Javën që kaloi, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit Filip Riker
zhvilloi një vizitë katërditëshe në Shqipëri, ku u takua me udhëheqësit më të
lartë të shtetit dhe të qeverisë shqiptare si edhe me përfaqësues të opozitës.
Vizita e diplomatit amerikan, i cili i njeh shumë mirë çeshtjet shqiptare në
Ballkan, është edhe një shënjë tjetër e marrëdhënjeve të ngushta dhe në rritje
e sipër që ekzistojnë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, marrëdhënje
këto që u rivendosen në Mars të vitit 1991, pasi ishin prishur 50 vjet
më parë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Kjo ndërprerje e marrëdhënieve
shqiptaro-amerikane ishte një prishje jo natyrale e marrëdhënjeve midis dy
popujve miq që kishin filluar në fillim të shekullit të kaluar, kur --atëherë
si edhe sot -- ishte një president i Shteteve të Bashkuara, në personin e
Uodrou Uilsonit, i cili mbrojti shtetin e ri shqiptar të posa formuar.
Zyrtarë të ndryshëm amerikanë, përfshirë edhe Sekretaren e Shtetit Hillari
Klinton kanë thënë se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Shqipërinë si ndër
aleatët më të ngushtë të tyre. Këtë e shprehu edhe diplomati i lartë amerikan
Riker, gjatë vizitës së tij në Shqipëri javën e kaluar, duke thënë se ''Shtetet
e Bashkuara janë shumë krenare që ju kemi aleat... natyrisht edhe për faktin që
Shqipëra është edhe anëtare e plotë e NATO-s''.
Edhe Tirana zyrtare, por edhe i mbarë kombi shqiptar dhe shqiptarët kudo që
gjënden, janë shprehur gjithmonë mirënjohës të rolit që Shtetet e Bashkuara
kanë luajtur gjatë historisë në mbrojtje të interesave të shqiptarëve.
Komuniteti shqiptaro-amerikan, si sot ashtu edhe historikisht, ka luajtur dhe
vazhdon të luaj një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm
të këtyre marrëdhënjeve. Në Mars të vitit 1991, gjatë ceremonisë së nënshkrimit
të memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Uashingtonit
dhe Tiranës, ndihmës sekretari amerikan i shtetit për punët evropiane, Rejmond
Sajtz tha se megjithëse të ndërprera për pothuaj 50-vjetë, ''marrëdhënjet midis
dy endeve nuk u harruan kurrë nga mijëra amerikanë me origjinë shqiptare....''.
Edhe gjatë vizitës së tij në Shqipëri javën e kaluar, diplomati i lartë
amerikan Riker, në një intervistë me analistin e njohur amerikan Janush
Bugajski theksoi rolin historik të diasporës shqiptare në Amerikë në promovimin
e marrëdhënjeve amerikano-shqiptare. Duke iu përgjigjur pyetjes së Zotit
Bugajski -- i cili tha se në këto marrëdhënje ka disa spiranca madhore
historike -- se mbi çfarë bazohen marrëdhënjet e forta shqiptaro-amerikane --
zyrtari i lartë amerikan u përgjigj pa hesitim duke thënë se, ''Mendoj që
bazohet në një miqësi të vjetër. Ka një diasporë të fortë të shqiptarëve në
SHBA.''
Gjatë vizitë së tij, diplomati Riker u angazhua, në emër të Shteteve të Bashkuara,
se Uashingtoni do të vazhdojë të qëndrojë pranë Shqipërisë, pasi siç tha ai, si
miq që jemi ia duam të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve, prandaj në intervistën
me Zotin Bugajski, ashtu siç bëri edhe në të gjitha takimet zyrtare me
udhëheqsit më të lartë të Shqipërisë, Zoti Riker theksoi, me seriozitetin më të
madh, se ''Duam të ngrejmë zërin dhe të flasim mbi nevojën për të vazhduar
përpjekjet për reforma. Kemi mbështetur tranzicionin e Shqipërisë, reformat e
saj, përparimin e saj dhe duam të vazhdojmë ta bëjmë këtë për të ri-përqendruar
energjitë në sigurimin e respektit për institucionet e pavarura demokratike,
për të punuar mbi reformat gjyqësore, për të theksuar rëndësinë e sundimit të
ligjit, e të luftës kundër korrupsionit. Mendoj që këto janë gjëra për të cilat
shqetësohet qytetari i zakonshëm shqiptar dhe kjo është ajo që do ta çonte
Shqipërinë në drejtime të reja në 100 vjetët e saj të ardhshme. Dhe ne, Shtetet
e Bashkuara, presim të jemi miq të saj në këtë proces'', njëqind vjeçar.
Si miku me mikun, zëvendës sekretari amerikan i shtetit Filip Riker qe i drejtë
për drejtë dhe i sinqert në takimet e tij me të gjithë protagonistët kryesorë
të politikës shqiptare. Mesazhin e tij për të gjithë, ai e përmblodhi pas
takimit me udhëheqsin e Partisë Socialiste, Zotin Edi Rama , duke thënë se
''Uashingtoni do t'i ndjekë me vëmendje dhe nga shumë afër zhvillimet në
Shqipëri. Shpresojmë të shohim vazhdimin e përparimit të reformave, dhe presim
të shohim që zgjedhjet e vitit të ardhëshëm të zhvillohen në mënyrë të
përgjegjëshme''. Zoti Riker tha gjithashtu se në takimet e tij me udhëheqsit
shqiptarë kishte theksuar rëndësinë e respektimit të pavarësisë së
institucioneve demokratike, si edhe ''seriozitetin e qëllimeve që tejkalojnë
interesat politike të partive, por të cilat janë në interesin madhor të
popullit shqiptar'', duke shtuar se, ''javët e ardhëshme janë kritike''.
Ai sikur ngarkoi me detyrë politikën shqiptare, që për të mirën e vendit dhe të
popullit shqiptar në këtë 100-vjetor të pavarësisë, të gjëjë gjuhën e
përbashkët, ''të mirëkuptimit shumë-partiak për reformën e rregullave
parlamentare, për miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë si dhe votimin e
ndryshimeve kushtetuese për imunitetet. ''Zoti Riker përfundoi duke thënë se
këto ''janë të arritshme, dhe do të jenë hapa të rëndësishme në drejtimin e
duhur për Shqipërinë."
Në këtë 100-vjetor historik të pavarësisë së Shqipërisë, është kritike që
marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të jenë të forta dhe të
ngushta, dhe si të tilla duhet të jenë prioritet kombëtar për të gjitha partitë
politike shqiptare, pa marrë parasysh mosmarrveshjet e tyre të mbrendshme
politike. Marrëdhënjet e ngushta midis vendeve, mbi të gjitha, janë marrëdhënje
që theksojnë dhe bazohen në vlerat e përbashkëta demokratike. Fuqizimi ose
çimentimi i këtyre marrëdhënjeve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara do
të varet nga gatishmëra dhe vullneti i politikës shqiptare ndaj ''seriozitetit
të qëllimeve që tejkalojnë interesat politike të partive, por të cilat janë në
interesin madhor të popullit shqiptar'', sipas fjalëve të përfaqsuesit të një
miku të vjetër të shqiptarëve, diplomatit amerikan Filip Riker gjatë vizitës së
tij në Shqipëri, javën që kaloi.