VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Në përvjetorin e rëniesKUSH ISHTE ZALO XHOMAQINga RESHAT KRIPA

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 09:38am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
Në përvjetorin e rënies
KUSH ISHTE ZALO XHOMAQI
Nga RESHAT KRIPA

E Martë, 09.11.2012, 06:59am (GMT+1)


Viti 1947. Një nënë kolonjare, nënë Esmaja, duke u dridhur dhe duke ndjerë në ndërgjegjen e saj peshën e rëndë të dënimit të të birit, drejtohet tek numri dy i hierarkisë së Ministrisë së Brendëshme, i tmerrshmi Josif Pashko, me të cilin dikur kishin pasur miqësi familjare. Por ai, pasi dëgjoi kërkesën e saj, u përgjigj me një zë të akullt: - Sikur të ishte dënim ordiner edhe mund të kisha ndërhyrë, por tani nuk mundem. Nëna drejtohet tek më i madhi, tek ai që kishte në dorë fatin e shqiptarëve, Ministri i Punëve të Brendshme, Koçi Xoxe, në dorën e të cilit ishte edhe fati i të birit. Drejtohet dhe i flet me zërin e nënës: - Kam ardhur të përulem para teje për të kërkuar faljen e jetës së djalit tim. Ju lutem, faleni tim bir për hir të dhimbjes së një nëne! Ministri e dëgjoi dhe pasi u mendua për disa minuta u përgjigj: - Shkoni dhe rrini e qetë. Lutja e juaj do të dëgjohet. Djali nuk do të ekzekutohet. Nëna e falënderoi dhe u largua e gëzuar. Në fshatin Bejkovë, vendlindjen e heroit të shkrimit, të gjithë festonin. Biri i tyre kishte shpëtuar nga ekzekutimi. Por, në këtë valë gëzimi, mbërrin korrieri i fshatit që sjell një telegram me anën e të cilit xhaxhai i të dënuarit njoftonte se nipi ishte ekzekutuar atë mbrëmje. Para syve më del një tregim i shkëlqyer i Gorkit, "Lavdia e nënës". Është historia e një nëne që niset të kërkojë birin e saj. Përshkon male dhe pyje, detra dhe lumenj dhe së fundi mbërriti tek Timurlengu i hekurt. - Cila je ti, moj grua? pyet perandori i plotfuqishëm - Jam nga Salerna, - përgjigjet nëna. - Ky vend gjendet larg, në Itali. Babai im ishte peshkatar, edhe im shoq peshkatar. Kishim një djalë, një djalë që ish më i bukuri i botës. Sapo kishte mbushur moshën gjashtë vjeç. Në bregun tonë duallën piratët saraçenë që vranë babanë, burrin tim dhe shumë të tjerë. Djalin e morën skllav. Kam katër vjet që e kërkoj nëpër botë. - Grua! Si munde të arrish këtu nga ai vend, që unë nuk e njoh? vazhdoi perandori Si munde të kalosh dete, lumenj, male e pyje? Qysh bishat e egra dhe njerëzit, që shpesh janë më të egër se bishat vetë, nuk të prekën ty? - Udhës hasa vetëm një det, por atëherë kur kërkon atë që do ti, era fryn mbroth. Lumenjtë mund t'i kalojë lehtë kush ka lindur në breg të detit. Malet? Unë nuk pashë male. - Po egërsirat? - Takova gjarpërinj, arinj, rrëqebuj dhe dema të tmerrshëm me koka të ulura përdhe. Dy herë më vështruan panterat me sytë e tyre. Po çdo bishë ka zemër dhe unë u fola atyre siç të flas ty dhe më zunë besë. Nëma djalin tim, sepse unë jam nënë dhe e dua. Timurlengu thirri shpurën e tij dhe e urdhëroi: - Unë, robi i Zotit, Timuri, flas ashtu siç duhet të flitet! Të nisen që tani treqind kalorës në në të gjitha anët e dheutdhe ta gjejnë birin e kësaj gruaje. Ajo do të presë këtu dhe unë do të pres bashkë me të. Ai që do të kthehet me djalin e saj, në shalën e kalit të tij, do të jetë i lumtur. Kështu thotë Timuri. Ashtu, grua? - Ashtu, mbret! Dhe nuk vonoi dhe djali u kthye në gjirin e nënës Bëni krahasimin, të nderuar lexues. Një perandor i egër, që ishte bërë tmerri i botës, përulet para një nëne. Timurlengu, mbreti i mbretërve, duke kuptuar madhështinë dhe pushtetin e nënës, u ngrit dhe u përul para asaj gruaje të thjeshtë, sepse ajo ishte nënë. Krahasojeni me cinizmin e një ministri të kohëve moderne, që pretendon se ka luftuar për lumturinë e popullit të tij, se e paska çliruar atë nga skllavëria, duke mos pasur as nder dhe as moral, mashtron nje nënë të përvuajtur dhe nuk ka kurajo t'i thotë asaj të vërtetën. Ky është udhëheqësi komunist, pjellë e një sistemi të kalbur si vetë ai. Kjo nënë ishte Esma Xhomaqi nga fshati Bejkovë i rrethit të Korçës dhe biri i saj Zalo Xhomaqi pushkatuar më 18 korrik 1947. Një ngjarje që i tejkalon kufijtë e dhimbjes, që do të zbuste zemrën e kujtdo, qoftë ai edhe kriminel, por që nuk mundte të zbuste zemrat e hienave komuniste që kishin uzurpuar pushtetin, pasi ata nuk kishin as zemër. Por ngjarja kishte prekur zemrën e njërit nga ata që kishin kaluar nëpër rrathët e ferrit komunist, poetit të sonetave, Uran Kostreci, që shkruan vargjet e mëposhtme:
Zalo Xhomaqi

Me laps në dorë, unë isha n'tavolinë
Kur, befas, m'u faneps vesh' me savan
Një djal meit i zbet', shajni shafran
E m'tha: "Për zogj bën vargje e për lëndinë?"

"Oh, pena ty t'u thaft', mos gjeç derman!
Po mua pse s'ma thure elegjinë
Që trakte hodha e nxiva tiraninë
E për atë me plumb kuqot më vranë.

Kur hymne, atbot, i thurnin robërisë
E komunizmit që bënte kërdi
Un' vetëm fillikat, bonjak, i ri
Tek pashë i hapej varri Shqipërisë

E çova zërin kundra mizorisë
E për atdheun tim u bëra fli."

Një sonet i mrekullueshëm që nuk mund të dalë veçse nga pena e një njeriu që ka kaluar vetë në kalvarin e tmerreve komuniste. Një sonet kushtuar një personi te veçantë që jetën ia kushtoi atdheut. Një hymn për një martir. Kush ishte djaloshi që "trakte hodhi e nxiu tiraninë", që "e çoi zërin kundër mizorisë e për atdheun u bë fli?" Ky ishte Zalo Xhomaqi? 10 prill 1946. Para bankës së të akuzuarve dhjetë shqiponja, siç i quan Zalo Xhomaqi këta djelmosha nacionalistë që për ideal kishin Shqipërinë dhe Flamurin Kuq e Zi të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Ishin të lidhur dy nga dy me zinxhirë Viktor Dosti me Besnik Duron, Bujar Doku me Islam Lleshin, Kujtim Koculi me Ylber Gjimjanin, Adem Petrela me Haziz Jarecin dhe Mikel Pepa me më të voglin, Petrit Toton që nuk kishte mbushur ende 16 vjeç. Edhe të tjerët nuk ishin shumë më të mëdhenj. Më i madhi 19 vjeç. Lidhur me këtë gjyq, në kujtimet e tij, Islam Lleshi shkruante:

Kur dola para trupit gjykues, të veshur me uniforma ushtarake, më ra në sy njeri prej tyre që shkruante vazhdimisht, ndërsa unë u përgjigjesha pyetjeve që më drejtoheshin. Herë-herë, ai më drejtonte sytë pa lëvizur kokën dhe pa ndalur dorën që shkruante, shkruante...E urreva dhe e mora inat më shumë se të tjerët. Pse të shkruante fjalët e mia, pse? Në atë moshë nuk e kuptoja se ishte e domosdoshme të mbahej një proces-verbal gjatë seancave gjyqësore. Vite më vonë, pasi u lirova nga burgu, një ditë duke ndenjur me nënën, ajo nxorri nga gjiri dhe më dha një letër të mbledhur shuk, si nuskë. Ishte një trakt i shkrojtur me dorë. Fliste për ne, të rinjtë nacionalistë, të dënuar në vitin 1946. Nga shokët mësova se atë trakt e kishte shkruar dhe shpërndarë nëpër familjet e të dënuarve, sekretari i gjyqit, Zalo Xhomaqi. Të lumtë Zalo! Ky ishte nderimi im për atë që e urreva padrejtësisht.

Zalo Xhomaqi, luftëtar i çetave nacionaliste, sekretar në gjyqet komuniste kundër nacionalistëve, shkruante proces-verbalet por në zemër ndjente dhimbje për ata trima që nuk përuleshin para xhahilëve që i gjykonin. I dëgjonte ata të përgjigjeshin krenarë dhe brenda vetes ndjente një revoltë që zjente vazhdimisht. Këtë revoltë nuk kishte se si të mos e shprehte. Po si? Menjëherë pas mbarimit të gjyqit shkroi një trakt që e shpërndau në gjimnazet e Tiranës dhe familjarët e të dënuarve. Ishte një protestë kundër drejtësisë komuniste dhe gjyqeve kriminale që ajo organizonte. Trakti bëri bujë në qarqet e Ministrisë së Brendëshme. Forcat e Sigurimit të Shtetit kërkonin me ngulm autorin, ndërsa qytetarët lexonin me etje traktin shpresedhenes. Në të, ndërmjet të tjerave, shkruhej:
"Ay që e nis qeverimin me gjakderdhje dhe terrorizëm është i shtrënguar fatalisht ta vazhdojë ashtu si e nisi. S'kthehet dot prpa më, futet thellë e më thellë se vet dhe është i dënuar të mbytet në pellgun e gjakut që ay vet krijoi."
(Fan Noli Introduktë "Makbethi")

10 prill 1946. Pas 365 ditësh burgimi, dhjetë bijtë e shqiponjës së zezë dykrenore, gjykohen para gjykatës ushtarake të Tiranës, para gjyqit të terrorit më të zi që ka pare historia e njerëzimit, tëterrorit të kuq. Zilja tingëllon. Gjykimi fillon. Dhjetë shpirtrat tuaj, o djelmosha student, sa të qetë e të patrembur janë! Sytë tuaj xixëllonja. Faqja juaj shkëlqen. Ndërgjegja juaj ndriçon. Dhe ja apologjia: - Nuk mund të gjykohet ati im, Hasan Dosti, në personin tim. Luftën vllavrasëse nuk e kam parë kurrë me sy të mirë. përgjigjet me krenari Viktor Dosti. - Nuk jam komunist! thotë Bujar Dokua. - Nuk e di pse jam arrestuar, - kundërshton akuzat Haziz Jareci. - 7 prilli 1939 më gjeti në Sarandë. Isha i vogël, 10-11 vjeç dhe s'kisha se çfarë të bëja, - u drejtohet egërsirave Petriti i vogël. - S'jam akuzator që t'u kallzoj punët e të tjerëve. S'kam bërë asgjë të keqe që të kuptoj nëse kam bërë dëm apo faj, - vazhdon me gjakftohtësi Islam lleshi. - Nuk e solla Italinë unë këtu, - u përgjigjet Kujtim Koculi agjentëve të sigurimit dhe më vonë të G.P.U.-së. Ja edhe apologjia e dëshmitarëve të akuzës: - E pashë Petrit Toton me Flamurin Kuq e Zi në ballë dhe i thashë: - deklaron dëshmitari komunist Spiro Naçe, - "Akoma e mban atë flamur, ai është i zhytur në tradhëti, hidhe poshtë". Por Petriti m'u përgjigj: "Ky më dallon që jam shqiptar. Ti pse e mban atë yll në ballë?" Nuk shembem, jo! oshëtin toka shqiptare, - se jam kryelartë që kam pjellë e kam nxjerrë dragonj e shqiponja që më duan, që më mbrojnë, që do të më shpëtojnë për gjithmonë. Jini krenare ju nëna shqiptare që kini pjellë bijë si këto dhjetë shqiponjat e 10 prillit. Ora e larjes së hesapeve po afron. Po afrohet dita e shpëtimit, dita e lirisë kombëtare. Së shpejti ajo do të agojë dhe do të shpërndajë hithrat dhe shpendërat që e kanë mbuluar. Këto do t'i shpërndajnë shqiponjat e këtij vendi
Tiranë, prill 1946

Ky ishte trakti i shkruar nga Zalo Xhomaqi 5-26 korrik 1946. Zhvillohej gjyqi i "Rinisë së rezistencës". Para bankës së të akuzuarve njëzetedy djelmosha nga mosha pesëmbëdhjetë deri në njëzetedy vjeç, Abdulla Berberi, Bektash Kokona, Baftjar Kokona, Skënder Hamza Kosova, Refik Çepelja, Njazi Hoxha, Skënder Jeniçeri, Shuaip Hasho, Asllan Cenaj, Xhavit Alimerko, Ylli Selenica, Abaz Mezini dhe dhjetë trima të tjerë. Kryetar gjyqi Irakli Bozgo, prokuror Halit Tafani, sekretar përsëri Zalo Xhomaqi. Ditën e parë të gjyqit të pandehurit i sjellin në sallë të lidhur dy nga dy. Sipas dëshmisë së Abdulla Berberit, ishte Zalua ai që do u hiqte prangat. Ai afrohet dhe, ndërsa zgjidhte prangat, i thotë: - Unë jam një shokë i juaj. Jam antikomunist. Gjatë të gjithë ditëve që do të gjykoheni në këtë sallë do të jem unë ai që do t'u heq prangat.Mendoj që të kem lidhje vetëm me ty. Për çdo gjë do të të ve në dijeni. Unë jam një bashkëpuntor i juaji. Dhe, me të vërtetë, Zalua, fshehtazi, u bë bashkëpuntor me të akuzuarit. Ai i informonte ata mbi çdo gjë që bisedonin gjykatësit dhe të akuzuarit dinin se si t'u përgjigjeshin. Ky ishte Zalo Xhomaqi, trimi nacionalist që luftonte edhe në gojën e ujqërve. Por Sigurimi i Shtetit nuk flinte. Ai gjurmonte vazhdimisht dhe në përfundim arriti në konkluzionin se trakti ishte shkruar nga Zalo Xhomaqi. Kjo gjë u vërtetua kur u provua se trakti ishte shtypur me makinën e shkrimit me të cilën punonte Zalua. Më 23 dhjetor 1946 Zalua arrestohet dhe dërgohet në qelitë e errëta të sigurimit. Pas shtatë muaj torturash nga më të tmerrshmet nxirret para trupit gjykues. Akuzat ishin: 1. Ka qenë i inkuadruar në rradhët e Ballit Kombëtar dhe ka veprur në dëm të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. 2. Ka dhunuar veprime ligjore të Gjykatës Ushtarake. 3. Ka afishuar një trakt ku flet kundra drejtësisë së gjyqeve të popullit. Martiri qëndroi si hero përballë gjykatësve mizorë. Së fundi vendimi: Vdekje me pushkatim. 18 korrik 1947. 0ra 3.30. Para togës së pushkatimit qëndron një titan i pamposhtur. Përballë tij prokurori i zi, Petrit Hakani. - Fjalën e fundit, i pandehur! flet ai. - Kjo qeveri që e quan veten të fortë, me ekzekutimin tim, jep të kuptojë se, edhe vetëm për një sharje, derdh gjak njeriu. Unë e them këtë se nuk kam bërë faj. përgjigjet Zalua me krenari dhe vazhdon: - Unë veprën time kështu e quaj. Rroftë Shqipëria dhe Demokracia! Breshëria e plumbave e rrëzoi trimin për tokë. Kështu përfundoi jeta e këtij njeriu të rrallë që zor se mund t'i gjendet shoku në historinë e këtij kombi. Ja si e përshkruan Abdulla Berberi këtë çast:
Ndërsa po flija në koridorin e burgut të vjetër, nga ora tre e mëngjesit,dëgjoj një të rënë me shqelm. Gjysëm i trembur, shoh para meje prokurorin kriminel, bishën me fytyrë njeriu, Petrit Hakanin. Si më goditi edhe një herë tjetër m'u drejtua me këto fjalë: - A të shkon mendja se ku jam nisur në këtë mëngjes të errët? Po shkoj të vras me dorën time shokun tënd, tradhtarin dhe dekonspiratorin tonë, Zalo Xhomaqin. Fytyra e tij në ato çaste kishte marrë pamjen e një xhelati.

Komentet besoj se janë të tepërta. Kanë kaluar gjashtëdhjetepesë vjet nga ajo natë e tmerrshme korriku. Kanë kaluar njëzetedy vjet nga rivendosja e sistemit demokratik në vendin tonë. A keni dëgjuar të përmendet ndonjëherë emri i këtij heroi? A keni lexuar nëpër faqet e shtypit të shkruar për të? A keni parë ndonjë analist në ekranet e televizioneve të flasë për të? Përveç një shkrimi të botuar në gazetën "Liria" datë 19 maj 1993, atë të zotit Dashnor Kaloçi në "Gazeta Shqiptare" datë 7 prill 2002 dhe ndonjë kujtimi të bashkëvuajtësve të tij, në këto njëzetedy vjet ka mbretëruar heshtja. A nuk do ia vlente që këtij martiri t'i akordohej një titull nderi nga Presidentët e Republikës, që nuk kanë lënë pa dekoruar, të bardhë e të zinj, madje dhe deri tek persekutorët më të tmerrshëm të këtij vendi. Ky është një turp për këtë komb. Jemi në 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Do të ishte në nderin e këtij kombi që të nderoheshin heronjë e vërtetë dhe jo ata falso që me demagogjinë e tyre vazhdojnë të helmojnë atmosferën demokratike në vend. Një vend nderi në këtë drejtim zënë edhe martirët e rezistencës antikomuniste dhe në ballë të tyre ështe edhe heroi ynë, Zalo Xhomaqi.

RESHAT KRIPA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
VARIACIONE KOSOVARE ME TEMËN E IZOLACIONIZMITNga SHABAN MURATI (09.10.2012)
AMBASADORI REEKER E LË NË FUND EDI RAMËN DUKE I DHËNË MESAZHE TË QARTA POLITIKËS - OSE KRYENI REFORMAT, OSE IKNI!Reeker takohet me kryetarin e bashkisë së Kasharit përpara se me liderin e opozitës RamaNga ELIDA BUÇPAPAJ& (09.09.2012)
TË GJITHË PËR MARK GJONAJNMË 13 SHTATORNga FRANK SHKRELI (09.07.2012)
KUVENDI I PARTISË DEMOKRATE TË AMERIKËSNga FRANK SHKRELI (09.04.2012)
MOS ËSHTË KOHA PËR NJË LËVIZJE 'ZGJOHU' NË DIPLOMACI?Nga SHABAN MURATI (09.03.2012)
KUSH I THA ENVER ROBELLIT NË KOSOVË SE DO TË KONTESTOHEN ZGJEDHJET E ARDHSHME NË SHQIPËRI(një debat me shkas në Facebook, për vizitën e presidentit Nishani në Kosovë, mes Enver Robellit dhe meje)Nga REXHEP SHAHU (09.02.2012)
In memoriamCARLO MARIA Kardinal MARTINI /1927-2012/ Nga Don LUSH GJERGJI (09.01.2012)
ISA BOLETINI: PISHTARI I BASHKIMIT KOMBËTAR''Unë jam mirë kur asht mirë Shqipënia''Nga FRANK SHKRELI (08.30.2012)
JENI KUJTUAR ME SHUMË VONESË, ZOTËRINJ TË SHOQATËS SË GAZETARËVENga ESHREF YMERI (08.29.2012)
REPUTACIONI DIPLOMATIK I KOSOVËSNga SHABAN MURATI (08.27.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]