E Enjte, 04.25.2024, 11:56am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
TË SAKRIFIKOSH BEnë PËR ASADIN
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 08.20.2012, 02:17pm (GMT+1)




Deri tani kishim dëgjuar një personalitet politik si presidenti i tanishëm serb, Tomislav Nikoliç, se ishte gati të sakrifi konte BE-në për Rusinë. Por tani po dëgjojmë politikanë të tjerë serbë, që janë gati të sakrifikojnë BE-në për satrapin e Sirisë, Bashar Al Asad.

Vështirë të mendonte dikush, pas gjithë atyre përmbysjeve të regjimeve autokratike në disa vende arabe vitin e kaluar, se një nga satrapët e fundit arabë, ai i Damaskut, që po vret me mijëra njerëz të pafajshëm vetëm pse kërkojnë demokraci, do të gjente përkrahës në Ballkan. Në një kohë kur anija e regjimit të Asadit po mbytet e po izolohet gjithnjë e më shumë në planin ndërkombëtar, me sanksione nga BE dhe SHBA, kur disa rezoluta të OKB-së e dënojnë dhunën e tij, kur Liga Arabe e ka bojkotuar dhe denoncuar dhe kur Konferenca e Bashkëpunimit Islamik, OIC, para pak ditësh e pezulloi nga anëtarësimi, një mbështetje e hapur dhe zyrtare, politike dhe diplomatike, i vjen nga e quajtura "Serpska Republika", entiteti serb në Bosnje-Hercegovinë.

Presidenti i "Serpska Republikës", Milorad Dodiç, dhe anëtari serb i presidencës trepalëshe etnike të shtetit të Bosnje-Hercegovinës, Nebojsha Radmanoviç, dolën me qëndrimin e tyre zyrtar kundër votës pro, që Bosnje- Hercegovina i dha më 3 gusht rezolutës për Sirinë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Kaq i madh ishte inati politik i zyrtarëve të lartë serbë, sa që kërkuan menjëherë, njëri pas tjetrit, shkarkimin e ministrit të Jashtëm të Bosnje-Hercegovinës, Zlatko Lagumxhija, sepse ai kishte instruktuar misionin diplomatik në OKB, që të votonte në favor të rezolutës së paraqitur nga Liga Arabe dhe e cila dënonte dhunën e autoriteteve siriane. Kaq i madh është inati i drejtuesve më të lartë të "Serpska Republikës", pse u votua kundër regjimit të Asadit, sa që deklaruan se në qoftë se nuk shkarkohet ministri i Jashtëm, që udhëzoi votimin kundër Asadit, "Serpska Republika" do të bllokojë çdo hap të qeverisë qendrore në kuadër të roadmap-it të paraqitur nga BE për procesin e integrimit europian të Bosnje-Hercegovinës në Bashkimin Europian. Dashuria e madhe për regjimin e Asadit i bën udhëheqësit serbë të shfaqin një shkallë ndëshkimi dhe urrejtjeje ndaj Bashkimit Europian.

Nuk mund të mos ngjallë habi kjo apologji vulgare ndaj regjimit satrap të Asadit nga ana e udhëheqësve të "Serpska Republikës", të cilët janë gati të sakrifikojnë integrimin europian të shtetit të Bosnje-Hercegovinës për hatër të autokratit sirian. Natyrisht, nga forca radikale, seçesioniste dhe ultranacionaliste si ata, që udhëheqin "Serpska Republikën" dhe që bllokojnë prej 17 vjetësh funksionimin dhe ndërtimin e një shteti unik, mund të presësh çdo hap dhe veprim alogjik shtetëror e politik. Por sakrifikimi i integrimit europian të vendit për hatër të mbrojtjes së regjimit gjakatar të Bashar Al Asadit, tejkalon çdo kufi normal. Zyra e përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Sarajevë, Valentin Inzko, në 7 gusht përshëndeti votimin e Bosnje-Hercegovinës në favor të rezolutës së OKB-së dhe theksonte se "do të jetë turp i madh, nëse liderët politikë lejojnë mosmarrëveshjet e tanishme të çojnë në një bllokim të përpjekjeve të Bosnje-Hercegovinës për shpejtimin e progresit të vendit në BE dhe në NATO".

Preteksti i paraqitur nga drejtuesit e "Serpska Republikës" për mbrojtjen që po i bëjnë regjimit të Asadit, është se ministri i Jashtëm nuk ka pyetur presidencën trepalëshe, e cila sipas Kushtetutës së Bosnje-Hercegovinës ka kompetencën e formulimit të qëndrimeve të politikës së jashtme. Në fakt, ministri i Jashtëm, siç dokumentohet nga korrespondenca e Ministrisë së Jashtme me presidencën, ka kërkuar qëndrimin zyrtar, dhe i është dhënë përgjigje se përderisa presidenca trepalëshe nuk është mbledhur, sepse mungojnë dy anëtarë të saj, qëndrimi që do të mbahet do të jetë ai i formuluar më parë nga presidenca trepalëshe lidhur me Sirinë. Dhe qëndrimi i mëparshëm ka qenë që të votohet në favor të rezolutave, që dënojnë dhunën në Siri. Kështu është votuar nga Bosnje-Hercegovina edhe në 4 nëntor të vitit të kaluar në favor të rezolutës së Këshillit të Sigurimit për Sirinë, kështu është votuar edhe në 17 shkurt të këtij viti në favor të rezolutës tjetër për Sirinë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Pra ministri i Jashtëm ka zbatuar linjën e formuluar nga vetë presidenca trepalëshe për t'u bashkuar me qëndrimin e Bashkimit Europian dhe për të dënuar dhunën e regjimit të Asadit. Në votimin e 3 gushtit të rezolutës, me të cilën Bosnje- Hercegovina bashkoi votën e saj, votuan pro 133 shtete anëtare të OKB-së, dhe vetëm 12 shtete votuan kundër, ku hyjnë Rusia, Kina, Mianmari, Kuba, Venezuela, Bjellorusia, Nikaragua dhe Korea e Veriut. Nuk duhet harruar se Bosnje- Hercegovina është shteti, që ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Europian dhe nga kjo ka detyrimin e bashkërendimit me politikën e jashtme të BE-së. Në një letër drejtuar në 8 gusht anëtarit serb të presidencës, Nebojsha Radmanoviç, ministri i Jashtëm Zlatko Lagumxhija shkruan se po të adoptohej pozicioni i Radmanoviçit për votë kundër rezolutës, Bosnje-Hercegovina do të rreshtohej me juntën ushtarake të Mianmarit, me Bjellorusinë e Lukashenkos, Venezuelën e Çavezit dhe me Korenë e veriut.

Atëherë pse ky ndryshim qëndrimi politik nga udhëheqësit e "Serpska republikës" dhe kjo apologji kaq flagrante për një regjim, që po fundoset si ai i Bashar Al Asadit. Nuk po hyjmë në zbërthimin e ngjashmërive ideologjike dhe politike të regjimeve në Damask dhe në Banja Luka, ku udhëheqës si Milorad Dodiçi mbrojnë genocidin serb kundër popullit boshnjak dhe mohojnë masakrën makabre të Srebrenicës, të kryer nga forcat serbe.

Emocioni i madh zyrtar pro Asadit në Banja Luka e ka shpjegimin në presionin dhe në kërkesën e re të Rusisë ndaj "Serpska Republikës". Rusia është mbrojtësi kryesor i regjimit të Asadit, dhe ajo po shtrëngon radhët e atyre pak shteteve servile të saj për të shprehur përkrahje për atë regjim. Një fushatë të veçantë Moska ka ndërmarrë në Banja Luka për ta detyruar "Serpska republikën" të bllokojë pjesëmarrjen dhe votën e Bosnjë- Hercegovinës në rezolutat e OKB-së kundër regjimit të Asadit. Në formë diplomatike, ministri i jashtëm Lagumxhija i drejtohej anëtarit serb të presidencës, Radmanovic, që t'i shpjegojë opinionit publik se çfarë e motivon atë që të kërkojë të vërë Bosnje-Hercegovinën në anën e gabuar. Mediat në Bosnje- Hercegovinë kanë folur hapur për një presion të diplomacisë ruse ndaj vendit të tyre për këtë çështje. Ky presion ka qenë kaq flagrant dhe kaq shqetësues, sa që anëtari serb i presidencës trepalëshe, Nebojsha Radmanoviç, në konferencën e tij të shtypit në 9 gusht, u detyrua të përgënjeshtrojë se ambasadori i Rusisë ka influencuar mbi të lidhur me qëndrimin në çështjen e Sirisë.

Motivet e tjera të ndërhyrjes së Rusisë në Banja Luka nxiten nga strategjia e Moskës për të sabotuar dhe penguar integrimin europian dhe atlantik të Bosnje-Hercegovinës. Rusisë i intereson që BE dhe NATO të kenë gropa të zeza në Ballkan. Kjo po materializohet nëpërmjet kundërvënies ndaj politikës, që ndjek BE dhe NATO për integrimet ne Europë dhe në Ballkan. Kjo po materializohet dhe me përpjekjet ruse për t'i kundërvënë shtetet e Ballkanit ndaj politikës së BE-së dhe NATO-s në Lindjen e Mesme. Sepse një votim kundër rezolutës së OKB-së për çështjen e Sirisë do të ishte një kundërvënie ndaj integrimit.

Përkrahja, që i vjen regjimit autokratik të Asadit nga "Serpska Republika" nuk është rast i izoluar. Ajo është vazhdë logjike e politikës konsekuente të minimit të Marrëveshjes së Dejtonit, e sabotimit të funksionimit të shtetit, e nxitjes së urrejtjes etnike dhe fetare, e largimit nga integrimi euroatlantik dhe e aleancës me Rusinë, që "Serpska Republika" po ndjek në mënyrë sfiduese ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Përkrahja ndaj regjimit satrap të Asadit tregon që "'Serpska Republika' po bëhet gjithnjë e më e dëmshme edhe në shkallë ndërkombëtare".

Ky zhvillim sjell në evidencë nevojën e një reagimi më energjik të Brukselit ndaj veprimtarisë separatiste dhe politikës tensiongritëse të Banja Lukës, si edhe nevojën e një izolimi diplomatik ndërkombëtar ndaj udhëheqjes së atij entiteti separatist. Është rasti për t'i kujtuar edhe diplomacisë së Tiranës, që ta frenojë entuziazmin e saj infantil për "marrëdhënie të shkëlqyera" me "Serpska Republikën", e cila është një armike e pakorrigjueshme e Kosovës dhe e çështjes shqiptare.


SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Barometri diplomatikSERBIA T’I GJUNJËZOHET KOSOVËS PËR PAQE, JOANASJELLTAZI!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (08.19.2012)
PËR RUSËT KORRUPSIONI ËSHTË THJESHT NJË MËNYRË JETESENga MISHA FRIEDMAN, New York Times (08.19.2012)
REPLIKË ME TË GJITHË ATA QË I KONSIDEROJNË LIDERËT SHQIPTARË TË PAGABUESHËM!Nga ELIDA BUÇPAPAJ (08.17.2012)
TË KUNDËRSHTOHET POLITIKA E BANALIZIMITNga ANATOL KALETSKY, Reuters (08.16.2012)
VIKTIMAT E KOMUNIZMIT, MBETUR PA VARR E DREJTËSI, AKUZOJNË KLASËN POLITIKE SHQIPTARENga ELIDA BUÇPAPAJ (08.15.2012)
ÇFARË KA TË BËJË KONSTANDINI ME VIKTIMAT E KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI?Nga FRANK SHKRELI (08.15.2012)
Barometri diplomatikTRAKTAT PAQËSOR ME SERBINË, PASI OKB-JA TA NJOHË KOSOVËN!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (08.14.2012)
UNË JAM PRIFTI ORTODOKS I KOMBIT SHQIPTAR!Nga AT NIKOLLA MARKU (08.14.2012)
BLOFI DIPLOMATIK RRETH PROJEKTIT TAPNga SHABAN MURATI (08.13.2012)
NJË FAZË E RE NË FUSHATËN PËR PRESIDENT TË SHTETEVE TË BASHKUARANga FRANK SHKRELI (08.12.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]