E Djelë, 08.18.2019, 06:24pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

NEVOJA PËR NJË POLITIKË TË QYTETËRUAR

Nga FRANK SHKRELI


E Martë, 05.29.2012, 04:29pm (GMT+1)


Ndërkohë që këtu në Shtetet e Bashkuara po zhvillohet një fushatë e nxehtë elektorale për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në nëntor midis dy kundërshtarëve kryesorë politikë, kandidatit të Partisë Demokrate, Presidentit Barak Obama dhe kandidatit të Partisë Republikane ish-governatorit Mit Ramni -- kanë filluar të trashen fjalët, dhe të ashpërsohen akuzat dhe kundër akuzat, jo vetem midis dy kandidatëve por edhe midis bashkëpuntorëve dhe përkrahësve të tyre politikë si dhe grupeve të interesave të posaçme, që përkrahin njërin ose tjetrin kandidat.

Në të njëjtën kohë edhe në Shqipëri po zhvillohet një proces për zgjedhjen e presidentit të ardhëshëm të vendit. Megjithëse procesi për zgjedhjen e presidentit në Shqipëri eshtë krejt ndryshe, kryesisht për nga kërkesat kushtetetutore-- në krahasim me fushatën e gjatë elektorale për zgjedhjen e presidentit që po zhvillohet në Amerikë -- duket sikurë i gjithë vendi është kaplluar nga ato që media shqiptare karakterizon si "ethe presidenciale". Ndërkohë që këtu në Amerikë, megjithë akuzat dhe kundër akuzat e ashpëra ndaj njëri tjetrit dhe midis përkrahësve të dy kandidatëve, përgjithësisht debatohet në lidhje me çështje që i interesojnë votuesit, ose të pakën segmente të ndryshme votuesish. Mbi të gjitha për çështje siç është ekonomia, papunësia, dhe deficitet buxhetore në nivel kombëtar, shtetërorë dhe vendorë.

Votuesit amerikanë, mbi të gjitha, duanë të dine, mbi të gjitha, se cili prej kandidatëve të dy partive kryesore mund ta nxjerrë vendin nga këjo situatë e rëndë ekonomike, dhe nuk janë të interesuar aspak në sulmet politike, që normalisht dhe për mirë ose për keq, janë pjesë e procesit të zgjedhjeve në këtë vend. Për fat të keq, shkëmbimi i akuzave të tilla dhe sulmeve personale tërheqin më shumë vëmendjen se sa çështjet serioze me të cilat pëballet vendi. Mungesa e qytetërimit politik, sidomos gjatë fushatave elektorale, ekziston pra në Amerikë dhe në vende të tjera demokratike, pasi është bërë pjesë e procesit. Edhe në Shqiperi duket sikur mungesa e qytetërimit politik, paragjykimet dhe sulmet personale kundër kandidatëve të mundshëm ose fiktiv për presdient, kanë tërhequr një vëmendje më të madhe në median shqiptare dhe në qarqet diplomatike në Tirane, se sa vet procesi për zgjedhjen e presidentit, madje edhe më tepër se ç’duhej të tërheqin debatet mbi aftësitë politike dhe morale që duhet të ketë një kandidat, cilido qoftë ai ose ajo, për të kryer detyrën e kryetarit të shtetit.

Ideja e këtij shkrimi lindi duke shikuar reklama elektorale në televizionin amerikan të presidentit Obama dhe ish-governatorit Ramni kundër njëri tjetrit e të cilave sipas ekspertëve dallohen nga ashpërsia dhe nga mungesa e të ashtuquajturit qytetërim politik. Sipas anketave publike, rreth 80 për qind e amerikanëve thonë se janë të shqetësuar nga mungesa e një diskursi të qytetëruar dhe të respektueshëm në procesin politik të vendit. Por mora shkas gjithashtu edhe nga saga e gjatë dhe debatet e ashpëra midis pozitës dhe opozitës si dhe grupeve të tjera politike dhe ndërmjetsimit të diplomatëve përendimorë në Shqipëri për zgjedhjen e presidentit të ardhëshëm të vendit.

Mungesa e qytetërimit politik në fushata elektorale dhe diskurse politike në Shtetet e Bashkuara është aq e vjetër sa edhe ekzistenca e Amerikës si shtet, pra nuk është diçka e re as këtu në Amerikë, një vend ky që ka një traditë të gjatë demokratike. Madje, madje këtu në Amerikë ishte presidenti i parë i Shteteve te Bashkuara Xhorxh Uashingtoni, ai që në fjalimin e inaugurimit të tij si president i kombit te ri, i cili që atëherë theksoi nevojën dhe paraljmëroi kombin për një qytetërim politik duke u premtuar bashkadhetarëve të tij, "një angazhim të ri për të realizuar premtimet e kombit tonë nepërmjet qytetërimit politik, guximit, mëshirës dhe karakterit moral. Mbi të gjitha, Amerika duhet të përshtatë dhe të harmonizojë angazhimet e saj parimore me shqetësimet dhe me nevojën për një shoqëri politikisht të qytetëruar."

Ushtrimi dhe përvehtësimi i qytetërimit në politikë dhe në jetën e përditshme nënkupton resepktin dhe vlerën që ne kemi për një person tjetër. Stiven Karter, i cili komenton për shumë gazeta amerikane, në librin e tij me titull "Qytetërimi’’, shkruan se sjelljet tona, me vepra dhe me fjalë, "Janë shenjë e respektit tonë për bashkqytetarët tanë, që t’i konsiderojmë ata si të barabartë me ne, si para ligjit ashtu edhe para Perëndisë. Kështuqë rregullat e qytetërimit politik janë, në të njëjtën kohë, edhe rregullat e moralit. Është e moralshme’’, thotë ai, "që bashkqytetarët tanë t’i trajtojmë me respekt dhe e pa-morlashme nëqoftse nuk bëjmë një gjë të tillë. Kriza e mungesës së qytetërimit civil e politik në kohën tonë, është pjesë e një krize më të madhe morale’’, shton Stiven Karter.


Për të përshkruar këtë qytetërim ose sjelljet e mira politike, në anglisht përdoret fraza "political civility" dhe në frëngjisht fjala "civilite' " e që e ka të njëjtën rrënjë etimologjike me fjalët "qytetërim" ose i "qytetruar", e që me fjalë të tjera nënkupton njerëz të shtëpisë ose pjesëtarë të një familjeje. Si rrjedhim, në jetën e çdo familjeje ka disa rregulla që mundësojnë anëtaret e familjes të jetojnë në paqë e harmoni me njëri tjetrin. Edhe në sistemin dhe jetën politike të çdo vendi, ekzistojnë disa rregulla të qytetërimit politik që, nëqoftse zbatohen, duhet të bejnë të mundur të jetuarit në paqë dhe respekt për njëri tjetrin dhe tolerancë për mendimet e ndryshme të njeri tjetrit, qofshin ata edhe kundërshtarë politikë. Ashtu si çdo anëtar i familjes ka përgjegjësi për mirëvajtjen e familjes së vet në terësi, në të njëjtën kohë, secili prej nesh si pjesëtarë të shoqërisë ku jetojmë, kemi përgjegjësi dhe obligime jo vetem karshi njëri tjetërit, por edhe ndaj shoqërisë, shtetit dhe kombit të cilit i përkasim.

Xhim Liç, një ish-kongresmen republikan i cili ka shërbyer 30 vjetë ne Kongresin amerikan, thotë në një artikull mbi këtë subjekt se "qytetërimi politik nuk ka të bëjë vetëm me sjellje të mira dhe nuk do të thotë se debatet e ashpëra duhet të shmangen. Përkundrazi, ajo që nevojitë qytetërimi politik është gatishmëria nga ana e një individi për të dëgjuar me respekt pikëpamjet dhe qendrimet e të tjerëve, duke qenë të vetdijshëm se të gjithë ne jemi të lidhur dhe varemi nga njëri tjetri.'' Kongresmeni Liç, vazhdon duke thënë se "është krejtësisht e natyrshme dhe në të vërtetë është normale dhe pritet që qytetarët të mos jenë dakord me njëri tjetrin mbi çështje politike dhe me qëndrimet e kandidatëve të ndryshëm dhe që më në fund këto mosmarrveshje t’i shprehin me votën e tyre." Por ajo që është me e rëndësishme sipas tij, " është nëse kandidatët ose partia që më në fund fiton zgjedhjet, kanë seriozitetin e duhur dhe kurajon politike të nevojshëme për tu angazhuar për një bashkpunim me të gjithë, për të mirën dhe interesat e përbashkëta madhore."

Më kujtohet kur ndërroi jetë ish-presidenti amerikan Ronald Reagan më 2004. Varrimi i tij dhe ritet funerale, bashkuan politikanët amerikanë të të gjitha ngjyrave, konservatorë, liberalë dhe të qendrës, republikanë e demokratë. Kur vdiq ai, në Amerikë ishte gjithashtu kulmi i një fushate të egër politike për president midis republikanit Xhorxh W Bush dhe demokratit Xhon Kerri. Në shenjë respekti që të gjithë kishin për presidentin Reagan, për ceremonitë e varrimit, të dy fushatat nderprenë reklamat armiqësore kundër njëri tjetrit dhe të gjithë të bashkuar në kujtim dhë për të nderuar ish presidentin Reagan dhe politikën e tij të qytëruar karshi kundërshtarëve të tij politikë, për të cilën ai ishte i njohur -- të pakën përkohësisht shpallën paqë në luftën e tyre politike të egër për pushtet.

Në Shqipëri në këte 100-vjetor të pavarësisë së vendit, me të drejtë dhe me plot krenari po bëhen plane dhe po miratohen programe dhe po organizohen evenimente madhështore për të festuar arritjen më të madhe të kombit në 100-vjetë, pavarësinë e shtetit shqiptar. Por nderi me i madh që mund t’i bëhej Shqipërise dhe kombit shqiptar në ketë vit jubilar, do të ishte vendosja e diskursit dhe qytetërimit politik në jetën dhe debatin politik të vendit – të pakën këtë vit -- midis partive kryesore politike dhe aleatëve të tyre me zgjedhjen e një presidenti me konsensus të gjërë, duke i dhënë kështu vendit një fillim të ri në jetën demokratike dhe duke lënë pas gabimet dhe armiqësitë politike të së kaluarës si dhe frustrimet e shumëta të popullit me proceset politike në vend -- ashtuqë Kuvendi Shqiptar të bëhet me të vërtetë organi politik që përfaqëson interesat e popullit dhe për të cilin ka nevojë dhe e do populli dhe kombi. "Bën shoqëri me burra me cilësi të mira nëqoftse vlerëson reputacionin tënd, sepse është më mirë të jeshë vetëm se sa të jeshë në shoqëri të keqe.’’ (Xhorxh Uashington)


Por në fund të fundit, qoftë në Amerikë, qoftë në Shqipëri, janë votuesit ata të cilët duhet të kërkojnë llogari dhe dhënjen fund të sjelljeve dhe debateve të ligshta politike në radhët e politikanëve dhe të përfaqsuesve të partive në parlament , gjatë fushatave elektorale, në nivele të ndryshme të qeverisë dhe shtetit dhe të kërkojnë prej të gjithëve që tu jepet fund grindjeve të përhershme politike e të punojnë për të mirën e përbashkët, pasi politikanët kudo angazhohen në sulme të ligështa personale ndaj kundërshtarëve politikë për derisa sjellje të tilla tolerohen nga elektorati.

FRANK SHKRELI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NGA MOSKA ME DASHURI, NIKOLIÇINga SHABAN MURATI (05.29.2012)
Në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisëMEDITIM PARA MOZAIKUTNga RESHAT KRIPA (05.26.2012)
SHTETI TË MBROJË JETËN, JO TË MENAXHOJË VDEKJEN!Nga PËRPARIM KABO (05.25.2012)
AMNESTY INTERNATIONAL: GJENDJA E TË DREJTAVE TË NJERIUT NË BOTËNga FRANK SHKRELI (05.25.2012)
RAMUSH HARADINAJ: DREJTËSIA E VONUAR ËSHTË DREJTËSI E MOHUARNga SHIRLEY CLOYES DIOGUARDI (05.24.2012)
SHPIF, SHPIF, SE DIÇKA DO TË MBETETNga ESHREF YMERI (05.24.2012)
A ËSHTË AMERIKA NË RËNIE?Nga FRANK SHKRELI (05.23.2012)
DIPLOMACIA RUSE ME MULLINJTË E ERËS NË KOSOVËNga SHABAN MURATI (05.22.2012)
SHQIPËRIA POSTKOMUNISTE DREJT PRESIDENTIT TË GJASHTËNga SKËNDER BUҪPAPAJ (05.21.2012)
Replikë me një të panjohurHOSANA, BARABA!Nga RESHAT KRIPA (05.19.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Gusht 2019  
D H M M E P S
        1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]