E Enjte, 04.25.2024, 08:12pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
DEMOKRACIA E NJËSUAR ME UDHËHEQËSIN VDES
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 10.08.2012, 10:27am (GMT+1)




Është interesant autosugjestioni ngushëllues, që po qarkullon në botën demokratike, për humbjen e pushtetit në Gjeorgji nga udhëheqësi i revolucionit të trëndafilave. Zgjedhjet parlamentare të datës 1 tetor sollën surprizën e fitores së koalicionit të opozitës "Lëvizja e Ëndrrës Gjeorgjiane", të kryesuar nga miliarderi i sapohyrë në politikë, Bidzina Ivanishvili, dhe humbjen e partisë në pushtet "Lëvizja Kombëtare e Bashkuar", e presidentit Mikael Saakashvili. Pranimi i menjëhershëm i dështimit elektoral nga presidenti Saakashvili dhe gatishmëria e shprehur prej tij për dorëzimin paqësor të pushtetit, madje pa shfrytëzuar as kompetencat që ia jep Kushtetuta, për të qenë pikërisht ai që duhet të propozojë kryeministrin e ri, përbëjnë me të vërtetë një shembull demokratik të rotacionit paqësor të pushtetit, gjë që është e pashoqe në historinë gjeorgjiane. Por ai është në të njëjtën kohë një rast jashtëzakonisht i rrallë për shtetet që dolën nga ish-Bashkimi Sovjetik komunist, ku me përjashtim të tri shteteve pribaltike, që iu bashkuan NATO-s dhe BE-së, nuk ka ndodhur që partia në fuqi t'i dorëzojë pushtetin paqësisht opozitës.

Kjo vërtet duhet të merret si një shprehje e progresit demokratik të politikës në Gjeorgji, por mendoj se kjo është e pamjaftueshme për të vendosur këtë "fitore" të demokracisë mbi të vërtetën e hidhur dhe dramatike se revolucioni demokratik i trëndafilave, që shpërtheu në vitin 2003 dhe solli në pushtet forcat demokratike të udhëhequra nga M.Saakashvili, u plagos rëndë dhe simptomat lejojnë të shkohet tek mendimi se revolucioni demokratik mund të degradojë drejt vdekjes klinike. Pse-të, që ngrihen në rastin e kësaj kthese të papritur dhe të paparashikuar si nga Tbilisi, ashtu dhe nga Brukseli e Uashingtoni, duhen zbërthyer dhe kanë të bëjnë jo vetëm me fatin e revolucionit demokratik gjeorgjian, por edhe me revolucionet demokratike në vendet ish-komuniste. Sepse duhet hulumtuar se cilat janë motivet, që zgjedhësit ndëshkuan me votën e tyre jo vetëm presidentin dhe partinë e tij në fuqi, por një sistem dhe një mënyrë jetese shtetërore e shoqërore, që ata vetë e kishin kërkuar me revolucionin demokratik të trëndafilave. Vështirë që ndokush të mohojë transformimet e mëdha të Gjeorgjisë në këta 9 vjet të drejtimit demokratik, por revolucioni demokratik në këtë shtet bëri gabimin e madh fatal, që njësoi demokracinë dhe sistemin demokratik me udhëheqësin apo individin, që historia apo rastësia e solli të jetë në krye të revolucionit demokratik.

Gjeorgjia dhe Ukraina japin mësimin e madh të rrezikut të madh të njësimit të revolucionit demokratik dhe të demokracisë me njeriun, që u ndodh në krye të këtij revolucioni. Ky identifikim ka me vete farën e dështimit dhe të humbjes së vlerës dhe të përmbajtjes së vetë revolucionit dhe të demokracisë. Kjo ndodhi në Ukrainë, po ndodh në Gjeorgji, por ka shfaqur shenja të njëjta edhe në shtetet ish-komuniste të Ballkanit, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Udhëheqësit e rinj të qeverive demokratike të vendeve ish-komuniste kujdesen më shumë të bindin dhe t'i imponojnë popullit se ata janë transformuesit dhe çudibërësit e mrekullisë demokratike. Ata kujdesen më shumë për farkëtimin e një kulti të ri të individit, të ngjashëm me kultin e udhëheqësve të dikurshëm komunistë, dhe kërkojnë t'i japin demokracisë imazhin e vetes së tyre. Kjo bën që në shtetet ish-komuniste, sidomos në Kaukaz, Azinë Qendrore dhe në Ballkan, udhëheqësit e regjimeve tani demokratike të shndërrohen në autokratë të padiskutueshëm dhe të mos i kushtojnë asnjë vëmendje ndërtimit të institucioneve demokratike ligjvënëse e ligjzbatuese, por t'i japin krejt shtetit portretin e tyre. Arroganca e pushtetit, abuzimi me pushtetin dhe zëvendësimi i ligjit me frymën militante partiake të partisë drejtuese, mbysin demokracinë. Fytyrën e udhëheqësit e merr qeveria, e marrin ministritë, gjykatat, Policia e Shtetit, shkenca, Historia, televizionet dhe tërë mediat e mjeruara, të cilat, në vend të drejtorisë së shtypit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste kanë teknologjinë informative të portretit të kryeministrit.

Regresi politik në Gjeorgji evidenton rolin okult të oligarkëve miliarderë, që demokracia prodhoi me shkopin magjik në vendet ish-komuniste. Këta oligarkë e miliarderë, që me komplicitetin e pushtetit dhe të krimit të organizuar grumbulluan dhe i shënuan në llogaritë e tyre bankare pasuritë kombëtare, kanë zgjedhur tani rrugën e marrjes së pushtetit politik dhe të qeverive në demokraci, duke e realizuar nëpërmjet blerjes me para të votave dhe të rezultatit të votimeve. Ligjet, rregulloret dhe mënyrat e drejtimit oligarkik janë kundërvënie dhe erozioni i sistemit demokratik, dhe pjellin një demokraci jo funksionale.

Ajo që po ndodh në Gjeorgji, nxit interesimin e veçantë, jo vetëm për rreziqet që u qëndrojnë mbi krye revolucioneve demokratike në vendet ish-komuniste, por edhe për domethënien gjeopolitike të këtij zhvillimi të papritur. Qeveria demokratike, që doli nga revolucioni i trëndafilave, zgjodhi orientimin perëndimor dhe rrugën e integrimit euroatlantik të anëtarësimit në NATO dhe në BE. Pozicioni gjeografik i këtij shteti në Kaukaz e bën atë të rëndësishëm në pikëpamje të rrugëve strategjike, që përshkojnë këtë pjesë të kontinentit dhe të linjave të transmetimit energjetik të gazsjellësve apo naftësjellësve, që kryqëzohen apo planifikohet të përshkojnë rajonin. Nuk është sekret se ka pasur dhe ka një përplasje të vazhdueshme të interesave strategjike mes Rusisë dhe Perëndimit, NATO-s dhe BE-së, lidhur me Gjeorgjinë. Rusia arriti deri atje, sa që në gusht të vitit 2008-të të pushtojë ushtarakisht dy territore të Gjeorgjisë, Abhazinë dhe Osetinë e Jugut, dhe të krijojë dy mikroshtete-kukulla. Kremlini e kishte shprehur haptazi objektivin e tij të përmbysjes së qeverisë dhe të revolucionit demokratik në Gjeorgji. Kryeministri rus Dimitri Medvedev dhe MPJ e Rusisë nxituan të përshëndesnin rezultatin e zgjedhjeve në Gjeorgji, ndërsa tre senatorë amerikanë, me një deklaratë të posaçme të përbashkët në 5 tetor i drejtuan një paralajmërim të fortë fituesit të zgjedhjeve, se marrëdhëniet me SHBA-të do të varen nga zhvillimi dhe thellimi i demokracisë dhe i institucioneve demokratike në vend.

Rusia duket se është protagonisti i heshtur i kësaj kthese kundërrevolucionare në Gjeorgji. Gazetarja e njohur ruse, Julia Latinina, duke analizuar zgjedhjet, shkruante në gazetën e Moskës "Novaja gazeta" në 5 tetor, se "populli gjeorgjian bëri atë që nuk qe në gjendje ta bënte ushtria ruse". Që do të thotë se në zgjedhjet parlamentare të 1 tetorit dhe në kthesën e rrugës politike në një kah tjetër, duhet parë dora e zgjatur e Kremlinit. Skenari fillon me emrin e njeriut, që kryeson opozitën politike dhe i cili krijoi koalicionin e "ëndrrës gjeorgjiane" me të gjithë kundërshtarët e presidentit Saakashvili. Bidzina Ivanishvili është miliarderi, i cili e ka krijuar gjithë pasurinë e tij prej 6,4 miliardë dollarësh në Rusi, duke u marrë që nga mineralet, energjia, bankat, pasuritë e patundshme, etj. dhe i cili para një viti vendosi t'i hyjë politikës në vendin e vet. Ivanishvili është një nga oligarkët e njohur të Rusisë, pasuria e madhe e të cilit nuk mund të mendohet se u krijua pa mirëkuptimin dhe sponsorizimin e pushtetit qendror rus. Sepse oligarkë të tjerë, që nuk i janë bindur Vladimir Putinit, kanë përfunduar ose në burg ose në arrati në perëndim ose nuk janë në gjendje të shesin as pronat e tyre në Rusi, sepse nuk ua blen kush nga frika e Kremlinit. Kurse Ivanishvili i shiti vitin e kaluar pronat e tij në Rusi me çmime të majme dhe mbi normalen e tregut.

Ivanishvili ka shtetësinë ruse dhe është gjithashtu aksionist në kompaninë e madhe shtetërore energjetike ruse "Gazprom", aksionet e së cilës nuk i shiti. Këto janë parametra, të cilat peshojnë më shumë se deklaratat e tij fillestare pas zgjedhjeve, se ai i konsideron SHBA-të partner kryesor, se ai do të bëjë vizitën e parë si kryeministër në SHBA dhe se ai do të vazhdojë rrugën e integrimit në NATO dhe në BE. Në konferencën e tij të parë të shtypit pas fitores elektorale, Ivanishvili kritikoi presidentin Saakashvili për acarimin e marrëdhënieve me Rusinë, dhe deklaroi se ideja e integrimit të Gjeorgjisë në NATO nuk është shumë e pëlqyeshme për Rusinë, por unë nuk mendoj se kjo është çështje strategjike për Rusinë. Natyrisht, një naivitet i tillë politik tingëllon më shumë si apologji e politikës ruse ndaj Gjeorgjisë, sepse është fare lehtë të kuptohet se Moska, e cila ka kundërshtuar dhe kundërshton me forcë çdo zgjerim të Aleancës Atlantike në Europën Qendrore dhe në Ballkan, e ka edhe më të papranueshme idenë e anëtarësimit në NATO të një shteti të Kaukazit, që Kremlini e konsideron sferë e influencës së vet. Jo rastësisht, menjëherë pas zgjedhjeve gjeorgjiane, presidenti autokrat i Bjellorusisë, Lukashenko, deklaroi nevojën e riintegrimit të Gjeorgjisë në "Komonuellthin e Shteteve të Pavarura", CIS, që drejtohet nga Moska.

Pritet që Ivanishvili të tregohet më i kujdesshëm se presidenti prorus i Ukrainës, V. Janukoviç, i cili e ktheu menjëherë timonin e revolucionit të portokalltë drejt Rusisë. Por edhe pengesa të tilla, në pamje të parë të pakapërcyeshme, si shkëputja e territoreve të Gjeorgjisë nga Rusia, mund të gjejnë mënyrën e manovrimit dhe të spostimit të orientimit strategjik të Gjeorgjisë drejt të ashtuquajturit neutralitet apo finlandizim të Gjeorgjisë, siç po përmendet në mediat gjeorgjiane.

Revolucioni i trëndafilave u plagos rëndë në zgjedhjet parlamentare dhe përfundimi që del është se të gjitha revolucionet demokratike të vendeve ish-komuniste, që njësohen me udhëheqësin, vdesin. Dhe që të mos ndodhë kjo, duhet që ata udhëheqës të ikin nga pushteti, përpara se të vdesin revolucionet demokratike dhe demokracia.


SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
GREVISTËT E URISË, VIKTIMA TË POLITIKËSNga SAMI REPISHTINga shtypi dhe mjetet e informimit të Shqipërisë vijnë lajme të trishtueshme! (10.08.2012)
JOSEPH DIOGUARDI – MISIONAR I SHQIPTARISËNga ARTUR VREKAJ (10.07.2012)
PRESIDENTJA JAHJAGA TA LARGOJË RAMUSH TAHIRIN NGA STAFI I SAJ PAS DEKLARATËS SKANDALOZE TË KËTIJ TË FUNDIT SE STRUKTURAT PARALELE JANË LEGJITIME!Nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.06.2012)
DORACAK PËR SHKATËRRIMIN E SHTETITNga XHEMAL AHMETI (10.06.2012)
MBRESA NGA NJË CEREMONI PËRKUJTIMORENga RESHAT KRIPA (10.05.2012)
DEMISTIFIKIMI I NJË GËNJESHTRE TË PROPAGANDËS SERBE!Nga SAMI REPISHTI (10.04.2012)
HESHTJA KRIMINALE E SHTYPIT DHE MEDIAVE TË TIRANËS NDAJ GREVISTËVE – MOS HARRONI SE INDIFERNCA VRET!Nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.03.2012)
BOTA KU SOT NE JETOJMËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times (10.01.2012)
LETЁR E HAPUR FEDERATЁS PAN-SHQIPTARE VATRANga ILIR HYSA (09.30.2012)
PROFESOR ARTAN FUGA KËRKON SHUMËNga REXHEP SHAHU (09.29.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]