E Enjte, 03.28.2024, 01:31pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
VARIACIONE KOSOVARE ME TEMËN E IZOLACIONIZMIT
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 09.10.2012, 03:50pm (GMT+1)


Izolacionizmi është një sëmundje gjenetike dhe diplomatike e shtetformësisë shqiptare. Thelbi i saj qëndron në atë që shtetformësia shqiptare nuk ka ditur të ketë miq, dhe nuk ka ditur të mbajë miq në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare. Është një sëmundje e shfaqur tek shumica e qeverive të ndryshme, gjatë 100 vjetëve të shtetit të Shqipërisë. Është një sëmundje, që shfaqet në forma të ndryshme edhe në shtetin e ri të Kosovës. Duke hulumtuar në veprimtaritë diplomatike dhe politike të shtetit të ri shqiptar të Kosovës, e has atë në variacione të ndryshme të së njëjtës temë.

Nëse do të isha këshilltar diplomatik i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk do t'i kisha këshilluar ta lexonte atë fjalim, që ai mbajti në forumin ndërkombëtar strategjik të BLED-it, Slloveni, në 3 shtator 2012. Nuk do ta kisha këshilluar të paraqitej me atë fjalim në një auditor ndërkombëtar, thjesht për zbatim të parimit të njohur diplomatik se një kryeministër, kur flet, qoftë në një seminar, qoftë në një tryezë dypalëshe apo shumëpalëshe, është gjithmonë kryetari i qeverisë. Në fjalimet e tij në auditorë ndërkombëtarë, argumenti diplomatik, jo vetëm duhet të dominojë, por edhe të fshehë çdo gjurmë emotive të vlerësimit të brendshëm personal për njërën a tjetrën temë apo situatë. Fjalimi i kryeministrit u drejtohej shteteve anëtare të BE-së, dhe gjysma e tekstit ishte kritikë ndaj BE-së, ku Kosova po përpiqet në rrafshin diplomatik të fitojë sa më shumë përkrahje, që nga udhërrëfyesi për heqjen e vizave e deri tek shpejtimi i procesit të integrimit europian. Por ja çfarë deklaroi kryeministri, sipas fjalimit në faqen zyrtare të qeverisë së Kosovës: "Themelimi i Bashkimit Evropian përmes lënies së shoqërive ballkanike jashtë tij ishte shkas plotësues për ndezjen e konfliktit të madh ish-jugosllav. Për më tepër, do të shtoja se qasja relativiste e këtij unioni të ri në ditët e para të agresionit dhe vrasjeve në ish-Jugosllavi, po ashtu asistoi që ajo tragjedi të zgjaste një dekadë të plotë". Nuk duhet të jesh diplomat i BE-së për të kuptuar papërshtatshmërinë e vendit dhe të të adresuarve për shprehjen emotive të një pakënaqësie nga historia e qëndrimit dhe e politikës ballkanike të BE-së. Nuk duhet të jesh diplomat për të kuptuar karakterin joadekuat të një ekskursioni emotiv në historinë e konfliktit jugosllav pas 20 vjetësh në gojën e kryeministrit të një shteti, që sot pret me ankth të përfshihet në procesin e stabilizim-asocimit me BE-në. Nuk duhet të jesh diplomat për të kuptuar se përshtypja, që përfton auditori ndërkombëtar nga këto lloj theksesh të një fjalimi zyrtar, është një pakënaqësi e brendshme, e fosilizuar dhe e pakuptimtë, ndaj BE-së.

Nuk është vendi për të analizuar paqëndrueshmërinë e tezës se lënia jashtë BE-së e shoqërive ballkanike është një shkak plotësues i konfliktit jugosllav, tezë e cila, me gjithë indulgjencën, që mund t'u ofrojmë shkruesve të fjalimeve zyrtare në Prishtinë, merr pa dashje formën e një alibie për shkaktarin e vërtetë dhe kryesor të konfliktit dhe të luftërave ish-jugosllave, Serbinë. Nga këndvështrimi i sotëm, çështja shtrohet nëse ishte e nevojshme, që kryeministri i Kosovës të shprehte pas 20 vjetësh një pakënaqësi të diskutueshme në planin historik për rolin e BE-së në konfliktin ish-jugosllav. Çështja shtrohet nëse mendohet se fitohet mbështetje diplomatike nga BE, duke bërë kryeministri digresione historike, në një kohë që jo vetëm kanë rrjedhur shumë ujëra, por kryesorja është se pas luftërave brendajugosllave të viteve 1991-1995, kemi ndërhyrjen e NATO-s në Serbi dhe në Kosovë, ndërhyrje e cila determinoi çlirimin e Kosovës dhe krijimin e shtetit të pavarur të saj. Jo vetëm shtetet më të rëndësishme, por shumica e shteteve të BE-së, ishin anëtare të NATO-s, kur Aleanca Atlantike ndërhyri në Kosovë.

Reflektimi, që unë dëshiroj të nxis, nuk ka të bëjë me ndonjë debat historik, por ka të bëjë me efektet diplomatike, që mund të ketë sot shprehja e një pakënaqësie nga një qeveri apo nga kryetari i qeverisë në adresë të BE. Sepse kjo pakënaqësi "˜zyrtare' mbahet shënim në blloqet diplomatike të pranishme, dhe ai bllok nuk mbyllet me mbylljen e seminarit apo forumit, por shfletohet, sa herë që do të hapet dosja e marrëdhënieve dypalëshe të BE-së apo të njërit apo tjetrit shtet të rëndësishëm të BE-së, me Kosovën.

Variacioni i dytë vjen nga një parti parlamentare e Kuvendit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, përfaqësuesit e së cilës dolën zyrtarisht në 6 shtator kundër vazhdimit të misionit Eulex të Bashkimit Europian në Kosovë. Është e drejta e çdo partie të formulojë qëndrime të politikës se jashtme, që nuk janë në kohezion me vijën, që ndjek qeveria. Por kur qëndrimet e politikës së jashtme kanë të bëjnë jo me qeverinë apo se kush është kryeministër në një moment të dhënë, por kanë të bëjnë me marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, me NATO-n, me SHBA-të, me Perëndimin, ahere partitë e opozitës duhet të mendohen dy herë. Sepse çdo refuzim aprioristik, e aq më tepër sulm verbal apo fizik kundër pranisë së misioneve të BE-së në Kosovë, apo kundër përfaqësuesve të KFOR-it apo të dërguarve të BE-së, jo vetëm përkthehet si pakënaqësi ndaj BE-së, NATO-s dhe Perëndimit, por mund të prodhojë këndshikime dhe tendenca të tjera, me pasoja të dëmshme afatgjata për Kosovën. Sepse nëse një apo disa parti opozitare parlamentare aspirojnë dhe luftojnë të vijnë në pushtet, këtë duhet ta materializojnë me luftë politike dhe elektorale me njëra-tjetrën dhe jo duke shpikur "armikun apo të keqen" tek Eulex-i, KFOR-i apo Perëndimi. Transferimi i qëndrimit negativ ndaj qeverisë tek marrëdhëniet me miqtë strategjikë të Kosovës është një kurs i gabuar, për të mos thënë i dyshimtë.

Variacioni i tretë i pakënaqësisë ndaj Perëndimit në Kosovë vjen nga sektorë të politikës kosovare, të cilët, nuk është e qartë për publikun se për çfarë arsyesh, janë të afeksionuar nga një vijë përplasjesh publike me përfaqësuesit diplomatikë të SHBA-ve në Kosovë. Theksoj se nuk është fjala për duele personale, ku në koleksionin e mospëlqimeve të kujtdo mund të hyjë edhe një ambasador i caktuar amerikan, dhe kjo është normale. Por ajo që më tërheq vëmendjen është fakti se të gjithë ambasadorët amerikanë, që kanë shërbyer në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, janë bërë target sulmesh, gjë që, me dashje apo pa dashje, të shpie tek përshtypja sikur ka një interes për të kristalizuar një qëndrim politik, të shkëputur nga emri konkret.

Këtu nuk është fjala as të merret në mbrojtje ky apo ai ambasador amerikan, dhe as të humbet kohë për qëmtime të episodeve personale. Por në pikëpamje diplomatike, nëse në një shtet, që klasifikohet si mik i SHBA-ve, segmente të caktuara të politikës së atij vendi jetësojnë një vijë të sulmeve ndaj të gjithë ambasadorëve amerikanë, duke i etiketuar si "mbretër të Kosovës", është e kuptueshme se në departamentin e shtetit mbahet shënim se këta sektorë të politikës kosovare mund të kenë të akumuluar pakënaqësi ndaj vetë SHBA-ve, dhe jo vetëm ndaj emrit të veçantë.
Variacionet e mësipërme të temës së pakënaqësisë politike, që rreshtova më sipër, i adresohen miqve më të mëdhenj ndërkombëtarë, që aktualisht ka Kosova dhe kombi shqiptar, SHBA dhe BE. Është hera e parë në 100 vjet të shtetformësimit shqiptar, apo në 1000 apo 2000 vjet të historisë së kombit shqiptar, që është arritur të sigurohen miq të tillë strategjikë, interesat e të cilëve përkojnë me interesat strategjike kombëtare shqiptare. Këto interesa strategjike të kombit shqiptar janë më të rëndësishme se interesat individuale të hyrjes në parlament apo në qeveri në Prishtinë, janë më të rëndësishme se sa meskinitetet e inatet tribale mes bajraqeve, që duan të sundojnë në shtetin më të ri ballkanik.

Variacionet, që rreshtova më sipër, janë simptoma të sëmundjes së izolacionizmit, me pasoja negative mbarëkombëtare, sepse dinamizojnë procesin e distancimit tonë nga miqtë e vërtetë ndërkombëtarë. Ky distancim nga miqtë strategjikë, është një nga fenomenet më të rrezikshme, që mund të krisë jo vetëm aleancën jetike të kombit tonë me miqtë strategjikë, por edhe të dëmtojë mbarëvajtjen historike të kombit tonë.

Duke shërbyer shumë vite në shërbimin diplomatik, kam pasur rastin të konstatoj një strategji të hollë dhe bizantine të diplomacisë serbe, e cila synon të krijojë të çara në marrëdhëniet dhe në aleancën e kombit shqiptar me Perëndimin. Helmi diplomatik serb konsiston në shpërndarjen e opinioneve se shqiptarët janë mosmirënjohës dhe se shqiptarët nuk janë miq të besueshëm. Serbisë i ka interesuar dhe i intereson izolacionizmi shqiptar. Ndaj shtetet shqiptare, qeveritë shqiptare, diplomacitë shqiptare, partitë politike shqiptare, etj. duhet të ndërgjegjësohen për kurthin e strategjisë serbe të distancimit të shqiptarëve nga miqtë e tyre strategjikë.

Kombi shqiptar, Shqipëria dhe Kosova, kanë nevojë t'i mbajnë fort miqtë strategjikë, të cilët u rreshtuan me ta në vitet e fundit të shekullit të kaluar. Sidomos ata, që qeverisin në Prishtinë dhe në Tiranë, kanë përgjegjësi historike për fatet dhe për forcimin e pareshtur të miqësive me këta miq strategjikë

SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
AMBASADORI REEKER E LË NË FUND EDI RAMËN DUKE I DHËNË MESAZHE TË QARTA POLITIKËS - OSE KRYENI REFORMAT, OSE IKNI!Reeker takohet me kryetarin e bashkisë së Kasharit përpara se me liderin e opozitës RamaNga ELIDA BUÇPAPAJ& (09.09.2012)
TË GJITHË PËR MARK GJONAJNMË 13 SHTATORNga FRANK SHKRELI (09.07.2012)
KUVENDI I PARTISË DEMOKRATE TË AMERIKËSNga FRANK SHKRELI (09.04.2012)
MOS ËSHTË KOHA PËR NJË LËVIZJE 'ZGJOHU' NË DIPLOMACI?Nga SHABAN MURATI (09.03.2012)
KUSH I THA ENVER ROBELLIT NË KOSOVË SE DO TË KONTESTOHEN ZGJEDHJET E ARDHSHME NË SHQIPËRI(një debat me shkas në Facebook, për vizitën e presidentit Nishani në Kosovë, mes Enver Robellit dhe meje)Nga REXHEP SHAHU (09.02.2012)
In memoriamCARLO MARIA Kardinal MARTINI /1927-2012/ Nga Don LUSH GJERGJI (09.01.2012)
ISA BOLETINI: PISHTARI I BASHKIMIT KOMBËTAR''Unë jam mirë kur asht mirë Shqipënia''Nga FRANK SHKRELI (08.30.2012)
JENI KUJTUAR ME SHUMË VONESË, ZOTËRINJ TË SHOQATËS SË GAZETARËVENga ESHREF YMERI (08.29.2012)
REPUTACIONI DIPLOMATIK I KOSOVËSNga SHABAN MURATI (08.27.2012)
NJË AMERIKANE QË DRIT SHQIPËRIMIN ME SYTË E SHPIRTITNga ARTUR VREKAJ (08.27.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart�]