Ishim së bashku dekada të tëra nëpër manifestime kulturore, akademi, seminare,
simpoziume, përvjetore... Sidomos ishim së bashku nëpër sprova, vuajtje,
pësime, batica-zbatica të kohës dhe hapësirave tona, shpesh të sharë dhe të
nëpërkëmbur, të kërcnuar dhe të rrezikuar, së bashku me Popullin tonë... Ishim
dhe njiheshim si dy "bashkëudhëtarë" të cilët ecin secili rrugës së vet, por
jeta, rruga, njerëzit, ngjarjet shpesh i "kryqëzojnë" ...
Gjatë vitit 1981, pra, gjatë demostratave studentore, punëtore, gjithëpopullore
në Prishtinë, më vonë edhe në mbarë Kosovën, Ali Podrimja, së bashku me Rifat
Kukën, Fahredin Gungën, Azem Shkrelin, Anton Pashkun e shumë të tjerë...,
shqyrtonim vëllazërisht gjendjen e posakrijuar. Mendonim shumë e flisnim pak,
sepse gjendja e tillë ishte tejet e rrezikshme dhe pa ndonjë perspektivë të
qartë...
Dikush prej të pranishmëve ndërhyri dhe profetikisht tha: "Burra, jemi të
dënuar në Liri!". Dhe prapë heshtje, shikime, përshpëritje, ofshamë. Pyetja më
e shpeshtë, gati refren, për të gjithë ishte kjo: Deri kur kështu?
Ali Podrimja ndër të tjera tha: "Kjo është vetëm nisja, hyrja, në "dasmë". E ju
e dini se dasmë pa mish nuk ka... Kam frikë se kjo dasmë po i ha bijtë dhe
bijat tona më të mira... Çmimi i lirisë është tejet i lartë dhe paguhet shumë
shtrenjtë...".
Ishte një vizion i qartë dhe një përcaktim jetësor. Ai, gjatë gjithë këtyre
dakadave ishte me ne, me Popullin tonë, si shkrimtarë i angazhuar, gati-gati si
"kronist" i ngjarjeve, kuptohet, në mënyrën më të lartë poetike dhe estetike,
me porosi të qarta dhe të thella, me figura metaforike dhe stilistike të
qëlluara, me guxim heroik dhe profetik.
Një ngjarje që e kishte karakterizuar jetën dhe krijimtarinë e tij, ishte pa
dyshim edhe sëmundja dhe vdekja e djalit, vogëlushit, apo siç thoshte ai
"Engjëllit tim Lumit", nëpërmjet të cilit Aliu kishte zbuluar një botë të re,
atë të vuajtjes së motivuar dhe të ofruar, në stilin e Nënës Tereze.
Shpesh më thoshte: "Unë jetoj me Lumin, krijoj me Lumin dhe për Lumin, për të
gjithë ata që vuajnë, pësojnë, tashmë jetojnë në amshim... Lumi më ka bindur
dhe më ka dhënë shumë, përvojën e Zotit, të fesë, atë të amshimit..."
Ja shkrimi i Ali Podrimjes kushtuar Lumit:
FLETÐ E BARDHÐ:
Mbi tavolinë
Fletë e bardhë
Aty do shkruar:
Lum Podrimja vdiq më 29 Shtator 1982.
Po unë nuk mund ta nënshkruaj vdekjen
Të ndjej në qënie si lëviz si merr frymë
Të shoh në jetë gjithkund të prek
Vdekjen tënde nuk mund ta nënshkruaj j voglush
Varrmihësit le ta qesin emërin
Ose bardhësia të më mbulojë
Edhe mua të tërin.
Ulpianë, tetor, 1982.
Gjatë vitit 1985, punoja monografinë "Lule për Nënën" kushtuar 75 vjetorit të
lindjes së Nënës Tereze, një libër me poezi, prozë, pikturë, skupturë, muzikë.
Pas marrjes së shumë punimeve nga të gjitha viset shqiptare, përjashtuar Shqipërinë,
e cila ishte ende hermetikisht e mbyllur, duhej ndonjë dorë mjeshtrore për
përzidhje dhe rënditje.
Dhe prapë ishim së bashku, Fahredin Gunga, Rifat Kuka, Ali Podrimja, tre
"redaktorët" , pa emër të kësaj Monografie, sepse ishte ende koha e monizmit
dhe komunizmit. Punuam së bashku dhe me zemër e frytin e kësaj pune le ta
vlerësojë Zoti dhe Populli.
Pas disa orëve pune në redaktimin përfundimtar të librit, në banesën e Fahredin
Gungës, Rifat Kuka më tha: "Don Lush e ke bërë një mrekulli... Ali Podrimja disa orë është i ulur së bashku me ne...
Kjo ndodhë rrallë, mos të them kurrë (duke menduar në temperamentin e Aliut,
vr. ime)...".
"Mrekullia, nëse është e tillë, është e Nënës Tereze, jo e imja" u përgjigja
unë. Ali Podrimja më shikoj ëmbël dhe tha: "Nuk mund të ndahem më prej Nënës
Tereze... I lumi ti që e ke takuar dhe njohur personalisht... Unë
tashmë jetoj dhe krijoj së bashku me atë... Ajo përpara Çmimit Nobel për Paqe
ka merituar Çmimin Nobel për Letërsi... Çdo resht, fjalë, uratë e saj është e
mrekullueshme, frymëzuese për mua...".
Ishte viti i sprovave të jashtëzakonshme (1989), heqja e të "ashtuquajteres"
Autonomi, rrënimi sistematik i çdo gjëje shqiptare, arsimit, kulturës,
shëndetësisë, mos të flasim për politikë, ekonomi e shumçka tjetër.
Ishim rishtas së bashku në "Pallatin e Shtypit" në Prishtinë. Brengosja,
shqetësimi, rrezikimi merrte hov dhe s'kishte më të ndalur. Njerëzit
"strukeshin" dhe e ruanin kokën dhe shpinën. Në tavolinën e bisedës ishim diku
afro njëzet krijues dhe gazetarë. Unë i thashë mendimet dhe qëndrimet e Kishës
në Kosovë, të Imzot Nikë Prelës, duke nënvizuar se takimi, afrimi dhe bashkimi
ynë është parakusht i çdo suksesi, i shpëtimit tonë kombëtar.
Ali Podrimja më shikonte me një vëmendje të posaçme dhe nuk fliste asgjë. I
thashë: "Fol, Ali i dashur! Çka mendon ti?". Ai më tha kështu: "Unë mendoj
krejt si ti... Ti po mi merrë mendimet dhe fjalët, po i thurr aq mirë, sa që
unë s'kam çka të them!".
U përgjigja: "Është gjendja që na detyron të mendojmë dhe të veprojmë së
bashku, një... Ti e ke mjeshtrinë e fjalës së shkruar, veçmas të poezisë, e
unë, aty-këtu të fjalës...". U përqafuam vëllazërisht dhe u kuptuam me pak
fjalë, mos të them pa fjalë.
Ishim në Romë për Lumturimin e Nënës Tereze. Ali Podrimja ishte shumë aktiv në
përgatitjen e vëllimit të poezive dhe uratëve të Nënës Tereze "Mësomë të dua"
në gjuhën anglishte, shqipe dhe gjermanishte. Ndër të tjera më tha: "Populli
shqiptar është si një Foshnje në duart dhe zemrën e Nënës Tereze dhe ka vetëm
një kërkesë: Mësomë të dua! Nëse e mësojmë dhe e praktikojmë këtë, shpëtuam,
jemi të lumtur...".
Pas Meshës së Lumturimit ai ishte shumë i lumtur, si rralë herë. Më përqafoi
dhe më tha: "Sot, Ti don Lush, duhet të jesh i lumtur... Ta them të drejtën sot
për herë të parë e pashë, e përjetova dhe e kuptova këtë: Jam i lumtur që jam
Shqiptar, bir shpirtëror i Nënës Tereze... A e ke parë gjithë këtë mori
njerëzish, kombesh, feve të ndryshme... Të gjithë na kanë lakmi se jemi
Shqiptarë... Kujdo ia kam dhuruar librin "Mësomë të dua" e ka pranuar me shumë
nderim dhe falënderim...".
Ja përshkrimi i tij për këtë ngjarje: "Shkelnim në javën e fundit. Njëmijë
ekzemplarët ishin paketuar për destinacion në Itali. Lumnimi i Nënës Tereze
mbahej nga data 18 deri 21 tetor 2003. Më 18 tetor aeroplani me pelegrinët nga
Kosova ishte ngritur nga Sllatina në drejtim të Romës. Mendoja për librat dhe
ç'do të bënte qeveria e zotit Trajkovski, sapo të ketë një ekzemplar të librit
tonë, a do të skuqej nga fjalët e Papa Gjon Palit II, që fliste me admirim për
"bijën e popullit shqiptar që i ka dhënë nder dhe shkëlqim kombit të
saj...". Maqedonia ishte shtet e unë isha vetëm individ, që plasoja të
vërtetën për Nënën Tereze...
Unë kisha kryer një punë të ndershme për të mposhtur një falsifikim tipik sllav
dhe për t'u treguar të tjerëve nga ishte Nënëmadhja. Kryeja, pra një punë
atdhetare. Bindesha se njerëzit tanë kur ia mësyjnë botës, më tepër u intereson
levërdia e xhepit se çështja nacionale . Mendoj kështu dhe tani. Mjafton të
përqendrohesh në bisedat e paraqitjet e tyre në masmedia e të bindesh se kush
na mbron nga e liga. Atdheun e konsiderojnë para dhe asgjë tjetër. Nuk më
habit, pra nëpërkëmbja jonë edhe nga ata që nuk kanë identitet ende. Ështe
tmerruese kjo.
Më 19 tetor pelegrinët nga Kosova gjendeshin në rendin e pare, meqë vinin nga
vendlindja e Nënës Tereze. Papa Gjon Pali II, i cili do e mbante meshën për
Lumnimin e të Shenjtës sonë, nuk ishte as dhjetë metra larg nesh. Masmediat
gumëzhinin në sheshin e madh të Vatikanit, ku ishin tubuar afër një milion
njerëz. Atje në fund ishte shpalosur skaj më skaj një flamur shqiptar. Nga
stacionet e huaja televizive e sidomos nga CNN nuk hiqej kopertina e librit
"Teach me to love" e Nënës Tereze, të cilin tanimë e kishin të gjithë
burrështetasit e masmediat. Një i kishës sonë po ashtu kishte arritur t'ia
dorëzojë dy ekzemplarë dhe Papës Gjon Palit II.
Personi që më kishte informuar nga Roma për dredhinë maqedone, më kishte gjetur
në mesin e pelegrinëve dhe më kishte thënë: falsifikatorët e tërhoqën librin, e
kishin lexuar se ç'thoshte Papa për bamirësen tonë. Ky ishte fundi i një ëndrre
sllave. Nuk besoj se kishte njeri më të lumtur se unë atë moment. Kisha kryer
një punë të vogël për një çështje të madhe. Nga muri i lartë i Katedrales së
Shën Pjetrit vazhdonte të buzëqeshte Nëna Tereze. Ishte zbrazur dikur sheshi i
pafund i Vatikanit, ku fitues ishte populli im që kurrë nuk u nda sipas
besimeve. Dikur vonë isha larguar nga aty. Në ekranet televizive vazhdonte
filmi për jetën e Nënës Tereze" (Ali Podrimja, Historia e një libri, 1 maj
2008).
Dhe prapë ishim së bashku në Këshillin Organizativ për 100 vjetorin e lindjes
së Nënës Tereze në vitin 2010, Ali Podrimja si përfaqësues i Akademisë së
Shkencës dhe Arteve e Kosovës, unë si përfaqësues i Ipeshkvisë së Kosovës dhe
si biograf i saj. Punuam me shpirt dhe zemër dhe mendoj se doli mirë, kuptohet,
në kushtet tona.
Në takimin e parë zyrtar në Ministrinë e Kulturës së Kosovës, Ali Podrimja ndër
të tjera tha: "Shpirti i saj arriti edhe në poezi. Ai tha se duhet të dimë se
madhështia e Nënës Terezë është vërtet e madhe. Kjo më së miri shihet nga
fqinjët tanë, të cilët bëjnë përpjekje për të grabitur një nënë që nuk iu ka
takuar atyre...".
Do ta përfundoj këtë shkrim me disa kujtime lidhur me Ali Podrimjën, Nënën
Tereze dhe ndërtimin e Katedrales "Nëna Tereze" në Prishtinë. Pasiqë kishte
dëgjuar zërin e Nënës Tereze në recitimin e uratës tradicionale "Puna e
pendimit" në gjuhën shqipe, që e kishte incizuar Gjekë Gjonlekaj, gazetar i
"Zërit të Amerikës", ai kishte shkruar kështu: "Ngritjen e Katedrales në
Prishtinë e kisha bërë çështje. Ajo duhet ta mbajë dhe emrin e Nënës Terezë.
Kisha hedhur idenë se zëri i kësaj të Shenjtëruere të dëgjohet në çdo meshë
edhe në Kishën shqiptare, pra menjëherë pas Ungjillit, Fjalës së Zotit. Pas
leximit të teksteve që disponoja isha përcaktuar për uratën "Puna e
pendimit", që Nëna Terezë e kishte thënë vazhdimisht dhe në vetminë e
madhe e skutat varfanjake të Kalkutës. Bile dhe në momentin e fundit, kur po
kalonte në botën e tejme.
Arsyet se kjo uratë dhe zëri i saj duhet të dëgjohen në Kishën shqiptare janë:
së pari, urata ngërthen në vete një sinqeritet dhe respekt ndaj Zotit. Së dyti,
në religjion zëri është i veçantë, pra mund të jetë dhe zëri i vendit. Ç'është
e vërteta, lutjet as uratat në gjuhën shqipe Ajo nuk i kishte harruar për të
gjallë, as nuk mund t'i thoshte në një gjuhë tjetër. Nuk e kishin atë bukurinë
që e kishte ndierë që në fëmijëri, as nuk mund t'ia përkujtonin vendlindjen,
prejardhjen. Kemi të bëjmë me kujtesën dhe respektin ndaj të kaluarës, pra nuk
kishte pranuar të shkëputet nga diçka e shenjtë që e lartësoi dhe në rrafshin
kombëtar" (Ali Podrimja, Nënë Tereza dhe Kisha shqiptare, 19. 11. 2007).
Pak kohë para ndërrimit të jetës, apo si do të thoshte e Lumja Nëna Tereze,
"kthimit në Shtëpinë e Atit", shprehje kjo që i pëlqente shumë Ali Podrimjes, u
takuam në Sheshin "Nëna Tereze" dhe ecëm së bashku deri te Katedralja. Në
përshendetje më tha: "A po rritet Katedralja?". Unë u përgjigja: "Ajo tashmë ka
lëshuar shtat, mungon edhe një këmbanare... Më tepër se po rritet, ajo po
zbukurohet, Ali i dashur...".
Para se t'ma shtrëngonte dorën në mënyrën e tij karakteristike më tha: "Me këtë
Katedrale do të rritën fëmijtë tanë, nipat dhe mbesat e Nënës Tereze!".
Për këto dhe shumçka tjetër, Ali i dashur, nga zemra të falënderoj dhe uroj që
të jesh tashmë në "shoqëri me Engjëllin tënd Lumin", me miqët tanë të
përbashkët që kaluan në amshim, me Nënën Tereze, në lumturinë e amshuar! Pusho
në paqe!
Prishtinë, 25 korrik 2012 Don Lush GJERGJI
---
Vdekja - kalimi në amshim - lartësim për Poetin Ali Podrimja!
Prej ditës së djeshme isha në ankth dhe ethe të pritjes dhe të frikës...
Nodhi ajo që shpresoja se nuk do të jetë e vërtetë, vdekja e papritur e Mikut,
Vëllaut, Poetit, Mendimtarit, Mjeshtrit të vargut dhe të mendimit, Ali
Podrimja...
Jam i tronditur në shpirt, dhe në "lundrime në kujtime" i kujtoj më
se 40 vjet njohurie, takime, bashkëpunime, vëllazërie në pjesët e ndryshme të
Kosovës, por edhe jashtë saj.
Jam i lumtur dhe i falënderueshëm se e kam njohur dhe kemi bashkëpunuar në
shumë raste, lëmi, veçmas rreth përpilimit të librit "Lule për
Nënën", ku ai, i ndjeri Fahredin Gunga dhe i ndjeri Rifat Kukaj kanë dhënë
"pjesën më të mirë të vetvetes" do të thoshte Nëna Tereze.
Ishte Gjeniu i poezisë shqipe, Njeriu i cili e personifikoi vuajtjen, dhembjen,
pikëllimin e Popullit tonë nëpërmjet Lumit.
Pas vdejes së Lumit besimi në jetë, në të tashme dhe të ardhme, në Zot dhe në
amshim, te Aliu ynë ishte edhe më i madh dhe i pathyeshëm.
Dhe mu për këtë vdekje nuk e "korrë", edhe më pak e rrëmben, aspak
nuk e rrënon dhe asgjëson Poetin tonë të dashur - Ali Podrimja, por atë e
Lartëson dhe përfundimisht e bën të pavdekshëm.
Për çdo fjalë, resht, mendim, porosi, mbi të gjitha për ngrohtësi dhe vëllazëri,
për bashkëndarje të shumë ideve dhe ideale të jetës dhe të veprimtarisë, Zoti
të shpërbleftë, populli me nderim, dashuri dhe falënderim të kujtoftë!
Pusho në paqe dhe mos na harro!
Don Lush GJERGJI
--
E nderuara familje e Ali Podrimës,
miq dhe dashamirë,
Me dhembje pranuam lajmin e hidhët për vdekjen e papritur, kalimin në amshim,
të poetit tonë të madh, Ali Podrimja, i cili me dekada ishte krijues dhe
përfaqësues i denjë i Kosovës dhe Shqiptarëve ndër ne dhe në botë.
Poezia dhe krijimtaria e tij kulmore nuk ishte vetëm e bukur, por kishte shumë
ide, ideale dhe porosi historike dhe aktuale, si Mendimtar dhe Frymëzues i
mirëfillët për të tashmen dhe për ardhmërinë tonë më të mirë dhe të lirë..
Në emër të Imzot Dodë Gjergjit, Ipeshkvisë së Kosovës, ju shprehim ngushëllimet
e sinqerta dhe vëllazërore, të përcjellura me shpresë dhe uratë, nderim dhe
falënderim.
Për Ipeshkvinë e Kosovës: Don Lush GJERGJI