VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Editorial: Kohëdhënie tjetër
E Premte, 08.14.2009, 11:24am (GMT1)

 

Voal-online Koalicioni paszgjedhor, i dalë nga votat e 28 Qershorit, është në përgatitje për t'i filluar, pas pak ditësh, bisedimet për qeverinë e re dhe platformën e përbashkët mbi të cilën do ta ndërtojnë qeverisjen e tyre.

Nga ana tjetër, opozita po përgatit platformën e saj të reformimit, nëpërmjet të cilit do të synojë riardhjen në pushtet. Zgjedhjet parlamentare janë gjithmonë një kohëdhënie e re e mjaftueshme për palët e përfshira në garën zgjedhore. Janë të mjaftueshme për qeveritarët, janë të mjaftueshme për opozitarët, janë të mjaftueshme për ata që nuk arritën të hyjnë në parlament, janë të mjaftueshme edhe për grupet e interesit që gjenden prapa formacioneve politike. Të gjithë kanë ngenë e duhur për të bërë analizat, për të ndërtuar strategjitë, dikush për të konsumuar gjithë mandatin e për të mëtuar mandat të mëtejshëm, dikush për të qenë gati të marrë pushtetin sapo të jetë i favorizuar nga konteksti i zhvillimeve, dikush për të qenë gati të hyjë në garat e reja në përbërje të formacioneve ekzistuese apo në formacione të reja, dikush për të përfituar nga manevrat e gabuara apo të suksesshme të të tjerëve. Varet nga ky vlerësim, i cili e shoqëron gjithë procesin midis dy palë zgjedhjeve parlamentare, se sa do të jenë të zotët faktorët e ndryshëm brenda e jashtëpolitikë, për të mbajtur situatën në favor të tyre dhe në disfavor të kundërshtarëve apo për ta kthyer atë në anën e vet. Prandaj nervozizmi, emocionet, po ashtu si indiferenca, dembelizmi, mungesa e vizioneve, mungesa e largpamësisë politike janë goditje për pjesëmarrësit aktualë apo për pjesëmarrësit e mundshëm të betejave të ardhshme politike. Kështu lexohen zgjedhjet pluraliste gjithnjë e gjithkund, kështu do lexuar edhe zgjedhjet e 28 Qershorit këtë verë në Shqipëri.

 

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.