VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

GREVISTËT E URISË, VIKTIMA TË POLITIKËS
Nga SAMI REPISHTI
Nga shtypi dhe mjetet e informimit të Shqipërisë vijnë lajme të trishtueshme!

E Hënë, 10.08.2012, 06:23am (GMT1)




Nga shtypi dhe mjetet e informimit të Shqipërisë vijnë lajme të trishtueshme!

Këto ditët e fundit, greva e urisë nga nji grup ish-të përndjekurish politikë zen nji vend sekondar, megjithëse paraqet nji problem të rangut primar: mirënjohjen e sakrificës për liri dhe demokraci në Shqipëri gjatë dyzet e pesë vjet të regjimit komunist në atë vend, dhe detyrimin ligjor e moral me përkrahë viktimët e këtij terrori, ata e sakrifikuen jetën ose vite të gjata në burgjet mesjetare dhe kampet e çfarosjes që "diktatura e proletariatit" vendosi në vendin tonë.

Detyrimi ligjor rrjedh nga vendimet e marruna lirisht dhe zyrtarisht nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Numri i viktimave të regjistrueme deri tashti ka arrijtë afërsisht në 22 mijë: ish-të vramë pa gjyq dhe me gjyq, ose të burgosun nga gjykata politike pa asnji kriter ligjor, përveç formës së jashtëme, shpeshherë komike për arsye të injorancës që karakterizonte "gjyqtarët e popullit" në shërbim të "Nënës Parti". Sot, pjesa ma e madhe e këtyne viktimave nuk janë me ne, pushojnë në varreza pa shenj, ku të afërmit e tyne nuk i dijnë dhe nuk kanë mundësi me vendosë nji qiri ose nji tufë lulesh për kujtimin dhe zbutjen e dhimbjes së tyne.
Aspekti moral vjen nga fakti se viktimët e persekutimit komunist në Shqipëri janë kapitali i vërtetë i lëvizjes për liri dhe demokraci. Sakrificat e tyne u përdorën që në fillim të lëvizjes për demokraci si kapital politik me të cilin do të ndërtohej shteti i ri dhe do të riformohej shoqnia e re shqiptare. Cili personalitet politik shqiptar do të kishte pasë guximin me folë për "liri dhe demokraci" pa iu referue kryesisht rezistencës kundër regjimit komunist? Koha tregoi se "respekti fillestar" kishte qenë nji hipokrizi groteske, nji instrument makiavelik me marrë "votat" dhe "pushtetin" nga duet e përgjakuna të sundimtarëve të kuq.

Ky kapital moral u grumbullue gjatë dy periudhave historike të vendit tonë. E para: gjatë viteve të terrorit të kuq, viktimet e persekutimit përballuen me nji guxim të rrallë dhe për 45 vjet me radhë kamxhikun komunist që dërrmoi kurrizet e tyne të sfilituna nga vuejtja, tortura, puna e randë e uria e vazhdueshme, e imponueme në burgjet dhe kampet e çfarosjes në Shqipëri. Aty u farkëtuen edhe ma mirë karakteret e tyne të shëndosha; aty u betuen për devotshmëninë e tyne ndaj demokracisë; aty u ushqyen shpresat për nji Shqipëri të lirë dhe demokratike. Kjo masë e pafaj dhe pa përkrahje u aktualizue në bërthamën ma të shëndoshë të shoqënisë së lodhun shqiptare.

E dyta: mbas ramjes se turpshme të Perandorisë sovjetike dhe satelitëve të saj, edhe Shqipëria u rreshtue në mes të vendeve ku, simbas pohimit të udhëheqjes së saj, sistemi socialist kishte dështue si sistem ekonomik dhe si formacion politik i imponuem me forcë. Me humbjen e "pushtetit" komunistët shqiptarë u gjetën si "fajtori pa mbrojtje". Në mes të çrregullimit të plotë, ata pranuen nevojën për ndryshim rranjësor... por ngulën kambë që këtë ndryshim ta bajshin "ata" vetë dhe jo "të tjerët", kundërshtarët e tyne. Kjo u arrijt në përqindje të madhe, me bashkëpunimin e grupeve oportuniste që u transformuen mbrenda nate nga "persekutues" në "viktima të persekutimit" dhe "bashkëvuejtës", me programe të përcaktueme nga "klika të fuqishme sekrete".

Por, në kaosin e viteve 1991 dhe 1992 ekzistonte mundësia e shpërthimit të nji vale hakmarrjesh, individuale dhe kolektive "alla-partizançe"! Kjo nuk ngjau! Me gjithë vuejtjet e mëdha "ish-të persekutuemët" me përjashtime shumë të rralla- deklaruen besimin e tyne të thellë në "shtetin ligjor" dhe bindjen e tyne se tradita e hakmarrjes politike që komunistët shqiptarë kishin ushqye për 45 vjet me radhë ishte nji qëndrim antinjerëzor, antikombëtar dhe thellësisht i pamoralshëm.

Këtu qëndron epërsia morale e ish-të përndjekurve, sot të harruem! Përbuzja e urrejtjes dhe hakmarrjes, e padrejtësisë dhe afërmimi i viktimave me u qytetnue në nji shtet e nji shoqëni që rregullohet dhe vepron me ligje përban fitoren ma të madhe të mbas viteve 1990. Me këtë qëndrim, Shqipëria fitoi nji dimension të ri moral.

Sot, ky qëndrim dinjitoz kritikohet ma së shumti nga fajtorët e padënuem, nga të gjithë ata që duhet të kishin dalë para gjyqit me u përgjegjë për krimet makabre të sundimit të tyne, qoftë si pushtet, qoftë si urrejtje personale. Akoma ma keq: viktimët sot nuk përfillen as nga "pushteti" që mori karriget në sajë të sakrificave të këtyne të persekutuemëve që vuejnë shumë... e që detyrohen me shpallë grevën e urisë, nji formë ekstreme e protestës!

Kjo vërtetohet edhe nga heshtja e plotë e udhëheqjes politike, sidomos e asajë të PD-së. Presidenti, Kryeministri heshtin. Kryetarja e Kuvendit thotë "nuk kam gja me thanë për grevistët". Ministria e Financave thotë se "veprojmë simbas ligjit". Katër grevistë kanë përfundue në spital me rrezik jete. U desht nji vizitë e ambasadorit amerikan Arvizu dhe dinjitarëve të akredituem në Tiranë me tërheqë vëmendjen e nji shoqënie shqiptare flegmatike..., por jo të autoritetit të pandërgjegjshëm.

Kur do të zgjohet nga gjumi i randë ku ka ra shoqënia shqiptare? Kjo gjendje amullie, ashtu si uji që nuk lëviz, me frikëson!

Vëllazën e motra shqiptare, të pafajshëm dhe të pambrojtun: ju meritoni respektin e të gjithëve. Unë jam sot me ju shpirtënisht, me të drejtën tuej që mohohet, me aspiratat tueja që përbuzen dhe shpresën tuej se do të vijë dita kur ata që gëzojnë kapitalin e vërtetë moral të shoqënisë shqiptare, dhe fëmijtë e tyne do të ndërtojnë Shqipërinë e lirë dhe demokratike që dëshirojmë. Ky ashtë nji proces i vonuem në Shqipëri, por i pandalueshëm. Për këtë unë jam i sigurt!

Ridgefield, CT
(Autori ka qenë i burgosun politik në Shqipëri 1946-1956)



SAMI REPISHTI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.