VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
KUVENDI I PARTISË REPUBLIKANE TË AMERIKËS Nga FRANK SHKRELI E Djelë, 08.26.2012, 03:39pm (GMT1)
Pritet që anëtarë të njohur dhe aktiv të Partisë Republikane, përfshirë
governatorë, senatorë, biznismenë dhe të tjerë të mbajnë fjalime dhe të
diskutojnë mbi temën e caktuar të kuvendit, ''Për Një Të Ardhme Më Të Mirë''.
Mirëpo, njoftohet se republikanët e dalluar, ish-presidenti Xhorxh Bush dhe
ish-zëvendës-presidenti Riçard Çejni kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në kuvend.
Natën e parë të kuvendit është caktuar se do të flasë bashkshortja e
governatorit Romni, Zonja An Romni e cila do të mbyllë aktivitetet e ditës së
parë të kuvendit dhe njëkohësisht është njoftuar se fjalimin kryesor me rëndësi
të kuvendit do ta mbajë të Mërkurën mbrëma governtori i shtetit Nju Xhërsi,
Zoti Kris Kristi. Siç është traditë këtu në Amerikë, kuvende të tilla çdo katër
vjetë, shoqërohen gjithashtu edhe me demonstrata e protesta të mëdha,
shpeshëherë të dhunëshme, nga grupe me interesa të ndryshme.
Sipas portalit të Kuvendit të Partisë Republikane, përveç 2,286 delegatëve
zyrtarë dhe 2,125 zëvendësve të tyre, punimet e Kuvendit të kësaj partie do t'i
mbulojnë edhe 15.000 gazetarë tanimë të regjistruar zyrtarisht me kredencialet
e nevojshme të medias kombëtare dhe ndërkombëtare.
Analistët politikë amerikanë besojnë se -- roli dhe interesimi për këto kuvende
politike është në rënje -- duke nënvijuar si provë edhe faktin se rrjetët kryesore
të telelvizionit amerikan, që në të kaluarën mbulonin pothuaj të gjitha punimet
e kuvendeve të dy partive kryesore, sivjet kanë vendosur të kufizojnë mbulimin
e punimeve të kuvendit në tre orë në ditë. Megjithkëtë, ata thonë se kuvendet e
dy partive kryesore kanë gjithnjë një rol për të luajtur në jetën politike dhe
në afirmimin e kandidatëve dhe në promovimin e programeve të tyre. Punimet,
debatet dhe diskutimet në këto kuvende zakonisht pasqyrojnë pikëpamjet dhe
qendrimet e kandidatit dhe të partisë që ai përfaqëson. Por e vërteta është se
si rezultat i zgjedhjeve paraprake që zgjatën pothuaj një vit, shumica e
votuesve tani kanë vendosur se për cilin kandidat -- Barak Obama ose Mit Romni
-- do të votojnë në Nëntor. Por punimet e kuvendit dhe fjalimet e ndryshme,
përfshirë ato të kandidatëve kryesorë, shpesh pasqyrojnë qendrimet dhe parimet
në të cilat beson kandidati. Si përfundim, ka mundësi që punimet e kuvendit të
bindin votuesit amerikanë që ende nuk kanë vendosur se për cilin kandidat do të
votojnë: Presidentin BarakObama apo Guvernatorin Mit Romni.
Javën që vjen, Kuvendi i Partisë Republikane dhe kandidati i saj për president
Mit Romni, nëqoftse janë të interesuar dhe dëshirojnë të kontrollojnë Shtëpinë
e Bardhë për katër vjetët e ardhëshme, duhet të bindin votuesit që nuk kanë
vendosur ende se për cilin kandidat të votojnë. Republikanët duhet të paraqesin
vizionin e tyre të qartë dhe bindës për të ardhmen e vendit dhe jo vetëm të
kritikojnë e të thonë se politikat e Presidentit Obama kanë dëmtuar dhe janë
shkatërruese për vendin. Ata e kanë për detyrë të paraqesin idetë e tyre ndryshe dhe në mënyrë të qartë t'i paraqesin votuesve amerikanë se si Amerika e Mit Romnit do jetë ndryshe nga Amerika e sotëme e Presidentit Barak Obama dhe se një administratë e mundëshme e Mit Romnit ka jo vetëm një plan dhe program të qartë, por edhe bindjet, vullnetin dhe karakterin e nevojshëm për të zgjidhur problemet serioze me të cilat përballet sot Amerika. Këjo është sfida e Kuvendit të Partisë Republikane që do të zhvillojë punimet në qytetin Tampa të shtetit Florida, nga 27 deri më 30 Shtator. FRANK SHKRELI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |