Ndonëse kemi vite që jemi larguar nga Shqipëria, interesimi ynë për vendin tonë
sa vjen e rritet. E rriti këtë interesim edhe libri studimor i Kujtim Matelit
"Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit I". Interesimi për Dodonën është i
madh, sepse ka të bëjë me rrënjët e qytetërimit tonë që është i vjetër në këto
troje sa dhe vetë bota. Mateli e ilustron librin me argumente bindëse për
vendndodhjen e Dodonës në Dëshnicë të Përmetit.
Mjaft shqiptarë që ndodhen këtu në Amerikë e lexojnë këtë libër duke ia huazuar
njëri-tjetrit. Ky libër studimor shkencor, që bën fjalë për një dëshmi-rrënjë
të qytetërimit pellazg, siç është tempulli i Dodonës (përfshi edhe qytetin dhe
lisin rrëfimtar ku lexohej orakulli), është çertifikuar në rrjedhë të historisë
me emrat: thesprot, kaon e mollos.
E, ndërsa ne shqiptarët që banojmë në kontinentin e largët amerikan dhe i
gëzohemi këtij studimi dinjitoz, u befasuam kur lexuam tek gazeta "Republika"
se z. Muzafer Korkuti, Nënkryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e
kundërshtonte këtë studim duke i vënë përballë Ismail Qemalin, themeluesin e
shtetit shqiptar, se gjoja Dodona qënka në afërsi të Janinës, se atje kishte
thënë se ndodhej edhe Ismail Qemali.
Ne Ismail Qemalin e njohim për politikan dhe si politikan Ai e bëri detyrën e
tij: themeloi shtetin shqiptar dhe krijoi qeverinë e parë shqiptare.
Se ku ndodhet Dodona e presim nga ata që merren me studime shkencore, nga ato
studime që janë në nivel akademikësh. Ne Muzafer Korkurtin njohim për
shkencëtar meqë ka zënë kryet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe nga ai
presim që të thotë se ku ndodhet Dodona pellazgjike. Nëse nuk e ka bërë deri
tani, do të thotë se nuk e ka bërë detyrën e tij për të cilën paguhet nga
shteti shqiptar. Po dhe kur këtë e bëjnë të tjerë siç është studiuesi Kujtim
Mateli, i cili as paguhet për këtë punë dhe as mbështetet nga ndonjë
institucion shkencor a universitar, qëndrimi mospërfillës, i z.Korkuti pasqyron
nivelin e ulët shkencor e njerëzor që ekziston në institucionet shqiptare dhe
në rastin konkret te Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
Nëse këta që mbajnë këto grada shkencore dhe poste drejtuese në shkencën
shqiptare, nuk janë të aftë të japin një përgjigje shkencore, duhet t`u
drejtohen e të marrin mendim nga albanologët europianë, nga Profesorët e
historisë antike në Universitet Europiane dhe ato Amerikane. Bota e sotme
bashkëpunon në të gjitha fushat, në këtë bashkëpunim duhet të përfshihet edhe
Akademia jonë e Shkencave.
1
Studimi i kujdesshëm që u ka bërë Kujtim Mateli autorëve të lashtësisë, duke
filluar me Homerin e të tjerët me radhë, e bëjnë studimin të besueshëm se
Dodona nuk është pranë Janinës, por në Dëshnicë të Përmetit. Në libër jepen
njëra pas tjetrës dëshmitë e këtyre autorëve që thonë se Dodona ndodhet në veri
të Epirit.
Duke lexuar këto ditë një libër që ka për autor Herbert William Parke " The
Oracles of Zeus :Dodona, Olympia, Ammon", ka një dëshmi të rëndësishme që nuk
gjendet në studimin e Kujtim Matelit (megjithëse ai i është referuar këtij
autori), por që mbështet më së miri tezën e tij se Dodona ndodhet në veri të
Epirit, në tokën e Molosisë.
E ëma e Aleksandrit të Maqedonisë, Olimbia, ishte në të njëjtën kohë regjente e
Epirit. Ajo u dërgoi një letër athinjotëve duke protestuar se " toka e
Mollosëve ku qëndron kulti, ishte i saj dhe athinjotët nuk kishin punë të
ndërhynin për asgjë në të".(faqja 142). Kjo ngjarje shumë domethënëse ka
ndodhur pas vdekjes së Aleksandrit të Mollosisë, (që ishte vëllai i Olimbisë)
dhe hedh dritë për vërtetësinë e argumenteve që sjell Kujtim Mateli në studimin
e tij për vendndodhje të Dodonës në tokë të mollosëve e në veri të Epirit.
2
Kujtim Mateli ka sjellë fakte të mjaftueshme që Dodonën të mos e kërkosh në
Janinë, që është në zemër të Epirit, por në veri të tij, aty ku përputhen pa
asnjë kundërshtim të gjithë këta autorë, aty ku ndodhet fusha Hellopia për të
cilën ka kënduar Hesiodi, shpati i malit ku ndodhet qyteti dhe tempulli i
Dodonës dhe lumi i Dëshnicës ku ndodhet orakulli i Dodonës.
Lugina e Carakovistës pranë Janinës nuk plotëson asnjë nga ato që thonë autorët
e vjetër. Ndaj dhe Mateli me plotë të drejtë thotë se Dodona nuk ndodhet në
afërsi të Janinës, duke sjellë për lexuesin edhe ato kundërshtime që u bënë nga
mjaft personalitete të kohës duke veçuar Zoto Mollosin e Sami Frashërin.
Sot, shumë autorë kopjojnë njëri-tjetrin duke thënë se Dodona ndodhet në
Carakovistë, duke pranuar qorrazi Karapanon dhe Akademinë Franceze që bëri
Çertifikimin e saj. Kështu kanë vepruar deri më sot edhe Akademikët dhe
Profesorët e Shqipërisë.
Të mendosh kështu, të shkosh e të vulosësh akoma më shumë se çfarë shkroi
Karapano, do të thotë se Akademikëve shqiptarë u mungojnë studimet e mirëfillta
shkencore për Dodonën. Po nëse nuk merren me Dodonën që është mëma e
qytetërimeve të lashtësisë, me cfarë tjetër më të rëndësishme merren? Po ajo që
është më e keqja, këtyre u mungon edhe guximi për ta përshëndetur këtë studim
dhe për të hedhur dritë për misterin mbi katër mijëvjeçarë që ndriçohet
plotësisht nga vendndodhja e vërtetë e Dodonës pellazgjike që është aty ku
thotë studiuesi kurajoz Kujtim Mateli.
3
Kujtim Mateli në këtë libër na njeh deri në detaje me pozicionin gjeografik të
Shqipërisë së Jugut. Ka marrë përsipër detyrën e gjeografit, sepse të dhënat e
autorëve të lashtësisë nuk mund të kuptoheshin nga lexuesi shqiptar dhe ai i
huaj, pa e njohur mirë terrenin për të cilin ata flisnin. Me harta e foto, me
përshkrime të hollësishme, ne njihemi me vargmalet Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë
e paralel me të Shëndëlli-Lunxheri-Bureto. Këto ishin malet e Dodonës për të
cilat na flet Eskili. Lugina e Dëshnicës dhe ajo e Vjosës, përshkruar sipas
Matelit, na krijon tablonë bindëse të vendndodhjes së Dodonës në këtë Luginë të
shenjtëruar.
Po Mateli është njohës i mirë edhe i luginës së Carakovistës ku pretendohet Dodona
sipas Karapanos dhe mbështetësve të tij.
Kur bëjmë fjalë për mënyrën e jetesës dhe ritet që aplikonin njerëzit para
Krishtit, nuk mund të themi më shumë se ato që thuhen në këtë studim.
Shqipëria e Jugut dhe në veçanti lugina e sipërme e Vjosës, ku dhe ndodhet
Dodona pellazgjike, është dhënë kronologjikisht që nga dëshmitë më të hershme
siç është fortifikimi i Dedejanit që është i shekujve XIV-XIII para Krishtit e
deri në vitet `50-të të shekullit të kaluar me dëshminë e lisave të shenjtë që
ende adhuroheshin si në kohën e Dodonës, veçanërisht tek banorët e Dëshnicës së
Përmetit.
Teksa lexon këtë libër, kujtesa të sjellë ata njerëz të mëdhenj që bënë
historinë duke filluar me Akilin e të birin e tij, Neoptolemeun, Odisenë që me
dinakëri shkatërroi Trojën e pamposhtur dhe Orestin e Agamemnonit, Enean e
Trojës e Aleksandrin e Epirit, Aleksandrin e Madh të Maqedonisë e nënën e tij
epirote, Olimbinë, Filipi i II i Maqedonisë e deri te perandorët e Romës, të
gjithë në gjunjë duke iu lutur perëndisë e duke kërkuar t`u lexohen ardhmëria.
4
Ky studim, i përkthyer në anglisht me firmën e autorit Kujtim Mateli, do të
jetë edhe më i plotë për botën akademike europiane e atë botërore. Edhe
audienca do të jetë më profesionale, pa paragjykime siç ndodh rëndom në Shqipëri.
Jam i bindur se ka për t`u çertifikuar se studimi mbështetet mbi fakte të
pakundërshtueshme. Dodona pellazge ndodhet aty, në Dëshnicë të Përmetit.Një
ditë edhe këta kundërshtarë shqiptarë do të venë si vizitorë tek Dodona e
famshme, në Dëshnicë të Përmetit. Shihni përreth se çfarë bëjnë fqinjët tanë
serbë, sllavo-maqedonë dhe grekë. Duan me çdo kusht t`i veshin kombit të tyre
të ardhur vonë në këto troje (që dikur kanë qenë pellazge e ilire), një
identitet të pa qenë duke e salduar me vepra arti, me filma, me studime, me
enciklopedi, me botime shkencore, me vendosje emrash të përkatësisë së tyre
edhe sot në mes të ditës, në sytë e Europës dhe gjithë botës.
Ne shqiptarët duhet të kthjellohemi, se ato gjurmë që kemi në trojet tona, ato
dokumente që ende flenë në arshivat e Romës, të Egjiptit, të Vatikanit, të
Rusisë a gjetkë, duhen kërkuar e parë mirë, por edhe nënvizuar e vërtetuar për
gjithçka që na përket neve si komb.
Pa shihni se si i zhbënë vendngjarjet historike: Nishin, Shkupin, Janinën, apo sa e sa emra fshatrash arvanitas në Greqi. Është asimiluar trashëgimia e
300 venbanimeve arvanitase me urdhër të qeverisë greke deri më 1987, përfshirë
këtu fshirja e emrit Çamëri, si vendlindje e çamëve. Ka një mësymje të paparë
për kumbarizimin e shqiptarëve emigrantë ekonomikë në Greqi.
Një presion të jashtëzakonshëm deri në shpopullim apo ndërrim statusi
qeverisjeje të trojeve shqiptare në Mal të Zi ( Tuz) apo në Sërbi, Kosova
Lindore dhe Sanxhaku i Nishit.
Në këtë prizëm, Akademia e Shkencave të Shqipërisë duhet të shkundet nga
zyrtarizmi shqiptar i pabukë, herë-herë i ndikuar edhe nga rryma politike që i
kërcënojnë me vendin e punës dhe të kthehet tek kërkimi shkencor i vërtetimit
të asaj çfarë deri më sot është vjedhur nga fqinjët apo tentohet të vidhet hapur
nga ata!
5
Edhe pse është e vështirë, do njerëz guximtarë dhe fonde finaciare, por nuk
është e pamundur! Akademia e Shkencave të Shqipërisë duhet të zgjohet nga gjumi
shekullor... Ështe mrekulli të analizosh shkencërisht e të hedhësh dritë mbi
fakte reale që deri më sot i janë mëshuar hamendjeve greke! Studimi i Kujtim
Matelit, është i pari studim shqiptar për një thesar si Dodona. Është krenari
të jesh shqiptar me rrënjë sa vetë historia njerëzore.
Është kënaqësi e madhe të vlerësosh punën studimore dhe krijuese të përmetarit
Kujtim Mateli, aq më tepër kur krah tij janë intelektualë , shkrimtarë dhe
poetë, arkeologë, shkencëtarë dhe historianë shqiptarë. Mund të veçoj poetin
Bardhyl Londo për mbështetjen dhe promovimin e këtij studimi!
Dodona po flet shqip! Jam mrekulluar kur më në fund dëgjoj zëra të bashkuar
rreth studimit të Kujtim Matelit për vendndodhjen e Dodonss në Dëshnicë të
Përmetit! Ky është mijëvjecari i tregimit për rrënjët e lashta pellazge të
shqiptarëve! Shqipëria më në fund, po i kthehet vetvetes!
Studimi i Kujtim Mateli për vendodhjen e vërtetë të Dodonës, meriton më shumë
vëmendje prej Europës dhe Amerikës, sepse bota akademiko-universitare e
vlerëson shumë qytetërimin e lashtë. Ky është shërbimi më i madh ndaj kombit
shqiptar dhe Shqipërisë në vecanti. Një vepër që po hap siparin e rrënjëve të
kahershme pellazge!
Unë e shoh këtë studim si një projekt në vazhdim, për të sjellë në skenë
vëmendjen e shqiptarëve mbi misterin për Dodonën në tokën ku sot banojnë
shqiptarët.
Ju, Kujtim Mateli, hodhët dritë që e vërteta për Tempullin e Dodonës dhe Lisin
Rrëfimtar të shihet shkencërisht në të gjitha planet e ndërtimit e funksionimit
të jetës së banorëve më të lashtë pellazgë, duke nisur, pse jo, ekspedita
kërkimore në Dëshnicë të Përmetit!
Ju sollët në skenë një studim për të treguar rrënjët tona, të kombit tonë të
shumëvuajtur, por të patjetërsuar. Shqiperia le të bëjë më shumë për kërkime
shkencore në këtë fushë, nëse do t`i tregojë Europës se qytetërimi i saj është
tepër i lashtë. Ky është shekulli i shqiptarëve. Zoti na ndihmoftë për më mirë!
Një ditë do të ndizen dritat e Tempullit, të Orakullit dhe të qytetit antik të
Dodonës, atje në Dëshnicë të Përmetit.
Artur Vrekaj, Worcester, Massachusetts, SHBA