VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

RTK: Zgjedhjet lokale serbe ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës
E Djelë, 08.16.2009, 04:10pm (GMT1)

 

 

 

Në Graçanicë dhe në Gorazhdec, janë hapur vendvotimet për, siç thuhet, zgjedhjet lokale të serbëve për komunat Prishtinë dhe Pejë. Këto zgjedhje, që i organizon qeveria serbe, nga institucionet e Kosovës konsiderohen jolegjitime, ndërsa rezultatet e tyre nuk do të jenë të vlefshme dhe nuk kanë kurrfarë fuqie politike. Lëvizja Vetëvendosje dhe analistët e konsiderojnë këtë si një ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës.

 

Derisa Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këto zgjedhje janë edhe një pseudospektakël i Serbisë në Kosovës, duke i konsideruar ato jolegjitime, Lëvizja Vetëvendosja ka akuzuar sot lidershipin e vendin që ka lejuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Aktivistët e kësaj lëvizjeje në Prishtinë dhe në disa qendra të tjera të Kosovës kanë ngjitur posterë ku shihet kryeministri Thaçi, një kuti votimi me shkronja cirilike dhe në fund mbishkrimi "Bëhu pjesë e së ardhmes". Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, thotë se "heshtja dhe pasiviteti i shtetit të Kosovës është leje dhe inkurajim për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë".

"Nuk mund të jetë edhe Kosova sovrane edhe të mbahen zgjedhjet e Serbisë.
Dikush po gënjen. Është e qartë kush krerët politikë të Kosovës, të cilët reagojnë vetëm atëherë kur iu cenohen bizneset apo iu rrezikohen votat, por jo edhe kur cenohet a rrezikohet Kosova", ka deklaruar Kurti.

Drejtori i Qendrës kosovare për studime të sigurisë, Ramadan Qehaja, thotë se qëllimi i këtyre zgjedhjeve është që të destabilizojnë situatën politike në Kosovës dhe përmes tyre Beogradi dëshiron të tregojë se ne nuk jemi shtet që mund ta refuzojmë një gjë të tillë.

"Kësaj here, d.m.th., pas pavarësisë së Kosovës, pas aprovimit të Kushtetutës, ne është dashur në një mënyrë, si shtet, t'i tregojmë dhëmbët, kushtimisht të them, dhe të mos lejojmë që të mbahen këto zgjedhje. Së paku të tentojmë të mos lejojmë të mbahen këto zgjedhje. Mirëpo kjo nuk ka ndodhur, pse nuk ka ndodhur është çështje e lidershipit tonë", ka deklaruar Ramadan Qehaja.

Qehaja shprehet edhe kundër deklarimit të policisë se nuk do të bëjë sigurimin e këtyre zgjedhjeve. Ai vlerëson se policia do të duhej që në këto dy enklava të shtojë masat e sigurisë, që të mos të ndodhë diçka e papritur e që mund të ketë pasoja në situatën e tërësishme të sigurisë. RTK
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.