VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Jo tërheqje e nxituar nga Kosova

Nga Kristof Haselbah


E Shtunë, 08.15.2009, 01:14pm (GMT1)

Anders Fog Rasmusen ka vetëm pak ditë në këtë post, por disa vatra të nxehta e kanë impenjuar menjëherë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. Fjala është për misionin e NATO-s në Afganistan, atë në Kosovë e Rusi.

 

Para një jave, Rasmusen ishte në Afganistan për t'u njohur me gjendjen e sigurisë në vend dhe për ta siguruar qeverinë e Karzait për mbështetjen e mëtejshme të NATO-s, sidomos tani pak para zgjedhjeve. Gjithsesi, misioni në Afganistan nuk duhet të zgjasë përjetësisht. Pyetjes se si do ta përcaktonte suksesin e misionit në Afganistan, në mënyrë që të mund të thuhej se tani NATO-ja mund të tërhiqet nga ky vend, Rasmuseni iu përgjigj:

"Suksesi do të ishte dorëzimi i përgjegjësisë për sigurinë në duart e afganëve. Sukses do të ishte zhvillimi i një shoqërie paqësore dhe të qëndrueshme në Afganistan, qeverisje e mirë, respektim i parimeve të të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor'.

 

Rasmuseni shtoi se, në këtë pikë kërkohet jo vetëm puna dhe angazhimi i NATO-s, por edhe i organizatave civile ndërkombëtare si OKB-ja. Megjithatë, kritikët mendojnë se këto qëllime janë shumë të larta dhe duke u nisur nga gjendja gjithnjë e më e keqe e sigurisë në vend, për momentin, përfundimi i misionit të NATO-s mbetet i hapur.

 

Raportet me Rusinë janë të komplikuara, por jo pengesë afrimi

 

Projekti tjetër i rëndësishëm për Rasmusenin është sipas tij, raporti dhe marrëdhëniet me Rusinë. Ai e ka të qartë se, për momentin këto raporte janë të komplikuara, sepse para një viti Rusia dhe Gjeorgjia, që synon anëtarësimin në NATO, zhvilluan një luftë të shkurtër mes njëra-tjetrës. Sipas mendimit të Rasmusenit kjo s'ka pse të jetë pengesë për afrimin:

"Unë nuk jam ëndërrimtar. Eshtë e qartë, që do të ketë ndryshime themelore në mendime. Ne p.sh. duhet të ngulim këmbë, që Rusia të respektojë plotësisht detyrimet ndërkombëtare. Në to bën pjesë edhe integriteti territorial dhe liria politike e fqinjëve. Por ne nuk mund të lejojmë që këto ndryshime në qëndrime të helmojnë raportet tona në tërësi".

 

Rasmuseni e ka fjalën për territoret e Abkazisë dhe Osetisë Jugore, të cilat Rusia i njohu pas luftës si shtete të pavarura. Me vizitën e tij të së mërkurës (12.08.09) në Abkazi, kryeministri rus, Vladimir Putin, e përforcoi edhe një herë këtë qëndrim. Nisur nga kjo diplomatët, sidomos ata nga vendet lindore të NATO-s, thonë se Aleanca, ndërkohë i lëshon shumë pe Rusisë.

 

"Në Kosovë reduktimi i trupave nuk duhet të bëhet me ngut"

 

Edhe në lidhje me misionin e Kosovës, Rasmuseni në konferencën e tij të parë pas marrjes së postit u tregua shumë optimist:

"Deri në fund të periudhës time në post, dua të shoh që numri i ushtarëve të KFOR-it të pakësohet ose sa i një trupe të vogël ndërhyrjeje ose të jetë larguar krejtësisht nga vendi. Kjo nuk duhet të bëhet me ngut, ne nuk duhet të na merren këmbët pak para se të kemi arritur finishin, por besoj se në një të ardhme të parashikueshme do të jenë pjekur kushtet, për ta tërhequr KFOR-in pas misionit të tij të suksesshëm".

 

Pas vizitës në Kosovë, Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s pritet ta ketë më të qartë nëse supozimet e tij optimiste i përgjigjen vërtet realitetit.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.