VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHQIPËRISË ORA E PRONËS I KA NGECUR NË VITIN 1946
Ese nga SKËNDER BUÇPAPAJ

E Martë, 09.18.2012, 02:03pm (GMT1)


Rreth tre çerekë shekulli më parë, xhullinjtë, siç do t'kishte pasë quajtur i ndjeri At Zef Pëllumbi, 'zbresin nga malet' dhe zaptojnë shtëpitë e pronat e tjera shumëshekullore të klasës së lartë shqiptare. Me kalimin e kohës zaptuesve do t'iu ngjitet emri 'bllokmenë'. Në një kuptim të ngushtë, të tillë do të jenë ata që jetojnë brenda të ashtuquajturit 'Bllok', pra kryesisht anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike. Në një kuptim më të gjerë, të tillë do të jenë zyrtarët e tjerë të lartë dhe të privilegjuarit e tjerë të monizmit. Gjatë një gjysmë shekulli shumë 'bllokmenë' bien nga fiku. Dhe këta tash një çerek shekulli janë kryesisht tek Partia Demokratike e Shqipërisë. 'Bllokmenët' e tjerë, ata që nuk ranë nga fiku asnjëherë, vazhdojnë të jenë kryesisht tek Partia Socialiste e Shqipërisë.

Zelli për të ngulitur konceptin se 'blloku' ishte vetëm ai prapa ndërtetës së Komitetit Qendror në fakt përmban shumë ligësi dhe tregon synimin e propagandës postmoniste për ta paraqitur 'Bllokun' si ishull dhe 'bllokmenët' si të ishulluar, pra të izoluar, rrjedhimisht si të vetizoluar, pra të vetishulluar. Në të vërtetë, 'blloku' kishte pamjen e një arqipelagu, pra të një ishullnaje, ku çdo ishull, më i madh apo më i vogël, anembanë vendit, në gjithë hierarkinë, përfaqësonte pjesët e dukshme të tentakulave me të cilat popullit shqiptar i thithej gjaku për majmërimin e burokracisë moniste. Konceptin e drejtë të 'bllokut' dhe të 'bllokmenëve' e jep Simon Sebag Montefiore në librin e tij të famshëm "Stalini - Oborri i carit të kuq". Montefiore jep përkufizimet 'oborr' dhe 'oborrtarë' për të pasqyruar mekanizmin e shumëndërlikuar e të përbindshëm që krijoi monizmi sovjetik. Libri i tij është synim për të dhënë pjesët e fajit të Carit, të Kremlinit dhe të Kremlinasve, pra të Carit të kuq, oborrit të tij si institucion, dhe të oborrtarëve si dhëmbëza të ingranazhit, si hallka të zinxhirit të krimit. Synimi i tij, pra, nuk është për të fshehur krimet e stalinistëve dhe për t'ia veshur ato vetëm Stalinit. Stalinistët i çoi tek Stalini, tek privilegjet e gëzuara prej tij dhe tek bërja e tyre pastërma, thjesht e mirëfilli shtysa e lindur e kriminelëve.

Procesi i marrjes së shtëpive dhe pronave të tjera do të quhet shpronësim. Kalimi i tyre tek pronarët e rinj do të quhet shtetëzim. Me kryerjen e reformës agrare zhduket klasa e pronarëve të mëdhenj. Mbetet klasa e pronarëve të vegjël, pra fshatarëve të varfër. Mbetet edhe klasa e pronarëve të mesëm, pra fshatarët e mesëm - kulakët. Ish pronarët e mëdhenj dhe pronarët e mesëm do të përfshihen në konceptin e klasave të përmbysura borgjezo çifligare ose në konceptin e të deklasuarve. Kjo renditje në hierarkinë e shoqërisë shqiptare nuk ka ndryshuar as një çerek shekulli pas përfundimit të monizmit.

Me termin 'kulak' (nga rusishtja - grusht) kuptohen fshatarët e pasur ose ata të suksesshëm, pra më të përparuar se të tjerët. Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botim i vitit 2009, i përshkruan kulakët si fshatarë të pasur, që shfrytëzonin punën e argatëve dhe të fshatarëve të varfër. Në fakt në zonat malore të vendit nuk kishte fshatarë të pasur. Në Tropojë, për shembull, që është zonë më e pasur se Mbishkodra, Puka, Kukësi, Mirdita, Mati, Dibra, Librazhdi e tjerë, nuk ka pasur asnjë fshatar të prekur nga Reforma Agrare. Por cilësimet 'kulak' u bënë për hakmarrje politike e kryesisht për hakmarrje private.

Deri nga fundi i viteve Gjashtëdhjetë, Shqipëria kishte Kodin e Pronës, pra paketën e plotë ligjore ku përfshihen konceptet pronë, pronësi, pronësoj, pronësor: Pronë - Pasuri (tokë, banesë etj.) që i përket ligjërisht një njeriu a disa njerëzve ose një institucioni. (Pronë private. Pronë shtetërore. Pronë publike. Pronë e përbashkët. Prona mbrohet me ligj.) Pronësi - E drejta për të zotëruar një pronë; të qenët pronë e dikujt. (Pronësia mbi tokën. Pronësia mbi truallin. Format e pronësisë.) Pronësoj- Fitoj të drejtën për të qenë pronë pronar i diçkaje, e bëj pronën time.) Pronësor - Që ka të bëjë me të pronën, i pronës. (E drejta pronësore.)

Partia Socialiste e Shqipërisë haptas dhe me këmbëngulje i ka mbrojtur pronarët relativisht të rinj dhe pronarët e rinj, përkatësisht rreth treçerekë shekullorët e njëçerekshekullorët. E ka rrahur dhe e rrah gjoksin. Nuk ka denjuar dhe nuk denjon të bëjë aspak demagogji. Kjo parti nuk ka lejuar dhe nuk lejon kurrsesi rehabilitimin e pronarëve të mëdhenj të para tre çerekë shekulli, pra nuk lejon ripronësimin e tyre. Dhe e imponon miratimin dhe mbetjen në fuqi të ligjit 7501 prej vitit 1992. Edhe Partia Demokratike e Shqipërisë ka përsëritur me këmbëngulje se ky ligj do të preket vetëm nëse ish klasa e pronarëve do të fitojë në zgjedhjet parlamentare.

Prej Velipojës në veri deri në Mursi në Jug, në vitet e monizmit fitohen dhjetëra mijë hektarë tokë nga tharja e kënetave. Sipërfaqe të mëdha arritën të futen nën kulturë edhe nga çelja e tokave të reja. Këto sipërfaqe do të jenë pronë e deklaruar shtetërore dhe punohen nga ndërmarrjet bujqësore. Sot ato vazhdojnë të jenë kryesisht djerrë. Kështu në Shqipëri, në këtë çerek shekulli pas fundit të monizmit, kemi pronarë pa tokat e tyre dhe toka pa pronarë. Kjo e mban Shqipërinë në gjendjen e një vendi djerrë. Të dyja partitë edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të mos lejojnë që Shqipëria të ketë të njohur me ligj pronarë të mëdhenj të tokave. Pa ligj ka pronarë të mëdhenj të tokave. Por këta janë nga sëra e të 'zbriturve nga malet'. Ata tani ka hipotekuar pjesë të mëdha të tokave që në një shtet ligjor do t'iu kishin përkitur pronarëve të vërtetë të tyre, atyre që për këto toka kanë tapi që nga koha Otomane dhe nga koha e Zogut. 'Të zbriturit nga malet' në tokat e zaptuara pas përfundimit të monizmit kanë ngritur vila përrallore të rrethuara me gjelbërim, pishina, hangare makinash, pista, palestra, fusha tenisi e tjerë.

Pa ndonjë këmbëngulje të veçantë, Evropa, Perëndimi në këto vite kërkojnë që të vendoset drejtësia për pronarët e vjetër. Paditë e pronarëve të vjetër në Gjykatën Evropiane të Strasburgut janë të shumta dhe nuk mungojnë përgjigjet pozitive. Por procesi zgjat shumë dhe kushton. Këto ditë, në prag të kandidimit ose moskandidimit të Shqipërisë për në Bashkimin Evropian, Brukseli duket se ka vënë kusht që Shqipëria t'ua kthejë banesat pronarëve të vjetër. Kjo nënkupton edhe largimin e banuesve të paligjshëm treçerekshkullorë. Partia Socialiste nuk e ka pranuar as këtë akt që tashmë tingëllon vetëm simbolik.

"Vetëm tre vendime të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, për çështjet e shtëpive të zëna të pronarëve të ligjshëm, konkretisht rastet Beshiri, Treska dhe Vrioni, shteti shqiptar është dënuar përkatësisht me 450, 74 dhe 126 mijë euro. Në tre raste, shteti shqiptar është penalizuar nga Gjykata Europiane në një vlerë prej 650 mijë euro. Projektojini tre rastet në tre mijë, sa është vlera. Sa është kosto që shoqëria shqiptare duhet të paguajë për të mbajtur në shtëpitë e pronarëve të ligjshëm, "nomenklaturën" e dikurshme të regjimit komunist?!" - pohonte këto ditë ministri i Transportit. (Nga këtu fjalët e ministrit, të cituara në këtë shkrim do të jenë në korsive.)

DREJTËSIA E VONUAR ËSHTË DREJTËSI E MOHUAR

Dhe pikënisjen e këtij shkrimi ma jep pikërisht fjala e ministrit në seancën kuvendore, ku PD, pa LSI, miraton ligjin për largimin e të dytëve dhe rikthimin e të parëve në shtëpitë e tyre. Fjala e ministrit botohet në gazetën e PD, me titullin 'Një radiografi e banesave të pronarëve'. Ai përmend disa nga pak faktet rrënqethëse të këtij realiteti. Ai iu vë faj vetëm zaptuesve dhe Partisë Socialiste. Dhe nuk ia lë fajin mungesës së shtetit ligjor në Shqipëri, nga çka kanë përfituar edhe të përmendurit. Nuk ia lë pjesën e fajit Partisë Demokratike. Nuk i lë, natyrisht, pjesë faji vetes. E ngre zërin. Por nuk është bindës. As ai. As PD.

Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Kjo maksimë, ky parim i vjetër së paku që nga latinët e hershëm, është përsëritur pa pushim në këtë çerek shekulli. Drejtësia nuk mund t'iu kërkohet atyre që e bënë padrejtësinë gjatë një gjysmë shekulli të diktaturës. Mbi logjikën e fitimtarit, në atë periudhë nuk u la gjë pa bërë. Drejtësia, me sa duket, nuk mund t'iu kërkohet as atyre që e bënë padrejtësinë në këtë çerek shekulli të tranizcionit. Dashur pa dashur, fjala e ministrit përbën një vetëfajësim të PD. Këtu unë po sjell majën e ajsbergut, pra pak rastet që i kanë shpëtuar censurës dhe vetëcensurës në fjalimin e ministrit:

"Agron Papuli, biznesmen, pronar i ish-stabilimentit "Mihal Duri", pronar fshatrash turistikë, me investime në të katër anët e Shqipërisë, mban shtëpinë e pronarit dhe ju keni guximin dhe vini dhe thoni që ky është hallexhi!!!

Spartak Melcka, biznesmen, me fshatra turistikë dhe hotele, ka shtëpi pronari, dhe ju keni guximin dhe thoni që ky është një "ditëzi" që nuk ka mundësi të strehohet dhe t'i lirojë shtëpinë të zotit!!!

Dikush nga ju foli për njerzillëkun. Do t'ju tregoj diçka. Ka qenë një biznesmen në Durrës që quhej Aristidh Leka. E groposën deri në fyt dhe, pasi i kishin marrë gjithçka, i morën edhe unazën e martesës. Në pallatin e Aristidh Lekës sot jeton Adriatik Muka, ish-kryetar dege, Basri Bedini, funksionar i lartë i Ministrisë së Brendshme, familja e Lilo Zenelit një ndër shefat e Ministrisë së Brendshme dhe xhelatët e diktaturës, Qemal Klosi, (as Fatos Klosi nuk paska mundësi ta strehojë babain), Beshir Laçi, Kryetar Komiteti, Shemsi Spaho, zëvendës/kryetar dege, Shefki Hoxha, Sekretar Komiteti partie.

Në shtëpinë e Erebarëve në Tiranë, Gëzim Erebara vdiq pa e marrë dot shtëpinë e tij, jeton familja e Bato Karafilit, njëri nga monstrat e Sigurimit të Shtetit.

Në shtëpinë e familjes Krroqi, jeton biznesmeni Sokol Muço Saliu dhe Muço Saliu, për ata që s'e kanë njohur, ka qenë një nga kryekriminelët e Sigurimit të Shtetit. I vdiq në duar gjatë torturave Ali Begeja. E hodhi kufomën nga dritarja e birucave dhe tha që u vetëvra. I biri është biznesmen, jeton prej 15 vjetësh në Suedi dhe familja e Gjon Krroqit nuk e gëzon dot shtëpinë e tij, sepse i biri i Muço Saliut i ka vënë drynin dhe ka ikur prej 15 vjetësh. Dhe ju keni guximin dhe thoni që të lirosh shpinë e Gjon Krroqit nuk është njerëzore?!?!

E veja e Gjylani Shehut, jeton prej 15 vjetësh në Kanada, por prej 15 vjetësh mban të mbyllur pronën e Xhaferr Vilës, i cili nuk e gëzon dot shtëpinë e tij, megjithëse qiraxhiu është në Kanada.

Në rrugën "Fortuzi", në pronën e familjes Kondi apo Hatibi, që në 40 vjet mori emrin "Pallati i Gjeneralëve", një e vetmuar me emrin Hariklla Korini, mban katër dhoma të mbyllura. Po aty, Xhuxhi Bitraj, person i vetëm mban 150 metër katrorë dhe pronari nuk guxon të hyjë dot atje. Dhe ju thoni që kjo është drejtësi sociale?!?! Një individ i vetëm mund të mbajë 160m/2 pronë të tjetër kujt, ndërkohë që nuk di nëse shumica juaj e ka apo jo kaq sipërfaqe banimi.

E njëjta gjë me Agim Kapaj, jeton në Itali prej 15 vjetësh, mban shtëpinë mbyllur. Idajet Elmazi, katër dhoma një ish-oficer Sigurimi i vetëm.

E njëjta gjë në Durrës me pronën e Llambi Martos. Djali i ish-shefit të Policisë së Durrësit, Rexhep Kajosha mban 6 dhoma një njeri i vetëm dhe pronarët e ligjshëm duhet të presin pafundësisht??!

Dhe ju, në vend që të mbështesni nismën, nxisni në fakt protestat e gjoja shoqatës së qeraxhinjve. Po kë nxorrët në protestë?!

Familjen e Luan Babametos, ish-ministër; familjen e Rrahman Hankut, ish-ministër; familjen e Petro Dodes, ish-kryetar i Planit të Shtetit, familjen e Prokop Murrës, ish-ministër, familjen e Skënder Kosovës, hierark i Sigurimit, familjen e Sotir Koçollarit; të Bashkimeve Profesionale, familjen e Kristo Themelkos, familjen e Koço Priftit, kryetar i Gjykatës kundër kriminelëve të luftës, ish-pronarëve, familjen e Aleks Verlit, ish-ministër; familjen e Pilo Peristerit, anëtar i Byrosë Politike; familjen e Sul Bahollit, Sekretar i Parë dhe ministër; familjen e Vasil Nathanailit, ish-ministër, që rri në shtëpinë e Jorgo Kllapit, ndërkohë që ky i fundit detyrohet të rri në Korçë. Ka vilën në mes të Tiranës, ku banon një ish-ministër i Enver Hoxhës dhe nuk jeton dot këtu, jeton në magazina, në Korçë."

'Zëri i Popullit' i kohës së Enverit fjalimin e ministrit do ta kishte pasë botuar nën okielon 'Pohojnë me gojën e tyre'. Realiteti i sjellë në 11 kryeradhët e mësipërme ka ndodhur sepse është toleruar. Dhe ky tolerim është pjesë e një pakti mes pronarëve relativisht të rinj e të rinj kundër pronarëve të vjetër.

 

ABSENTEE OWNERSHIP

Abstentee ownership do të thotë pronësi e tokës nga ata që nuk jetojnë në të, por i gëzojnë frytet e saj. Kjo dukuri e lashtë sa bota, gjeti kulmimin e saj në periudhën e monizmit shqiptar, kur toka gjoja e gjithkujt, në fakt u bë tokë e askujt, sepse ata që i gëzonin frytet e tokës ishin vetëm bllokmenët, në të gjithë hartografinë e tyre.

Nga pikëpamja praktike, absentee ownership, pra pronësia në mungesë, nuk lejon asnjëherë zhvillimin e bujqësisë intensive. Nuk lejon mbajtjen nën kulturë të të gjithë tokës së punueshme, nuk lejon arritjen e rendimenteve sa më të larta në sipërfaqe sa më të gjera, mundësisht në gjithë sipërfaqen e punueshme. Edhe në Shqipërinë moniste, gjatë gjithë gjysmës së shekullit, zotëron bujqësia ekstensive. Më shumë se mungesë të pronësisë, në Shqipërinë e asaj kohe kemi braktisjen e pronësisë. Krahun e aftë të punës fshatit shqiptar ia merr industria, kryesisht minierat, ndërtimet e tjerë. Në fshat mbeten pothuajse vetëm fëmijët, gratë, invalidët dhe administratat e fryra të kooperativave.  Tokës i shërbehet kryesisht me punë krahu, prandaj asaj ose i mungojnë shërbimet, ose i bëhen ato sa më shkeleshko. Gjendja karakterizohet nga lënia djerrë ose gjysmë djerrë, nga rendimentet e ulëta, nga shfrytëzimi agresiv i tokave që janë më pjellore.

Absentee ownership, shprehur në mënyrën më klasike në Francën pararevolcionare dhe në Irlandën koloniale, konsiderohet si një padrejtësi ekonomike. Dhe mbi këtë bazë ndodhin reformat agrare.

LAND REFORM

Dijet përkatëse thonë se ndryshimi rrënjësor i mënyrës së ushtrimit të pronësisë ndaj tokës, metodave të kultivimit të saj apo lidhjes së bujqësisë me pjesën tjetër të ekonomisë përbëjnë arsyet thelbësore të kryerjes së reformave agrare. Objektivi politik më i përhapur i reformës agrare është çrrënjosja e formave feudale apo koloniale të pronësisë mbi tokën. Kjo shpesh bëhet duke ua marrë tokën pronarëve të mëdhenj të tokave dhe duke ua rishpërndarë atë fshatarëve vendës. Objektiva të tjera janë përmirësimi i gjendjes shoqërore të fshatarëve dhe bashkërendimi i prodhimit bujqësor me programet e industrializimit. Burimet enciklopedike më bashkëkohore përmendin se reforma agrare më e hershme e dokumentuar historikisht daton në Shekullin VI para Krishtit në Athinë, kur Soloni shfuqizoi sistemin që i detyronte bujqët ta punonin tokën për të tjerët dhe të mos i gëzonin frytet e saj. Përqëndrimi i tokës në duart e pak pronarëve gjithsesi mbeti në fuqi në gjithë epokën e Antikitetit, Mesjetës dhe Rilindjes. I pari që kurorëzoi fermat e vogla fshatare si gur themeli të demokracisë ishte Revolucioni Francez. Bujkrobëria u shfuqizua gjithandej në Evropë gjatë Shekullit XIX. Në Rusi bujkrobëria u shfuqizua më 1861. Reforma e kryer nga Rusia sovjetike e pasuar nga kolektivizimi i plotë sollën shkatërrimin e bujqësisë dhe zinë e bukës. Modeli sovjetik u zbatua në Kinë dhe një numër vendesh të tjera, përfshirë Shqipërinë.

E ashtuquajtura Reforma Agrare në Shqipëri u shpall me ligj të posaçëm më 29 gusht 1945 dhe mori formën përfundimtare më 27 maj 1946. Në fakt ajo ishte Reformë Shpronësuese dhe Tjetërsusese, ishte Reformë Zaptuese. Me atë rast, siç pohon FESH, u shpronësuan dhe u tjetërsuan tokat dhe pronat e tjera të feudalëve, çifligarëve, tregtarëve e fajdexhinjve, të institucioneve fetare dhe e gjithë toka private që kalonte madhësinë e parashikuar me ligj (5 hektarë). Në bujqësi, u shpronësuan gjithësejt 173 000 hektarë tokë, 474 000 rrënjë ullinj, afërsisht 6000 kafshë pune e tjerë. Iu rrëmbyen tokat tërësisht 8714 pronarëve dhe pjesërisht 10641 të tjerëve, ndërsa gjoja përfituan 48 667 familje të varfra dhe 21 544 familje pa tokë.

Reforma Agrare e kryer më 1946 në fakt ua jepte fshatarëve, për t'ua marrë, tokat e rrëmbyera prej fshatarëve të tjerë. Një vit më vonë filloi kolektivizimi i bujqësisë, i cili përfundon në vitin 1967, me kolektivizimin edhe të tokave të të ashtuquajturve kulakë. Me Kushtetutën e RPSSH të vitit 1976 do të shtetëzohej edhe toka që ndodhej në pronësi të kooperativave bujqësore dhe të shtetasve (si pronë vetjake, në formën e oborreve personale). Këtu merr fund procesi historik i proletarizimit të fshatit shqiptar. Kjo sjell në vitet vijuese rrënimin e qyteteve dhe kolapsin ekonomik të Shqipërisë.

E quajtur Reformë Demokratike nga politika zyrtare moniste, ajo u njoh si Reformë Demokratike edhe nga politika zyrtare postmoniste. Këtu qëndron edhe thelbi i gjithë padrejtësisë ndaj pronës, turri i të cilit nuk dihet se kur do të ndalet.

Kjo njohje do të bëhej më 1991, me ligjin PS-PD 7501. Më 1992 do të shpërbëheshin kooperativat bujqësore. Pasuritë e tyre do të rrëmbeshin fshehtas nga administratat e këtyre kooperative, duke bërë një padrejtësi tjetër.

Në fshatin e asaj kohe jetonin 450 000 familje shqiptare, të cilat përbënin dy të tretat e popullsisë. Në zonat malore, si ato që përmenda më lart e në të tjera, ku toka nuk i kishte kaluar kurrë 5 hektarë për një familje, zbatimi kaotik i ligjit 7501 do të shkaktonte pasoja të rënda dhe shpesh tragjike. Në vitin 1946 Shqipëria banohej nga rreth 1 milion banorë, më 1992 ajo banohej nga rreth 4 milionë banorë, prej të cilëve rreth 3 milionë banonin në fshat. Shoqëria shqiptare më 1946 bazohej kryesisht në familjen e madhe më shumë se njëkurorëshe. Rreth një gjysmë shekulli më vonë karakterizohej nga familjet njëkurorëshe. Pra do të kemi kështu gati një dhjetëfishim të numrit të familjeve. Në rastin më të mirë, një familje e mbarëvajtur e zonave të lartpërmendura, pra me 5 hektarë në vitin 1946, do t'i binte ta ndante tokën në të paktën dhjetë vende, ku çdo familje nuk do të merrte me shumë se 5 dynymë.

LIGJI 7501 SHNDËRROHET NË KUÇEDËR PËR EKONOMINË SHQIPTARE

Ligji 7501 shndërrohet në kuçedër për të ardhmen e bujqësisë, të fshatit, të marrëdhënieve të bujqësisë me pjesët e tjera të ekonomisë, të marrëdhënieve të fshatit me qytetin. Ky ligj pengon, sç është parë në realitet, zëvendësimin e kooperativave bujqësore me shoqata të lira fermerësh. Pa krijimin e këtyre shoqatave, toka e punueshme në Shqipëri nuk mund t'i nënshtrohet mekanizimit, nuk mund të japë rendimente të larta bashkëkohore, nuk mund të konkurrojë në treg, Shqipëria nuk mund të ketë bujqësi moderne evropiane, nuk mund të ketë degë të industrisë që mbështeten në këtë bujqësi moderne.

Në kushtet e mungesës së çdo strategjie politike dhe në kushtet e mungesës së çdo perspektive të jetesës në fshat, në kushtet e mbylljes së ndërmarrjeve ekonomike të kohës dhe të daljes në rrugë të krahut të punës, popullsia e Shqipërisë do të dalë e tepërt. Më shumë se gjysma e popullsisë do të mësynte botën, pra do të emigronte. Ndërsa pjesa e mbetur do të migronte nga fshatrat dhe qytetet e vogla e do të vendosej në qytetet e mëdha, kryesisht në Tiranë dhe në Durrës. Do të kemi kështu një zbrazje masive të fshatit, një zbrazje pothuaj të plotë të malësive, një braktisje të tokave ara, vreshta, pemëtore, kullota e tjerë. Do të kemi nga ana tjetër, zaptimin e trojeve në rrethinat e qyteteve, krijimin e lagjeve dhe qyteteve të krijuara brenda nate, një dukuri krejtësisht antiurbane. Marrja hua e ligjeve të Amerikës Latine për legalizimin e shtëpive dhe të trojeve, siç tregon koha, nuk do të zgjidhte me magji këtë Nyjë Gordiane. Përkundrazi do të lulëzonte mafia e tokave, me nënmafiat e trojeve, me nënmafiet e sekserëve e të tjera, e të tjera.

AS ME GOGËSIMAT E PD, AS ME KRROKAMAT E PS NUK VENDOSET DREJTËSIA PËR PRONARËT E VJETËR

"Kemi sjellë një zgjidhje që është përfundimtare. Nuk është një zgjidhje që e sollëm befas! Kemi që në vitin 2006 që po punojmë për këtë zgjidhje. Kemi marrë nga njësitë e qeverisjes vendore, nga bashkitë e vendit, shumë prej tyre të drejtuara nga socialistë, listat e të gjithë qiramarrësve në shtëpitë e pronarëve; kemi filluar të përpunojmë kuadrin ligjor dhe administrativ; kemi filluar që nga viti 2009 të vëmë në dispozicion të qiraxhinjve kredi me interes zero, si instrument nga i cili mund të përfitojnë, të strehohen në atë që nesër do të jetë pronë e tyre, dhe jo pronë e tjetërkujt. Për të zgjidhur kështu problemin e atyre që kanë që nga viti 1944, që presin t'u lirohet shtëpia, por edhe problemin e atyre që aktualisht banojnë në këto shtëpi." Kështu thotë në fjalimin e  tij ministri i Transporteve.

A është kjo vërtet një zgjidhje përfundimtare dhe, sidomos, a është një zgjidhje e plotë?

"U kemi garantuar qeraxhinjve sigurinë. U kemi vënë në dispozicion kredi me interes zero, ndërkohë që të gjithë qytetarët e thjeshtë të vendit, janë të detyruar që t'i adresohen bankave me një interes që varion nga 10 deri në 12 përqind. Dhe, po të bëni një kalkulim, është një vlerë monetare që e tejkalon vlerën e apartamentit që do të blejnë, të cilën shteti ua fal. Ua fal dhe u jep mundësinë që të bëhen pronarë të shtëpive të tyre dhe jo shtëpive të tjetërkujt."

Pronarët relativisht të rinj, treçerekshekullorë, të banesave të pronarëve të vjetër të ligjshëm nuk largohen nga këto banesa, sepse këtë e konsiderojnë lëshim ndaj një shkeljeje të paktit që funksionon prej një çerekshekulli.

"Na akuzoni për cinizëm. Nuk po themi në asnjë rast që këta qeraxhinj të dalin rrugëve. Ju urojmë pleqëri të mbarë të gjithë atyre që janë të moshuar. Por, ama duhet të vendosim drejtësinë në vend. Po u japim mundësi të blejnë shtëpitë e tyre dhe shteti do t'u subvencionojë kredinë. Një mundësi që nuk e kanë pasur kurrë, një mundësi që nuk ua dhatë ju që i konsideroni fletë votimi të kuqe. Po u japim mundësi të blejnë shtëpi, të kenë pronën e tyre dhe të lirojnë pronën e tjetrit. Ky nuk është cinizëm, por është përgjegjësi qeverisëse ndaj një kontigjenti të popullsisë.

Ne nuk mund t'u themi qeraxhinjve "rrini sa të doni në shtëpitë e pronarëve" dhe pronarëve t'u themi "vdisni në bodrume, duke parë pronat tuaja me dylbi".

Ju po vazhdoni të kërkoni luftën e klasave. Ndërkohë, ne po kthejmë në këtë vend paqen sociale, paqen sociale mes dy grupimeve që janë shumë të pabarabartë.

Nuk mund të vijë paqja mes dy grupimeve si status quo, ku njeri të jetojë dhe të vdesë në bodrum dhe tjetri të gëzojë pafundësisht një pronë që nuk i përket.

Paqja sociale vjen kur secili merr atë që i takon. Kur qeraxhinjtë marrin mundësinë për strehim dhe kur pronarët marrin pronën e tyre.

Dhe unë i garantoj se pronarët do ta marrin pronën e tyre. Nuk do të ketë asnjë instrument që t'i bllokojë. Nga data 1 nëntor, Enti Kombëtar i Banesave do të verë në veprim të gjithë mekanizmat dhe instrumentat për zbatimin e aktit.

Pronarët të marrin atë që e kanë të tyren, që e kanë paguar me gjakun e familjarëve të vdekur nëpër tortura e nëpër burgje. Ndërsa qeraxhinjtë, ata që kanë vërtet nevojë për ndihmë, do të marrin kredinë e subvencionuar nga shteti.

Secili do të shkojë në shtëpinë e tij, por në shtëpinë e tij dhe jo në shtëpinë e tjetrit. Kjo është paqe sociale, kjo është drejtësi."

Nga këto që thotë ministri i Transportit nuk mund të luash asnjë pikë dhe asnjë presje. Teorikisht ai dhe partia e tij janë në rregull. Praktikisht gjërat nuk vlerësohen nga retorikat, por nga realitetet. Dhe realitetet janë ato që janë. Ministri i Transportit ka sjellë vetëm aq shembuj sa i janë dashur për të mbështetur fjalimin e tij. Për gjendjen e vërtetë të pronës së trashëguar në Shqipëri nga monizmi dhe për katandisjet apo zgjidhjet e pjesëshme ndaj saj nuk është përgatitur ndonjë studim real nga askush. Në monizëm pasqyra të tilla bëheshin thjeshtë: Dihej se ku kanë shkuar tokat dhe pronat e tjera të Verlacëve, Toptanëve, Vrionëve, Vlorajve dhe të tjerëve. Në postmonizëm dihet vetëm se ato i kanë marrë pasardhësit e 'të zbriturve nga mali', ndërsa nga pasardhësit e pronarëve të vjetër kanë marrë pronat apo tokat e tyre, kanë marrë shpërblimet për pronat vetëm ata eksponentë që u përfshinë në politikë, të dërguar atje kryesisht nga Sigurimi i Shtetit, për merita gjatë diktaturës moniste. Në këto kushte njëra palë gogësin dhe tjetra ia kthen me krrokatje. Njëra palë argëton tjetrën. Njëra dorë për tjetrën, të dyja për të njëjtën kokë.

PA E KAPËRCYER YLBERIN E DREJTËSISË NDAJ PRONËS, SHQIPËRIA NUK MUND TË JETË NJË DEMOKRACI EVROPIANE

Pengesa më e madhe për zhvillimin e pronës në Shqipëri është se padrejtësia ndaj pronës, pronësisë, pronarëve ka shkuar tepër larg, tejskasjmërisht larg. Dhe pa zhvillimin e pronës me drejtësi nuk mund të ketë ekonomi të zhvilluar. Mund të ketë vetëm mafie gjithnjë e më të përbindshme, gjithnjë e më retorike, gjithnjë e më të padrejtë, gjithnjë e më të pangopshme. Mund të ketë mafiozim të mëtejshëm e të stërmëtejshëm të shoqërisë. Mund të ketë rritje të mirëqënies për një për qind të saj, por nuk mund të ketë qetësi as për të stërpasurit as për të stërvarfërit, as për ata që vegjetojnë mes këtyre dy teskajeve.

Politikani, politologu dhe historiani francez i Shekullit XIX Alexis de Tocqueville, në librin e famshëm "Demokracia në Amerikë" thotë se demokracia nuk krijon barazi, por krijon shanse të barbarta. Në qoftë se Shqipëria do t'iu krijonte pronarëve të vjetër, pra atyre të para 1946-s, me pronarët e pas 1946-s, atëherë edhe sikur të bazohet në ligjin e Reformës Agrare të 1945-1946, duke ia kthyer çdo familjeje të pasardhësve të ish pronarëve të mëdhenj të tokave nga 5 hektarë, atëherë do t'i binte që sot pasardhësit e tyre të zotëronin nga disa dhjetëra hektarë tokë, çka vërtet do t'iu jepte atyre mundësinë të mbrothësojnë, siç do të thoshte Naimi, krahas të gjithë të tjerëve. Dhe nuk do të jetë aspak nevoja që tokat t'iu merren atyre që iu janë dhënë në vitin 1946. Mjafton t'iu jepen toka nga sipërfaqet e përfituara nga tharja e kënetave ose nga sipërfaqe të tjera të cilat nuk kanë qenë asnjëherë më parë pronë private. Mirëpo ligji aktual parashikon vetëm rikompensim me lekë të ish pronarëve të vjetër, çka edhe pas një çerek shekulli, ndoshta me këto ritme as pas një gjysmë shekulli, nuk do të arrihet. Kështu hendeku i pabarazisë vetëm sa do të thellohet.

Kulmi i revanshit të së majtës shqiptare kundër së djathtës shqiptare do të shënohej vërtet më 1946, kur e para do ta shpronësonte të dytën dhe do ta zhvishte nga çdo lloj lirie. Ky revanshi i së majtës shqiptare ndaj pasardhësve të së djathtës së dikurshme që duket se nuk ka të ngopur as të mbaruar, siç e përshkruan Eqrem bej Vlora në kujtimet e tij, përvijohet plotësisht menjëherë pas shembjes së Perandorisë Otomane dhe themelimit të Republikës Turke, kur në Shqipëri kthehen nëpunësit shqiptarë që kishin qenë pjesë e burokracisë së Perandorisë. Edhe I. Kadare mban mend nga fëmijëria se qyteti i tij, Gjirokastra, ishte e mbushur me kadilerë, të cilët edhe pas shumë vitesh vazhdonin t'i thonin përmendsh qitapet e sulltanëve. Këtyre iu shtuan edhe intelektualët nga shtresat e mesme të popullsisë, të cilët sapo kishin mbaruar studimet kryesisht në vendet perëndimore. Me të majtën që do të vinte në Shqipëri pas vitit 1941, këta i bashkonte revanshizmi ndaj së djathtës, çka do ta paguanin me kokë, kur e majta vinte në pushtet në vitin 1944 dhe bashkë me të djathtën do të shfaroste edhe çdo të majtë evropiane në Shqipëri.

"Çfarë është më e rëndësishme për demokracinë nuk është se pasuria e madhe nuk duhet të ekzistojë, por që pasuritë e mëdha nuk duhet të mbeten në duar të njëjta. Në këtë mënyrë ka burra të pasur, por ata nuk formojnë një klasë," shkruante më tej Alexis de Tocqueville dhe, duke u thelluar në tezën e tij të barazisë së shanseve, shton: "Demokracia dhe socializmi nuk kanë asgjë të përbashkët, përvese një fjalë, barazi. Por vini re ndryshimin: ndërsa demokracia kërkon barazi në liri, socializmi kërkon barazi në kufizim dhe në robëri." Dhe është shumë e lehtë të konstatosh se pasmonizmi nuk ia ka dhënë asnjë shans real barazisë në liri. Vetëm një politikë privatizimi e bazuar në filozofinë e shanseve të barabarta do të mundësonte privatizim me drejtësi, do të mundësonte pronësinë me drejtësi.

Padrejtësia e parë masive ndaj pronës në Shqipëri është në kohën e Qeverisë së Stabilitetit (1991) kur nëpunësit më të zellshëm të monizmit u shpërblyen falas me hotele, restorante, lokale të tjera të shërbimeve publike. Nga kjo padrejtësi do të burojnë edhe milionerët e parë shqiptarë. Padrejtësia e dytë dhe më e kobshmja do të ishte ajo e kryer pas ngjarjeve të vitit 1997, kur do të shpërndaheshin pasuritë e ish skemave piramidale dhe do të krijohen brenda natës multimilionerët e parë shqiptarë. Padrejtësia e tretë dhe më e zgjatur në kohë është ajo e zaptimit të tokave dhe të trojeve dhe mosshpërblimi i pronarëve të ligjshëm. Nëse nga moskthimi i pronave tek pronarët e vjetër, mosshpërblimi i pronarëve të vjetër (të para 1946) do të krijohet një damkë e rëndë për demokracinë, nga padrejtësisë e tjera do të lindin patjetër pakënaqësi masive.

Për ndërtimin e një shoqërie të re, një rendi të ri, që ka në qendër pronën do të kishte qenë normale dhe e domosdoshme që çdo qeveri e pasmonizmit, në çdo formacion të tyre, të ketë një ministri privatizimi, madje si dikaster kryesor. Fakti është se në disa formacione që ka pasur qeveria Meksi (1992-1997) vetëm disa muaj (korrik 1996-shkurt 1997) ka funksionuar ministria e Privatizimit me tiullar Dylber Vrionin. Në të gjitha qeveritë dhe formacionet qeveritare socialiste nga viti 1991 ka pasur vetëm dy herë nga disa muaj ministri që pjesërisht kanë pasur objekt privatizimin. Në të gjitha qeveritë e pasmonizmit me privatizimin, me kthimin e pronave, me shpërblimin e ish pronarëve janë marrë vetëm drejtori pranë Kryeministrisë apo agjenci qeveritare nën vartësi të kryeministrave.

Si rezultat prona nuk është reformuar. Shqipërisë vazhdon sot e kësaj dite t'i mbetet ora e pronës në vitin 1946. Pa triumfuar parimi se prona është e shenjtë dhe ajo mbrohet me ligj, nuk mund të triumfojë as rendi demokratik. Në shoqëritë demokratike prona, qoftë shtetërore, private apo vetjake, mbrohet me ligj edhe nga dëmet apo rreziqet që mund t'i sjellin asaj vetë pronarët e saj, me papërgjegjshmërinë e tyre, me paaftësinë e tyre, me korrupsionin dhe me mënyrat e tjera. Por që të kurorëzohet shenjtëria e pronës është e domosdoshme të përcaktohen edhe kufijtë e pronës, ashtu edhe përgjegjësitë që lindin ndaj saj tek të gjithë. Është e domosdoshme të përcaktohen kufijtë e pronës shtetërore, në nivel qendror dhe lokal, kufijtë e pronës private, kufijtë e formave të tjera të mundshme të pronës. Kështu edhe merr status të përcaktuar vetë prona, merr hapësirë zhvillimi dhe rritja e saj, në kuadrin e ekonomisë së tregut dhe shtetit ligjor.

Pronarët e vjetër në Shqipëri vërtet përbëjnë një komunitet pakicë. Por padrejtësia ndaj tyre është e madhe, veçanërisht ngaqë zgjat tre çerekë shekulli. Sidomos ngaqë vazhdon edhe një çerekshekulli pas largimit të monizmit. Është një padrejtësi e kobshme, po aq sa fakti se sot pasuria e Shqipërisë, në mënyrë krejt të paligjshme, ndodhet e përqëndruar në duart e 1% të shqiptarëve.

Padrejtësi ndaj pronarëve të vjetër është pasqyra më e qartë dhe më domethënëse e padrejtësisë mbi të cilën është ngritur sistemi postmonist si vazhdimësi e natyrshme dhe e kulluar e sistemit monist në këtë çerekshullit të fundit të historisë moderne të Shqipërisë. Kjo padrejtësi përbën të vetmen linjë të natyrshme, të kulluar, të kristaltë që e përshkon kaosin e kësaj periudhe, të vetmin bosht të përbashkët të politikës në Shqipëri.

PD dhe PS kanë një elektorat aktiv të qëndrueshëm. Ato janë ende në kohë, sado në zgrip të saj, që të bëjnë një pakt të ri, thelbësisht të ndryshëm nga 7501, me frymë bashkëkohore evropiane. Dhe afati deri në pranverën e ardhshme, kur vijnë zgjedhjet e reja, është i bollshëm që këto të bindin elektoratin mbi domosdoshmërinë e dhënies fund të një padrejtësie të rrezikshme për fatin e Shqipërisë.

Shqipëria vjen nga një shtetëzim absolut i kryer gjatë monizmit. Kjo do të kërkonte që pasmonizmi të kryente një privatizim thelbësor e domethënës, një privatizim sa energjik edhe të drejtë e transparent. Një qeveri e ardhshme (1913-1917), qoftë e PD apo e PD-PS, e ka të domosdoshme të jetë një qeveri e reformimit të thellë dhe rrënjësor të të gjitha reformave të kryera në Shqipërinë pasmoniste. Dhe një nga dikasteret kryesore të kësaj qeverie domosdo të jetë dikasteri i kthimit të pronave tek pronarët e vjetër dhe kompensimi i plotë i tyre. Këtu do të zinte fill ndreqja e një padrejtësie që tashmë ka marrë përmasa të përbindshme në Shqipëri. Ky do të jetë edhe shansi i fundit që padrejtësia masive e pronës në Shqipëri të zgjidhet në mënyrë paqësore.


©


Ese BASHKIM GJYRIQI, NJË LARGIM I HESHTUR QË NUK E MORËN KRONIKAT
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

E Premte, 08.24.2012, 07:48am

NDËRVETINga SKËNDER BUÇPAPAJ

Pesëvjetori i vizitës së Presidenti amerikan në Shqipëri XHORXH W BUSHI NË TURIN EUROPIAN HISTORIK TË KOSOVËS

Veta e parë LETËR ZOTIT PËR BARDHYL AJETIN!

 Nga SKËNDER BUÇPAPAJ (shkruar më 4 qershor 2005)

SHQIPËRIA POSTKOMUNISTE DREJT PRESIDENTIT TË GJASHTË

Nga SKËNDER BUÒªPAPAJ

MIRËNJOHJE AMERIKËS!

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

DOBIA KRYESORE E KATASTROFAVE NATYRORE

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

DY FJALË PARA PROTESTËS SË PRITSHME TË VETËVENDOSJES

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ


NJË VIT HARRAKAT

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

HAVELI QË E PATËM, HAVELI QË NUK E PATËM

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

SINOPSIS STINORIT TË SIVJETËM TË ZJARREVE

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

PRESIDENTI BILL KLINTON ËSHTË NJERIU QË MORI VENDIMIN EPOKAL PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS

Ribotohet me rastin e 65 vjetorit të lindjes së presidentit të 42-të të SHBA

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

ZËVENDËSKRYEMINISTËR PËR GJUHËN SHQIPE

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

DISA IDE PËR ORGANIZIMIN E DIASPORËS SHQIPTARE NË ZVICËR

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

URIMET MIRËSEARDHËN

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

INSTRUMENTI I VETËM ËSHTË PUNA

MË SHUMË SE OPOZITË INSTINKTIVE, KOSOVËS I DUHET NJË OPOZITË ME STRATEGJI

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

REVOLUCIONE APO RRËSHQITJE SITUATE

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

URIMET EVROPIANE NDOSHTA NUK DO TË VIJNË

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

FORCËN E OPOZITËS NUK E BËJNË NUMRAT

Nuk e bën as dobësia e shumicës qeverisëse

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

BISEDIME JO, DIALOG PO

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

POETIKA E DHIMBJES NË NJË ROMAN TË RI

Romani "Imazh" i Zef Mulajt

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

NJË SKEMË PA SENS KRIJUES

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

A ËSHTË E PËRGATITUR LIDHJA DEMOKRATIKE PËR TA QEVERISUR KOSOVËN?

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

THAÇIZMI

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

RADHA E RËNIES SË RAISËVE

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

21 JANARI DHE INTELEKTUALËT LAKEJ

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

KUVENDI I RI: TIPOLOGJI, KAAKTERIZIME, PROGNOZA

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

PËRSHPIRTNI NAZMI LUKAJT, MIKUT DHE KOLEGUT

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

21 JANARI NË RADARIN E JASHTËM MEDIATIK

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

NJË VERSION I NËNTËDHJETESHTATËS

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

BAJRAKU NË ÇARSHI OSE POLITIKA NË ANKAND

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

ROJA TË SOVRANITETIT

Zotër shtëpie

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

PDK DHE LDK SHTRATIN ENDE TË NXEHTË

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

ALTERNATIVË MAFIOZE PUSHTETIT

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

SUDETIÇ, I TRETI I MOSKETIERËVE

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

KOLLITJET E STALINIT...

...nesër në "tri komunat heroike"

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

MARTY & THAÇI, THE PRECEDENT & SUBSEQUENT

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

TË DUAN, PA TË QORTOJNË

(Letër e mbyllur partive)

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

UKË RUGOVA DHE QYTETARIA E DINASTIVE NË DEMOKRACI
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

SIMBOL I LUFTËS SË KOSOVËS ËSHTË SHTËPIA E JASHARAJVE, NUK ËSHTË "SHTËPIA E VERDHË"

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

EVROPA NË ANËN E HUMBËSVE TË LUFTËS SË KOSOVËS

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

MINUS NEXHATI, PLUS ALBINI, BARAS ÇKA?

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

POLITIKËN MUND TA NDRYSHOSH VETËM DUKE MARRË PJESË NË POLITIKË

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

SHKODËR SHQYPNIA!

PARTITË E KRYEMINISTRAVE

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

UKA DHE ISAI

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

DOSIADA

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

TIPOLOGJIA E LISTAVE

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

SHKRIRJA E MEDIAVE NË PUSHTETIN POLITIK

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ



MURMURIMË DUKAGJINI (REQUIEM PËR DIN MEHMETIN)

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

ZGJEDHJE TË FAKTIT TË KRYER

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

Sot mbushen plot 17 vjet nga dalja për herë të parë në satelit e Radiotelevizionit Shqiptar

NGASJET E PERSONALIZIMIT TË HISTORISË

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ<

GREQIA DHE SHQIPËRIA, GREKËT DHE SHQIPTARËT

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

MJAFTON EMRI IBRAHIM RUGOVA

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

KALVARI I NJË MOCIONI

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

PDK DHE LDK SHAHEN... DERI PAS ZGJEDHJEVE

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

AKSESI I KOSOVËS NË DOSJET E SPIUNËVE TË SAJ

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

NGA NGURIMET NË NGUTJE?

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

SINDROMI I THESARIT TË ALI PASHË TEPELENËS SI E KAPI GREQINË

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ


EMPATI E MBRAPSHTË E SOCIALISTËVE ME DEMOKRATËT

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

SHQIPTARIZMI NË KONTEKSTIN E EVROATLANTIZMIT DHE GLOBALIZMIT

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

VIZIONI YNË EVROPIAN I RIBASHKIMIT SHQIPTAR

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

HAMENDJET PARAZGJEDHORE

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

NUK KAM MALL PËR FUSHATAT E DORËHEQJEVE, LARG QOFSHIN FUSHATAT E DORËHEQJEVE

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

A DO TË VAZHDOJË NJOHJET EDHE GJATË DIALOGUT?

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

MBYLLJA ME NDER E MISIONEVE NDËRKOMBËTARE

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

A MUND ERDHËT PREJ NJU JORKU

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

Ç'RRUGË KA HYRË PROCESI I NJOHJEVE

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

NË LDK ASGJË E RE, ASGJË E RE NË LDK

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

HISTORIA NUK ËSHTË E PARTIVE, PARTITË JANË PJESË E HISTORISË

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

E NGRIRË KOSOVA NUK MUND TË HYJË NË BISEDIME TË REJA

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

AZEMI, DISIDENTI I LINDUR

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

MIQËSIA ME VATIKANIN

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

VDEKJA E POETIT

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

FATI I UKSHIN HOTIT

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

PA ZBARDHJEN E HISTORISË DISIDENCA SHQIPTARE NUK DO TA FITOJË QYTETARINË


Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

PËR INAT TË KOSOVËS, SERBIA ËSHTË GATI TË BËJË ÇFARËDO HARAKIRI

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

LERENI KOSOVËN SHËNDOSH, NËSE E DONI SHËNDOSH BALLKANIN, EVROPËN...

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ



Nga SKËNDER BUÇPAPAJ


EMRI NDËRKOMBËTAR I KOSOVËS

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ


KOSOVA DHE NJOHJET - GJEOPOLITIKA TJETËR

MË TEPËR SE NJË GJETJE FORMULE, NJË THYERJE TABUJE

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ



Nga SKËNDER BUÇPAPAJ


AS REVANSHISTË, AS TË REVANSHUAR

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

VERIU I KOSOVËS, FUSHËBETEJA E FUNDIT?

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ


Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

NË HORIZONTE ENDE ASNJË RRETHANË OPTIMALE PËR BISEDIME


KORRUPSIONI SHESHIT

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

MARRËDHËNIET ME NDËRKOMBËTARËT SHPREHIN AFTËSINË SHTETËRORE TË KOSOVËS

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

©

SKËNDER BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.