VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

EGOTUNELI I MINITIRANËVE
Nga XHEMAL AHMETI

E Shtunë, 10.20.2012, 07:38am (GMT1)






Biokimiku gjerman Frederic Vester (" 2003) në studimin e tij gjurmëlënës «Tokë e re e të menduarit» (München;1984) kërkonte nga raca njerëzore që të ndryshojë sa më shpejtë strukturat e të menduarit, nëse kjo e fundit donë t'i shpëtojë procesit të vetasgjësimit. Sipas tij çdo zhvillim teknokratik e kibernetik nuk ka ndikuar në favor të ndonjë emancipimi të trurit human. Për pesë mijë vitet e fundit ai nuk gjente gjë që do katiste besimin e tij ndaj tezës personale. Nëse bastisim shtypin e kohës kur është botuar libri i Vester-it, do të habitemi me betejën asgjësuese të gazetave perëndimore ndaj tezës së biokimikut. Edhe më shumë do të habitemi nëse po të njëjtin shtyp e rilexojmë për të parë se si vlerësohet studimi «Egotuneli» (Berlin; 2009) i filozofit Thomas Metzinger, i cili për dallim nga Vester nuk e analizon mendësinë e humanitetit nga perspektiva e masës, por nga ajo e species së veçantë. Konstatimet e Metzinger-it janë identike me ato të Vesterit. Kanë apelin e njëjtë për një filozofi tjetër që duhet ta kërkojnë dykëmbësorët nëse vërtet duan t'i shpëtojnë vendnumërimit. Kësaj radhe mediat e njëjta nuk linçojnë tezën e filozofit të radhës por e katapultojnë atë në qiell. Çka ka ndodhur brenda 25 viteve të fundit që aq sa i ka distanca brenda këtyre dy botimeve opinioni i përzgjedhur kontinental të jetë bindur përfundimisht me tezën e Vester-it? Shumëçka dhe asgjë. Nëse para 25 viteve pjesa dërmuese e humanitetit paska pasur mendësinë e vetëfikjes duke jetuar errtas korridoreve të grahmës sociale e kulturore, pse ajo sot na qenka ndryshe? Është ndryshe? Nëse diku mund të ketë ndodhur kjo mrekulli harbohemi nga gëzimi, mirëpo njëkohësisht shtangemi trandshëm sa kuptojmë se shqiptarët nuk janë ndër të mrekulluarit, por në shtëpi, në dhomën e vetë me jetën e kërdisur të tyre. Po kush duhet të ndryshojë mendje që shqiptarët të dalin nga ky ilaritet, të ikin nga kjo gërranë ku janë shtrirë si në pushime? E dimë se vërejtja e Timothy Garton Ash se «fajin për gjendjen e mjerë në të cilët gjenden popujt e lindjes e kanë më shumë edhe vetë» (Facts are Subversive; 2009) vlen edhe për tirqebartësit e postmodernës, prandaj po në stilin e Pierre Bourdieu-së (La misère du Monde; 1993) nuk lëmë pa përgojuar edhe defektet e mentalitetit dhe masës, mirëpo të vetëdijshëm se bllokada kryesore e çdo progresi është makineria e primatëve në pushtet, duhet përpjekur që të nisemi nga psikogramet që kemi për ta, për primatët tanë politikë. Konform analizave të Metzinger-it dhe Bourdieu-së, në përputhje me analizën «mbi elementet dhe gjenezën e sundimit totalitar» të Hannah Arendt-it duam të shohim se mbi ç'shkallaresh kanë parkuar këmbët ata që i kanë hy misionit t'i kërcejnë do epoka për të shpëtuar shqiptarët nga vegjetimi. Me ç'modelesh politike, kulturore e intelektuale operojnë kryeqeveritarët shqiptarë?

RETORIKA DHE PROTOKOLLET

Deklaro (poho ose moho) përsërit transfero bind! Kjo maksimë e çdo shkolle liderësh politikë, në kushtet shqiptare mund të përkthehet kështu: gënje përsërit beso edhe vetë! Shumëkush mund të thotë se kjo nuk është e mundshme, mirëpo kush njeh antropologjinë sociale, etikën praktike, studimet e lartpërmendura, rezultatet më aktuale nga psikanaliza dhe politikat ballkanike e di se kështu është. Kemi të bëjmë me kategorinë bazike të (vetë)manipulimit masiv që e hasim në çdo deklaratë, nëpër protokollet dhe stenogramet e dialogëve ndër qeveritarë dhe në çdo fjalim të Sali Berishës, Hashim Thaçit, liderëve partiakë dhe politikanëve lokalë. Natyrisht se ndodhë edhe ndonjë «përjashtim» i lehtë dhe epokal si ai i Jakup Krasniqit që tha; «ne jemi hajdutë votash», e që tingëlloi: «krejt jemi hajdut votash», mirëpo kjo tentativë metanoike e mësuesit nga Drenasi as që luhat sistemin hermetik të kullës retorike shqiptare. Thonë se logorisja e tejdukshme e Krasniqit ka të bëjë me plane rikonfigurimi brenda partisë së tij pra duket se na qenka një pendim i pasinqertë dhe në interes të ndonjë formule të modifikuar si kjo: gënje përsërit të besojnë shpejtë! Kështu thonë. Spekulim është. Nuk e dimë saktësisht. Protokollet e bisedave ndërmjet Cezarit dhe Arovis-it (58 p.e.s); ato të mbretit Bocchus dhe Lucius Cornelius Sulla-s; ato të Trotzki-t dhe Kamenjevit dhe ato të despotëve të deridjeshëm ballkanikë me varësit e tyre nuk dallojnë as për një sekuencë nga protokollet, stenogramet dhe bisedat e kryeqeveritarëve shqiptarë sot. Po i njëjti ton, po të njëjtat formulime e parasëgjithash po e njëjta strategji pushtetmbajtëse: Cilat grupe i ke nën kontroll?
Në sa vota mund të llogaris? Cilën vajzë a djalë e do si ministër? Kë t'ia lëshojmë këtij apo atij? Cilat gazetarë i kemi për vete? Paret jepja X it se menaxhon me firmat e mia! Shko tek ai se e kam fut në borxh. Thua atij mos e hap gojën aq shumë se ia çesim t "˜zezat mbi ujë, e kështu me radhë.

DIPLOMACIA

«Po u hoq ai harroi kontratat me ne», kështu na tha një «miku» jonë ta kenë kërcënuar turqit Hashim Thaçin kur Hajredin Kuçi «dha» dorëheqje. Shpjegimi i informantit «tonë» ishte ky: «Turqit Kuçin e kanë garanc në Kosovë se punon për ta». Ia futi kot? Ne nuk i besojmë informantit, të cilit as mjekra nuk ia zbut dhjamin pushtetar të fytyrës saqë si me vinç i çon kapakët e syve. E dimë që ai është korruptuar nga «qeveritë» deri në sofër dhe ka mundësi ta ketë thënë këtë version duke menduar se i dashurojmë turqit. Nga ana tjetër shumë njerëz që kanë pasur «fatin» të jenë prezentë në bisedat ndërmjet kryeqeveritarëve shqiptarë dhe atyre të huaj referojnë për një përulje fikane të burrështetasve plisbardhë. «Shumë shpejtë, ende pa dëgjuar mirë, tundin kokën si ato patat që zënë peshq...» kështu na nënçmoi një diplomat i BE-së (i cili simpatizon Tamilët për shkak të mirësjelljes përulëse të tyre) korridoreve të Brukselit, kur ra fjala për dinjitetin e politikanëve nga Prishtina, Tirana dhe Tetova. Sipas tij, këtë ata e bëjnë sepse ndihen inferiorë. Ndërsa inferiorë qenkëkan sepse si zakonisht u shfaqkan gjithandej ose me strategjira infantile ose letra që fare qartë u duken gjurmët e kopjatives. Kur analizojmë protokollet dhe stenogramet ndërqeveritare përplasemi njëherë me injorancën dhe pastaj menjëherë me simptomat e minitiranëve arkaikë që çdo pyetjeje i përgjigjen buzëgazshëm me refrenin: «në dorë i kemi, e rregullojmë». Moto që duket të jetë edhe esenca e realpolitikës shqiptare dhe që demonstron më shumë nivelin e banditëve socialë fisnorë (Eric Hobsbawm) se sa të atyre politikanëve ma ca ditë shkollë fillore.

POLITIKA REALE

Nga luftërat interne të dy partive më të mëdha kosovare PDK dhe LDK, nga betejat e brendshme që i shoqërojnë demokratët dhe socialistët e Tiranës dhe nga grindjet brendashqiptare në Maqedoni kemi mësuar shumëçka: Kemi mësuar se si nuk bëhet politikë; kemi mësuar se shqiptarët ende nuk kanë çizme për të kaluar shumë moçalet e tyre mesjetare; mësuam se mendimtarët e tyre jetojnë si ufot, si cybernautët dhe si fantomatët; mësuam psikologjinë e masave shqiptare, e cila gëlltit pa bërë një a dy çdo fideizëm utopik; masat lebojnë çdo guru t'ua tërfurkojë trutë për t'ua flakur ferreve paradantike ; për çdo ditë shohim politikanë intelektualisht impotentë që premtojnë, sharrojnë, vjedhin, harrojnë dhe burgosen; atë që si duket shqiptarët si masë dhe si individë nuk e shohin e nuk e mësojnë (ose nuk e pranojnë nga dhimbja) është fakti se gjenden nën diktatin e tiranëve, despotëve, diktatorëve me psikograme nga më të çuditshmet që njeh historia e tiranëve të mëdhenj dhe të vegjël. Nuk ka analist dhe observues vigjilent që do ta mohojë faktin se luftërat brenda- e jashtëpartiake bëhen për shkaqe personash që ecin edhe mbi kufoma për të ruajtur pushtetin që kanë zënë për fyti. Nuk ka luftëra rreth asaj se cili program social sjell më shumë për shtresat e dërmuara shoqërore; nuk ka luftë se si të integrohet femra në shoqëri (me kuota apo pa to); nuk ka luftë se si të çlirohen universitetet dhe shkollat nga varrës prepotentë semialfabetë që hiç më shumë se do semestra kanë kaluar universiteteve; nuk ka luftë se si ta njohin vendin e ri edhe më shumë shtete, por ka kërcënime ndër ish-cimerë të stilit «po e nguce edhe niherë Pacollin jep dorëheqje».
Ka debate parlamentare kur kryeministri i kërcënohet deputetit «ik ore se të [...] motrën». Ka fushata elektorale ku falanga nga Tetova dhe Zajazi kërcënojnë fshatarët me kallashnikovë. Ky është terreni real politik shqiptar.

TIRANIA JONË

Të gjitha këto elemente të realpolitikës shqiptare janë mekanizma funksionalë që përbëjnë diktaturën tiranike si model funksionimi. Tirani që për nuanca të caktuara dallon nga klasiket, pra ato të cilat dhunën e hapur masive fizike e kishin mjetin efektiv të mbajtjes së pushtetit. Mirëpo nëse kalkulojmë duke multiplikuar ekseset e përditshme do të kemi po të njëjtin total me ato të dhunës masive. Ndërkaq në format tjera manifestative (psikike-manipulative, materiale, shpirtërore, eks- dhe inkluzioniste etj.) tirania shqiptare nuk dallon nga strategjia e cinikut të ç'iluzionuar dhe idealistit të diktaturës së përkryer Niccolò di Bernardo dei Machiavelli, i cili i shkruante princit se si të keqpërdor moralin, religjionet, ligjet si fasadë për t'iu dhuruar masave një siguri të rrejshme për hir të mbajtjes së pushtetit, me një fjalë për të përjetësuar diktaturën si model e kulturë sundimi. Le të guxojë çdokush që mundet një analizë personalitetesh për Sali Berishën apo Edi Ramën, për Hashim Thaçin, Isa Mustafën ose Albin Kurtin, për Ali Ahmetin ose për Menduh Thaçin dhe sigurisht se nuk do të ketë rezultate ndryshe nga ato që pasqyrojmë këtu. Nuk do të hasë në ndonjë demokraci interne, nuk do të hasë në shumëçka që do të rezultonte arsye për të shpresuar, por vetëm defekte tiranësh të vegjël që përdhunojnë masat.

STRATEGJITË E DEMODUARA

«Po kë ta zgjedh bre burrë?» na shkruante një miku jonë gjatë një konverzacioni në facebook. Trilema e tij është karakteristike për gjendjen në të cilën gjenden shqiptarët: Ta zgjedhë tiranin e parë, të dytin apo të mos zgjedh kënd çka nënkupton njërin nga dy të parët. Revolucionet e stilit arab me instruktorë si Srdja Popoviç dhe Slobodan Dinjoviç, të cilët me një organizatë me emrin CANVAS (Centre for Applied NonViolent Action and Strategies) mbajnë workshop-e gjithandej orientit e Ballkanit duke rifabrikuar strategjinë e Otpor-it serb që përmbysi Millosheviqin, po shihet se nuk pinë ujë. Albin Kurti mund të na këndojë edhe më zëshëm se Lepa Brena dikur, historinë e kësaj pune. Veçanërisht kur kemi parasysh modelin e veprimit politik të tij, i cili fatkeqësisht na ofron edhe një tiran më shumë sa që mund të durojmë. Jo pak lexues të nevrikosur do të na qortonin: ani çka atëherë? Dhe s'kemi përgjigje. Nuk është detyra jonë! Ne përshkruajmë, nuk japim urdhra do të mbroheshin gazetarët dhe gazetaret që përpiqen ta luajnë rolin e Mr. Nobody-t, po si Terence Hill në filmin e Tonino Valerii-t «Il mio nome è Nessuno» (1973). Mirëpo gazetarë të paktë në shtypin kosovar kanë kuptuar drejtë gjendjen e shoqërisë ku jetojnë dhe protestojnë çdoditshëm me aq sa kanë valë në disponim. Po nuk i harruan njerëzit shpejtë përmbajtjet e gazetave do të shihnin se këtë pasqyrë e kemi akumuluar jo edhe pa ndihmën e gazetave të pavarura (pa përjashtuar as ato të opozitës dhe atyre të pushtetit që shërbejnë si organe vetë denoncimi). Problemi më shumë qëndron te fuqia e tiranëve shqiptarë që nuk i tremb si duket më asgjë. Ata paskan vendosur deri në vdekje të mos evulohen.

Intelektualëve nuk u mbetet gjë tjetër përveç se të veprojnë si profesori i Universitetit Princeton dhe udhëheqësi intelektual i «Occupy Wall Street», afroamerikani Cornel West që kërkoi nga çdo intelektual dhe gazetar që të «ulërijë aq shumë dhe aq qartë» afër veshit të pushtetarëve që ata nga frika të ikin nga egotuneli i tyre tiranik. Ky është ai ish përkrahësi i flaktë i presidentit aktual amerikan Barack Obama që sot ligjëron gjithandej: «Obama është kriminel lufte» (Në një intervistë me Julien Charnay; 2012). Dhe në këtë kontekst ai nuk e ka fjalën si kriminel klasik lufte, por si kriminel i luftës për ekzistencë; sepse Obama gënjeu! Ai nuk realizoi as edhe njërën pikë nga programi i tij për nxjerrë amerikanin e rëndomtë nga kriza disadekadëshe sociale. Sepse Obama «shkeli mbi fytyrën e Luther Kingut dhe çdo heroi tjetër me çizmet e tij prej një neoliberali të pangjyrët». Shikuar nga ky këndvështrim mund të pyesim se sa kriminelë lufte janë tiranët tanë? Sa duhet të ulërijmë ne që të tërmetojmë trutë e despotëve tanë për t'i nxjerrë nga egotunelet e tyre? Sa fuqi duhet të ketë zëri i intelektualëve shqiptarë që tu kërcejnë politikanëve tamponët nga veshët? Sa qartë duhet të flasin intelektualët që deri tani kanë shpëtuar të pakorruptuar? E dimë që Frederic Vester dhe Thomas Metzinger kanë më shumë se të drejtë rreth (r)evolucioneve sidomos në kontekst me shqiptarët; edhe apelin e Cornel West-it e kuptojmë drejtë. Çështja është se cilët intelektualë shqiptarë janë mbyllur në ndonjë skutë akademish për tu djersitur duke menduar se si shqiptarët ta gjejnë portën hyrëse të evolucionit për të ikur nga tuneli 5028 vjeçar i Frederic Vester-it? Asnjë? Atëherë s'na mbetet gjë tjetër përveç Eskapizmit.


XHEMAL AHMETI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.