WORCESTER,
MA . Me Skënderbeun, kampionin shqiptar të Lirisë dhe Krishtërimit i tregojmë
botës se ne, shqiptarët, jo vetëm luftuam për Liri dhe Pavarësi të Shqipërisë
nga Perandoria Osmane por edhe nuk lejuam që harta e Perandorisë Osmane të
zgjerohej më tej në Europën Perëndimore duke treguar kështu shpirtin e
pamposhtur të një kombi që kurrë ndonjëherë s'u përkul dhe s'u përhumb para
pushtuesve historikë.
Kaq e
përnjohur ishte lufta heroike e Skënderbeut në Europën Perëndimore në vitet
1444 deri 1468 sa "Mbretëria Kristiane ishte e mbushur me famën e Skënderbeut".
1) Me Skënderbeun, Shqipëria sjell në historinë Europiane dhe Botërore rolin
udhëheqës të tij si një nga figurat më madhore të Botës Kristiane të Mesjetës
si pasardhës i denjë i udhëheqësve Ilirë të Perandorisë së Romës, në veçanti i
Konstandinit të Madh që përligji krishtërimin si besim por edhe e zhvendosi
qendrën e perandorise Romake në Lindje duke ndikuar edhe gjeografikisht në
hartën e Botës Kristiane. Për nga dashuria e pashembullt për vendlindjen,
Shqipërinë, bashkimi i shqiptarëve, shtetbërja dhe aftësia udhëheqëse ushtarake
ai ngjan me Pirron e Epirit që bashkoi si kurrë ndonjëherë Ilirët e Jugut me
Lidhjen Epirote të Kaonisë dhe iu gjend popujve fqinjë në ndihmë, në emër të
fqinjësisë e paqes rajonale në Mesdhe. Akoma më shumë edhe sepse Pirro i Epirit
është krahasuar për nga mënyra e të luftuarit me shpendin simbol të tokës
amtare dhe të flamurit tonë kombëtar shqiponjën!
Kur
perandoria Romake pushoi së funksionuari, territoret e banuara nga shqiptarët
ranë në duart e familjes së Kastriotëve si dhe të fiseve të tjera shqiptare të
fuqishme, por Shqipëria ishte pjesa më e fuqishme dhe më e pasura e tyre me
Krujën kryeqendër.
Kush ishte
Shqipëria e periudhës së Skënderbeut (1443-1468)? "...një emër, i cili është i
njohur ndër vendet Kristiane. Pjesa veriore formoi Ilirinë e Perandorisë Romake
dhe pjesa Jugore ishte identike me Epirin ...Në perëndim ishte e lagur nga detet
Adriatik dhe Jon. Në Jug ishte kufizuar me Greqinë. Në lindje kufizohej nga
Thesalia dhe Maqedonia. Në veri kishte Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnjen... Sot
shqiptarët trashëgojnë karakterin e lashtë Ilir.... Ata (shqiptarët, shënimi im
A.V) janë racë luftëtare." 2)
Skënderbeu
është shkruar si Mbret i Epirit dhe Shqipërisë edhe për arsyen se kështu quhej
edhe babai i tij, Gjon Kastrioti Mbret i Epirit dhe Shqipërisë. Në pamundësi
numerike dhe gjendjeje ekonomike për ta përballuar Perandorinë Turke pas
dekadës së dytë të viteve 1400-të Gjoni e lejoi Sulltanin ti merrte peng katër
djemtë e tij në shkëmbim të ruajtjes së zotërimeve të tij por edhe për të
shmangur rrezikun e shndërrimit të Shqipërisë në vend lufte. Një arsye tjetër
është edhe rritja e aftësisë së tij për të shmangur armikun me pak humbje në
anën e tij. Më i vogli i vëllezërve Kastriotas që shfaqi cilësi të rralla ishte
pikërisht Gjergji, që iu dha emri Skënderbe sipas Aleksandrit të Madh.
Pas
stërvitjeve të vazhdueshme, Skënderbeu në Turqi u formua me të gjitha njohuritë
e të luftuarit dhe të drejtuarit. Në luftrat në Atolia Skënderbeu tregoi
vendosmërinë dhe kurajon e një luftëtari te madh. Sulltan Murati i dha komandën
e pesë mije kalorësve kur ishte vetëm 19 vjeç dhe pak më pas titullin Pasha.
Kur Sulltani u nis me ekspeditë në Europë ai i la Skanderbeut komandën e të gjithë
trupave në Azinë e Vogël, detyrë që e kreu me sukses. Aq shumë shkëlqeu
Skënderbeu në shërbim të Perandorisë Osmane sa Sulltan Murati e thërriste atë:
syri i djathtë, dora e djathtë, mbrojtja e tij dhe e zotërimeve të tij.
E gjithë
lavdia që ai mori në krah të Turqve nuk e bëri Skënderbeun ta fshinte nga
mendja dhe zemra dashurinë për Shqipërinë, për vendlindjen e tij dhe besimin
fetar të pararadhësve të tij. Skënderbeu u dërgua disa herë në krye të ushtrive
turke kundër Hungarisë. Në të njëjtën kohë ai u soll me vendosmëri dhe nuk e
humbi reputacionin ose të jepte shenja apo ngrinte dyshime për tradhti dhe
humbjen e besimit nga Sulltani për të.
Vdekja e të
jatit, Gjonit dhe ripushtimi i Shqipërisë si dhe helmimi i tre vëllezërve
pengje nga Sulltani ia rriti akoma më shumë dëshirën Skënderbeut për tu kthyer
në Shqipëri për ta çliruar atë përfundimisht nga zgjedha e sundimit Osman.
Edhe pse
Sulltani e vuri komandant të ekspeditave ushtarake përballë rreziqeve të mëdha
të luftrave me Despotin George, lordin e Misia si dhe të dyluftimeve brenda
Portës së Lartë për ta vrarë atë Ai prapëseprapë kurrë nuk dha një shenjë
kundërshtimi, përkundrazi, Ai i meritoi nderimet e të gjithë ushtarakëve edhe
për atë që ai u prezantonte atyre: guximin, kurajon dhe trimërinë e pashoqe.
Skënderbeu
mbante kontakte të vazhdueshme me princërit shqiptarë nëpërmjet korierëve të
tyre që lajmëronin atë se sa shumë e prisnin ti afronin ndihmën e tyre për ta çliruar Shqipërinë nga tirania turke. Skënderbeu mendohej se si tua merrte turqve
Krujën kryeqyetin e Shqipërisë. Ai punoi shumë për planin e kthimit në
Shqipëri bashkë me patriotët e tjerë në mënyrën më të efektshme e më të zgjuar
pa rënë në sy të Sulltanit.
Në mënyrë
sekrete, pas Betejës së Nishit kur Skënderbeu mbërriti në Dibër në krye të 300
kalorësve u dërgoi lajmëtarë princërve kryesorë të Shqipërisë ta takonin atë.
Ai u bëri të njohur njerëzve qëllimin e ardhjes se tij dhe ata e përshëndetën
me demonstrime të pakufishme ku gezimi dhe ndikimi ishte shumë i madh dhe çdo
ndihmë dhe shërbim ju afrua atij në shkallën më të lartë.
Kongresi
Amerikan më 28 tetor 2005, votoi rezolutën numër 522 për të nderuar ditën e
600-vjetorit të Lindjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu si burrë
shteti, diplomat dhe ushtarak gjenial për rolin e tij në mbrojtjen e Europës
Perëndimore nga pushtimi Turk ku midis të tjerash thuhet: "...më 28 Nëntor 1443
Skënderbeu u kthye në vendlindjen e tij, qytetin e Krujës dhe ngriti përsëri
flamurin e Tij me shqiponjën dykrenare përmbi Kështjellën e Bardhë me një
manifestim entuziast të njerëzve të Tij si një moment historik i përshkruar e
përjetësuar nga poeti Amerikan Henry Wadsworth Longfellow, në poemën epike
"Scanderbeg"."
Fitorja e
Skënderbeut kundër ushtrisë Turke në zonën e Dibrës më 1444 " mbushi botën
Kristiane Perëndimore me gëzim dhe shpresë, përuroi Pavarësinë e Shqipërise, të
cilën Skënderbeu e mbajti për më shumë se njëzet vjet...Ai ishte vetë hero i
heronjve" 3)
Sulltan
Murati II dhe djali i tij, Muhameti i Madh edhe pse pushtuan dy perandori:
Kostandinopojën dhe Trapezondin, dymbëdhjetë mbretëri dhe pesëqind qytete kurrë
nuk mundën të pushtonin Shqipërinë pas kthimit të Skënderbeut për një cerek
shekulli rresht.
"Trupat e
tij (të Skënderbeut, shënimi im, A.V.) kurrë nuk ishin mundur në ndonjë betejë
në të cilën ai ishte present. ''4)
Aq është
vlerësuar figura historike e Skënderbeut sa Perëndimi e donte dhe e ndihmonte
edhe kur parashikonte se ofensivat Turke do të rrezikonin jetën e tij.
"Më 4 prill
1461 me rezultat votimi 31 me 2 Senati i Raguzës instruktoi Rektorin dhe
Këshillin e tij që ti afronte Skënderbeut një vend qëndrimi për familjen e tij
në ishujt e saj në se do të ndodhte që atij do ti rrezikohej jeta nga Turqia"5)
Duke u
thelluar në njohjen e figurës dhe të jetës së Skënderbeut ne ushqehemi ta duam
akoma më shumë Shqipërinë, atdheun, të cilin Skënderbeu e deklaroi si atdhe i
trashëguar nga të parët tanë ilirë dhe pellazgë. Në qindra vepra dhe studime
kushtuar Skënderbeut nga autorë shqiptarë, italianë, anglishtfolës, francezë, gjermanë,
etj por edhe në letërkëmbimet e Vatikanit apo dhe me emisarë të Perëndimit si
dhe sulltan Muratin II ai cilësohet si Princ ose Mbret i Epirit dhe Shqipërisë.
Ja si i
drejtohet Sulltan Muhameti në letrën që i dërgon Skënderbeut më 22 qershor
1461: "Skënderbeu, princ i Shqiptarëve dhe Epirjotëve"6)
Në fakt, për
botën akademike kjo mënyre të shkruari a të shprehuri është më se e qartë. Nga
autorët e lashtë Epiri është quajtur Kaoni, Mollosi dhe Thesproti (Camëri) ku
përfshihen dhe shumë fise te tjera. Është Shqipëria e Jugut që lulëzoi si në
kohën e Aleksandrit të Mollosisë, të Pirros më shumë që e bashkoi por edhe të
Ali Pashë Tepelenës.
Emri i
Epirit është përdorur në përkthimet e Jacques De Lavardine si vendlindje dhe
origjinë e Marin Barletit: "Marin Barleti, prift i Shkodrës në Epir, prej të
cilit cdo pjesë e historisë është studjuar fjalë për fjalë."7)
Emri i
Epirit për Shqipërine dhe shqiptarët e shekullit XV është i identifikuar më së
miri me të gjitha territoret e banuara nga shqiptarët në Ballkan që natyrisht
është sipërfaqe më e madhe se zotërimet e Skënderbeut. Kjo pranohet edhe nga
Perëndimi sepse edhe në dokumentat e Vatikanit është shkruar si e tillë, bile
ishte projektuar nga Vatikani që Skenderbeu për meritat e tij në luftë kundër
Perandorisë Turke të kurorëzohej Mbret i një sipërfaqeje të konsiderueshme të
vendeve të Ballkanit edhe më shumë se vetë Illyria edhe pse Skënderbeu kurrë
nuk pati ambicie pushtuese në udhëheqje të Shqipërise për 25 vjet!
Skënderbeu
me luftën titanike kundër Perandorisë Turke për 25 vjet rresht e rifuti kështu
Shqipërinë në hartën e Botës Kristiane dhe ai kishte aleancë të plotë me
Napolin, Selinë e Shenjtë, Venecian dhe Raguzën. Ndërkohë, ai bashkoi princat
shqiptarë dhe mbështeti e dëgjoi nga afër këshillën e Autoritetit Kristian në
Shqipëri duke arritur më vonë të kishte në Këshillin e Shtetit Shqiptar edhe
Arkbishopin e Durrësit Pal Engjëllin që gëzonte mbështetje popullore të plotë.
Duke ndalur një nga fuqitë ushtarake të kohës që kish zaptuar territore europiane
ai ndihmoi kështu Europën Perëndimore që jo shumë e vlerësoi rrezikun Turk
përvec Venecias, Napolit dhe Selisë së Shenjtë.
Kur Papa
Nicholas V (1447-1455) dëgjoi për kurajën dhe fitoret e Skënderbeut, ai i
dërgoi atij një urim shpirtëror special duke e quajtur Skënderbeun:" kampion
dhe mburojë e Mbretërisë Kristiane".
Më vonë,
Papa Calistus III e quan Skënderbeun "Ushtar i Krishtit". 8)
Nga letrat e
Papa Piu II për Skënderbeun në vitin 1463 mësojmë se Papa propozonte se ai do
të linte Romën në krye të një ushtrie-kryqëzate të madhe kundër Fuqisë Turke;
ai deklaronte se do ti hipte anijes në Ankona dhe do të kalonte pastaj në Epir
ku ai do ti japë titullin (kapelen) e kardinalit Pal Engjëllit, arkbishop i
Durrësit dhe të kurorëzonte Skënderbeun mbret i Epirit dhe Shqipërisë si dhe
ta emëronte atë Komandant të Forcave Kristiane. Besimi në autoritetin e
Skënderbeut dhe aftësitë e tij ushtarake ishin në shkallën më të lartë sepse
Europa Perëndimore s'kishte asnjë figurë tjetër më të përzgjedhur e më të kompletuar
politikisht dhe ushtarakisht se Skënderbeu për të përballur ushtrinë Turke.
"...në qoftë
se Skënderbeu do të merrte komandën si Gjenerali Kryesor i kësaj ekspedite
(ekspeditës së të gjithe forcave kristiane, shënimi im A.V) atëherë do të
kishte vetëm pak dyshim se forcat kristiane do të fitonin."9)
Edhe Bishopi
i Romës, Duka i Milanit në vizitën që i bëri Skënderbeut në Napoli, kur ishte
bashkë me Mbret Ferdinandin e nderoi Skënderbeun, dhe e siguroi dhe e garantoi
se së shpejti Papa Piu II me Kryqëzatën që do të organizojë e drejtojë mundet
të shkojë në Epir qëllimisht, të marshojë kundër Turqve dhe ai (Papa Piu II) do
ta kurorëzonte Skënderbeun Mbret të Epirit dhe Shqipërisë, Maqedonisë, Trakës
dhe Rumanisë dhe do ti besojë ushtrine Kristiane duke i dhënë komandën dhe
qeverisjen si Gjeneral i Luftës kunder armiqve.
Kjo ishte
arsyeja që Sulltan Muhameti kërkonte paqe me Skënderbeun pasi ja kishte frikën
organizimit dhe udhëheqjes së këtyre trupave Kristiane pasi i njihte aftësitë e
Skënderbeut.
Sulltan
Muhameti në një letër më 7 maj 1463 e cilëson në shkallën më të lartë
Skënderbeun " ... kam rënë dakord me admirim të madh më i shquari Skënderbe...Ju,
duke qënë një Princ me heroizëm dhe princërim perfekt..."10) po të kemi parasysh
që Sulltani e njohu zotësinë e një strategu ushtarak si Skënderbeu që në Portën
e Lartë.
Shpata e
Skënderbeut mori famë ngaqë e priste dhe helmetën në mes, aq sa Sulltani dërgoi
njerëz për ta parë nga afër se sa e vërtetë ishte kjo. Clement Moore nënvizon
se efekti i madh prodhimit nuk mund ti atribuohet perfeksionit të një arme por
tek fuqia e një krahu prej së ciles ai hapet.
Me një
disavantazh të thellë në sasinë numerike të forcave Skënderbeu tregoi se ishte
një strateg i madh ushtarak në fushëbetejë duke e zotëruar e praktikuar artin e
të luftuarit në terrene malore, siç ishte shumica e Shqipërisë, e në veçanti
pozita gjeografike e favorshme e Krujës që ishte edhe aleati më i madh në
fitoret e bujshme të tij, që zënë fill qysh pas kthimit të tij në Shqipëri.
Letrat që
Mbreti Alfonso i dërgoi Skënderbeut bashkë me 1500 trupat dhe me furnizime të
tjera u lexuan në publik në Asamblenë e popullit. Skënderbeu me një fjalë
entuziaste ju drejtua ushtarëve para se të niseshin me ekspeditë në qytetin e
Beogradit ku do të prisnin të luftonin me ushtrinë Turke: "Ky është i
njëmbëdhjeti vit në vazhdimësi o ushtarët e mi të mirë që ne kemi kembengulur
për rimëkëmbje dhe zotërim për vendin tonë Epirin ..."11)
Në prag të
gjysmëshekullit të dytë të shekullit XV Perandoria Turke u zgjerua pasi u
zhvendos drejt Europës duke pushtuar në fillim Ballkanin, Kostandinopojën, me
vonë Shqipërinë, Serbinë dhe shumë territore të perëndimit.
Ushtritë
Turke ishin në Juglindje të Europës, në Ballkanin Perëndimor dhe po bëheshin
kërcënim i madh për Botën Kristiane që ishte zvogëluar aq shumë që nga periudha
e ndritur e Perendorisë së Romës kur në krye ishte Perandori Ilir, Konstandini
i Madh. Brigjet shqiptare të Adriatikut u bënë mburoja e krishtërimit në saj të
heroizmit të pashoq të përbashkimit të shqiptarëve nën Skënderbeun që për një
periudhë të gjatë i dhanë një ringjallje të re ndjenjës kombëtare për liri dhe
pavarësi si dhe për më shumë, dëshirën për ndërtimin e një shteti kristian
shqiptar të centralizuar.
"Më 4 qershor
1457 Callikstus III i shkruan Skënderbeut të qëndrojë, pa e dekurajuar atë në
rolin e tij si atlet dhe mbrojtës i vërtetë i besimit kristian që Zoti kurrë më
nuk do ta dezertojë sic bëri me Hunjadin një vit më parë ."12)
Me 10
shtator 1457 Papa Callikstus III kishte vendosur që pjesa e trete e ndihmës
financiare nga Dalmacia duhet të ishte në dispozicion të kreut shqiptar,
Skënderbeut. Papa komandoi legatën e Tij të shkojë në ndihmë të Skënderbeut, të
paktën me një pjesë që operonte në detin Egje.
Më 11
shtator 1457 Papa Callikstus III i shkruan Skënderbeut se ai kishte marrë lajme
të këqia nga përfaqësuesi shqiptar që Skënderbeu kishte dërguar në Romë. Papa i
premtoi Skënderbeut fonde nga paratë që ishin mbledhur për kryqëzatën në
rajonet e Raguzës dhe Dalmacisë... Duke i bërë nderime të mëdha Skënderbeut, për
vlerat dhe famën që kish fituar Papa nënvizon: "Ta ndihmonte Atletin Shqiptar
dhe kampionin, akoma më shumë, Papa mendonte të dërgonte Flotën e Trevisian të
Cardinalit Lodovic ose një pjesë të saj nga operacionet e Mesdheut Lindor nëse
duhej..." 13)
Më 17
shtator 1457 Papa Callikstus III i shkruan përsëri Skënderbeut:"Fort i dashur
djalë! Vazhdo të mbrosh besimin Kristian! Zoti për të cilin ju luftoni nuk do
ta lërë kauzën e tij, ,.. unë jam shumë i sigurtë, Ai do të garantoje sukses
kundër Turqve dhe mosbesimtarëve të tjerë për Ju si dhe kristianët e tjerë me
shkëlqim e nder të madh!" Pas fitores në korrik 1457, Skënderbeu informoi
Princat Perëndimorë se: "ai (Skënderbeu, shënimi im A.V) nuk ishte në pozicion
të sillte luftën në një konkluzion të pëlqyer pa ndihmë të mëtejshme. Ka ardhur
koha nënvizonte Skënderbeu të ngriheni nga letargjia juaj, të lini mënjanë
mosmarrëveshjet dhe të bashkoheni me mua me të gjitha fuqitë te sigurojmë çlirimin e Botës Kristiane dhe të sigurojmë të ardhmen." 14)
Skënderbeu
ishte ushtar dhe gjeneral njëherësh. Selia e Shenjtë e mbështeti atë në çdo
mënyrë e në vazhdimësi dhe solli paqe tek ai. Papa Callikstus III më 23 dhjetor
1457 e emëroi Skënderbeun Kapitenin e Përgjithshëm të Selisë së Shenjtë për
Luftën Turke. 15)
...Pas një
viti qëndrimi të Skënderbeut në Itali, Mbreti Ferdinand mblodhi gjithë krerët e
ushtrisë së tij per ta nderuar dhe falenderuar duke e thirrur Skënderbeun në
emrin e babait; e gjersa ai jetoi nuk pushoi së nderuari atë. Ai i dha
Skënderbeut si dhuratë qytetin Trana dhe dy vende të tjera në Pulia.
Skënderbeu e
përmbushi idealin e heroit Katolik, të burrit të fortë që jeton me besim . Ai
tregoi besnikëri të pashoqe edhe ndaj aleatëve të cilët i qëndruan afër
sidomos, mbreti i Napolit. Ja si e përshkruan Skënderbeun Lavardine :
"Një
mbrojtës i vërtetë i kurorës së Ferdinandit, mbretit të Napolit dhe një
shoqërues i tij larg duarve të armiqve të tij." 16)
Skënderbeu e
udhëhoqi luftën kundër turqve me vizionin bashkues të të gjithë faktorëve
shqiptarë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Përqafimi i besimit Kristian e
bëri atë edhe më shumë mik me Seline e Shenjtë dhe me Botën Kristiane. Nuk
ishte e rastit që Skenderbeu të kishte si anëtar të Këshillit të tij (shtetit
shqiptar) edhe arqbishopin e Durrësit, Pal Engjëllin, i adhuruar nga të gjithë
shqiptarët. Fakti, që interesat e Mbretërisë Kristiane përputheshin me
interesat kombëtare të Shqipërise e bëri edhe më kuptimplotë aleancën e tij me
Selinë e Shenjtë por edhe me shtetet e tjera italiane apo dhe me Hungarinë.
Vetëm në saj
të aftësive të tij udhëheqëse dhe vizionit të tij të qartë për Shqipërinë shtet
të Pavarur nga asnjë fuqi e në veçanti për ta mbrojtur me çdo kusht nga zgjedha
turke Skënderbeu arriti të fitojë respekt dhe simpati jo vetëm në Botën
Kristiane por edhe ndër armiqtë e tij. Sukseset e tij në betejat e përvitshme
me Turqinë treguan se shqiptarët nën udhëheqjen e tij janë vërtet të lindur për
ta mbrojtur vendin e tyre. Ushtria e Skënderbeut ishte ushtri popullore që
kishte rrënjë të thella në shtresat e të gjithë shoqërisë shqiptare. Edhe pse
në radhët e shqiptarëve kishte dhe kundërshtarë të blerë lehtas nga Turqia,
prapëseprapë Skënderbeu hodhi në popull rrënjë të thella si luftëtar dhe udhëheqës
i denjë, trim e i papërkulur, që ja ngriti nderin dhe lavdinë Shqipërise dhe
kombit shqiptar. Ndaj edhe Lavardine nënvizon se" të dy palët si shqiptarët dhe
armiqtë e Skënderbeut konfirmuan hapur me një zë se Skënderbeu ishte ushtari më
i shkëlqyer dhe luftëtari më trim në të gjithë botën". 17)
Skënderbeu
nuk ishte vetëm një luftëtar i shquar për mbrojtjen e vendit dhe të
krishtërimit. Ai ishte dhe një politikan realist me një vizion të kthjellët si
dhe Selia e Shenjtë kundrejt marëdhënieve me Turqinë. Skënderbeu besonte se çmimi final i paqes me turqit do të ishte një shërbim degradues ndaj kombit dhe
vendit nëse ai do të bënte paqe me Portën e Lartë si dhe fqinjët e tij :
Venediku, Moreja, Genova etj.
Pa asnjë
dyshim Selia e Shenjtë e shikonte Skënderbeun si kampion të Krishtërimit, sepse
Skënderbeu kishte ambicje vetëm në Shqipëri dhe po punonte të ndërtonte një
shtet shqiptar të Pavarur, të centralizuar, duke lënë mënjane feudalët që
kishin zotërime dhe herë-herë i kundërviheshin forcërisht duke kërkuar e
përdorur ndihmën turke kundër Skënderbeut.
Pra, kishim
dy këndvështrime të lirisë së shqiptarëve nën administrimin Turk. Shefat
fedualë e kishin mendjen tek kaosi i së shkuarës që të përfitonin vetëm për
vete. Dominimi Turk do të kishte sukses dhe do të bënte më të keqen në dëm të
Shqipërisë dhe popullit në të dy rastet ose sipas opinionit të Skënderbeut,
shefat feudale do ta shkëpusnin Shqipërinë si "republika kristiane" nga
Komuniteti Europian.
Në vitet
gjashtëdhjetë të shekullit XV gjendja paraqitej edhe më e vështirë për
Shqipërinë dhe Botën Kristiane. Në maj 1466 një korier i Skënderbeut mbërrin në
Raguza dhe shpie lajmin e humbjes së Skënderbeut nga tradhëtia ku një numër i
madh kristianesh shqiptarë ishin vrare. Italianët ndjenë panik serioz dhe Piero
de Medici derdhi lotë për fatin e Shqiperisë dhe premtoi ndihmë. Papa Piu II që
tashmë e kishte ndihmuar Skënderbeun dërgoi përsëri para dhe nuk humbi kohë të
thërriste fuqitë Kristiane të bashkohen mes tyre. Rreziku i fuqisë Turke ishte
real, aq më tepër në kufijtë e Europës Perëndimore.
"Në korrik
të vitit 1466 Papa kërkoi ndihmën e Princërve Europianë në emër të Skënderbeut"
18)
Fati i
Shqipërise varej nga qëndresa e Krujës tashmë e rrethuar nga forcat e Ballaban
Pashës dhe nga përgjegjësia e aleancës se qetë te Skënderbeut me Venedikun.
Duke parë e analizuar situatën e vështirë në të cilën ndodhej vendi dhe ushtria
shqiptare, Skënderbeu vendosi të shkojë vetë në Itali, të lutet për të kërkuar
para dhe armë nga Roma, Papati dhe Napoli.
Kështu, më
12 dhjetor 1466 kampioni shqiptar, Skënderbeu arriti në Romë ku u prit me
nderime. Biografi i Skënderbeut Marin Barleti jo vetëm pasqyron nderimin dhe
pritjen e ngrohte të Heroit në Romë por ai thekson se, Papa si dhe Kardinalët u
përgjigjen me shumë bujari kërkesave të tij. "Me shumë dhurata dhe me një shumë
të konsiderueshme parash, Skënderbeu u kthye i përshëndetur dhe i inkurajuar
tek populli i tij.19)
Në librin e
llogarisë së Selisë së Shenjtë, është shënuar se Skënderbeu ka marrë si
fillim 250 dukate, më pas 200 dukate dhe më 17 prill 1467, 2700 dukate dhe më 1
shtator 1467, 1100 dukate. Sipas Secret
Consistory të 7 janar 1467 ndihma për heroin shqiptar ishte miratuar. Papa
kishte probleme serioze lidhur me marëdhëniet ndërshtetërore me Mbretin e Napolit
(mikun e Skënderbeut) dhe për këtë arsye Selia e Shenjte s'mund të bënte më
shumë për kampionin e Shqipërise. "Secret Consistory i datës 12 janar 1467
vendosi se për cdo rast Skënderbeu duhet të ketë 5000 dukate."20)
Jo vetëm Venecia, Selia e Shenjtë por edhe Mbreti i
Napolit me të cilin kishin lidhje të ngushta miqësore e ndihmuan atë me para,
furnizime ushtarake.
Pas kësaj mbeshtetje te fuqishme nga aleatët
perëndimorë në prill të vitit 1467 Skënderbeu e theu ushtrinë Turke dhe mori
vëllain e Ballaban Pashës të burgosur. Herën e dytë ai fitoi mbi Ballaban
Pashën dhe ushtria Turke dezertoi nga fushëbeteja. Kruja shpëtoi, por një
ushtri tjetër më e madhe që erdhi sërish e mbajti për pjesën tjetër të vitit
Skënderbeun në fushën e betejës.
Pas kësaj, më 17 Janar 1468, Heroi i Kristianizmit
vdiq në Lezhë nga një temperaturë e lartë. ""Për fat të keq në lartësine e
suksesit të tij " shpata dhe mburoja e Mbretërisë Kristiane" ishte thyer jo nga
Turqit por nga temperatura fatale."" 21) Kjo ishte humbja më e madhe për Botën
Kristiane që nga vdekja e Hunjadit. "... ai,(Skënderbeu) ishte në zemër një
Kristian i vërtetë" 22)
Kur Sulltani e mori vesh lajmin ai thirri nga gëzimi:"
Më në fund Europa dhe Azia janë të miat! Mjerë Mbretëria Kristiane,... ajo humbi
shpatën e saj dhe mburojën e saj !" 23)
"Vdekja e tij ishte një humbje e madhe për të gjithe
Princët Kristiane, në mënyrë të vecantë për Venecianët dhe Princët Shqiptare që
tani kishin humbur njeriun që kujdesej më shumë dhe kampionin e padukshëm.."
24)
Qëndresa që bëri një komb i vogël karshi Perandorisë
Turke pas vdekjes së Skënderbeut për më shumë se një dekadë është dëshmi e
vertetë se shpirti i heroik, atdhedashës e liridashës i Skënderbeut ishte
gjallë ndër shqiptarët edhe pse Skënderbeu kishte vdekur.
"Papa
Nicholas V e emëroi Skënderbeun " Kampion i Mbretërise Kristiane". Calikstus
III e thirri "Kapiten të Përgjithshem" të Selisë së Shenjtë; Papa Piu II i dha
titullin Atlet i Krishtit."25)
Skënderbeu
ishte shpata e Zotit kundër armiqve të besimit Katolik. Sytë dhe mendja e
shqiptarëve ishin drejtuar tek ai si i vetmi zëbashkues. Shqiptarët panë
virtytet më të mira të kombit të shkëlqenin nën udhëheqjen e tij largpamëse. Ai
u admirua si derë mbretërore dhe Shqipëria u ngjit në lartësitë e përndritshme
të idealit të tij për të cilin ai luftoi.
Ndaj sot, në
të dy kontinentet, në Europë dhe Amerikën e Veriut Skënderbeu është i pranishëm
ne vepra historike, letrare, muzikore, teatrale, statuja, monumente kulture,
emërtime sheshesh e rrugësh, dhe asnjëherë s'do pushojë vëmëndja e njerëzimit
për ta studjuar e nxjerrë në dritë shumëllojshmërinë e mësimeve që dalin nga
figura e tij me përmasa botërore.
Bibliografi
1) The
virgin mother of good counsel. A history of the ancient sanctuary of our lady
of good counsel in Gennazano, and of the ëonderful apparition and miraculous
translation of her sacred image from Scutari in Albania to Gennazano in 1467. Chapter: Scanderbeg and Albania. Monsignor George F. Dillon D.D, 1884,
faqe111
2) Po aty, faqe 113.
3) The History of popes from the middle ages to daën,
Dr. Ludwig Pastor, 1891, Book III " The champion of Christendom against Turks,
1455-1458" faqe 429.
4) "Scanderbeg or Love or Liberty, a tragedy; The life
of George Castriot or commonly called Scanderbeg, King of Epirus and Albania,
faqja XVII.
5)
Diplomatarum ragusanum, J. Gelcich, L, Thalloczy, 1887, faqe 749.
6) George
Castriot, surname Skanderbeg, King of Albania. Clement C. Moore, viti 1850, faqe 330.
7) Po aty faqe 6.
8) Po aty faqe 324
9, 10) Po aty faqe 330
11) po aty faqe 181
12) The papacy and the levant, vol 2, The fifteenth
century, Kenneth M. Setton, 1978, faqja 192.
13) The history of the popes from the middle ages
(Drawn from the secret archives and other original sources) Vol 2, 1891 by Dr.
Ludwig Pastor, faqe 194
14) "The history of the popes from the middle ages
(Drawn from the secret archives and other original sources) Vol 2, 1891 by Dr.
Ludwig Pastor, faqe 434.
15) po aty
faqe 435
16) George
Castriot, surname Skanderbeg, King of Albania. Clement C. Moore, viti 1850, faqe 8
17)The
Papacy and the Levant, 1204-1571: the fifteenth century", Kenneth Meyer Setton,
faqja 333.
18) The history of the Popes close of the middle ages.
(Drawn from the secret archives of the Vatican and other original sources). Chapter III, The war
against Turks, Dr. Ludwig Pastor, Vol. 4, 1894 faqe 86
19) Barleti I, XII, faqe 355
20) The history of the Popes close of the middle ages.
(Drawn from the secret archives of the Vatican and other original sources). Chapter III, The war
against Turks, Dr. Ludwig Pastor , Vol. 4, 1894 faqe 89
21) The American Catholic quarterly revieë, vol
XV,1890; Kapitulli The popes of the Renaissance, John A. Mooney, faqe 759
22) George
Castriot, surnamed Skenderbeg, King of Albania, Clement See Moore, 1850, faqe
365.
23) The history of the Popes close of the middle ages.
(Drawn from the secret archives of the Vatican and other original sources).
Chapter III The ëar against Turks, Dr.Ludwig Pastor , Vol. 4, 1894, faqe 90
24) George
Castriot, surname Skanderbeg, King of Albania. Clement C. Moore, viti 1850, faqe 364.
25) Scanderbeide, The Heroic Deeds of George
Scanderbeg, King of Epirus, Margherrita Sarrocchi, c. ( 1560-1617) , Edited and
translated by Rinaldina Russell, 2006.