E Premte, 03.29.2024, 03:16am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
REPUTACIONI DIPLOMATIK I KOSOVËS
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 08.27.2012, 06:08pm (GMT+1)




Diplomacia e shtetit të pavarur të Kosovës është e re sa shteti, por mosha e re nuk mund të jetë justifikim për gabime të përsëritura në marrdhëniet ndërkombëtare të Kosovës. Një gabim i përsëritur, i cili është bërë fenomen negativ në politikën ndërkombëtare të qeverisë së Kosovës është ai i shpalljes në publik të njohjeve diplomatike të Kosovës, përpara se ato t'i shpallë shteti, që e ka njohur Kosovën. Rasti më i fundit, që mori formën e një skandali diplomatik, është ai i shpalljes nga zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli, në 17 gusht, se Republika e Malit e ka njohur Republikën e Kosovës, gjë që e shtyu kryeministrin Hashim Thaçi t'i bëjë edhe falenderim Malit në 21 gusht në fjalën e tij në Këshillin e Sigurimit, dhe në 23 gusht presidenca e Republikës së Malit me një komunikatë përgënjeshtroi se shteti i saj e ka njohur Kosovën dhe misioni i Republikës së Malit në OKB në 24 gusht qarkulloi deklaratën zyrtare se Mali nuk e ka njohur Kosovën.

Është lehtë të merret me mend se çfarë ndjesie ka shkaktuar në qarqet diplomatike ndërkombëtare një ngjarje e tillë, që mund të klasifikohet e rëndë dhe që e nxjerr qeverinë e Kosovës në një pozicion komprometues dhe Kosovën në një imazh negativ. Jo rastësisht nxituan të gjitha mediat serbe, ruse, kineze dhe të shteteve jodashamirëse me shtetin e Kosovës, që t'i bënin jehonë një skandali të tillë diplomatik. E theksova edhe më sipër se ky nuk është një rast i izoluar, por është bërë fenomen negativ në diplomacinë e shtetit të Kosovës, e cila i shpall njohjet përpara kohe dhe e ka kthyer procesin e njohjeve diplomatike nga një proces gjithëpërfshirës shtetëror, në një aksion personal se kush do të marrë bajrakun e meritave të njohjes, sikur njohjet diplomatike të ishin aksione tregu. Duhet pranuar se merita e krijimit dhe e vazhdimit të këtij fenomeni i takon presidentit dhe zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, i cili angazhimin diplomatik në të dy postet, ku u emërua, e kuptoi si një aksion personal në bursë.

Por nuk mbetet jashtë fajit edhe qeveria e kryeministrit Hashim Thaçi, e cila lejoi krijimin e kësaj dukurie dhe në qeverinë e Kosovës nisi një garë mes anëtarëve të saj se kush do të marrë përsipër merita për njohjet diplomatike. Dhe kjo garë zyrtare rurale nxiti fenomenin që çdo bisedim ndërkombëtar për njohje me një shtet apo premtim diplomatik nga një shtet për shqyrtimin e njohjes së Kosovës, menjëherë i servirej publikut si njohje dejure e Kosovës. Në politikën e qeverisë së Kosovës për njohjet janë shfaqur dy linja dhe dy paralele diplomatike, një nga zëvendëskryeministri i parë dhe tjetra nga Ministria e Jashtme, përgjithësisht kundërvënëse njëra me tjetrën. Kjo ka qenë një garë absurde me vetveten, që disa herë i ka prishur punë procesit të njohjeve, sepse kujdesi më i madh ka qenë jo njohja, se sa marrja mbi vete e meritës së njohjes. Kjo garë e papranueshme mes institucionesh shtetërore, u shtri edhe në ministri të tjera, titullarë të të cilave, pa u menduar dy herë, kanë shpallur para kohe se ky apo ai shtet do ta njohë Kosovën, siç bëri me 15 gusht dhe ministri i Shëndetësisë i Kosovës, i cili sapo u kthye nga samiti i jashtëzakonshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, OIC, shpalli se Egjipti, Tunizia, Algjeria dhe Jemeni do ta njohin Kosovën, në një kohë kur asnjë prej shteteve të mësipërme nuk ka dhënë njoftim zyrtar për këtë.

Ky fenomen negativ duhej të ishte bërë prej kohësh objekt analize në qeverinë e Kosovës, por pas rastit të Malit, kjo analizë është domosdoshmëri. Ata që merren ose pretendojnë të merren me diplomaci në Kosovë duhet të kenë kaq njohuri, ose të kenë këshilltarë, që kanë dijeni dhe praktikë për punët e diplomacisë, se nuk mundet kurrsesi shteti, që njihet, ta shpallë aktin e njohjes përpara shtetit, që e njeh. Mbi të gjitha duhet patur parasysh se akti zyrtar i njohjes nuk duhet konsideruar premtimi, që bën gjatë takimeve apo bisedimeve diplomatike presidenti apo ministri i Jashtëm i një shteti të huaj. Duhet që ai premtim të sanksionohet në akte, dokumente dhe kanale zyrtare, dhe pasi të dorëzohet sipas të gjitha praktikave ndërkombëtare në qeverinë e Kosovës, mund t'i jepet sihariqi opinionit publik të brendshëm dhe ndërkombëtar.

Duke nxituar dhe shpallur përpara kohe dhe përpara se të jetë akt zyrtar i njohjes së Kosovës nga një shtet tjetër, mund të krijohen situata të pakëndshme diplomatike, të cilat vënë në dyshim funksionimin e Kosovës si shtet dhe të aftësisë së qeverisë së saj si partner serioz ndërkombëtar. Sepse shpallja parakohe, në mënyrë të njëanshme dhe pa u konfirmuar zyrtarisht, është thyerje e kodit dhe e normave të praktikës diplomatike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, sipas të cilave temat dhe rezultatet e bisedimeve dypalëshe bëhen publike pas një konsensusi nga të dy palët. Nëse njëra palë, si është në rastin konkret Kosova, shpall përpara vaktit se iks qeveri e ka njohur Kosovën, kjo shkakton irritim të madh në qeverinë e shtetit, që ka premtuar njohjen. Sepse, edhe nëse Mali mund të kishte premtuar njohjen e Kosovës, hapi i shpalljes së kësaj njohjeje në mënyrë të njëanshme mund ta ketë irrituar presidencën e atij shteti në atë shkallë, sa të ketë tërhequr mendimin e mëparshëm për njohje.

Kjo praktikë negative e qeverisë dhe e diplomacisë së Kosovës mund të ketë efekte negative dhe në shtetet e tjera, që nuk e kanë njohur ende Kosovën dhe që mund të frenohen më shumë në bisedimet dhe në marrjen e vendimit për njohjen e Kosovës, sepse nuk kanë siguri që bisedimet e tyre me zyrtarë të lartë kosovarë do të mbeten konfidenciale. Nga ana tjetër dihet se në shtete të ndryshme, midis forcave politike dhe madje midis institucioneve qeveritare, disa herë ka mendime të kundërta lidhur me Kosovën dhe me njohjen e saj. Qeverive të atyre shteteve mund t'u duhet kohë edhe punë që të arrijnë një konsensus politik apo parlamentar për njohjen e Kosovës. Nëse Prishtina nxiton dhe shpall, ende pa u arritur ky konsensus në atë shtet, ahere dëmton njohjen e vet nga ai shtet.

Elementi më negativ, që rezulton nga fenomeni, që po analizojmë, ka të bëjë me Serbinë. Duke shpallur se ky apo ai shtet e ka njohur apo do ta njohë Kosovën, pa u marrë ende vendimi zyrtar nga ato shtete, Prishtina me dorën e vet zgjon nga gjumi Serbinë dhe diplomacinë serbe, e cila nxiton të bëjë presione të reja të drejtpërdrejta mbi shtetet e njoftuara, që të mos e njohin Kosovën. Serbia duhet të vihet përpara fakti të kryer, pasi vetë shtetet e tjera ta shpallin njohjen dhe jo Prishtina t'i kujtojë Serbisë se ka ende kohë që të pengojë këtë apo atë shtet, kandidat për njohjen e Kosovës. Po në këtë optikë, njohjet e paralajmëruara dhe të paautorizuara për t'u shpallur, vënë në lëvizje diplomacinë ruse dhe kineze që të ushtrojnë të gjitha presionet e mundshme mbi shtetet e Afrikës, të Azisë apo të Amerikës Latine, të cilat janë në prag të njohjes së Kosovës. Sepse, nëse Kosova vetë paralajmëron botën se ky apo ai shtet afrikan apo aziatik do ta njohë, diplomacia ruse dhe kineze do të nxitojnë të ndikojnë për ta kthyer vendimin e pritur zyrtar të njohjes. Sepse është e kuptueshme se, nëse tek qeveria e Malit do të shkojë diplomacia ruse dhe kineze, të cilët kanë prani, ndihma dhe ndikim të madh në shtetet afrikane, me siguri që presioni i tyre do të jetë më efektiv se sa premtimi ndaj Kosovës apo ndaj ndonjë titullari të saj.

Procesi i njohjes së Kosovës duhet të jetë një nga prioritetet e politikës së jashtme dhe të diplomacisë së Kosovës, dhe si çdo prioritet shtetëror, ai nuk mund të jetë dhe nuk duhet lejuar të jetë veprim apo hobi personale e njërit apo tjetrit zyrtar. Qeveria nuk duhet të stresohet kaq shumë nga zhurmat qoftë të propagandës serbe dhe ruse, qoftë të disa forcave opozitare brenda, se procesi i njohjeve ka ngecur. Streset qeveritare çojnë në gabime, që i paguan shteti dhe funksioni i tij ndërkombëtar. Unë i përkas atij grupi, që mendon se njohja e Kosovës nga 91 shtete, brenda këtyre katër vjetëve e gjysëm është një sukses, dhe mbaj distancë dhe nga grupi i atyre, që flasin në majë të mullarit se po të kishin qenë ata në krye të qeverisë së Kosovës furtuna e njohjeve do të kishte rrëmbyer 192 shtete të OKB-së. Nuk duhet harruar se shtetet e reja, që dolën nga ish-Jugosllavia, në kohën kur kishin moshën e shtetit të Kosovës, nuk kishin njohur ende nga pikëpamja diplomatike njëri-tjetrin dhe as një e treta e shteteve, që kanë njohur Kosovën, nuk i kishin njohur ish-republikat jugosllave. Nuk duhet harruar se as Kinën, që është nga fuqitë më të mëdha të botës, edhe sot e kësaj dite nuk e njohin të gjithë shtetet anëtare të OKB-së.

Procesi i njohjes së shtetit nuk është garë sportive, por është një proces i gjatë, i vështirë dhe që kërkon kohë. Është një proces, që nuk lejon gabime si ato që analizuam, dhe që kërkon bashkëveprimin e të gjithë institucioneve të shtetit, ku objektivi madhor është Kosova dhe ruajtja e reputacionit të saj diplomatik e ndërkombëtar.


SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (1)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NJË AMERIKANE QË DRIT SHQIPËRIMIN ME SYTË E SHPIRTITNga ARTUR VREKAJ (08.27.2012)
KUVENDI I PARTISË REPUBLIKANE TË AMERIKËSNga FRANK SHKRELI (08.26.2012)
EseBASHKIM GJYRIQI, NJË LARGIM I HESHTUR QË NUK E MORËN KRONIKATNga SKËNDER BUÇPAPAJ (08.24.2012)
EDHE NJË HERË MBI DËNIMIN E KRIMEVE TË KOMUNIZMITNga RESHAT KRIPA (08.23.2012)
SHQIPTARËT NË MAL TË ZI, NË VITIN JUBILAR, PA FLAMURIN E TYRE KOMBËTARNga XHELADIN ZENELI (08.22.2012)
100 VJET PAVARËSI: KËSHTU DO TË FLISTE LUIGJ GURAKUQINga FRANK SHKRELI (08.22.2012)
ARDHMËRIA E SHQIPTARISË NË AMERIKËNga ARTUR VREKAJ (08.21.2012)
TË SAKRIFIKOSH BEnë PËR ASADINNga SHABAN MURATI (08.20.2012)
Barometri diplomatikSERBIA T’I GJUNJËZOHET KOSOVËS PËR PAQE, JOANASJELLTAZI!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (08.19.2012)
PËR RUSËT KORRUPSIONI ËSHTË THJESHT NJË MËNYRË JETESENga MISHA FRIEDMAN, New York Times (08.19.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart�]