VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DORACAK PËR SHKATËRRIMIN E SHTETIT
Nga XHEMAL AHMETI

E Shtunë, 10.06.2012, 10:03am (GMT1)




«Demokracia është sistem ku popujt sundojnë mbi veten», kështu ëndërron filozofi italian Giorgio Agamben. Këtë konstatim ai e jep në suaza të debatit mbi demokracinë (Demokracia; Berlin, 2012) që u zhvillua ndër intelektualët dhe akademiket Alain Badiou, Daniel Bensaïd, Wendy Brown, Jean-Luc Nancy, Jacques Rencière, Slavoj Žižek e të tjerë. Që të gjithë këta profesorë të universiteteve kryesore të perëndimit. Shumica e tyre teorizojnë rreth potencialeve dhe defekteve që demokracia ka si sistem politik. Defekti kyç i këtij debati është se s'ka fare të bëjë me terrenin, me sistemet politike në praktikë; qoftë në vendet që sillen si zbuluese të demokracisë e qoftë në vendet që e preferojnë atë për çështje të natyrës kozmetike.

Po u bëmë një analizë qoftë ajo nga distanca dhe sipërfaqësore demokracive europiane pa u djersitur fare lokalizojmë megakonfliktin ndërmjet demokracisë dhe lirisë së kolektivave të caktuara brenda një shoqërie: shumica mbyt gjithmonë shumicën tjetër!

Problemi merr pamjen e Drakulës sidomos në vendet me blloqe të armiqësuara etnike. Maqedonia është ndër rastet më tipike ku debatet dhe teoritë e të mençurve të oksidentit as buzët nuk i lagin dot e lere më të pinë ujë. Analitikët që mendojnë se në shtetin ballkanik gjithçka ecë nga mbrapa për arsye të konflikteve të natyrshme ndëretnike kanë pjesërisht të drejtë, mirëpo me këtë ata favorizojnë, potencojnë kulmin pa u marrë me themelin e problemeve. Në të vërtet Darkula nuk janë diferencat etnike të cilat do të jenë gjithmonë por shteti vetë.

Koalicioni: Gruevski dhe Ahmeti

Prandaj analiza e BE-së nuk duhet të nis nga prizmi vetëngushëllues mbi përçarjet në baza etnike. E para për arsye të përvojës që na sjellin lapsat e laboreve të politologjisë mbi sistemet politike, të cilat unisono konstatojnë se në bazën e çdo konsensusi duhet të jetë liria e barabartë operacionale e gjithë aktorëve (të gjithë faktorët me të drejtën e barabartë konstitucionale) dhe e dyta; për shkak të faktografisë nga historia e demokracive e cila bindë se shumica e problemeve ndëretnike dhe konflikteve tjera kulturore janë zbutur me instalimin sa më konsekuent të demokracisë dhe shtetit ligjor.

2. POZAT INFANTILE TË SHTETIT

Maqedonia deklarativisht ka pranuar se është në udhë të instalimit kualitativ të demokracisë, shtetit ligjor dhe lirive fondamentale të njeriut. Këtë ajo e ka bërë për arsye se donë të jetë pjesë e BE-së. Saherë që fluturon ndonjë telegram qortues nga Brukseli në Shkup përgjigja ka të njëjtën përmbajtje; etnia tjetër bllokon! Këtë e bëjnë të dyja palët. Me të drejtë. Kështu është, mirëpo kjo nuk ka pse t'iu interesojë instancave të BE-së. Parakushtet që BE i ka vënë Maqedonisë për t'u bërë anëtarë e këtij forumi kontinental në asnjë pikë të tyre nuk kërkojnë që dy etnitë të martohen ndërveti nga dashuria. Kërkesat kanë të bëjnë eksplicit me shtetin ligjor, të drejtat e njeriut dhe demokracinë liberale (tregun e lirë). Përgjegjës për implementimin e tyre është shteti. E ai jo që nuk është imanent në këtë drejtim, por bën faca infantile sepse është i bindur se BE ka gabuar kahen e analizës. Ose ta shpjegojmë gjithë këtë më deklamimin e një zyrtari gjerman të Bashkimit Europian: «Ne shohim atje vetëm atë, që ata duan të shohim». Me këtë ai nuk aludon vetëm te qeveria e Nikolla Gruevskit, por tek të gjithë, shteti, shoqëria civile, partitë, mediat e kështu me radhë.

Analiza duhet të jetë pra; cilat janë arsyet që shteti me sjelljen e tij saboton demokracinë liberale dhe shtetin ligjor? Nëse dikush nuk donë të spekulojmë, atëherë le të vigjilojë trurin dhe le tu fus zjarrin ndërkëmbë observatorëve që të dalin nga zyrat komode për të parë edhe atë «që ata nuk duan që ne ta shohim», pra devijimet e qëllimshme në praktikë.

3. KORRUPSIONI MATERIAL

BAZA. Në Maqedoni si në shumicën e vendeve të Ballkanit korrupsioni ka traditë të thellë. Është një lloj tradite «kulturore» gjatë këmbimit të shërbimeve. Mjekët, policët dhe gjithë zyrtarët e burokracisë shtetërore nuk kryejnë punë pa «ryshfet». Kjo ndodhë që nga drama kur njeriu pret korridoreve të spitalit duke dhënë shpirt e deri tek sigurimi i targave të veturës. Nëse një mentalitet e merr këtë si bazë normale komunikimi, atëherë ai nuk zotëron me të drejtën morale të kritikojë shtetin se një gjë të tillë e zhvillon me të madhe. Principi është i njëjte. Njëra mban peng tjetrën.

Masa me këtë korrupton sistemin nga baza dhe partitë në vend që ta luftojnë atë e shfrytëzojnë për të trashur rrjetet operative për sigurim të elektoratit dhe për aksione tjera parapolitike. Partitë e dala nga ky mentalitet qeverisin vendin me të njëjtën metodë. Natyrisht në një masë më gjigante dhe të organizuar.

PARTITË DHE SHTETI. Një qeveri e dalë nga ky sistem koekzistence ka detyrime. Pothuaj shumica e partive politike në Maqedoni sponsorizohen nga firma pasanikësh që ekonominë e tyre e kanë ndërtuar dhe e mbajnë në sajë të rrjeteve të korruptuara (ndryshe nuk funksionon). Nga këtu mund t'i kuptojmë edhe ndërhyrjet brutale të shtetit ndaj firmave të caktuara (të cilat përkrahnin konkurrencën politike) si dhe favorizimet e pakufishme ndaj të tjerave. Në Shkup e gjithandej sapo të pyesësh për pronësinë e ndonjë kompleksi menjëherë të thuan se i takon «nipit të Gruevskit», sapo të kërkosh informata se kush është drejtor doganash të thonë «është daja i Gruevskit», kur pyet kush është menaxheri i shitblerjeve të armëve të rënda për shtetin ta presin; «mixha i Gruevskit». Të njëjtat përgjigje i merr kur pyet në Shkup, Tetovë a Gostivar, kryesisht të njëjtat përgjigje; nipi i Ali Ahmetit, tezaku i Nevzat Bejtës, mixha i Likës, i Radikës e kështu me radhë.

Nëse qeveria maqedone, bashkë me koalicionin, do të ishte e detyruar të përdor kontrollin e kërkuar ligjor kundër këtyre formave korruptive, atëherë ajo patjetër se do të përfundonte e para në bankën e të akuzuarve. E kush sjell veten vullnetarisht para gjyqit?

4. KORRUPSIONI IMATERIAL

Një segment tjetër, që ka të bëjë pjesërisht edhe me mendësinë arkaike të etnisë dhe gjakut, është privilegjimi i të korruptuarve nga rrethi i fisit dhe etnisë. Nëse një ministër i përkatësisë sllave apo shqiptare mund ta sigurojë një «biznesmen» të gjakut ai pa kalkuluar shumë do ta zgjedh «natyrshëm» atë. Pra këtu bëhet çështja imateriale. Formë, e cila përdoret edhe në politikën e ndarjes së buxheteve për komunat dhe rajonet. Një kryeministër maqedonas bën çmos që subvencionet e lëshuara nga institucionet ndërkombëtare t'i drejtojë në ato vende ku jeton etnia e tij e jo për të luftuar skamjen e gjithë shoqërisë me një çelës të barabartë shpërndarjeje.

5. KRIZA MATEMATIKORE E BE-SË

Këtu paradoksalisht, edhe pse BE është e detyruar të protestojë, ose të bllokojë disa nga projektet që i financon dhe «monitoron» heshtë. Qëndrim që të bën të dyshosh në mos edhe projektmenaxhuesit nga Bruksel janë të përzier në diçka të dyshimtë. Jo, na thonë. Dakord atëherë nga ku toleranca ndaj korrupsionit. «Tash kemi filluar të bëjmë analizat e duhura» na thotë njëri nga përgjegjësit. Tjetri që i ri pranë del një çik më i mençur «Ama ndoshta i hanë gjitha paret deri sa t'i bëjmë analizat». Më në fund një me tru. Se tjetri është për dru thonë pollogasit.

6. UDHËZIMI PËR BLLOKIMIN EFEKTIV TË DEMOKRACISË

Ndoshta defekti kryesor i reflektimit në BE ka burimin në teoritë e Agamben-it, Rencière-s me kompani. Sepse madje nuk ka nevojë edhe për gjithaq filozofi për tu përballur me realitetin. Mjafton që të analizojmë katalogun e parimeve themelore të demokracisë ligjore me praktikën e shteteve të Ballkanit dhe shohim se gjithçka është kundërproduktive, lehtë dhe pa shumë zgjuarsi zbulojmë se vetë shtetet, qeveritë sabotojnë sistemin, përparimin. Bindemi se veprimi praktik i koalicionit qeveritar në Maqedoni është një Doracak efektiv për shkatërrimin e shtetit. Arsyeja është e qartë. Ata gjenden ndërmjet dy alternativave: ose korrupsionin ose demokracinë ligjore. Të parën kanë zgjedhur dhe nuk e lëshojnë kurrë. BE le të vazhdojë të flejë ose të ëndërroje keq ëndrra greke.

XHEMAL AHMETI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.