E Premte, 03.29.2024, 12:03pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
KUSHTI I BE PËR INTEGRITETIN TERRITORIAL TË KOSOVËS
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 10.15.2012, 03:00pm (GMT+1)




As në Prishtinë e as në Tiranë nuk u kuptua dhe nuk u vlerësua siç duhet kushti i ri, që Komisioni Europian i vendosi Serbisë në datën 10 tetor për të respektuar integritetin territorial të Kosovës, nëse dëshiron anëtarësimin në BE. Është hera e parë, që një kusht i tillë i vendoset Serbisë në një dokument zyrtar programatik të Komisionit Europian dhe konkretisht në dokumentin "Strategjia e zgjerimit dhe sfidat kryesore për 2012-2013". Kjo e sanksionon këtë formulim si qëndrim dhe politikë zyrtare e Komisionit Europian, pra e BE-së ndaj Serbisë. Në aspektin diplomatik dhe juridik ky kusht është për Serbinë edhe më negativ se sa dështimi i saj për të marrë nga Komisioni Europian një datë për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE-në, fazë që Beogradi e pret, pasi mori statusin e shtetit kandidat në muajin mars të këtij viti. Ish-presidenti serb Boris Tadiç deklaroi se kjo kërkesë e BE-së është një lajm i keq për Beogradin. Është pikërisht ky efekt i madh negativ, që i bëri udhëheqësit e Serbisë, që nga presidenti e deri tek kryeministri, të humbnin ekuilibrat normalë diplomatikë. Presidenti T.Nikoliç dhe kryeministri I.Daçiç, i kërkuan menjëherë zyrtarisht komisionerit të BE-së për zgjerimin Stefan Fule, gjatë vizitës së tij në Beograd në 11 tetor, që Komisioni Europian ta hiqte këtë kërkesë nga dokumenti i vet, gjë që komisioneri e hodhi poshtë, duke u bërë të qartë se respektimi i integritetit territorial të Kosovës është parim dhe qëndrim parimor i Bashkimit Europian.

Kryeministri Ivica Daçiç deklaroi se është seriozisht i shqetësuar, që Komisioni Europian i kërkon Serbisë të respektojë integritetin territorial të Kosovës dhe arriti deri atje sa të shprehej që do të kishte qenë më e ndershme që t'i kërkohej Serbisë të njihte Kosovën, se sa të njohë integritetin shtetëror të saj.

Kushti i vendosur Serbisë për të respektuar integritetin territorial të Kosovës është një avancim më i ashpër në pozicionin e Brukselit ndaj Serbisë. Jo rastësisht ai ndërmerret pas ardhjes në fuqi në Beograd të një garniture të re qeveritare nacionaliste, të përbërë nga ish-funksionarë të regjimit të Sllobodan Millosheviçit, ku edhe presidenti i ri, edhe kryeministri i ri, kanë hyrë në politikë nga proteksioni i ish-diktatorit serb. Kushti është i rëndësishëm, sepse i bën të qartë Beogradit se respektimi i integritetit territorial të Kosovës do të jetë një element esencial i procesit të integrimit të Serbisë në BE. Ai ka përmbajtje më të thellë se sa thjesht një kundërshtim i ndarjes së Kosovës, siç po përpiqen të vetëngushëllohen disa qarqe në Beograd. Interpretimi dhe pasojat diplomatike e juridike shkojnë më tej se kaq. Kjo do të thotë se BE si organizatë nuk e njeh Kosovën si pjesë të integritetit territorial të Serbisë, siç pretendon çdo ditë qeveria dhe diplomacia serbe. Kjo do të thotë se BE e klasifikon dhe e njeh Kosovën si integritet territorial i një shteti tjetër, të cilin Serbia duhet ta respektojë. Kjo do të thotë se BE nuk pranon dhe hedh poshtë çdo rivendikim të Serbisë ndaj territorit dhe të drejtës së sovranitetit të shtetit të Kosovës mbi gjithë territorin e vendit. Kjo do të thotë se Bashkimi Europian është kundër çdo lloj provokimi, propozimi apo ideje për ndarjen e Kosovës dhe prishjen e kufijve ekzistues mes Serbisë dhe Kosovës, gjë për të cilën po flet pothuajse çdo ditë kryeministri Ivica Daçiç, duke rinxjerrë nga arkivat e pluhurosura serbe planin e ndarjes së Kosovës, që shtronin në tavolinat diplomatike Millosheviçi dhe Drashkoviçi në vitin 1999.

Kjo do të thotë se BE i drejtohet Serbisë me kërkesën që të respektojë integritetin territorial të Kosovës, pavarësisht nëse do ta njohë apo jo Beogradi shtetin e Kosovës. Pra Serbia i bëhet e qartë më fort se më parë, se nuk duhet të shkaktojë probleme dhe trazira në çështjen e kufijve dhe të territorit të Kosovës.

Në realitet kemi një ashpërsim të qëndrimit të BE-së ndaj Serbisë dhe kjo duhet konsideruar si një hap dhe zhvillim tepër pozitiv, sepse kjo është gjuha me të cilën mund të dëgjojnë në Beograd. Tani, që atje erdhi në fuqi një garniturë edhe politikisht, edhe ideologjikisht, edhe publikisht nacionaliste, askush në Bruksel nuk mund të fshihet më pas justifikimit se duhen inkurajuar forcat proeuropiane në Beograd, duke u sjellë sikur nuk shihen implikimi dhe politika zyrtare e provokimit të trazirave në veriun e Kosovës.

Kushti i ri i Komisionit Europian është i rëndësishëm, sepse do të bëjë që të kristalizohet më qartë për Perëndimin orientimi real prorus, që po ndjek dhe do të ndjekë qeveria e re nacionaliste në Beograd. Brukseli e mori që në fillim sinjalin e këtij orientimi të ri zyrtar të Serbisë, kur presidenti i sapozgjedhur T. Nikoliç zgjodhi ta bëjë vizitën e tij të parë presidenciale në Rusi. Moskës i intereson të krijojë një vatër të përhershme konflikti të ngrirë në qendër të Ballkanit dhe Kosova po shfrytëzohet prej saj që, me ndihmën e Serbisë, të shkaktojë tensione jo vetëm brenda Kosovës, por edhe kundër forcave të KFOR-it dhe misioneve të Bashkimit Europian. Politika e komprometuar serbe se "duam edhe BE-në, edhe Kosovën, edhe Rusinë", nuk mund të shitet më në tregun diplomatik europian, sepse ajo është një pengesë ndaj përpjekjeve të BE për të qetësuar Ballkanin Perëndimor dhe për të avancuar procesin e zgjerimit të saj. Vetëm një mbështetje e Rusisë mund ta lejojë kryeministrin e një shteti të vogël dhe të dobët si Serbia, që të shkelë çdo kufi të etikës diplomatike dhe të tallet me BE në një veprimtari zyrtare ndërkombëtare, gjatë vizitës së tij në Budapest në 12 tetor, duke deklaruar me ironi se nuk ishte i sigurtë nëse Bashkimi Europian do të mbijetonte deri në kohën, kur Serbia do të ishte gati për t'u anëtarësuar në të.

Kushti i ri i Komisionit Europian ndaj Serbisë është në të njëjtën kohë shumë pozitiv, sepse ndihmon për të apdejtuar dhe kalibruar më mirë politikën dhe diplomacinë kosovare. Ai jep një mesazh kthjellues për qeverinë, për diplomacinë, për politikën dhe për opinionin kosovar. BE i thotë qartë disa forcave dhe individëve të politikës në Prishtinë se Kosova nuk ndahet, se kufijtë e saj nuk ndryshohen dhe se as nuk mund të mendohet një i ashtuquajtur shkëmbim territoresh. Është një mesazh tepër i nevojshëm dhe shumë aktual, për të sjellë në vete disa mendje politike në Kosovë, të cilat nuk dihet se për çfarë arsyesh kanë nisur të bien në dashuri me planet serbe të ndarjes së Kosovës, të ndryshimit të kufijve dhe të shkëmbimit të territoreve. Nuk është e qartë se për çfarë arsye po qarkullojnë në Prishtinë ide për plane A e për planë B, të cilat të befasojnë me koincidencën e promovimit të tyre në të njëjtën kohë me promovimin, që i bëhet në Beograd ideve kundërshqiptare. Sepse nuk mund të mos habisin ide të ashtuquajtura realiste, që bëjnë thirrje për shkëmbimin e Veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës apo për pranimin e strukturave paralele në veriun e Kosovës, në një kohë kur BE dhe grupi drejtues ndërkombëtar për Kosovën, dhe shtete të veçanta si SHBA, Gjermania, etj. Kanë këmbëngulur fort dhe i kanë vënë kushtin Serbisë që t'i prishë sa më shpejt ato struktura dhe të ndërpresë menjëherë financimin e tyre.

Nuk mund të mos ndjesh kënaqësi për hapat dhe qëndrimet e Komisionit Europian, i cili mbron parimet e të drejtave të popujve dhe të marrëdhënieve demokratike ndërkombëtare dhe shpesh herë është më i avancuar në mbrojtjen e interesave shqiptare se disa mendje të errësuara në Prishtinë, që vuajnë nga mania e ekzibicionizmit, për hatër të të cilit janë gati të kalërojnë ide kundërshqiptare. Politika në Prishtinë do të bënte mirë të vlerësonte dhe të nxirrte disa mësime nga ky hap progresiv i BE ndaj Kosovës, se sa të rrijë të kërkojë gjilpërën në kashtë, nëse është shpejt apo ngadalë me studimin e fizibilitetit për MSA. Nuk duhet harruar se për Kosovën sanksionimi i pavarësisë dhe i integritetit territorial është më i rëndësishëm se sa studimi i fizibilitetit.

Kushti i ri i vendosur nga BE ndaj Serbisë ka një rëndësi të veçantë për pozitën diplomatike ndërkombëtare të Kosovës, sepse vjen si kusht i BE dhe i 27 shteteve, që e përbëjnë atë. Dihet se pesë shtete të BE nuk e kanë njohur ende Kosovën, por tani ato pesë shtete bashkohen me vendimin dhe qëndrimin e përbashkët të BE lidhur me Kosovën, duke i kërkuar Serbisë që të respektojë integritetin territorial të Kosovës. Unanimiteti i miratimit të këtij formulimi përbën një element të ri dhe një zhvillim pozitiv, për të cilën duhen përshëndetur si shtetet anëtare, që e kanë njohur Kosovën, ashtu dhe shtetet anëtare, që nuk e kanë njohur atë. Diplomacia e Kosovës ka fituar një argument të ri në betejat e saj të përditshme për zgjerimin e njohjes ndërkombëtare të shtetit të vet.


SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PASHMANGSHMËRIA E TË (PA)PARASHIKUESHMES NË HISTORINga UK LUSHI (10.15.2012)
ME PËRKUSHTIM, DY MIQVE TANË, AKADEMIK MARK KRASNIQIT DHE HUMANISTES RITA SALIUNga ELIDA BUÇPAPAJ (10.14.2012)
ZËRI I SHQIPTARËVE ONLINE – URË EURO-ATLANTIKE E KOMUNIKIMIT TË DIASPORËS SHQIPTARENga ARTUR VREKAJ (10.14.2012)
Ç’DUHET BËRË?Nga RESHAT KRIPA (10.13.2012)
NJË LUFTË E RE KLASASH MUND TË JETË NË HORIZONTNga HARLOD MEYERSON, Washington Post (10.12.2012)
200 VJET BURG – 22 VJET TRANZICION, TË PASHPËRBLYER, TË PAREHABILITUAR DHE TË MARGJINALIZUARNga ELIDA BUÇPAPAJ (10.10.2012)
DEMOKRACIA E NJËSUAR ME UDHËHEQËSIN VDESNga SHABAN MURATI (10.08.2012)
GREVISTËT E URISË, VIKTIMA TË POLITIKËSNga SAMI REPISHTINga shtypi dhe mjetet e informimit të Shqipërisë vijnë lajme të trishtueshme! (10.08.2012)
JOSEPH DIOGUARDI – MISIONAR I SHQIPTARISËNga ARTUR VREKAJ (10.07.2012)
PRESIDENTJA JAHJAGA TA LARGOJË RAMUSH TAHIRIN NGA STAFI I SAJ PAS DEKLARATËS SKANDALOZE TË KËTIJ TË FUNDIT SE STRUKTURAT PARALELE JANË LEGJITIME!Nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.06.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart�]