VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PËRPLASJE GJEOPOLITIKASH, JO QYTETËRIMESH
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 09.17.2012, 04:44pm (GMT1)




Ngjarjet tronditëse, që shpërthyen këtë javë në mbi njëzet shtete të Lindjes së Mesme, Afrikës, Azisë e deri në Australi, me sulmet vandale kundër misioneve diplomatike amerikane dhe europiane, janë nga ato zhvillime, të cilat kërkojnë një hulumtim përtej sipërfaqes së ngjarjeve. Janë nga ato zhvillime, të cilat kërkojnë racionalizmin e të kërkuarit, jashtë emocioneve, në thellësinë e komplikacioneve të interesave dhe të strategjive të shteteve dhe të forcave, që përfitojnë nga këto lëvizje dramatike, dhe të shteteve e të forcave, që humbasin prej tyre. Që do të thotë të kërkosh përtej shenjave fetare të skenës së ngjarjeve.

Duhet thënë që në fillim se nga këto ngjarje nuk fitojnë dy aktorët kryesorë të skenës së përplasjes, që shihet, as SHBA dhe as popujt arabë e forcat demokratike arabe. SHBA janë mbështetësi kryesor i revolucioneve demokratike popullore arabe të vitit të kaluar, të cilat jo vetëm përmbysën disa regjime autokratike, por i hapën rrugën një transformimi shoqëror, ideologjik dhe politik properëndimor në Lindjen e Mesme. Ndryshimi i rëndësishëm gjeopolitik, që ndodhi në vendet e Lindjes së Mesme, me revolucionet demokratike popullore, të mbështetura fort nga SHBA, BE dhe NATO, çeli një epokë të re në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe krijoi ekuilibra të reja të fuqisë dhe të ndikimit në favor të demokracisë dhe të Perëndimit.

SHBA, si promotorët kryesorë të këtij transformimi pozitiv, janë më të interesuar se të gjithë shtetet e tjera, që ky proces revolucionar demokratik i zgjimit popullor të vazhdojë drejt stabilizimit gjithnjë e më të madh. Sepse revolucionet popullore nuk mbarojnë vetëm me dëbimin e diktatorëve, dhe sepse procesi i demokratizimit të Lindjes së Mesme është në zhvillim e sipër si brenda vendeve, ashtu dhe brenda rajonit, dhe SHBA janë forca kryesore mbështetëse e këtij zhvillimi demokratik.
Të interesuar për konsolidimin e këtyre transformimeve ekzistenciale demokratike, për frymën e re të lirisë dhe për krijimin e raporteve të reja gjeopolitike të rajonit me SHBA dhe me Perëndimin, janë dhe popujt arabë e forcat demokratike arabe, masat shumëmilionëshe të të cilave ishin dhe janë protagonistët në terren të stuhisë njëvjeçare revolucionare apo të pranverës arabe. Por transformimi gjeopolitik i Lindjes së Mesme, me vendosjen e raporteve të reja gjeopolitike e strategjike me Perëndimin, la të pakënaqur dhe spostoi më shumë drejt periferisë së fuqisë globale disa shtete të mëdha dhe të rëndësishme, të cilat aspirojnë që të fitojnë përmasa të reja globale në shekullin e ri, duke iu kundërvënë sistemit të vlerave perëndimore. Transformimet demokratike në Lindjen e Mesme lanë të pakënaqur Rusinë, lanë të pakënaqur Kinën, dhe jo vetëm për spostimin gjeopolitik nga rajoni, por edhe nga shqetësimi se valët e tronditjeve demokratike arabe kundër autokracive mund të arrinin tek shoqëritë e autokratike ruse dhe kineze. Transformimet demokratike në Lindjen e Mesme lanë të pakënaqur edhe disa shtete joarabe të rajonit, të cilat me demokratizimin e shteteve arabe humbasin peshën dhe rolin qendror në rajon.

Në këto rrethana, lidhja midis shkakut dhe pasojës në ngjarjet e këtyre ditëve, në harkun që nis nga Kalifornia e Jugut me një pseudofilm të një grupi të dyshimtë koptësh egjiptianë dhe që ndezi zjarrin e akteve brutale të dhunës kundër ambasadave amerikane, është një raport që mund të kuptohet më mirë, nëse shihet në një përthyerje gjeopolitike. Është një shah gjeopolitik, jashtë dhe kundër interesave të SHBA e të Perëndimit, dhe jashtë e kundër interesave të popujve arabë dhe të forcave demokratike arabe. Një lëvizje e kalkuluar e provokimit filmik të urrejtjes fetare, që gjeti në Lindjen e Mesme jo vetëm skuadra të përgatitura dhe të mirëinformuara sulmuesish e vandalësh, por edhe ekipe speciale të armatosura mirë, të cilat dispononin informacione për lëvizjet e ambasadorit dhe për sistemin e sigurisë së konsullatës amerikane në Bengazi.

Ironia është se u përdor e njëjta skemë nxitjeje trazirash, si në demonstratat e para popullore në vendet arabe vitin e kaluar, në Tunizi dhe në Egjipt, nëpërmjet rrjeteve sociale të internetit, për shpërndarjen e provokimit filmik anti-mysliman po në këto rrjete. Duket qartë se ka shtete, qeveri dhe shërbime sekrete, të cilat janë të interesuara që flakët antidemokratike të përfshijnë Lindjen e Mesme, kundër misioneve diplomatike amerikane, kundër politikës amerikane në Lindjen e Mesme, kundër strategjisë gjeopolitike amerikane për konsolidimin e demokracisë në atë rajon. E përkufizoi tepër saktë rolin diabolik të provokimit filmik në shahun gjeopolitik, sekretarja amerikane e shtetit Hilari Klinton, kur theksoi se filmi e ka një qëllim të thellë cinik: Të shkaktojë përplasje.
Ka disa elemente të reja në shpërthimin e kësaj vale të re të antiamerikanizmit. Demonstratat dhe sulmet antiamerikane u përhapën në një gjerësi gjeografike shumë të madhe, gjë që nuk ka ndodhur me provokimet e mëparshme anti-myslimane, as në vitin 2005, kur u botuan karikaturat kundër profetit Muhamed në Danimarkë dhe as në vitin 2010, kur prifti fanatik amerikan Teri Xhons dogji librin e shenjtë të Kuranit. Efekti domino i sulmeve të tanishme anti-amerikane ka më shumë pamjen e një aksioni të paramenduar nga shtete dhe forca jashtë vendeve, ku po ndodhin këto sulme. Nuk duket rastësi as shtrirja e sulmeve kundër misioneve diplomatike gjermane, angleze dhe të vendeve të tjera europiane, gjë që konturon një objektiv të goditjes së Perëndimit si tërësi.

Element i veçantë është sidomos fakti që sulmet më të ashpra ndodhën në shtetet, ku u përmbysën nga revolucionet demokratike regjimet diktatoriale si në Libi, Tunizi dhe në Egjipt. Ky element shfaqet si pjesë e një skenari, jo vetëm për hakmarrje gjeopolitike, por edhe si synim për të komprometuar vetë ndryshimin e regjimeve në këto tre shtete.

Element tjetër i veçantë është se u synua vrasja e ambasadorit amerikan në Libi si goditje ndaj një simboli të shtetit, të diplomacisë dhe të fuqisë amerikane. Në një farë mënyre u tentua, ashtu si në shtator të vitit 2001 të goditej një simbol amerikan dhe jo rastësisht sulmi dhe vrasja e ambasadorit ndodhën në 11 shtator, ditën e përvjetorit të atentateve terroriste në Amerikë.

Qëllimi i parë gjeopolitik i provokimit të valës së re të antiamerikanizmit është që të ndalë procesin revolucionarizues, demokratizues dhe properëndimor në Lindjen e Mesme dhe në vendet e tjera të Afrikës apo të Azisë. Sepse pranvera arabe nuk ka mbaruar akoma dhe është një proces në plotësim, në zhvillim e sipër dhe në konsolidim e sipër. Ajo, që po ndodh me aktet vandale kundër ambasadave amerikane, nuk është "vjeshta arabe", sikundër nxituan ta etiketojnë mediat ruse dhe të atyre forcave, që nuk u pëlqeu pranvera arabe. Pranvera politike dhe gjeopolitike në Lindjen e Mesme është në vazhdim e sipër. Qëllimi i dytë gjeopolitik është që të dëmtohen interesat e SHBA, politika dhe strategjia e SHBA në Lindjen e Mesme, dhe të krijohen të çara të mëdha në relatat e reja strategjike mes popujve arabë e shteteve arabe nga njëra anë, dhe SHBA, BE dhe Perëndimit nga ana tjetër. Qëllimi i tretë gjeopolitik është që të bllokohet e të sabotohet lufta e popullit sirian për demokraci dhe për përmbysjen e regjimit diktatorial të Asadit. Jo rastësisht zyrtarët rusë po bëjnë thirrje të shumta këto ditë se leksioni, që amerikanët morën në Bengazi, duhet t'u shërbejë që të mos përsërisin në Siri skenarin libian. Ish-ambasadori rus në Libi, Veniamin Popov, deklaronte në 15 shtator se kjo që ndodhi në Bengazi është rezultat i keqllogarive në politikën amerikane. Është frika gjeopolitike e Rusisë, të cilën e tremb ikja e Asadit dhe humbja e bazës ushtarake ruse në portet siriane, dhe për pasojë, dobësimi strategjik rus në detin Mesdhe. Qëllimi i katërt është që të goditet modeli demokratik dhe ndikimi i SHBA, BE dhe i Perëndimit në Lindjen e Mesme, dhe t'u shkaktohen atyre sa më shumë trazira në shtetet me qeveri të reja demokratike, të cilat janë ende në proces stabilizimi. Nuk duket e rastit dhe zhvillimi i kësaj vale të re anti-amerikane dy muaj para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, për të vënë në pozitë të vështirë qeverinë amerikane dhe presidentin, të angazhuar në fushatën elektorale për rizgjedhjen e tij. Kjo ndërmerret në një kohë kur sukseset më të mëdha të administratës së tanishme në politikën e jashtme janë të lidhur me botën arabe, si revolucionet demokratike arabe të vitit 2011, vrasja e kreut të Al Kaedas, Osama Bin Laden, dhe tërheqja e trupave amerikane nga Iraku. Qëllimi i pestë është përfshirja në strategjinë gjeopolitike të shteteve rivale të Perëndimit dhe bashkëpunimi me grupe dhe organizata terroriste. Jo rastësisht në shtete të ndryshme po bëhet zhurmë e madhe se revolucionet demokratike në vendet arabe u krijuan terren lulëzimi forcave terroriste islamike si Al Kaeda. "Zëri i Rusisë" shkruante në 12 shtator se "Nën Gadafin në Libi dhe nën Mubarakun në Egjipt, këto sulme kundër ambasadave amerikane nuk do të kishin ndodhur". Natyrisht në turmat dhe skuadrat, që sulmuan ambasadat amerikane ka edhe forca radikale dhe ekstremiste. Por është naive të mendohet se revolucionet demokratike në vendet arabe i krijuan mundësinë Al Kaedas që të fitojë iniciativën politike në Lindjen e Mesme. Kjo është një deformim i realitetit gjeopolitik të rajonit. Historia e terrorizmit ndërkombëtar ka treguar se janë regjimet autokratike mbrojtësit dhe sponsorizuesit më të mëdhenj të terrorizmit. Demokracia dhe regjimet demokratike janë të papajtueshme me terrorizmin.

E parë nga një perspektivë gjeopolitike, kjo që po ndodh në vendet, ku kanë shpërthyer aktet anti-amerikane, është një fenomen i përkohshëm, që nuk e zbeh rëndësinë e transformimit demokratik dhe që nuk mund të barazohet me procesin epokal të revolucioneve demokratike arabe dhe as mund të kthejnë mbrapa historinë. Kjo valë do të kalojë, ashtu siç kanë kaluar edhe valët e tjera të mëparshme anti-amerikane, dhe vazhdimi i proceseve dhe i programeve demokratike do të amortizojë deformimet dhe ekseset, që sjellin si rregull etapat post-traumatike të përmbysjeve shoqërore.

Ajo, që po shohim këto ditë, është një përplasje gjeo-politikash në arenën e fuqisë globale. Shenjat e jashtme fetare apo nxitjet fetare, si të urrejtjes nga provokimi filmik apo të kundërpërgjigjes së dhunshme nga vandalët në vendet arabe, nuk marrin dot formën e argumentit për ta klasifikuar si "një përplasje civilizimesh". Sepse nuk ka asnjë lidhje me civilizimin amerikan apo perëndimor veprimi i një grupi fanatik fetar në Kaliforni, siç nuk ka asnjë lidhje me civilizimin arab vandalizmi i orkestruar i sulmeve ndaj ambasadave amerikane.

Gjeopolitika luan me të gjithë gurët, që nga energjetika e deri tek feja, dhe të gjithë gurët janë në funksion të strategjisë së përplasjes së gjeo-politikave të ndryshme, mes fuqive demokratike dhe atyre jodemokratike, që përplasen pareshtur në forma gjithnjë e më të sofistikuara në arenën e madhe të fuqisë globale.


SHABAN MURATI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.