VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
50 VJETORI I KRIZËS KUBANE TË RAKETAVE Nga FRANK SHKRELI E Shtunë, 10.20.2012, 07:45am (GMT1)
Më 22 tetor, në një fjalim drejtuar kombit dhe botës, Presidenti Kennedi
njoftoi se qeveria amerikane kishte ''zbuluar prova të padisktueshme se një
numër poligonesh për dislokimin e raketave bërthamore po ndërtohen në
ishullin-si-burg të Kubës,'' me qëllim të vetëm, shtoi presidenti amerikan,
''për të mundësuar një sulm bërthamor kundër vendeve të Hemisferës
Perendimore.'' Në atë fjalim, Presidenti Kennedi nënvijoi, qartë dhe pa asnjë
dyshim politikën mbrojtëse amerikane duke paralajmëruar udhëheqjen komuniste
sovjetike se, ''Politika e këtij vendi është që të konsideroj çdo hedhje të
ndonjë rakete bërthamore nga Kuba kundër cilit do vend në Hemisferën
perendimore, si një sulm i Bashkimit Sovjetik kundër Shteteve të Bashkuara, dhe
si i tillë do të nevojitë ndërmarrjen e një kundër-sulmi të gjithanshëm
(amerikan) ndaj Bashkimit Sovjetik. ''
Të dy palët ishin tepër të vetdijshme se sa e rrezikshme ishte situata e
krijuar, dhe mundësia e një katastrofe bërthamore ishte aq reale sa që të dy
udhëheqsit, Kennedi dhe Hrushçov -- pas negociatave të vështira dhe
komunikimeve diplomatike -- arritën marrveshjen, sipas së cilës sovjetikët do
të tërhiqnin raketat e tyre bërthamore nga Kuba dhe siç u mësua më vonë nga
dokumentat sekrete të deklasifikuara, Shtetet e Bashkuara kishin pranuar, në të
njëjtën kohë, të tërhiqnin raketat bërthamore amerikane nga Turqia. Ironia e 50-përvjetorit të Krizës kubane të raketave bërthamore është se bie gjatë një fushate presidenciale këtu në Shtetet e Bashkuara dhe të dy kandidatët po debatojnë në lidhje me çështje të politikës së jashtëme, veçanërisht kërcënimin që përbëjnë përpjekjet e Iranit për të prodhuar armë bërthamore, masë këjo që shikohet si një hap që do të destabilizonte jo vetëm Lindjen e Mesme por edhe më gjërë. Cili nga dy kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara, Presidenti Obama apo Guvernatori Romni do të këtë vendosmërinë politike dhe imagjinatën diplomatike të Presidentit Xhon Kennedi , për të bindur Iranin që të ndalojë programin për prodhimin e armëve bërthamore, me qëllim që të mënjanohet lufta, dhe të arrihet një kompromis i pranueshëm për të gjitha palët. Sepse, siç ka thënë Presidenti Kennedi në një fjalim drejtuar kombit amerikan më 1963, "më në fund, lidhja bazë e përbashkët dhe më e fortë midis njerëzve është fakti se duam e s'duam, ne të gjithë jemi banorë të këtij planeti të vogël. Ne të gjithë marrim frymë nga i njëjti ajër. Të gjithë ne dëshirojmë një të ardhme më të mirë për fëmijtë tanë. Dhe të gjithë jemi bijtë e vdekjes.'' FRANK SHKRELI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |