Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare edhe një veprim apo akt në pamjen e
parë ï¬ nanciare apo ekonomike përmban brenda domethënien e një prirjeje, apo
një orientimi politik dhe strategjik. Ndaj kur u publikua në 10 tetor vendimi i
Bankës Kombëtare të Serbisë për të vendosur rublën ruse në listën e valutave të
huaja, që mund të tregtohet nga të gjitha bankat e Serbisë brenda vendit, që të
shitet dhe të blihet në të gjitha zyrat e këmbimit valutor në Serbi dhe të
përdoret në transaksionet ndërkombëtare të Serbisë, domethënia shkon përtej
karakterit financiar, përtej institucionit bankar, që e vendos dhe shpreh një
efekt dhe përmbajtje më të gjerë.
Shpjegimi i parë është karakteri i veçantë i
marrëdhënieve dypalëshe valutore dhe orientimi i lidhjeve speciale me Rusinë.
Madje, vetë Banka Kombëtare e Serbisë, në argumentimin e vendimit të saj,
thekson se futja e rublës ruse bëhet për shkak të nivelit të lartë të
pjesëmarrjes së Rusisë në tregtinë e jashtme të Serbisë, për shkak të
marrëdhënieve speciale ekonomike të të dyja vendeve, të cilat kanë nënshkruar
marrëveshjen dypalëshe të tregtisë së lirë dhe për shkak të investimeve të
mëdha të kompanive ruse në Serbi.
Të gjithë faktorët që përmend vendimi i
Bankës Kombëtare të Serbisë kanë ekzistuar edhe përpara ardhjes së kësaj
qeverie në fuqi në muajin korrik të këtij viti. Por asnjë qeveri e Serbisë
përpara kësaj nuk e ndërmori këtë hap në planin financiar, për të krijuar një
status të posaçëm për valutën ruse dhe për pozitën financiare të Rusisë në
Serbi. Këtë e ndërmori qeveria e tanishme e Kryeministrit Ivica Daçiç dhe e
Presidentit Tomislav Nikoliç, të cilët që në muajin qershor miratuan një ligj,
që kufizon pavarësinë e Bankës Kombëtare të Serbisë, ligj i cili u dënua ashpër
nga Komisioni Europian. Duket se ky kufizim i pavarësisë dhe i vendimmarrjes
profesionale të Bankës Kombëtare krijoi edhe kushtet për vendimin e ri të
bankës, për t'i dhënë rublës ruse statusin e veçantë në tregun e brendshëm
financiar dhe në financat serbe. Me një fjalë, duket si një vendim i marrë më
tepër për arsye politike dhe që jep një dëshmi të re të një prirjeje dhe të një
orientimi politik dhe strategjik të qeverisë së tanishme të Serbisë për lidhje
më të ngushta dhe aleancë ekskluzive me Rusinë.
Ndaj edhe ekspertja financiare
ruse, Ana Bodrova, duke analizuar vendimin e Bankës Kombëtare të Serbisë,
nënvizonte në gazetën ruse "Novije Izvestija" se "hapi serb është më shumë
diplomatik". Kjo lëvizje është diçka që duhej pritur nga garnitura e re
nacionaliste dhe proruse, që ka ardhur në pushtet në Beograd, e cila ka
dëshmuar se prirja e saj proruse e tejkalon në peshore prirjen drejt orientimit
dhe integrimit europian. Madje udhëheqësit e rij të Serbisë kanë lënë mënjanë
edhe platformën demagogjike të qeverisë së mëparshme për katër shtyllat e
politikës së jashtme serbe, që ishin BE, Rusia, Kina dhe SHBA. Me dëshirën e
mirë për ta parë edhe Serbinë të integruar në Europë, disa qarqe europiane kanë
harruar deklaratën e famshme të Tomislav Nikoliçit, kur u zgjodh kryetar i
Parlamentit të Serbisë katër vjet më parë dhe deklaroi se për të Serbia më mirë
të bëhet provincë e Rusisë se sa anëtare e Bashkimit Europian.
Por Tomislav
Nikoliçi këtë vit u përpoq t'ua shkundte kujtesën, sepse sapo u zgjodh
president, bëri dy vizita të njëpasnjëshme në Moskë dhe deklaroi se e vetmja
gjë që ai do më shumë pas Serbisë është Rusia. Kjo do të thotë se garnitura e
re qeveritare në Beograd, jo vetëm ka prirjen, por ka vendosur që t'i japë një
kornizë të fortë politike, ligjore, ekonomike dhe financiare, prioritetit të
lidhjeve të Serbisë me Rusinë. Të gjitha shenjat e deritanishme të politikës së
udhëheqjes së re të Serbisë ndaj Bashkimit Europian tregojnë se qeveria e re
nuk e ka seriozisht që do të hyjë në Bashkimin Europian. Mund të duket e
habitshme, por është reale, që anëtarësimin e vendit në BE ajo e ka shndërruar
në një hipotekë për t'i marrë Bashkimit Europian sa më shumë lëshime në
çështjen e Kosovës dhe në çështje të tjera. Edhe deviza e saj diplomatike e
gabuar "edhe BE-në, edhe Kosovën", është në fakt një taktikë diplomatike për të
vonuar integrimin e Serbisë në BE, sepse në Beograd e kanë të qartë se sa
absurde është kërkesa e tyre për një shtet fqinj, të cilin e kanë njohur mbi 90
shtete të botës dhe shumica e shteteve anëtare të BE dhe e fshqinjëve
ballkanikë. Analiza e saktë e qëndrimit politik serb "edhe BE, edhe Kosovën"
është se udhëheqësit serbë nuk e kanë aq shumë se duan të rifitojnë Kosovën,
por e kanë sepse nuk duan të hyjnë në BE. Dhe në këtë pikë ka një përputhje me
strategjinë e Rusisë, e cila e ka shprehur hapur se është jo vetëm kundër
hyrjes së Serbisë në NATO, por edhe kundër anëtarësimit të saj në BE.
Hapi i
Serbisë për t'i dhënë rublës ruse statusin e valutës së favorizuar, tregon jo
vetëm shkallën e lartë të varësisë së ekonomisë dhe të financave serbe nga
Rusia, por edhe prirjen për ta thelluar këtë varësi. Ky hap është pritur me
kënaqësi të veçantë në Moskë, sepse është në rezonancë me ambicien dhe
strategjinë e Rusisë për ta shndërruar rublën ruse në një valutë themelore ndërkombëtare.
Këtë ambicie e shprehu para pak kohësh edhe Kryeministri i Rusisë, Dimitri
Medvedev, i cili deklaroi se rubla ruse mund të bëhet rezervë valutore
ndërkombëtare së shpejti. Një eksperte financiare ruse, Alina Komkova, i
deklaroi agjencisë ruse ITAR-TASS në 11 tetor se kjo iniciativë e Serbisë për
futjen e rublës ruse, mund t'i ndihmojë autoritetet ruse të realizojnë planet e
tyre ambicioze. Në fakt, rubla ruse është jashtëzakonisht larg statusit
ambicioz të shndërrimit në një rezervë valutore ndërkombëtare. Por Kremlini, i
cili me Presidentin Vladimir Putin, që nga viti 2000 po tenton të ringjallë
fuqinë dhe statusin e superfuqisë së dikurshme sovjetike, e ka planifikuar edhe
arritjen e kësaj ambicieje financiare. Udhëheqja e Rusisë po djersitet shumë
për të rifituar statusin e superfuqisë dhe kjo do të thotë se planet e saj
strategjike të orientuara në këtë objektiv përfshijnë të gjitha fushat, që nga
ato ushtarake e deri tek ato financiare. Moska ka krijuar bashkimin doganor, ku
bëjnë pjesë tri shtete, Rusia, Bjellorusia e Kazakistani dhe po përpiqet që ta
zgjerojë këtë organizatë edhe me shtete të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik.
Krijimi i një bashkimi doganor pansovjetik do të bënte që jo vetëm të krijohej
një hapësirë unike ekonomike, si dikur në Bashkimin Sovjetik, por edhe që të
krijohej mundësia e përdorimit të një valute unike, të rublës ruse, që është
valuta e shtetit më të madh dhe më të fuqishëm ekonomik dhe drejtues i këtij
bashkimi doganor. Burime diplomatike bëjnë të ditur se në planifikimet
afatgjata të drejtuesve të këtij bashkimi doganor përfshihet edhe ftesa
drejtuar Serbisë për t'iu bashkëngjitur këtij bashkimi doganor rus. Rubla ruse
përdoret në transaksionet mes vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik, që bëjnë pjesë
në Unionin e Shteteve të Pavarura, CIS, që drejtohet nga Rusia. Rubla përdoret
edhe në transaksionet dypalëshe mes Rusisë dhe Kinës në bazë të një marrëveshje
të posaçme dypalëshe, që kanë nënshkruar dy shtetet. Por kjo është shumë pak
dhe shumë larg ambicies së udhëheqjes ruse, që e kërkon statusin e posaçëm të
rublës ruse në një dimension botëror.
Rubla ruse i takon grupit të valutave të
brendshme dhe ajo nuk përdoret në transaksionet ndërkombëtare, por çdo lëvizje,
sado e vogël, sado pa efekt në tregun valutor ndërkombëtar, është e mirëpritur
nga Moska, sepse për të ka rëndësi edhe simbolika e gjestit dhe e shembullit.
Ndaj dhe hapi i ri i Serbisë, ndonëse i ndërmarrë nga një shtet i vogël dhe nga
një treg i vogël, ka për Rusinë një rëndësi më shumë të karakterit politik dhe
diplomatik. Ka rëndësi, sepse Serbia ndodhet në Ballkan, ndodhet në Europë dhe
ky hap i vogël jep shpresa se statusi i posaçëm i rublës si rezervë valutore
ndërkombëtare, por vë këmbën edhe në Ballkan, edhe në Europë. Natyrisht ambicia
për t'u bërë rezervë valutore në Europë është një ëndërr kozmike, por ambicia
për t'u bërë hap pas hapi rezervë valutore në Ballkan nuk duhet të shihet sikur
është shumë e largët. Plani rus për ta bërë Serbinë qendër të furnizimit të
Ballkanit me gazin rus është me qitje të largët, sepse nëse rritet pesha e
ndikimit, e pranisë, e investimeve dhe e kompanive serbe në shtetet e
Ballkanit, kjo do të thotë të hapësh dyert edhe për statusin e posaçëm, që
Serbia i dha rublës ruse. Kjo paraqet mundësi mbulimi për depërtimin e Rusisë,
sidomos në shtetet e dobëta të Ballkanit Perëndimor, si Mali i Zi apo
Maqedonia, por edhe në një shtet të dobët si Shqipëria, ku ka një depërtim të
frikshëm të investimeve, të kompanive dhe të influencës serbe pas vitit 2005.
"Martesa" e Serbisë me rublën ruse është "martesë" e Serbisë me Rusinë dhe
Brukseli me sa duket po pret kot në "gjendjen civile" të Bashkimit Europian.