VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
SHQIPTARËT E MAQEDONISË, PRIORITET I ÇËSHTJES KOMBËTARE Nga SHABAN MURATI E Martë, 06.12.2012, 09:30am (GMT1) Në programin kombëtar të çështjes shqiptare paraqiten disa problematika dhe objektiva për t'u zgjidhur. Sistemi i tërësisë së problemeve kombëtare përfshin dhe sugjeron një hierarki në trajtimin dhe në detyrat e zgjidhjes së tyre. Në momentin e ri historik, ku ndodhet çështja shqiptare, prioriteti numër një i takon çështjes së popullit shqiptar në Maqedoni. Çështja e shqiptarëve në Maqedoni është aktualisht përbërësi kryesor i çështjes së pazgjidhur shqiptare në përgjithësi. Ky prioritet u jetësua në vitin 2008, pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe formësimit të saj si subjekt i pavarur i të drejtës ndërkombëtare. Me pavarësimin juridik të shtetit të Kosovës, të konsakruar edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në 22 korrik 2010, dhe me njohjen nga mbi 90 shtete të botës, çështja e Kosovës pushon së qeni përbërësi kryesor i çështjes shqiptare, status që e ka pasur për afro 100 vjet. Çështja e shqiptarëve në Maqedoni del tani përbërësi kryesor: Çështja e statusit të popullit shqiptar në Maqedoni kërkon një formatim juridik përfundimtar. 21 vjet tranzicion të kësaj çështjeje kanë qenë të mjaftueshëm për të sjellë përvojën dhe përfundimin se tashmë duhet kaluar nga faza e koalicioneve qeveritare formale në fazën e drejtimit të përbashkët shtetëror. Statusi i shtetformimit, është tashmë i pakët, sepse është jashtë çdo logjike historike dhe juridike që populli shqiptar në Maqedoni të gëzojë më pak se serbët e Bosnjë-Hercegovinës. Në formulimin e statusit juridiko-kushtetues të popullit shqiptar në Maqedoni duhet të shkohet jo si rezultat i sintagmave të kapërcyera romantike apo folklorike, por si rezultat i emëruesit të përbashkët të të drejtave të popullit shqiptar në Maqedoni për të jetuar, gëzuar dhe drejtuar shtetin e Maqedonisë, si shtetin e përbashkët, për të cilin shqiptarët dhanë konsensusin ekzistencial në vitin 1991. Europa demokratike dhe e qytetëruar ka plot shembuj shtetesh, ku komunitete të ndryshme etnike jetojnë në harmoni juridike të drejtash, lirish dhe vendimmarrjeje. Në çështjen e popullit shqiptar në Maqedoni duhet të mbajmë parasysh problemin delikat të përpjekjeve historike të pushteteve sllave për mpakjen dhe humbjen nëpër histori të masave shqiptare në ato troje. Çështja e popullit shqiptar në Maqedoni ndodhet nën presione dhe diversione të mbidheshme dhe të nëndheshme të strukturave dhe të qendrave antishqiptare, dhe ato janë kaq komplekse dhe të sofistikuara, sa që disa herë hutojnë edhe grupe intelektuale apo politike në Shqipëri, Kosovë, dhe gjetkë, të cilët nuk njohin dhe nuk kuptojnë, ose nuk duan të kuptojnë, terrenin e vështirë, të rrëshqitshëm dhe specifik të atij shteti. Në këtë kuadër është e nevojshme të theksohet se çështja e shqiptarëve në Maqedoni kërkon një kujdes të veçantë dhe një respekt më të madh në qëndrimin ndaj ndjenjave të tyre fetare. Prioriteti i çështjes së shqiptarëve në Maqedoni si përbërësi kryesor i çështjes shqiptare duhet të vendoset në platformën e politikës së jashtme dhe të diplomacisë së shtetit shqiptar, të shtetit të Kosovës, të forcave politike shqiptare në Maqedoni dhe në të gjitha trojet amtare në gadishull, si dhe në diasporë. Kjo kërkon një nivel të lartë kuptimi dhe përdorimi të kartave diplomatike të arta si njohja e emrit apo vota për pranimin e Maqedonisë në NATO, të cilat duhet thënë se janë trajtuar nga Shqipëria jo në shkallën, që kërkon interesi shtetëror dhe kombëtar dhe duke anashkaluar interesat tona kombëtare në Maqedoni. Çështja shqiptare në Maqedoni nuk është vetëm çështje e shqiptarëve dhe e forcave politike në Maqedoni, të cilat natyrisht kanë barrën kryesore të ndërgjegjësimit të vetvetes dhe të aksionit për prioritarizimin e çështjes shqiptare në Maqedoni. Ajo duhet kuptuar dhe trajtuar si çështje politike, diplomatike, sigurie, strategjike, gjeopolitike etj, dhe duhet konsideruar si pjesë e interesave jetike të kombit shqiptar. Ajo është një motor dhe një gjenerator, që mban gjallë çështjen shqiptare në Ballkan. Çështja e shqiptarëve në Maqedoni është sot prioriteti numër një i çështjes sonë ende të pazgjidhur kombëtare. SHABAN MURATI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |