VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

EULEX të gjejë gjuhën e përbashkët me Prishtinën
E Martë, 08.18.2009, 04:18pm (GMT1)

 

 

Voal-online Nëse EULEX kujton se institucionet e Kosovës janë dekor i institucioneve ndërkombëtare, atëherë ky do të ishte dështimi i paralajmëruar i misionit të tij. Kosova ka institucionet e saj, ka Presidentin, ka Parlamentin, ka Qeverinë, ka policinë, ka organet e drejtësisë, ka strukturat e tjera të sigurisë. Këto institucione përgjigjen para ligjeve të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, në radhë të parë përgjigjen para Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Mbi bazën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës institucionet e sapopërmendura i ndërtojnë marrëdhëniet edhe me institucionet ndërkombëtare të pranishme në Kosovë. Nëse EULEX nuk synon të gjejë gjuhën e përbashkët me Prishtinën, atëherë kot do të ishte që ta gjejë gjuhën e përbashkët me kryeqytetet fqinje, aq më tepër kot do të ishte ta gjente këtë gjuhë të përbashkët me Beogradin, më pak të interesuarin për stabilitet në Kosovë dhe në rajonin e Evropës Juglindore. Fakte tejet bindëse në përditshmërinë e realitetit dëshmojnë se Beogradi nuk heq dorë nga përpjekjet për ta destabilizuar fqinjen e Serbisë, Kosovën e pavarur dhe sovrane. EULEX, nëse i vështirëson marrëdhëniet me institucionet e Kosovës, atëherë I vështirëson ato edhe me popullin e Kosovës, edhe me miqtë e vërtetë të popullit të Kosovës, edhe me të gjithë përkrahësit konstruktivë të çështjes së Kosovës. EULEX, nëse nuk ka besim te eksponentë të caktuar të Prishtinës, tek partnerë të tij në fushat që mbulon, atëherë duhet të gjejë mirëbesim tek eksponentë të tjerë dhe tek segmente të tjera që, në mënyrë të ligjshme, e përfaqësojnë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Nëse institucionet e Kosovës ia kanë krijuar EULEXit apo misioneve të tjera të pranishme në Kosovë përshtypjen se janë thjeshtë dekor i institucioneve ndërkombëtare, është e domosdoshme të ndërrojnë qëndrimet dhe veprimet, është e domosdoshme të tregojnë gatishmërinë, vullnetin, zotësinë për t'i marrë në duart e tyre sa më profesionalisht dhe sa më përgjegjshëm detyrat ndaj shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.