Këtë verë me vapë, fushata për president këtu në Shtetet e Bashkuara ka arritur
kulmin për nga ashpërsia dhe agresiviteti i sulmeve midis kandidatëve të dy
partive kryesore për president, demokratit Barak Obama dhe republikanit Mit
Romni. Deri tashti, pothuaj pa ndërprerje, debati midis dy kandidatëve dhe
fushatave të tyre është përqëndruar kryesisht mbi ngadalësimin e veprimtarive
ekonomike, mbi deficitet buxhetore dhe mbi masat që duhen marrë për krijimin e
punëve të reja për miliona amerikanë të papunë, që llogaritet të jenë 8,2 për
qind të forcës punëtore. Me përjashtim kur vendi ishte në luftë, shëndeti i
ekonomisë pothuaj gjithmonë ka vendosur fituesin e zgjedhjeve presidenciale,
pasi është ekonomia ajo që mbi të gjitha preokupon familjet amerikane. ''Është
ekonomia, o i trashë'', është fraza që u bë e famëshme gjatë fushatës së
suksesshme presidenciale të Presidentit Bill Klinton më 1992. Ka të ngjarë që
gjëndja e rëndë ekonomike me të cilën përballen shumë familje amerikane të jetë
çështja kryesore që preokupon shumicën e amerikanëve në këtë vit zgjedhjesh
presidenciale dhe jo sigurimi kombëtar ose politika e jashtme në përgjithësi,
përfshirë terrorizmin, luftën në Afganistan, krizën financiare në Evropë,
Sirinë, e tjera.
Megjithkëtë, duket se ketë javë, Obama dhe Romni ia kanë dedikuar
përqëndrimin e fushatës së tyre,politikës së jashtme dhe asaj ushtarake. Të
hënën, Presidenti Obama mbajti një fjalim në kuvendin e Veteranëve të Luftërave
Jashtë vendit, gjatë të cilit ai sulmoi ashpër kredencialet e politikës së
jashtme të kandidatit republikan Romni. Presidenti Obama iu
përgjigj drejtë për drejtë akuzës që ka bërë fushata e kandidatit Romnit ndaj
politikës së jashtme të Presidentit Obama, se gjatë administratës së tij,
Amerika ka pësuar rënje dhe humbje të influencës së saj anë e mbarë botës.
Presdienti Obama u tha veteranëve se ''Nëqoftse dikush përpiqet t'u bind ju se
madhështia e këtij vendi ishte në të kaluarën, se Amerika është në rënje, ju
thuajuni atyre se ashtu si edhe shekulli i 20-tët, edhe shekulli 21 do të jetë
gjithashtu një shekull tjetër i madh për Amerikën.'' Presidenti Obama tha
në kuvendin e veteranëve se si komandant i forcave të armatosura, presidenti u
ka borxh forcave të armatosura dhe kombit që të ketë një plan të përpiluar, e
ky plan sipas tij, duhet të ''përfshijë vendosmërinë jo vetëm për të filluar
luftërat nëqoftse është e nevojshme, por edhe aftësinë për t'u dhënë fund atyre
luftërave.''
Fushata e Mit Romnit qe e gatëshme me sulmet e saj ndaj fjalimit dhe politikës
së jashtme të administratës së Presidintit Obama, duke thënë se ''Presidenti
Obama medon se vizita në një vend aleat të ngushtë (Izraelin) në Lindjen e
Mesme është e parëndësishme, se Hugo Çavezi i Venezuelës nuk përbën ndonjë
kërcnim serioz, se përgjigjëja e duhur ndaj Rusisë është që t'i premtoj asajë
më shumë fleksibilitet në shkëmbim për t'i dhënë atij një hapësirë më të madhe
para zgjedhjeve të Nëntorit.'' Fushata e kandidatit republikan për
president, duke reaguar ndaj fjalimit të Presidentit Obama në kuvendin e
veteranëve të Amerikës, deklaroi gjithashtu se ''është e qartë se politika e
jashtme e presidentit Obama është e hutuar, jo efektive dhe është një politikë
që ka dobësuar influencën e Amerikës në çdo rajon të botës.'' Sipas deklaratës
së fushatës presidenciale të Mit Romnit, ''Governatori Romni i dallon mirë
aleatët nga kundërshtarët që duan të na sfidojnë. Ai do të përkrahë
aleatët dhe do të rivendosë fuqinë e Amerikës dhe në të njëjtën kohë është i
vendosur të mbrojë interesat dhe vlerat tona anë e mbanë botës'', përfundon
deklarata e fushatës së Mit Romnit.
Një ditë më vonë, edhe kandidati republikan për president Romni, foli në
kuvendin e veteranëve duke thënë se, "Beson me gjithë shpirt në madhështinë e
këtij vendi. Mua nuk më turpëron fuqia e Amerikës. Unë jam krenar
se gjatë gjithë historisë, fuqia e jonë ka vendosur drejtësinë aty ku zotëronte
tirania, paqën aty ku kishte konflikte dhe shpresën aty ku mbizotëronte
dëshpërimi....Unë besoj se vendi ynë është fuqia më e madhe që ka njohur ndonjëherë
bota, për të bërë mirë në këtë botë --dhe se bot ka nevojë për influencën tonë,
tani më shumë se kurdoherë tjetër...Unë besoj me pasion se ky shekull duhet të
jetë një shekull i Amerikës'', u tha Mit Romni veteranëve të Amerikës.
Ndërkaq, Miçellë Flornoj, një ish zëvendës-Sekretare për Politikën e Mbrojtjes
i tha gazetës USA Today se nga pikëpamja e saj, ''është e qartë se ç'prej
zgjedhjes së Presidentit Obama katër vjetë më parë, ai ka qenë i sukseshsëm në
ringalljen e aleancave, sidomos në Evropë dhe se ai ka forcuar rolin e Shteteve
të Bashkuara anë e mbanë botës.''
Është bërë si traditë që kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara të
vizitojnë Evropën para zgjedhjeve të Nëntorit për të treguar se janë të aftë të
merren edhe me marrëdhënjet e jashtme duke u takuar me udhëheqës të vendeve të
ndryshme. As sivjet nuk mund të ishte ndryshe. Mit Romni mësyn drejtë
Evropës. Deri diku edhe në përgjigje të kritikave të fushatës së
Presidentit Obama se Mit Romni nuk ka përvojën e nevojshme në fushën e në
politikës së jashtme, sidomos përsa i përket Lindjes së Mesme dhe marrëdhënjeve
me Rusinë, kandidati i republikanëve Mit Romni, i cili po përpiqet të bëhet
''udhëheqsi i botës së lirë'', viziton këtë javë Britaninë e Madhe, Poloninë
dhe Izraelin, vizitë këjo që media patjetër do ta krahasojë me vizitën që pat
bërë kandidati Barak Obama në Gjermani katër vjetë më parë, ku u prit nga
dhjetëra mijëra veta në Berlin. Vizita e Mit Romnit këtë javë në Evropë nuk do
të jetë e tillë dhe nuk do të tërheqë dhjetëra mijëra veta.
Por i vetdijshëm se disa sondazhe tregojnë se ai përballet me disa sfida për të
bindur amerikanët se ai është kandidati më i mirë për të udhëhequr politikën e
jashtme amerikane, Mit Romni po viziton vendet që ai i konsideron si aleatë
të ngushtë të Amerikës, duke filluar me Britaninë e Madhe ku do të takohet me
udhëheqsit më të lartë britanikë dhe do të marrë pjesë në hapjen e
lojërave olimpike. Poloninë do ta vizitojë i ftuar nga ish presidenti Lek
Valesa, e ku do të ketë mundësi të diskutojë edhe për marrëdhënjet me Rusinë,
të cilën Mit Romni e ka cilësuar, kohë më parë, si ''armikun gjeopolitik numër
një'' të Shteteve të Bashkuara. Edhe në Izrael, kandidati republikan për
president, do të takohet me udhëheqsit më të lartë të vendit, përfshirë
presidentin dhe kryeminsitrin izrealit, si edhe kryeministrin e Autoritetit
Palestinez, dhe udhëheqës të tjerë. Gjatë vizitës në Izrael ai do të
mbajë një fjalim me rëndësi mbi gjëndjen në Lindjen e Mesme.
Megjithëse fituesi dhe humbësi në zgjedhjet presidenciale, historikisht,
vendoset nga politika e mbrendshme, si çeshtjet ekonomike dhe të punësimit,
Drejtori Ekzekutiv i institutit Forajn Polisi Inishativë, Xhejmi Flaj thotë se
udhëtimi i Mit Romnit në Evropë do të sjellë patjetër vëmendjen ndaj disa
çeshtjeve të politikës së jashtme dhe të sigurisë, e që deri tani nuk kanë qenë
prioritet i asnjërës fushatë. Ai i tha se ''Populli amerikan duhet të dijë se
(në Nëntor) zgjedhë komandantin e forcave të armatosura dhe jo vetëm dike që do
të ndreqë ekonominë. Unë jamë gjithmonë i shqetuar'', shtoi ai, ''kur
gjatë fushatës për president nuk zhvillojmë një debat të vërtetë dhe domethënës
në lidhje me sigurimin kombëtar. Ne kemi nevojë urgjente të kemi
një dialog'', të tillë në lidhje me politikën e jashtme dhe të sigurimit
kombëtar, tha ai.
Ka mundësi që vizita e Mit Romnit në Evropë dhe në Lindjen e Mesme të mos ketë
asnjë sukses ose arritje nga e cila ai të mund të pëfitojë si kandidat
për president të Shteteve të Bashkuara. Megjithëkëtë ajo duhet të
mirëpritet si një ngjarje -- që të pakën këtë javë -- fushata për president
këtu në Shtetet e Bashkuara po përqëndrohet kryesisht mbi politikën e jashtme
dhe të sigurisë kombëtare të presidentit Obama gjatë katër vjetëve të
kaluara. Dhe në të njëjtën kohë ajo po nxitë debate në media dhe në
qendra akademike --mbi alternativat që paraqet kundërshtari i tij,
kandidati republikan për president Mit Romni, duke mundësuar kështu votuesit
amerikanë të kenë një ide më të mirë se cili prej dy kandidatëve për president
-- Barak Obama apo Mit Romni është kujdestar më i mirë i sigurimit
kombëtar dhe i politikës së jashtme i të vetmes supër fuqi në botë sot.