht që ishte edhe argumenti i solidaritetit ortodoks dhe urrejtja e vjetër ndaj myslimanëve, aleatëve të Turqisë. Por unë nuk e kam besuar kurrë këtë gjë".

Greqia, duke e pasur pabesinë në themel të politikës shtetërore, mendon se edhe fqinjët e saj, Turqia dhe Shqipëria, udhëhiqen gjoja nga motivi i pabesisë në qëndrimin ndaj saj. Populli ynë ka një shprehje shumë të bukur që i shkon shumë për shtat natyrës shpifarake dhe të pabesë të moralit grek: "të ligut veç për të liga i punon mendja". Shqipëria "e Madhe" do të krijohet, por ajo do të jetë Shqipëria Etnike", jo Shqipëria e Madhe, siç i pëlqen të shpifë grekosllavizmit. Por edhe kur të krijohet Shqipëria Etnike, kjo, bashkë me Turqinë, kurrë s'kanë për ta konsideruar Greqinë si ndonjë "sanduiç", se asnjëherë nuk janë udhëhequr dhe nuk do të udhëhiqen kurrë nga epshe shoviniste, për të pushtuar territore të huaja, siç donte të bënte Greqia me Shqipërinë në ngjarjet e vitit 1997.

Në fund, dëshiroj t'i kthehem edhe një herë asaj "çudisë shqiptare" me nr. 24 që përmenda më lart: Shpif se diçka do të mbetet, normë e kulturës shqiptare". Për këtë "çudi", gazeta "Tirana Observer" paska dhënë këtë shpjegim: "Në periudhën post-komuniste në Shqipëri politikanët i kanë lejuar të drejtën vetes që të shajnë, të shpifin për këdo dhe për çfarëdo, dhe të mos mbajnë përgjegjësi. Kemi një kategori politikanësh, të cilët në mënyrë krejt të papërgjegjshme akuzojnë, shajnë dhe fyejnë ata që nuk janë në linjën e tyre" (citohet sipas faqes së internetit të zotit Luigj Shkodrani që iu referova në fillim).

Për mendimin tim, të identifikosh normën e kulturës së politikanëve shqiptarë me normën e kulturës shqiptare, do të thotë t'i lejosh vetes një gabim trashanik që e ka burimin ose te naiviteti i kësaj gazete, ose te mercenarizmi i saj në shërbim të të huajve, që ka për qëllim shtrembërimin e së vërtetës për Shqipërinë. Është e vërtetë se politikanët shqiptarë shpifin për njëri-tjetrin, për ta nxjerrë sa më në pah mercenarizmin e tyre para të huajve dhe për t'u bërë sa më të pëlqyeshëm për të huajt. Por kultura shqiptare që buron nga përvoja shumëshekullore e kombit shqiptar, nuk e ka pasur kurrë në traditën e vet institutin e shpifjes. Në traditën e saj bien në sy besa, burrëria fisnikëria dhe mikëpritja, të cilat u manifestuan në mënyrën më të shkëlqyer në qëndrimin ndaj ushtarëve të mjerë italianë, pas kapitullimit të Italisë fashiste më 08 shtator 1943, dhe sidomos ndaj hebrenjve, për të cilët familjet e thjeshta shqiptare vunë edhe veten në rrezik, vetëm e vetëm që ata të mos binin në duart e nazistëve gjermanë.

Por këto dy raste të manifestimit të kulturës së shkëlqyer shqiptare, për çudi, nuk përbëkan "çudi shqiptare" në varganin e 50 çudive që gazeta "Tirana Observer" paskej botuar në faqet e saj. Politika antikombëtare e Enver Hoxhës, për gati 50 vjet me radhë, i mbajti të fshehura në sirtar këto manifestime të kulturës shqiptare. Evropa, po ashtu, nuk tha një fjalë të vetme për to, se asaj kurrë nuk i ka interesuar të pikasë shfaqje të virtyteve të kombit shqiptar, me të cilin kjo Evropë duhet të jetë krenare, siç thotë historiani Aleksandër Lambert.

Para pak ditësh, eurodeputetit italian Mario Borghezio, sipas faqes së internetit BalkanWeb të datës 16 maj 2012, lëshoi deklarata shpifëse kundër shqiptarëve në një emision radiofonik. Por nuk munda të lexoj kund në faqet e internetit ndonjë reagim të gazetës "Tirana Observer", për t'i kujtuar këtij, demek, eurodeputeti atë historinë e ushtarëve italianë, të cilët familjet e thjeshta, por shumë fisnike të fshatrave shqiptare, nuk i lanë të vdisnin nga uria dhe acari i dimrit të viteve 1943-1944, paçka se ata patën hyrë në tokën shqiptare si agresorë, me zjarr dhe me hekur në dorë.

Ohajo, Sinsinati. 22 maj 2012

ESHREF YMERI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
A ËSHTË AMERIKA NË RËNIE?Nga FRANK SHKRELI (05.23.2012)
DIPLOMACIA RUSE ME MULLINJTË E ERËS NË KOSOVËNga SHABAN MURATI (05.22.2012)
SHQIPËRIA POSTKOMUNISTE DREJT PRESIDENTIT TË GJASHTËNga SKËNDER BUÒªPAPAJ (05.21.2012)
Replikë me një të panjohurHOSANA, BARABA!Nga RESHAT KRIPA (05.19.2012)
Barometri diplomatikTIRANA DHE PRISHTINA ZYRTARISHT PROMOVUAN DHE MBROJNË IDENË E BASHKIMIT MBARËKOMBËTAR SHQIPTARProf. Dr. MEHDI HYSENI (05.18.2012)
SAMITI I 25-TË I ALEANCËS SË ATLANTIKUT VERIOR – NATO, NË ÇIKAGONga FRANK SHKRELI (05.18.2012)
SHQIPËRISË I DUHET NJË KRYETAR SHTETI SIPAS PROFILIT TË PRESIDENTIT TË GJERMANISË JOACHIM GAUCK-Nga ELIDA BUÇPAPAJ - (05.17.2012)
DEKLARATË E KISHËS KATOLIKE SHQIPTARE ME RASTIN E 100 VJETORIT TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISËNga FRANK SHKRELI (05.16.2012)
"RILINDJE SHQIPTARE" APO "RIPËRTËRITJE E SOCIALDEMOKRACISË"Nga PËRPARIM KABO (05.15.2012)
AZIA KUNDËR EUROPËSNga SHABAN MURATI (05.14.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]