VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ZYRTARIZIMI I ANTIAMERIKANIZMIT NË KREMLIN
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 09.24.2012, 02:14pm (GMT1)



Nuk kishte ndodhur asnjëherë gjatë 21 vjetëve, që nga prishja e Bashkimit Sovjetik dhe përmbysja e regjimit komunist, që Kremlini të ndërmerrte një veprim zyrtar kundër qeverisë amerikane, duke dëbuar një agjenci shtetërore amerikane nga Moska. Ndodhi në 18 shtator, kur Ministria e Jashtme e Rusisë me një komunikatë njoftoi se qeveria ruse kishte kërkuar largimin e menjëhershëm të Agjencisë Amerikane të Zhvillimit Ndërkombëtar, USAID, brenda datës 1 tetor. Si akti, arsyet politike të paraqitura, urgjenca e kërkesës, ashtu dhe zgjedhja e Ministrisë së Jashtme ruse për të shpallur vendimin, përbëjnë një situatë serioze shtetërore dhe diplomatike. Natyrisht jemi përpara një ngjarje të pazakontë në historinë e marrëdhënieve dypalëshe ruso-amerikane në gjithë periudhën e quajtur postkomuniste të Rusisë.

Ngjarja është e denjë për klimën dhe tensionet e kohës së luftës së ftohtë dhe të nxit të kërkosh arsyet e këtij hapi sfidues, që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, vendosi të ndërmarrë në fillim të presidencës së tij të tretë në Kremlin për marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA. Nëse presidenti rus, nën shembullin e sekretarëve të përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ka llogaritur të demonstrojë forcën e Moskës ndaj SHBA-së dhe ndaj Perëndimit, ka zgjedhur keq edhe kohën, edhe metodën, edhe shtetin, për të bërë këto lloj sfidash autosugjestionuese të një kohe të perënduar.

Për ta kuptuar më mirë hapin e pazakontë të udhëheqjes ruse duhet të kihet parasysh se presidenca e tretë e Vladimir Putinit po profilizohet me një shkallëzim negativ të gjendjes së shoqërisë ruse, drejt degradimit të parametrave themelorë të demokracisë dhe drejt një autoritarizmi gjithnjë e më të madh, i cili ka si simbol dhe protagonist, njësoj si në kohën e regjimit komunist sovjetik, udhëheqësin e Kremlinit.

Në Rusi është në zhvillim e sipër një proces restaurimi në jetën shtetërore, shoqërore, politike, juridike, administrative, etj, i modelit të vjetër komunist dhe sovjetik. Është një proces që po drejtohet si një program qeverisjeje nga kasta sunduese e shtetit. Është një proces antihistorik, sepse tani Rusia dhe bota nuk janë ato të tridhjetë viteve më parë, dhe inteligjenca e rinia ruse nuk janë më parafabrikatet apo rripat e transmisionit të partisë dhe qeverisë komuniste. Ballafaqimi me këtë realitet apo pol demokratik në rritje të shoqërisë ruse, e shqetëson dhe e frikëson ambicien e pushtetit autokratik të udhëheqjes së sotme të Rusisë dhe të presidentit të saj, Vladimir Putin. Ata janë të trembur sidomos nga efektet, që mund të rezonojë në Rusi pranvera arabe, e cila çliroi energji të pamposhtura popullore, që përmbysën autokratë dhe diktatura, që dukeshin të pathyeshme. "Marshet e milionave" të protestës, që kanë nisur në Rusi, dhe revolta gjithnjë e më e organizuar e intelektualëve dhe e shoqërisë civile kundër sundimit të një kaste autokratike dhe të korruptuar, që shkel të drejtat e njeriut dhe mashtron me zgjedhjet, po alarmon udhëheqjen, e cila e ndjen se vala e zemërimit popullor mund të vijë tek muret e Kremlinit. Udhëheqësit e sotëm të Rusisë kanë frikë se zgjimi i popujve arabë dhe protestat e tyre masive për liri e demokraci, mund të gjenerojnë valë të revolucionit demokratik edhe brenda në Rusi. Në Kremlin lexohet edhe sot e kësaj dite frika nga revolucionet e portokallta apo të tulipanëve apo të kadifenjta, që shpërthyen në disa shtete, që dolën nga ish-Bashkimi Sovjetik, dhe që janë fqinj me Rusinë.

Autokratët i tmerron demokracia dhe ata e shohin rrezikun tek forcat demokratike dhe tek përkrahësit e demokracisë. Në këtë situatë, presidenti rus po nxiton të ndërmarrë masa represive ndaj forcave dhe ndjenjave demokratike brenda në vend. Në shënjestër janë vënë shoqëria civile dhe gjithë format e forumet e shprehjes së mendimit të lirë demokratik.

Vladimir Putin po ndërmerr një riideologjizim të marrëdhënieve dhe të jetës politike e shoqërore brenda vendit, ashtu dhe të marrëdhënieve të Rusisë me SHBA dhe me Perëndimin. Ky riideologjizim materializohet, së pari në përpjekjet për të krijuar sindromën e "armikut të shtetit dhe të kombit rus", që sipas qeverisë janë forcat liberale dhe shoqëria civile, të cilat nuk mendojnë me mendjen e qeverisë. Së dyti, materializohet në përpjekjet e qeverisë për të rikrijuar sindromën e armikut të jashtëm, duke organizuar histerinë e antiamerikanizmit, dhe shpikur rrezikun e jashtëm nga SHBA.

Në komunikatën e MPJ të Rusisë për vendimin e largimit të USAID-it ,si arsyetim për këtë hap zyrtar jepen "përpjekjet për të ndikuar në proceset politike, duke përfshirë zgjedhjet në nivele të ndryshme dhe në institucionet e shoqërisë civile. Probleme serioze ka shkaktuar aktiviteti i USAID-it në rajonet ruse, veçanërisht në Kaukazin e Veriut". Janë akuza tipike të fjalorit dhe të mentalitetit komunist të kohës së luftës së ftohtë, ku ndihma dhe grantet amerikane për projektet e forcimit të institucioneve të demokracisë ngjyrosen me bojën e zezë të frikës së regjimit nga demokracia. Jo rastësisht janë përmendur dy fushat më sensitive, ku regjimet autokratike bëjnë abuzimet më të mëdha, zgjedhjet dhe të drejtat e njeriut. Udhëheqja ruse kërkon të mbulojë abuzimet e mëdha të pushtetit në të dyja fushat e mësipërme dhe shpik armikun e jashtëm, Amerikën, duke akuzuar USAID-in për zhvillimet dhe fenomenet e brendshme të protestës, që po ziejnë në shoqërinë ruse dhe që janë produkt i brendshëm i saj.

Në të vërtetë agjencia amerikane e zhvillimit ndërkombëtar është vendosur në Moskë para 20 vjetësh me kërkesën e qeverisë së atëhershme ruse në fillim të demokracisë dhe ajo ka dhënë gjatë 20 vjetëve një ndihmë dhe kontribut të çmuar në ndërtimin dhe konsolidimin e normave dhe institucioneve demokratike të shoqërisë ruse. Por duhet theksuar se grantet dhe donacionet e USAID-it në Rusi nuk kanë përmasa aq të mëdha, sa që mund të shkaktojnë shqetësimet disporporcionale të Kremlinit. Rusia aktualisht zë vendin e 40-të në listën e shteteve, që përfitojnë sponsorizime të projekteve nga USAID. Ky fakt dëshmon se Rusia nuk përbën as një prioritet dhe as një vëmendje "konspirative" dhe zyra e USAID-it në Moskë ka vetëm 13 shtetas amerikanë.

Kremlini shqetësohet nga rritja e ndërgjegjes civile në Rusi dhe ka zgjedhur të mbysë zërin e lirë të së vërtetës. Ai ka ndërmarrë një ofensivë represioni ndaj rrjetit të organizatave joqeveritare, të cilat në Rusi kanë lozur dhe po lozin një rol pozitiv në ndërgjegjësimin demokratik të popullit. Pas ardhjes së Vladimir Putinit për herë të tretë në Kremlin në muajin maj të këtij viti, me shpejtësi në muajin qershor Duma Ruse miratoi një ligj represiv, sipas të cilit të gjitha shoqatat dhe organizatat joqeveritare, që punojnë me projekte të financuara nga shtete të huaja, organizata të huaja apo shoqata joqeveritare të huaja, duhet të regjistrohen në organet shtetërore ruse me emrin "agjentë të huaj". Është e kuptueshme se çfarë presioni psikologjik dhe fizik ushtrohet në veprimtarinë e rrjetit të shoqatave joqeveritare, kur ata të detyrohen të regjistrohen dhe ta pranojnë veten si "agjentë të huaj". Edhe terminologjia e këtij ligji absurd është huazuar nga kohërat staliniste të represioneve të KGB kundër intelektualëve.

Me vendimin e ri qeveritar goditja e regjimit drejtohet kundër vetë funksionimit dhe qëllimit të rrjetit të shoqatave joqeveritare dhe shoqërisë civile. Këtu nuk është vetëm çështje financimi, por çështje përmbajtjeje veprimtarie, sepse çdo shoqatë apo përfaqësues i shoqërisë civile, që do të ngrejë zërin e protestës kundër mashtrimeve elektorale apo shkeljes së të drejtave të njeriut, fare lehtë do të goditet si "agjent i huaj". Qeveria synon gjithashtu që gjithë shoqatat joqeveritare dhe shoqëria civile, duke ndërprerë lidhjet me të huajt, të detyrohen t'i drejtohen për fonde qeverisë dhe të shndërrohen si bashkimet profesionale të dikurshme, duke i shërbyer si leva regjimit në fuqi. Duke ndërprerë zyrtarisht bashkëpunimin e organizatave joqeveritare ruse me institucionet dhe agjencitë shtetërore e civile të shtetit më të madh demokratik të botës, SHBA, Kremlini kërkon të ndajë shoqërinë civile ruse nga perëndimi dhe ta mbyllë atë në guaskën qeveritare të izolimit, të ksenofobisë dhe të mjerimit total intelektual e shpirtëror. Vendimi për dëbimin e USAID-it synon të trembë intelektualët, shoqërinë civile dhe njerëzit e thjeshtë në Rusi, me fantazmën e antiamerikanizmit, dhe të shushasë zërin dhe shpirtin demokratik të protestës.

Me vendimin për largimin e USAID-it nga Rusia, Kremlini zyrtarizon antiamerikanizmin si ideologji e politikës së tij të jashtme dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare të Rusisë. Kjo natyrisht do të ketë efektet e veta në tërësinë e marrëdhënieve ruso-amerikane, të cilat, me gjithë nismat e njëpasnjëshme të presidentit B.Obama dhe të sekretares së shtetit, H.Klinton, për ndërtimin e marrëdhënieve të reja të dobishme mes dy vendeve, po hasin në një ftohtësi polare në Kremlin. Nuk duket rastësi as koha e zgjedhur nga Kremlini për këtë goditje të marrëdhënieve dypalëshe në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Momenti i zgjedhur nga Kremlini i jep këtij vendimi rus një karakter provokativ, zhvillim i cili do të dëmtojë dinamikën e marrëdhënieve dypalëshe, por do të dëmtojë në radhë të parë vetë Rusinë. Rusia i provoi në shekullin e kaluar pasojat negative të antiamerikanizmit si ideologji e politikës së jashtme.


SHABAN MURATI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.